ATV

Blog

  • Shiu e bën të pakalueshme një rrugë në Akrashticë, banorët të bllokuar

    Shiu e bën të pakalueshme një rrugë në Akrashticë, banorët të bllokuar

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditët me shi, Basri Gashi nga Akrashtica e Vushtrrisë, e ka të pamundur të dalë me veturë nga oborri i shtëpisë. Meqë, rruga është e paasfaltuar, shiu e bën atë zor të kalueshme për shkak të baltës.

    Andaj, çfarëdo që blen për shtëpi i duhet ta bartë në shpinë nga rruga kryesore, diku rreth 200 metra larg.

    Ky thotë se ka edhe probleme me energjinë elektrike, gjë për të cilën KEDS-i nuk po mund t’i bëjë zgjidhje për shkak të rrugës.

    Sidoqoftë, kërkesat në komunë që t’ia bëjnë një zgjidhje thotë se nuk i kishte të pakta, por ato nuk iu morën parasysh. Veçse në komunë kanë tjetër arsyetim.

    Sidoqoftë, për ta vërtetuar këtë, komuna njoftoi se do të dërgojë ekipe në terren për ta parë gjendjen nga afër.

    Më e pa mundësi për asfalt, banorët thonë se mjafton që rruga të shtrohet edhe me zhavorr, vetëm të mos bllokohet nga balta.

  • Shkarkimet dhe emërimet në aviacionin civil

    Shkarkimet dhe emërimet në aviacionin civil

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas vetëm dy muajve si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Arianit Islami, është shkarkuar nga kjo pozitë.

    Në krye të këtij institucioni tani është emëruar Alban Ramabaja, pozitë të cilën do ta ushtrojë për 6 muaj, meqenëse as ky nuk ka mandat të plotë.

    Që nga viti 2020 kur Qeveria aktuale shkarkoi Eset Berishën nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, nuk është hapur asnjëherë konkurs për këtë pozitë, e cila deri më tani është mbajtur me ushtrues detyre.

    Fillimisht në krye të këtij institucioni Qeveria Kurti emëroi Arianit Islamin si ushtrues detyre, por vetëm pas një muaji në vend të tij erdhi Bujar Ejupi i cili pozitën si ushtrues detyre të drejtorit e mbajti nga muaji qershor 2020 deri në gushtë të 2023 kur edhe sërish u emërua Arianit Islami.

    Ejupi, shkarkimin e tij e kishte lidhur pikërisht me siç thotë ai sinjalizimet e tij për krim të organizuar dhe monopole brenda AAC’së. Madje ai kishte kërkuar që Prokuroria dhe Policia të shkojnë në zyrën e tij dhe t’i marrin dëshmitë e disa rasteve të falsifikimeve të dokumenteve që ai pretendon se i posedon.
    Megjithatë, udhëheqja e këtij institucioni me ushtrues detyre për gati 4 vite po konsiderohet dëm i madh.

    Sipas tij kjo gjë po bëhet qëllimisht nga ana e Qeverisë.

    Arianit Islami, i kontakuar nga televizioni, nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje. As raportimet se ai po hetohet për falsifikimin e licencave dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk janë konfirmuar apo mohuar për ATV-në nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

  • ”Thaçi e të tjerët”, ish hetuesja në tribunalin e Hagës thotë se gjykimi duhet të jetë publik

    ”Thaçi e të tjerët”, ish hetuesja në tribunalin e Hagës thotë se gjykimi duhet të jetë publik

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, për të tretën ditë me radhë ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Dedaj, i cili ka përsëritur disa herë kërkesën që dëshmia e tij të jetë në seancë private, po dëshmon kryesisht rreth ngjarjeve që kishin ndodhur në Qirez gjatë vitit 1998.

    Por, kërkesa e tij nuk u aprovua, madje të martën trupi gjykues nxori një vendim për një proces gjyqësor të hapur, i cili ndër të tjera i urdhëron mbrojtjen dhe Prokurorinë t’i rishikojnë procesverbalet e seancave të mbyllura brenda afateve të përcaktuara.

    “Kërkesa duhet të mbajë parasysh nevojën për të siguruar kryerjen e procesit në seanca publike, sa më shumë që të jetë e mundur, por edhe mbrojtjen efektive të personave, për të cilët janë miratuar masa mbrojtëse. Gjykatës do t’i dorëzojnë versione të redaktuara publike të parashtrimeve në të njëjtën kohë me versionet konfidenciale, përveç në rast se ka arsye bindëse për të kundërtën”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale.

    Ish-hetuesja në Tribunalin e Hagës, tani profesoreshë në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, thotë se një nga elementet më të rëndësishme të sundimit të ligjit në çdo proces gjyqësor, është transparenca.

    Sipas saj, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të zhvillohet sa më shumë në seanca publike.

    “Prokurorët besoj kanë arsye të mira që shumë dëshmi t’i shpërfaqin brenda dyerve të mbyllura, por kur kemi të bëjmë me gjykime në këso raste që konsiderohen të mëdha, atëherë kërkohet më shumë transparencë dhe është më me rëndësi. Pse? Sepse është fokus i madh i audiencës, sidomos në Kosovë, Serbi dhe në gjithë regjionin. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se pse ish-liderët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte në territorin e Kosovës, kur e dimë që Serbia gjatë asaj kohe ka qenë kundër popullsisë shqiptare që ka qenë shumicë. Pa transparencë, publiku i Kosovës, ai i Serbisë, edhe bota evropiane do të jetë e privuar nga fakte shumë të rëndësishme se pse po zhvillohet ky gjykim”, tha Tromp.

    Nga prilli kur edhe nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, shumica e seancave kanë qenë të mbyllura për publikun.

    Ndërkohë, Dedaj, që është dëshmitari i 33-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, gjatë dy seancave të para kishte thënë që ka kërkuar që të mbyllet për publikun, dhe se nuk kishte pasur njohuri për procese gjyqësore.

    Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe të enjten.

  • Blinken: Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën

    Blinken: Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se është “e qartë se Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën”, por “mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit” midis Izraelit dhe Hamasit.

    Përmendja e diplomatit të lartë amerikan për një “periudhë tranzicioni” erdhi si përgjigje ndaj komenteve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili në fillim të kësaj jave tha se Izraeli do të ketë “përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë” në Gaza për një “periudhë të pacaktuar” pas përfundimit të luftës me Hamasin.

    Blinken tha se kishte dëgjuar nga zyrtarët izraelitë se “ata nuk kanë qëllim ta ripushtojnë Gazën dhe të mbajnë kontrollin e Gazës”, raporton CNN.

    Në një kundërshtim të nënkuptuar ndaj komenteve të Netanyahut, Blinken parashtroi në mënyrë eksplicite kushtet e Shteteve të Bashkuara për “paqe dhe siguri të qëndrueshme” në Gaza pas luftës, duke theksuar se territori i saj nuk duhet të zvogëlohet ose pushtohet.

    “Është e domosdoshme që populli palestinez të jetë qendror për qeverisjen në Gaza, dhe në Bregun Perëndimor gjithashtu, dhe përsëri, ne nuk shohim një riokupim”, tha Blinken në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të jashtëm të G7-ës në Tokio.

    “Pyetja e vetme është, a ka ndonjë periudhë tranzicioni që mund të jetë e nevojshme? Dhe cilët mund të jenë mekanizmat që mund të vendosni për këtë për t’u siguruar që ka siguri. Por ne jemi shumë të qartë se nuk ka riokupim, ashtu siç jemi shumë të qartë se nuk ka zhvendosje të popullsisë palestineze”, tha ai.

    “Siç e kemi thënë më parë, ne duhet të shohim dhe të arrijmë, në fakt, unitetin e qeverisjes kur bëhet fjalë për Gazën dhe Bregun Perëndimor, dhe në fund të fundit për një shtet palestinez”, tha Blinken.

  • Deputetët e opozitës përplasen me Muratin për projektbuxhetin 2024

    Deputetët e opozitës përplasen me Muratin për projektbuxhetin 2024

    Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024 pati përplasje mes deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

    Kritikat erdhën për shumën 1 miliard euro për subvencione dhe 200 mijë për investime kapitale, ku sipas opozitës, këto shifra janë në dëm të shtetit. Të njëjtit u ankuan që përkrahje nga qeveria po marrin vetëm komunat e udhëhequra nga pushteti.

    Ndërsa, Murati gjatë prezantimit në detaje të projektbuxhetit, tha se buxheti në total për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

    “Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore 3 miliardë 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliardë e 28 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme…Ne nuk është se kemi ndryshuar politikat fiskale, pra vazhdojnë të jenë të njëjta, megjithatë që jemi munduar të bëjmë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë. Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”, tha Murati.

    Për ndarjen e buxhetit kritika pati deputeti nga PDK, Ferat Shala. Ai tha se më tepër është ndarë buxhet për subvencione sesa për investime kapitale.

    “Pajtohem sikur të ishte buxheti real, i shkruar mirë, i dizajnuar sipas kërkesave dhe nevojave të ekonomisë dhe shtetit, por asnjë afat nuk e arsyeton këtë buxhet. Në buxhet janë 26 për qind investime kapitale, ndërsa 32 për qind subvencione, unë nuk mund ta kuptoj se si ka mundësi mbi 1 miliard euro subvencione një shtet në rrethana paqe normale, dhe atë dihet qysh shkojnë. Ju personalisht e keni anashkaluar tash e dy vjet çështjet e monitorimit të subvencioneve duke e paralizuar zgjedhjen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Pra, në esencë 1 miliard janë në dorën tuaj personale dhe të nivelit politik, të bëni çfarë të doni në vitin e ardhshëm, ndërsa janë më pak se 200 milionë euro investime kapitale që do të ngrisin pozitivisht zhvillimin ekonomik të vendit, duke e zhvilluar infrastrukturën apo zhvillimet tjera. Pra, ky buxhet në për qindje, por edhe me shuma, janë jo vetëm diskriminuese, nëse është kështu është edhe jo humane me qytetarët… 1 miliard euro për vitin e ardhshëm subvencione, doni t’i bleni zgjedhjet, gabim, nuk ju duhen asgjë, i bleni besoj, por 1 miliard euro për vitin e ardhshëm është dëm për Kosovën dhe nuk ja shihni hairin kështu”, tha Shala.

    Shala derisa kërkoi të përmirësohen shifrat e buxhetit, tha se Skenderaj ka 0 investime të reja, ndërsa shtoi se kryeqyteti i vendit 2 milionë e 150 mijë euro për investime të reja. Ndërsa, sipas tij, komunës së Shtimes i janë ndarë 2.3 milionë euro ose më shumë investime se kryeqyteti i Kosovës.

    Ankesa për buxhetin e vitit të ardhshëm pati edhe nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    “Ka probleme bukur fondamentale në strukturë të buxhetit, kur e krahason këtë buxhet me programin e qeverisë mbi bazën që keni marrë mandatin, p.sh me këtë buxhet tek çerdhet, edhe me buxhetin e vitit 2024 nuk po ndërtohen as për së afërmi çerdhet e premtuara. Për banim social nuk figurojnë fare… Sigurimet shëndetësore nuk shihen as tek pjesa përshkruese që do të fillohet me këtë projekt të rëndësishëm…Pra, a qëndron kjo që në vitin 2024 nuk nisem me sigurime shëndetësore”, pyeti Hoti.

    Për këtë, Murati tha se tek subvencionet përfshihen, pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike.

    “U tha që subvencionet janë rrit dhe janë si për qindje shumë e lartë, megjithatë është fjala për kategorinë subvencione dhe trasnfere, ku janë pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike. Kështu që, cila nga to do t’i shkurtonit ju, sepse ne kemi buxhetuar sipas prioriteteve që kemi paraparë… Nëse shohim rrugën Komoran-Drenas-Skenderaj, buxheti për tri vitet e ardhshme është paraparë 25 milionë, kanë qenë 2 milion euro”, tha Murati.

    Reagime gjatë diskutimit pati sërish deputeti Shala, pasi sipas tij, ministri Murati është duke manipuluar opinionin me shifra.

    Ai tha se nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë pozita.

    “Mos e manipulo opinionin me Mitrovicën kur realisht ato janë mjete të Ministrisë së Brendshme. Po flasim për projekte të reja, nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë VV-ja”, tha Shala.

    Për këtë pati përplasje mes ministrit Murati dhe deputetit Shala.

    Murati tha se gjatë deklaratave nga deputeti ka pasaktësi.

    “Pat edhe shumë dezinformata apo pasaktësi. Thuhet që s’ka asgjë për Mitrovicën, megjithatë janë 16 milionë euro për stadiumin që e keni lënë gërmadhë. Është impianti 30 milionë euro projekt i ri”, tha Murati.

    Ndërkaq, kryetari i këtij Komisionit për Buxhet, Armend Muja pyeti ministrin Murati për shtesën e buxhetit për komunat krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa ka kërkuar sqarim për TVSH-në, pasi sipas tij, ka supozime se mund të ketë lëvizje për qëllime turizmi dhe ato sipas tij, mund të afektojnë.

    Për këtë, Murati tha se shtesat për komunat krahasuar me vitin e kaluar janë mbi 90 milion euro. Ndërsa, sa i përket, TVSH-së, ai tha se stafi nga Departamenti i Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme në këtë drejtim.

    “Krahasuar me vitin e kaluar është rreth 90 milionë euro më tepër sesa viti paraprak. Mirëpo, nëse krahasojmë si trend, kemi një kapërcim goxha të madh, sidomos dy viteve të fundit…(Sa i përket TVSH) Konsideroj që ekipi apo stafi nga Departamenti Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme dhe kanë paraparë të gjithë skenarët. Megjithatë, konsideroj që të hyrat që janë paraqitur janë mjaft reale”, u përgjigj Murati.

    Po ashtu në këtë komision është bërë shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin, “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”. /KP

  • Zyrtare: Besnik Hasi i kthehet punës së trajnerit

    Zyrtare: Besnik Hasi i kthehet punës së trajnerit

    Trajneri me prejardhje nga Gjakova, Besnik Hasi pas më shumë se një viti e gjysmë pushim i është kthyer zejës së tij.

    KV Mechelen përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se ka emëruar trajner të skuadrës Besnik Hasin, raporton KP.

    Ish-trajneri i klubeve të njohura si Anderlecht, Legia Warsaw e Olympiakos ka nënshkruar kontratë me KV Mechelen deri në fund të këtij sezoni.

    Hasi ka njohuri për futbollin belg, ku në vitin 2014 fitoi titullin e kampionatit dhe Superkupën si trajner i RSC Anderlechtit.

  • Raporti i KE-së vlerëson zgjidhjen e problemit me automjetet e paregjistruara

    Raporti i KE-së vlerëson zgjidhjen e problemit me automjetet e paregjistruara

    Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2023. Një pjesë e këtij raporti flet për ekonominë dhe sektorët e saj në këtë rast, për sigurimet. Ky raport përmend përparimet në zgjidhjen dhe uljen e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara në Kosovë që vite më parë ishte mbi 200 mijë.

    Ky problem është zgjidhur falë vendosjes së stikersave që është bërë nga bashkëpunimi i Byrosë Kosovare të Sigurimit me institucionet e Kosovës.

    Ky raport përmend edhe problemet që i ka Kosova me mos anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër.

    Raporti përmend edhe procesin e liberalizimit të sigurimeve i cili ende nuk ka filluar dhe modeli i ri i bazuar në rrezik për rregullimin e sigurimit të makinave tarifat nuk janë futur.

    “Përkundër disa përparimeve në automjetet e pasiguruara dhe të paregjistruara, Kosova vazhdon mbeten jashtë sistemit të kartonit jeshil. Si rezultat, sigurimi kërkohet për të regjistruar jashtë vendit automjetet që hyjnë në Kosovë dhe automjetet me targa të Kosovës që dalin nga Kosova. Kjo vazhdon të përfaqësojnë një barrë financiare”, thuhet në raport.

  • Dhoma e Tregtisë dhe Komuna e Ferizajt nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

    Dhoma e Tregtisë dhe Komuna e Ferizajt nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) u mirëprit nga Komuna e Ferizajt, me qëllim të nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes DHTIK-së dhe Komunës.

    Në komunikatë thuhet se qëllim i nënshkrimit të memorandumit është krijimi i linjave direkte të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, krijimit të partneritetit, shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fusha të ndryshme si dhe nxënësve të shkollave të mesme të ju mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të Dhomës së Tregtisë.

    Anëtari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Idriz Zejnullahu falënderoj Komunën e Ferizajit për pritjen, duke theksuar se ky memorandum bashkëpunimi do të shërbejë në të mirë të bizneseve si dhe të rinjve do të i’u mundësohet të vijojnë praktika profesionale tek bizneset anëtare të Dhomës.

    Nga ana tjetër, Nënkryetari i Komunës së Ferizajt Lulzim Aliu përgëzoj Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë për shërbimet e vazhdueshme që i ofron në të mirë të biznesit dhe të rinjve në vendin tonë e veçanërisht të Komunës në fjalë.

    Në fund të procedurës së nënshkrimit të memorandumit të dyja palët uruan për një fillim të mbarë dhe bashkëpunim të frytshëm.

  • ​Aktakuzë ndaj katër personave, keqpërdoren detyrën zyrtare duke nxitur urrejtje

    ​Aktakuzë ndaj katër personave, keqpërdoren detyrën zyrtare duke nxitur urrejtje

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z.

    Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    “Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B.Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

  • Eksperti i sigurisë thotë se mbrojta e afërt për liderët opozitarë ndërlidhet me çështjen e veriut

    Eksperti i sigurisë thotë se mbrojta e afërt për liderët opozitarë ndërlidhet me çështjen e veriut

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku së fundmi janë marrë në mbrojtje nga Policia e Kosovës, pas informacioneve për kërcënime të mundshme nga grupe terroriste serbe.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë në emisionin A LIVE në ATV, e potencoi se mbrojtja e tyre ka të bëjë me çështjen e veriut, mirëpo sipas tij, duhet ende të presim vlerësimet e Policisë se për çfarë bëhet fjalë.

    “Se si ka ardhë dhe cilat janë shkaqet dhe motivet që kanë shtyrë, tani më sipas vetë liderit të opozitës, Krasniqi, e potencoj që ndërlidhet me çështje të pjesës veriore, por ne do duhej të mos t’iu japim ndonjë paragjykim apo ndonjë përfundim të asaj, por do duhej të presim vlerësimet të cilat i bënë Policia e Kosovës, të rrezikshmërisë për person përkatës të cilët janë nën mbrojtjen e shtetit të Kosovës”, tha Shala.

    Ai përmendi se në përjashtim të liderit të LDK-së dhe PDK-së, lideri i AAK-së këtë të drejtë e ka gëzuar më herët, për shkak është jashtëzakonisht i rrezikuar në bazë të vlerësimeve që i bën
    njësia përkatëse në kuadër të Policisë së Kosovës.

    “Sipas asaj që tani më Policia e Kosovës në bazë të rrugëve operative ka identifikuar dhe ka analizuar informacionet ku në bazë të analizimit të atyre informacioneve është konstatuar dhe është vlerësuar nga njësia përkatëse në kuadër të Policisë së Kosovës që dy liderët opozitarë të LDK-së dhe të PDK-së, do të duhej t’u shtohet masa e sigurisë nga ana e shtetit. Pra, njësia e mbrojtjes së afërt t’i asistojë, t’i shoqërojë gjatë aktiviteteve të tyre të përditshme. Sa i përket liderit të tretë opozitar të Haradinajt, ai veç se e ka të gëzuar kontekstin e ofrimit të mbrojtjes së sigurisë me qenë se është jashtëzakonisht i rrezikuar në bazë të vlerësimeve që i bën njësia përkatëse në kuadër të Policisë së Kosovës”, tha Shala. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në A LIVE e gjeni në videon më poshtë: