Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri të mërkurën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.
Seanca pritet të nisë në orën 09:00.
Ndryshe, dje Gjergj Dedaj ka mbaruar dëshminë e tij treditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancën plenare.
Në seancën e cila pritet të nisë nga ora 10:00, është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 19 tetor dhe 2 e 3 nëntor.
“ Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që organizohet në kryeqytetin francez, Paris. Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili do ta bëjë edhe hapjen e Forumit, të enjten në mbrëmje Kryeministri Kurti do të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë Forum.
Ndërsa të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën një vëmendje i ka kushtuar edhe luftës që ka bërë Kosova kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se vendi ynë është në mes të një faze të hershme në luftën kundër këtyre dy dukurive.
Sipas Raportit, Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.
“Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është avancuar, mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht. Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar vazhduan. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, thuhet në raport.
Pjesë nga raporti:
Lufta kundër korrupsionit
Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë progres të kufizuar. Kosova miratoi një kornizë të re rregullative për auditimin e partive politike dhe financimin e fushatës. Mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit të miratuar së fundmi, duke përfshirë Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin për deklarimin e pasurisë dhe legjislacionin për partitë politike dhe financimin e fushatës. Korniza ligjore për konfiskimin penal është mjaft e avancuar, duke përfshirë Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit. Megjithatë, ligji mbetet kryesisht i pazbatuar dhe vlera e aseteve të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikuara, i cili synon të vendosë një sistem të konfiskimit pa dënim, është në pritje në Gjykatën Kushtetuese. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Dënimet plotësuese që ndalojnë ushtrimin e funksioneve publike ose të profesioneve të tjera, veçanërisht për ata që janë dënuar për vepra të lidhura me korrupsionin, nuk zbatohen mjaftueshëm. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë zbatuar plotësisht, veçanërisht miratimi i planeve të integritetit në institucionet publike, “korrigjimi” i legjislacionit, vlerësimet e rrezikut dhe përdorimin praktik të procedurave të sinjalizimit në sektorin publik dhe privat.
Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze. Ekziston nevoja për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Në këtë drejtim, shkarkimi i shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës është shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ për përkushtimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë përmbushur vetëm pjesërisht, dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm Kosova në veçanti duhet:
→ të forcojë më tej kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në aspektin e personelit dhe ekspertizës, për t’u siguruar që ajo mund të kryejë në mënyrë efektive mandatin e saj; institucionet përkatëse duhet të miratojnë dhe zbatojnë planet e integritetit dhe procedurat e brendshme të sinjalizuesve (përfshirë sektorin privat);
→ të forcojë më tej efikasitetin e regjimit të konfiskimit penal; duhet të promovojë përdorimin sistematik të konfiskimit të zgjatur dhe ‘të rregullt’ nga ndjekja penale dhe policia; duhet të rrisë nivelin e specializimit/ekspertizës në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë; duhet të krijojë një fond konfiskimi;
→ të forcojë më tej zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale, si dhe bashkëpunimin multidisiplinar dhe një qasje të bazuar në objektiva për të siguruar hetime proaktive dhe për të luftuar në mënyrë efektive rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; të kryejë në mënyrë sistematike hetime financiare gjatë hetimeve penale; duhet të garantojë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Epilogu i procesit gjyqësor kundër Zoran Vukotiq i cili është dënuar me 13 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës po konsiderohet moment triumfues për drejtësinë kosovare.
Vukotiq i cili është një ndër personat e parë që është dënuar për këtë vepër, vlerësohet të jetë nismë e mbarë edhe për ndëshkimin e dhjetëra të tjerëve.
“Mbijetuara në fjalë e cila tanimë ndjehet e lirë realisht ky proces ka dëshmuar që përtej që e ka vu drejtësinë në vend, dhunuesi ka mbetur prapa grilave, ndërsa kjo e ka mundësinë që të përjetojë lirinë ashtu siç e ka merituar. Për faktin që shumë nga këto gra dhe burra thonë që ata janë afër, sillen diku ndihen të pasigurt”, tha Feride Rushiti nga QKRMT.
Mirëpo për tashmë të dënuarin më 17 nëntor do të ketë një gjykim tjetër, për veprën e njejtë ndërsa më 20 nëntor, fillon gjykimi i parë në mungesë kundër, Cedomir Aksiq.
“Një prej tyre prapë është i ndërlidhur me rastin e Zoran Vukotiq, ndërsa pesë të tjerë janë dëshmitarë në mungesë nuk e kanë të akuzuarin, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit. Besojmë fuqimisht që edhe raste të tilla kanë me arrit të kenë drejtësi pas këtij procesi që nuk është i lehtë për to” , tha Feride Rushiti nga QKRMT.
Megjithatë gjykimet në mungesë po vlerësohen mjaftë sfiduese.
“Do të shohim se si do të rrjedhin procedurat me gjykimet në mungesë. Edhe pse këto procese mund të jenë mjaft sfiduese pasi që e dimë që të pandehurit nuk do të paraqiten në gjykatë dhe me rastin e arrestimit të tyre, ata kanë të drejtë automatike që të fillojnë gjykimin prej fillimit”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të avokatit mbrojtës dhe të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq.
Progresi në dialogun me Serbinë, mund ta ndihmojë Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Veç kësaj, hap i rëndësishëm për Kosovën, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësohet të jetë edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.
“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha Ursula von der Leyen.
Në linjë të njëjtë me të, ishte edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.
“Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, tha Varhelyi.
Paraprakisht, në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë u miratua paketa e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.
Raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete, përfshirë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Përveç në pjesën e shpjegimit të shkallëve të vlerësimit, në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, asnjëherë tjetër nuk përmendet shkalla më e lartë e vlerësimit “progres shumë i mirë”.
Joprogresi ose mungesa e progresit, përveç pjesës së shpjegimit të shkallëve, përmendet 29 herë, gjatë raportit 132-faqësh.
Derisa “përparim i mirë” përmendet vetëm gjashtë herë, në shumicën e herëve, dokumenti i miratuar të mërkurën në Bruksel, konstaton “përparime të limituara” dhe “disa përparime”.
Krejt në fillim, dokumenti konstaton mosmarrëveshje dhe mungesë bashkëpunimi ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kuvend, të cilat mes tjerash kanë penguar agjendën legjislative dhe kanë vonuar emërimet në organe të caktuara.
Lidhur me reformën në administratën publike, raporti thotë se nuk janë zbatuar mjaftueshëm rekomandimet nga raporti paraprak. Ndërsa, shprehet shqetësimi se ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë rrezikojnë krijimin dhe përkeqësimin e boshllëqeve ekzistuese në kapacitetet administrative.
Dokumenti thekson se Kosova është ende në fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi të drejtësisë që funksionon mirë – teksa përmendet nevoja për veprime, për rezultate të prekshme.
Krahas konstatimit se korrupsioni mbetet çështje shqetësuese dhe vlerësimit për përparim të kufizuar në luftimin e tij, raporti thekson nevojën për shtim të përpjekjeve për, siç shkruan, “hetime më proaktive, vendime përfundimtare të gjykatave dhe konfiskim përfundimtar të aseteve”.
Theks të veçantë dokumenti i kushton edhe mos-ndryshimeve të kërkuara të ligjit për luftimin e financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.
Në aspektin ekonomik, raporti përmend se ringjallja ekonomike u zbut ndjeshëm më 2022, për shkak të uljes së investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit nga familjet, si pasojë e inflacionit të lartë.
Ndërlidhur, përmenden sfidat e sektorit privat si pasojë e sfidave strukturore të gjata, si shkalla e lartë e joformalitetit, shkalla e lartë e korrupsionit dhe në përgjithësi sundimi i dobët i ligjit.
Në përgjithësi, raporti konstaton se Kosova duhet t’i përmirësojë kapacitetet e saja administrative dhe bashkërendimin ndërmjet gjithë sektorëve, për të arritur zbatim efektiv të standardeve që kërkohen për integrim në Bashkimin Evropian.
Punimet në rregullimin e kulmit të shkollës “Shaban Idrizi”, i cili nga era përfundoi në tokë, të dielën, komuna e Mitrovicës i filloi pas tri ditëve.
Meqë, punimet nuk mbaruan as të mërkurën për shkak të motit me shi, i gjithë uji i grumbulluar përfundoi brenda objektit shkollor.
Megjithatë, mësimin nxënësit zor se do ta fillojnë edhe javën e ardhshme. Sipas drejtoreshës së shkollës, dëmet që i shkaktoi rrjedhja e ujit janë të mëdha.
“Dëmet tash janë edhe më të mëdha, shkolla është mbushur me ujë. Nuk mjafton tash vetëm rregullimi i çatisë, pasi që shkolla ka nevojë për rinovime të tjera. Lagështia mbetet dhe mund të krijojë edhe kushte. Orët do t’i zëvendësojmë e jemi në bisedime me DKA-në, për t’iu bërë një zgjidhje nxënësve derisa të përfundojnë punimet”, tha drejtoresha e Shkollës, Saranda Ademi.
Të shqetësuar që fëmijët po humbasin mësimin, janë prindërit.
“Jam shumë i shqetësuar që po e shoh shkollën në këtë gjendje, drejtoresha e arsimit u dashtë me intervenua ma herët, jo tash pasi që u bë dëmi. Fëmijët po humbasin shumë”, tha Xhafer Jaha, banor.
Gjatë ditës, ATV-ja ka tentuar të bisedojë edhe me drejtoreshën e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, për të kuptuar se cila do të jetë zgjidhja që do iu ofrohet nxënësve, por ajo nuk ishte e qasshme.
Profesori Atdhe Hetemi është ngarkuar me detyrën e drejtorit ekzekutiv të Institutit të rikrijuar për krimet e luftës.
“Atdhe Hetemi është ligjërues në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ai ka përfunduar doktoratën në universitetin e Ghent-it në Belgjik me fokus në historinë politike të Ballkanit Perëndimor, ka më shumë se 15 vjet përvojë profesionale, të përqendruar kryesisht në punë hulumtuese dhe hartim të politikave”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri tha se dokumentimi i krimeve të luftës është detyrë morale e Republikës.
“Plagët janë ende të njoma, ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës. Gjatë këtij viti janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës. Prej tyre, pesë lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën gjashtë viktimave të luftës”, tha Kurti.
Instituti për krimet e luftës ishte themeluar për herë të parë në vitin 2011, megjithatë, nuk kishte funksionuar dhe ishte mbyllur në vitin 2018. E sipas ministres së Drejtësisë, së shpejti pritet të hartohet rregullorja e brendshme, përmes së cilës do të bëhet ndarja e departamenteve përkatëse.
“Do të bëhet rregullorja e brendshme shumë shpejt, e cila do të përcaktojë edhe stafin që do të jetë kompetent për këtë, ndarja e departamenteve dhe pastaj secili departament do t’i marrë përgjegjësitë, por njëra nga përgjegjësitë është edhe matja e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Mes tjerash, në këtë mbledhje, Qeveria mori vendim për shqyrtimin e nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Bislim Bislimi u emërua sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndërsa u miratuan edhe 6 vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme, të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme.
Me një situatë të tillë, Komuna e Mitrovicës u përball disa muaj më parë.
Ndërkaq, të mërkurën, për shkak të motit me shi, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se gjendja e njëjtë mund të përsëritet.
Pas këtij paralajmërimi, Komuna e Mitrovicës ka kërkuar nga Ministria e Financave, themelimin e një fondi emergjent.
“Fondi emergjent në komunën tonë do të duhej të themelohej, kjo do të ishte në të mirë të qytetarëve në radhë të parë, por edhe në të mirën tonë, pa themelim të këtij fondi është e vështirë, pasi që qytetarët çdo ditë vijnë edhe kërkojnë ndihmë nga ne. Nëse ndodh ndonjë fatkeqësi përsëri, atëherë fondi emergjent do të na ndihmonte sadopak”, tha drejtori i Emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni.
Sikurse në Mitrovicë, edhe nga komuna e Vushtrrisë kërkojnë themelimin e këtij fondi, pasi që fatkeqësi të këtilla janë barrë për komunën.
“Krijimi i fondit emergjent është i nevojshëm për komunën tonë dhe qytetarët që t’u dalim në ndihmë atyre për çfarëdo fatkeqësie natyrore. Presim nga ministria që ta themelojë këtë fond. Por, pavarësisht kësaj, me mundësitë që kemi, kemi bërë pastrimin e lumenjve që gjendja të jetë nën kontroll”, tha drejtori i Emergjencave në Vushtrri, Maliq Ferizi.
Përveç Mitrovicës dhe Vushtrrisë, muaj më parë, si pasojë e reshjeve të shiut, vërshime pati edhe në Pejë, Podujevë dhe Prishtinë.