ATV

Blog

  • Fillon dëshminë serbi Dragan Ivaniseviq në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshminë serbi Dragan Ivaniseviq në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 34-të, Dragan Ivaniseviq me kodin (W04043) në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari i 34-të është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilin ka filluar ta marrë në pyetje kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë tërë ditën.

    Sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraparë 1 orë kohë për t’a marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e të akuzuarve ka paraparë dy orë e gjysmë, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk do të parashtrojë pyetje.

    Disa deklarata të dëshmitarit, të dhëna pranë ZPS-së u pranuan si prova materiale të cilat u klasifikuan si publike.

    Seanca e sotme në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve është duke vazhduar herë pas herë me mungesë të përkthimit në gjuhën shqipe.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • Presidentja Osmani do të marrë pjesë në varrimin e Ahtisaarit

    Presidentja Osmani do të marrë pjesë në varrimin e Ahtisaarit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Finlandë.

    “Me ftesë të qeverisë finlandeze, Presidentja Osmani krahas krerëve shtetëror nga vende të tjera të botës do të marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës dhe kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.

    Në delegacionin shtetëror të Presidentes do të jetë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu” ka bërë të ditur Presidenca.

    Funerali i presidentit Ahtisaarit do të mbahet më 10 nëntor.

    Ahtisaari ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

  • Hovenier thërret konferencë për media, deklarohet për draftin e Asociacionit

    Hovenier thërret konferencë për media, deklarohet për draftin e Asociacionit

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, do të flasë sot në një konferencë për media në orën 10:20 mbi draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Njoftimi për konferencë ka ardhur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

    Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po mbahet i fshehtë nga publiku.

    Ky draft-statut iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

    Më pas, dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm” për to, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij nuk janë bërë të ditura ende.

    Kurti dhe Vuçiqi e kanë arsyetuar ruajtjen e fshehtësisë së përmbajtjes së këtij dokumenti duke thënë se një gjë e tillë u është kërkuar nga pesë emisarët perëndimorë.

  • Firmat serbe e furnizojnë Rusinë me mallra të sanksionuara teknologjike

    Firmat serbe e furnizojnë Rusinë me mallra të sanksionuara teknologjike

    Kompanitë serbe janë duke eksportuar mallra të dypërdorshme në Rusi, të cilat janë cak i sanksioneve të Perëndimit për shkak se përdoren në armatimin rus në Ukrainë –përkundër zotimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se vendi i tij nuk do të shërbejë si përçues i anashkalimit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).

    Mallrat e dypërdorshme mund të përdoren si për qëllime ushtarake, ashtu edhe për qëllime civile.

    Në mesin e atyre që kanë pranuar mallra të tilla nga Serbia në Rusi është edhe furnizuesi i Teknologjisë Informative i cili u godit nga sanksionet amerikane në shtator. Kjo u shpjegua nga Uashingtoni si një përpjekje për ta privuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga “pajisjet, teknologjia dhe shërbimet për të cilat ai ka nevojë për ta kryer luftën e tij barbare në Ukrainë”, ka gjetur një hulumtim i REL-it, transmeton KosovaPress.

    Të dhënat doganore nga baza e të dhënave e tregtisë ndërkombëtare, të analizuara nga REL-i, tregojnë se kompanitë serbe kanë dërguar mallra të sanksionuara të dypërdorshme në Rusi prej se Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

    Dërgesat e analizuara nga reporterët përfshijnë llojet e elektronikëve dhe pajisjeve të tjera të kategorizuara si të “prioritetit të lartë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të përdorimit të tyre në armatimin rus që është gjetur në fushëbetejat ukrainase.

     

  • 400 policë u angazhuan për arrestimin e katër nxënësve në dy shkolla të Hamburgut, të cilët kërcënuan mësuesit me armë lodër

    400 policë u angazhuan për arrestimin e katër nxënësve në dy shkolla të Hamburgut, të cilët kërcënuan mësuesit me armë lodër

    Katër nxënës janë arrestuar dje nga policia gjermane, pasi disa mësues të dy shkollave në Hamburg, u kërcënuan rëndë.

    Policia atyre u ka konfiskuar dy armë lodër dhe ka arrestuar katër fëmijë ata janë të moshave minore dy nxënës janë 12-vjeçare, një 13-vjeçar dhe një 14-vjeçare.

    Një nga 12-vjeçarët dhe 13-vjeçari dyshohen se kanë kërcënuar me armë një mësuese në një klasë në një shkollë rrethi në Blankenese.

    400 policë ishin angazhuar në detyrë, ndërsa edhe një helikopter ishte aktiv me orë të tëra.

    Në mbrëmje u bë e ditur se kishte një situatë të ngjashme kërcënimi në shkollën Mendelssohnstrasse në rrethin Bahrenfeld.

    Mësohet se atje është kërcënuar edhe një mësues. Situata në të dyja shkollat ​​ka qenë sërish e qetë mbrëmjen e së mërkurës. Raportohet se askush nuk u lëndua, raporton BILD.

  • Kryevepra e Pikasos shitet për 139 milionë dollarë

    Kryevepra e Pikasos shitet për 139 milionë dollarë

    Një kryevepër e Pablo Picasso e vitit 1932 është shitur për 139 milionë dollarë (113 milionë funte), çmimi i dytë më i lartë i arritur ndonjëherë për artistin, sipas Sotheby’s.

    Femme a la Montre (Gruaja me orë) bëhet gjithashtu vepra më e vlefshme e shitur në ankand këtë vit, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Ai ka piktuaruar Marie-Therese Walter, modelen franceze, e cila ishte gjithashtu një e dashur e artistit spanjoll, dhe subjekt i shumë prej pikturave të tij.

    Vepra ishte vlerësuar me 120 milionë dollarë përpara se të dilte në ankand.

    Piktura më e shtrenjtë e Pikasos për t’u shitur në ankand ishte Les Femmes d’Alger (Gratë e Algjerit), e cila arriti në 179.3 milionë dollarë në vitin 2015.

    I lindur në Malaga në vitin 1881 dhe i rritur në Barcelonë, Picasso u transferua në Paris në vitin 1904 dhe u bë një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

    Ai eksperimentoi me një gamë të gjerë stilesh dhe temash në karrierën e tij. Në një karrierë që përfshin tetë dekada, ai krijoi rreth 150,000 vepra.

    Ai kishte katër fëmijë dhe vdiq në Francën jugore në vitin 1973, në moshën 92-vjeçare.

     

  • ​Ballkani para një tjetër testi serioz sot

    ​Ballkani para një tjetër testi serioz sot

    Kampioni i Kosovës, Ballkani e zhvillon sot ndeshjen e radhës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, të katërtën me radhë në grupin C.

    Skuadra e trajneri Ilir Daja luan në udhëtim te Astana në Kazakistan, skuadër e cila po ashtu ka tri pikë pas tri ndeshjeve sikur edhe Ballkani, raporton KosovaPress.

    Vetëm fitorja do ta mbanë Ballkanin në garë për të kërkuar një vend që dërgon na fazën e eliminimit direkt, në të kundërtën gjërat do të komplikoheshin tej mase.

    Ndeshja do të nis nga ora 16:30 dhe zhvillohet në stadiumin “Astana Arena”.

  • Izraeli vazhdon bombardimet në qytetin e Gazës

    Izraeli vazhdon bombardimet në qytetin e Gazës

    Sulmet ajrore izraelite e kanë goditur edhe të enjten qytetin e Gazës, teksa ushtarët janë përballur lagje për lagje me militantët e grupit palestinez Hamas.

    Ndërkohë, mijëra palestinezë janë të dëshpëruar dhe në kërkim të sigurisë, derisa largohen prej shtëpive të tyre në pjesën veriore të Gazës së rrethuar.

    Pas më shumë se një muaji të bombardimeve masive, qindra mijëra njerëz po përballen me “situatë të rëndë humanitare” në zonat e luftimeve në Gazë dhe kanë mbetur pa ujë dhe ushqime të mjaftueshme, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të mërkurën se forcat e tij janë duke “ashpërsuar rrethimin” në qytetin e Gazës.

    Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit, pas sulmit të grupit në tokën e tij më 7 tetor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke regjistruar sulmin më të keq në historinë e Izraelit.

    Militantët i kanë marrë edhe mbi 240 pengje, duke përfshirë edhe foshnja dhe persona të moshuar.

    I zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, Izraeli është hakmarrë me bombardime të vazhdueshme dhe ofensivë tokësore, e cila sipas autoriteteve palestineze i ka vrarë mbi 10.500 njerëz, shumica prej tyre fëmijë.

    “Ne kemi humbur shtëpitë tona, ne i kemi humbur fëmijët tanë. Ku është komuniteti global?”, ka pyetur Nouh Hammouda, një prej palestinezëve sa ka qenë duke ikur.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e armëpushimit, derisa të lirohen pengjet e marra prej Hamasit.

    Sipas disa burimeve të lidhura me Hamasin, janë duke u zhvilluar bisedime për lirim të 12 pengjeve, përfshirë gjashtë amerikanë, në këmbim të tri ditëve armëpushim.

    Zëdhënësi për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Kirby, ka thënë se Uashingtoni “e ka një mënyrë të komunikimit me Hamasin”, mirëpo dhënia e më shumë hollësive mund ta dëmtojë procesin.

    Ndonëse luftimet intensifikohen, në anën tjetër kanë nisur diskutimet se si do të jetë e ardhmja e Gazës, pasi të përfundojnë luftimet.

    Netanyahu ka thënë këtë javë se Izraeli do të jetë përgjegjës për “sigurinë e përgjithshme” të territorit.

    Kirby ka thënë të mërkurën se diçka e tillë mund të ndodhë për një periudhë kohore.

    Izraeli e ka pushtuar Gazën në luftën gjashtëditore të vitit 1967 dhe është tërhequr nga ky territor më 2005. Dy vjet më vonë, Hamasi e ka marrë kontrollin e rajonit dhe Izraeli i ka vënë bllokadë të ashpër.

    Në periudhë afatgjatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka sugjeruar se Autoriteteti Palestinez – i cili ushtron autonomi të kufizuar vetëm në disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor – duhet ta rimarrë kontrollin në Gazë.

    “Duhet të ketë udhëheqësi palestineze dhe Gaza të jetë e unifikuar me Bregun Perëndimor nën Autoritetin Palestinez”, ka thënë Blinken të mërkurën, duke e përsëritur qëndrimin e SHBA-së për zgjidhje me dy shtete.

    Mirëpo zyrtari i lartë i Hamasit Ezzat al-Reshq ka marrë tjetër qëndrim.

    “Të gjitha fuqitë e botës bashkë, nuk do të mund t’i aplikojnë kushtet dhe kukullat e tyre” te palestinezët, ka thënë ai përmes një mesazhi në Telegram.

    Shefi i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk, e ka dënuar Izraelin për bombardimet dhe urdhrat për palestinezët që të ikin prej veriut të Gazës.

    “Ndëshkimet kolektive të Izraelit ndaj civilëve palestinezë përbëjnë po ashtu krim lufte, ashtu sikurse evakuimi i detyrueshëm i civilëve”, u ka thënë ai gazetarëve në pikën kufitare Rafah me Egjiptin, rrugën e vetme për largim prej Gazës, që nuk kontrollohet prej Izraelit.

  • Arrestohen dy persona në Pejë për drogë, iu gjenden afro 19 mijë euro

    Arrestohen dy persona në Pejë për drogë, iu gjenden afro 19 mijë euro

    Të mërkurën janë arrestuar dy vetë në Pejë, pasi që të njëjtit dyshohen për veprën penale “Blerje dhe posedim të substancave narkotike”.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të njëjtëve iu janë gjetur 18,907 euro para kesh në shtëpitë e tyre.

    “Pejë / 13.07.2023 – 06:30. Pas hetimeve te zhvilluara, në lidhje me rastin është raportuar se me 08.11.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe gjatë kontrollit në shtëpitë tyre si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 18 907 € kesh para, 1.7 gram narkotike e llojit Kokainë, 43 shishe qelqi Raki, një telefon, një pistoletë,  63 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje për pastrimin e armës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri prej tyre është dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Moti në Kosovë dhe rajon

    Moti në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Pejës, Gjakovës dhe Prishtinës dhe me nga 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica me 19 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot i vranët dhe me shi. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Lezhë, Durrës dhe Tiranë me nga 20 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme: