ATV

Blog

  • Shqipëria në mesin e destinacioneve më të preferuara për pushime nga zviceranët këtë verë

    Shqipëria në mesin e destinacioneve më të preferuara për pushime nga zviceranët këtë verë

    Blick: Rajoni i Ballkanit po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për pushime nga turistët zviceranë.

    Rajoni i Ballkanit po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për pushime nga turistët zviceranë. Sipas operatorëve turistikë, gjithnjë e më shumë qytetarë të Zvicrës po zgjedhin vende si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Bullgaria për pushimet verore të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.

    Të dhënat e kompanisë turistike Dertour tregojnë se numri i udhëtarëve drejt Shqipërisë dhe Kroacisë është rritur me rreth 50 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në Mal të Zi dhe Bullgari, ku rezervimet janë dyfishuar.

    Operatorët turistikë e përshkruajnë Ballkanin si një alternativë më të lirë dhe më autentike krahasuar me destinacionet tradicionale mesdhetare si Italia, Franca apo Spanja. Përveç çmimeve më të favorshme, turistët po tërhiqen edhe nga kombinimi i bregdetit, natyrës, qyteteve historike dhe kulturës lokale.

    Ekspertët e turizmit në Zvicër thonë se rajoni shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion “aventurë”, ende jo i mbingarkuar nga turizmi masiv, ndërsa lidhjet ajrore të shtuara nga Cyrihu dhe Bazeli kanë ndikuar ndjeshëm në këtë trend.

    Kompani ajrore si Chair dhe Wizzair kanë zgjeruar fluturimet drejt qyteteve të Ballkanit, me Wizzair që këtë vit ofron mbi 945 mijë ulëse drejt rajonit, 13 për qind më shumë se në vitin 2025.

    Një pjesë e madhe e kërkesës vjen edhe nga diaspora ballkanike në Zvicër, e cila gjatë verës udhëton për të vizituar familjarët dhe vendlindjen.

  • Çitaku i drejtohet Kurtit: Leje opozitën, koncentrohu te hallet e qytetarëve

    Çitaku i drejtohet Kurtit: Leje opozitën, koncentrohu te hallet e qytetarëve

    Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se preokupimi i tij nuk duhet të jetë mbyllja e shtigjeve të opozitës, por problemet e qytetarëve.

    Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se Kurti duhet të fokusohet te çështjet që, sipas saj, preokupojnë qytetarët, si çmimet, arsimi, shëndetësia dhe pensionet.

    “Albini qenka i preokupuar me ia mbyllë shtigjet opozitës. Shihjani preokupimet dhe ambiciet. Albin, leje opozitën. Koncentrohu te qytetari”, ka shkruar ajo.

    Tutje, Çitaku ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke përmendur uljen e çmimeve, arsim më cilësor, barna për të sëmurët, pensione dinjitoze, si dhe avancimin e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    “A ke me ua hapë shtigjet qytetarëve për një jetë më të mirë? Për çmime më të ulëta? Për arsim më cilësor? Për barna për të sëmurët? Për pensione dinjitoze? A ke me ia hapë shtigjet Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së? Këto janë çështjet e vërteta. Këto janë hallet e njerëzve”, ka shkruar Çitaku.

  • Këto janë shtetet ku burrat humbin më së shumti flokët

    Këto janë shtetet ku burrat humbin më së shumti flokët

    Një studim i publikuar së fundmi ka zbuluar se në disa vende të botës, burrat përballen shumë më shpesh me rënie të flokëve dhe tullaci të trashëguar gjenetikisht.

    Referuar të dhënave, Spanja renditet në krye të listës me përqindjen më të lartë të burrave që kanë humbur flokët ose po përballen me rënie të tyre, me rreth 44.5 për qind.

    Pas Spanjës renditen:

    Italia me 44.37%
    Franca me 44.25%
    SHBA-ja me 42.68%
    Gjermania me 41.51%
    Studimi thekson se normat më të larta të rënies së flokëve shfaqen kryesisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut, ndonëse fenomeni është i pranishëm edhe në rajone të tjera të botës, transmeton tutje albinfo.ch.

    Një nga faktorët kryesorë konsiderohet predispozita gjenetike. Ekspertët theksojnë se personat që kanë prindër me probleme të rënies së flokëve kanë rrezik më të lartë që të përballen me të njëjtin fenomen.

    Sipas raportit, edhe Zvicra renditet relativisht lart në listë, duke u pozicionuar në vendin e 17-të, me rreth 38.53 për qind të burrave që vuajnë nga tullacia ose rënia e flokëve.

    Studimi është bazuar në një anketë online të shpërndarë përmes rrjeteve sociale dhe platformave të tjera digjitale, ku morën pjesë më shumë se 4 mijë persona nga vende të ndryshme të botës./Albinfo

  • Tre të lënduar në Prishtinë, u përplasën nga një motoçikletë

    Tre të lënduar në Prishtinë, u përplasën nga një motoçikletë

    Tre persona kanë mbetur të lënduar pasi janë përplasur nga një motoçikletë në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë.

    Të lënduarit, këmbësorë, kanë pranuar tretman mjekësor.

    “Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Bill Klinton në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe tre këmbësorë. Sipas informatave fillestare, lëndime kanë pësuar tre persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, ka konfirmuar për Paparacin zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Enis Pllana.

    Me rastin po merret Trafiku i Kryeqytetit.

  • Vdes personi që ra nga kati i tretë i një objekti në Vushtrri

    Vdes personi që ra nga kati i tretë i një objekti në Vushtrri

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Vushtrri, ku një i ri ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një objekti banesor që ishte në ndërtim e sipër, raporton Sinjali.

    Lajmin e konfirmoi për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.

    “Nga emergjenca e spitalit të Vushtrrisë është konfirmuar se si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi ka humbur jetën”, tha Prekazi.

    Sipas informacioneve, viktima fillimisht kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e rënies nga lartësia, ndërsa është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore.

    Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore, i njëjti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe prokurori, ndërsa rrethanat e rastit po hetohen për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit.

  • Rutte thotë se shumë vende të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm për të mbështetur Ukrainën

    Rutte thotë se shumë vende të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm për të mbështetur Ukrainën

    Shefi i NATO-s mban fjalim në Suedi, ndërsa lë të kuptohet ndryshime të mëtejshme në angazhimet ushtarake të SHBA-së ndaj Evropës.

    Aleatët e NATO-s duhet të shpenzojnë më shumë për të mbështetur Ukrainën, thonë udhëheqësit e NATO-s dhe Suedisë, shkruan The Guardian.

    Rutte dhe Kristersson thonë gjithashtu se jo të gjitha vendet e NATO-s kontribuojnë në mënyrë të barabartë për të ndihmuar në financimin e mbrojtjes së Ukrainës, transmeton Sinjali.

    Rutte thotë se shpenzimet “nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë brenda NATO-s”, me një grup “të kufizuar” vendesh që udhëheqin përpjekjet Suedia, Kanadaja, Gjermania, Holanda, Danimarka por shumë të tjera “nuk po shpenzojnë mjaftueshëm kur bëhet fjalë për mbështetjen për Ukrainën”.

    Kristersson thotë se Suedia është donatori i tretë më i madh dhe “do të ishte shumë më mirë nëse më shumë vende do të konkurronin me madhësinë e mbështetjes sonë”.

    Ai thotë: “Ne duhet të jemi afatgjatë dhe të vendosur në mbështetjen tonë. Kështu që unë me të vërtetë do të doja që më shumë vende që flasin kaq mirë për Ukrainën të flasin hapur”.

  • Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar

    Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.

    Në një letër që Merz ua dërgoi liderëve të BE-së – presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, aktualisht kryesues i BE-së – ai vlerëson se nevojitet një dinamikë e re për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

    Në letrën që Radio Evropa e Lirë e pa, Merz thekson se procesi i zgjerimit të BE-së është duke zgjatur shumë dhe, sipas tij, kjo shkakton zemërim të kuptueshëm si te vendet kandidate, ashtu edhe te shtetet anëtare.

    Ballkani Perëndimor – vëzhgues në institucionet e BE-së

    Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.

    Ai sugjeron, mes tjerash, qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

    Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

    “Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

    “Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

    Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

    Ukraina si anëtare e asociuar

    Kreu i Qeverisë gjermane propozon që Ukrainës menjëherë t’i mundësohet të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme të pranimit, por duke inkurajuar dhe mbështetur atë proces”.

    Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit – “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.

    Merz, gjithashtu, propozon një mekanizëm automatik kthimi, në rast të kthimit prapa në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit ose hapa prapa strukturorë në negociatat e pranimit.

    “Ukraina është anëtare e familjes evropiane dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian. Me këtë qasje, Ukraina do të bënte një hap të madh përpara, duke iu afruar menjëherë anëtarësimit të plotë. Ne do t’i ofronim Ukrainës një ekuivalent të rëndësishëm të anëtarësimit, që tejkalon shumë atë që do të mund ta arrinim në afat të mesëm përmes metodologjisë sonë të pranimit, veçanërisht duke marrë parasysh procesin e ratifikimit”, thuhet në letën e kancelarit gjerman.

    Ai nënvizon, po ashtu, se propozimi për Ukrainën pasqyron situatën specifike të këtij vendi.

    Paralelisht, thuhet në letër, Bashkimi Evropian do të vazhdojë me procedurën e rregullt të pranimit, për të siguruar që pranimi formal të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”.

    Ai shton se këto çështje mund të zgjidhen nëse evropianët marrin një qasje konstruktive ndaj këtij statusi të veçantë, sepse do të ishte një sinjal i fortë politik, për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë në kohën e luftës së vazhdueshme të tyre kundër agresionit rus. /REL

  • Një person bie nga një objekt që ishte në ndërtim në Vushtrri, dërgohet në emergjencë

    Një person bie nga një objekt që ishte në ndërtim në Vushtrri, dërgohet në emergjencë

    Një burrë ka rënë sot nga një kat i një objekti që është në ndërtim e sipër në Vushtrri, ka konfirmuar policia.

    Ai u dërgua në emergjencën e spitalit të Vushtrrisë për trajtim, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi.

    “Policia në Vushtrri ka pranuar informatën se një person i gjinisë mashkullore, ka rënë nga një kat i një ndërtese e cila është në ndërtim e sipër në Vushtrri. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e spitalit të qytetit në Vushtrri. Njësitë policore kanë filluar me veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit”, tha ai.

  • Osmani e qartë: Kurti i ka dy zgjidhje, një presidencë që e çon shtetin në piedestal apo krizë dhe zgjedhje

    Osmani e qartë: Kurti i ka dy zgjidhje, një presidencë që e çon shtetin në piedestal apo krizë dhe zgjedhje

    Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente të vendit, Vjosa Osmani është shprehur presidenca është institucion i cili përmirëson gabimet që bëjnë të tjerë.

    Lidhur me pushtetin, ajo tha se nuk ka të bëjë asgjë me këtë aspekt, sepse sipas saj, nëse do të donte një gjë të tillë, ajo do të kandidonte për kryeministre.

    “Në rast që të tjerët bëjnë gabime, atëherë institucioni i presidentit i përmirëson ato, qofshin ato gabime përbrenda, por kryesisht gabime që mund të bëhen në raport me sigurinë tonë kombëtare, apo me aleancat”.

    “Pra, kjo nuk ka të bëjë me pushtetin. Sikur unë të doja pushtet, do të kandidoja për kryeministre, arsyeja pse kam kandiduar për presidente është për shkak se jam e bindur që ka qenë vullnet i popullit të Kosovës, që të vazhdoj edhe një mandat për hir të interesave të Republikës sonë”, tha ajo.

    Osmani gjithashtu foli edhe për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duke thënë se ka vetëm dy zgjidhje, një presidencë që e çon shtetin në piedestal apo krizë dhe zgjedhje.

    “Pra, këto janë dy zgjidhjet që do t’i ketë edhe z.Kurti para vetes, gjithçka për Republikën dhe për interesant shtetërore në njërën atë, një presidencë që e çon shtetin në piedestal apo krizë dhe zgjedhje të njëpasnjëshme. Këto janë dy zgjedhjet e vetme që do t’i ketë”, u shpreh ajo.

    Ndryshe, është pikërisht Kurti ai i cili para disa ditësh deklaroi se Osmani ka ambicie politike dhe do pushtet.

  • Kontrolli në ambientet e shkollës, dy nxënësve në Skenderaj u konfiskohen armë, fishekë e një thikë

    Kontrolli në ambientet e shkollës, dy nxënësve në Skenderaj u konfiskohen armë, fishekë e një thikë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në ambientin e një shkolle, dy nxënësve u janë gjetur dhe konfiskuar arma pistoletë, një karikator, 19 copë fishekë, një gëzhojë, një predhë e armës dhe një thikë.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Osman Geci” në Skenderaj, të mërkurën në ora 11:30.

    “Gjatë kontrollit në ambientin e shkollës, te dy nxënës të dyshuar m/k u janë gjetur dhe konfiskuar: arma pistoletë, një karikator, 19 copë fishekë, një gëzhojë, një predhë e armës dhe një thikë”, thuhet në raport.

    Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e prindërve dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.