ATV

Blog

  • Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke e ka bërë publike listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës.

    Kosova në fund të këtij muaji do të jetë mysafire e çekëve, të cilët po përgatiten për kualifikimet dhe paraqitjet drejt Kupës së Botës 2026.

    Federata çeke tashmë ka zbuluar emrat e lojtarëve të grumbulluar, ku në listë bëjnë pjesë edhe tre futbollistë të Hoffenheimit: Vladimir Coufal, Robin Hranac dhe Adam Hlozek. Ata janë bashkëlojtarë me futbollistët kosovarë Leon Avdullahu, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.

    Në anën tjetër, lista e Kosovës pritet të publikohet në ditët në vijim. Mbetet të shihet nëse përzgjedhësi Franco Foda do t’u besojë lojtarëve kryesorë apo do t’u japë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj në këtë përballje miqësore.

  • Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Raportimet në Itali po shtohen se Massimiliano Allegri është në listën e ngushtë të Napolit për ta zëvendësuar Antonio Conten, ndërsa drejtori sportiv Giovanni Manna thuhet se ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me trajnerin italian.

    Conte ka lënë sinjale të forta se do të largohet në fund të sezonit, ndërsa “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore të klubit është organizuar edhe një barbecue, që është interpretuar si një lloj “lamtumire” për trajnerin.

    Edhe pse Maurizio Sarri mbetet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, zërat për Allegrin po rriten me shpejtësi. Dy palët kishin pasur kontakte edhe verën e kaluar, përpara se Conte të vendoste të vazhdonte aventurën e tij me klubin napolitan.

    Me tensionet në rritje te Milani dhe pasigurinë rreth projektit sportiv, Napoli po tenton seriozisht ta bindë Allegrin të transferohet në “Stadio Diego Armando Maradona”.

    Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis e ka dërguar Giovanni Mannan në Milano, ku gjatë ditëve të fundit është zhvilluar një darkë me Allegrin për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.

    Manna dhe Allegri njihen mirë nga periudha kur kanë punuar së bashku te Juventusi, ndërsa oferta e Napolit raportohet të jetë e ngjashme me atë të verës së kaluar: një kontratë dyvjeçare.

    Në anën tjetër, Milani mbetet i interesuar për Allegrin, por trajneri kërkon garanci konkrete në merkato përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

    Sipas raportimeve, Allegri nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani do të vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë sportive të klubit.

  • FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    Skena më e madhe e futbollit mund të jetë pranë transformimit më radikal deri më tani, pasi propozime të reja për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 janë rikthyer në tryezën e FIFA-s.

    Pavarësisht se turneu i vitit 2026 tashmë është zgjeruar në 48 përfaqësuese, drejtuesit e futbollit botëror po diskutojnë një hap edhe më të madh: kalimin në një format me 66 ekipe.

    Teksa bota e futbollit po përgatitet për Kupën e Botës së parë me 48 skuadra, e cila do të mbahet në Amerikën e Veriut, FIFA po mendon edhe më larg. Sipas mediumit spanjoll AS, propozimi për zgjerimin e Botërorit 2030 në 66 ekipe ka marrë vrull të konsiderueshëm gjatë javëve të fundit.

    Ideja u sugjerua fillimisht nga CONMEBOL, me synimin për të rritur aksesin në nivelin elitar të futbollit botëror. Ajo që dikur konsiderohej si një propozim tepër radikal, tashmë po merret seriozisht nga disa federata anëtare të FIFA-s.

    Hierarkia e FIFA-s, e udhëhequr nga Gianni Infantino, po e sheh zgjerimin si një mënyrë për të promovuar përfaqësim më të madh dhe pluralitet në futbollin ndërkombëtar. Infantino e ka përshkruar shpesh Kupën e Botës si një festë globale, ndërsa një format me 66 skuadra do t’u ofronte vendeve që nuk kanë marrë pjesë kurrë më parë në Botëror një mundësi më reale për kualifikim.

    Me edicionin e vitit 2026 që pritet të sjellë debutues si Kepi i Gjelbër, Curacao, Uzbekistani dhe Jordania, dëshira për një listë më të gjerë pjesëmarrësish po rritet edhe brenda vetë FIFA-s.

    Kupa e Botës 2030 aktualisht është planifikuar të organizohet kryesisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje simbolike do të zhvillohen edhe në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.

    Megjithatë, një zgjerim i tillë do të sillte sfida të mëdha organizative dhe do të ushtronte presion të jashtëzakonshëm mbi infrastrukturën dhe logjistikën e turneut.

    Edhe pse plani zyrtar mbetet ende në 48 ekipe, FIFA nuk pritet ta finalizojë plotësisht strukturën organizative deri pas finales së Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 19 korrik

  • Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngrirë 18 prona në Prizren dhe ka kërkuar paraburgim për të arrestuarin për keqpërdorim të pozitës.

    Sipas kërkesës, i pandehuri E.J., në cilësinë e personit zyrtar si ndërmjetësues i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, dhe përmes këtyre veprimeve ka përfituar për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.

    “ Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë. Përmes këtyre veprimeve, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore më fshatin Lokvicë, Komuna e Prizrenit, me vlerë rreth 1,000,000 euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë”, theksohet në njoftim.

    Hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili gjendet në arrati për shkak të veprave “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

    V.Z. dyshohet se, duke falsifikuar dokumentet publike dhe në koordinim me E.J., ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi përmes së cilës ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij. Në të njëjtin rast, hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit A.G., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    “Në lidhje me rastin, janë sekuestruar para në shumën prej 14.600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërkohë që është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive, për të siguruar gjendjen e pronave deri në përfundim të procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.

  • FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    FSK stërvitje në zonën e Liqenit të Badocit, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të aktiviteteve dhe stërvitjeve të planifikuara operative, do të realizojë stërvitje fushore në zonën e Liqenit të Badovcit, duke përfshirë edhe një pjesë përgjatë rrugës “Pëllazgët” në fshatin Mramor, në datat 21-22.05.2026 dhe 28.05.2026.

    Gjatë zhvillimit të ushtrimeve, Komuna ka paralajmëruar se mund të ketë lëvizje të shtuar të automjeteve dhe personelit të FSK-së dhe përdorim të armëve dhe të shtëna stërvitore.

    “Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që të mos shqetësohen nga aktivitetet e lartëcekura, pasi bëhet fjalë për ushtrime të planifikuara dhe të kontrolluara nga institucionet përgjegjëse të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet nënkontraktori i kompanisë ku vdiq punëtori në Vushtrri

    Arrestohet nënkontraktori i kompanisë ku vdiq punëtori në Vushtrri

    Është arrestuar dhe dërguar në mbajtje nënkontraktori i kompanisë “Premium Building”, i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

    Kjo erdhi pasi një punëtor 31-vjeçar humbi jetën këtë të enjte në një objekt në ndërtim e sipër të ndodhur në rrugën “Bedri Pejani” në Vushtrri.

    Policia ka konfirmuar se viktima ka rënë nga kati i tretë i një ndërtesë në ndërtim e sipër, ndërsa si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën në Emergjencën e Spitalit në Vushtrri.

  • Behrami: Nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Thaçit, atëherë një gjë të tillë ia dëshiron edhe Rexhep Selimit

    Behrami: Nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Thaçit, atëherë një gjë të tillë ia dëshiron edhe Rexhep Selimit

    Kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka komentuar deklarimet nga Guxo ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ai ka thënë se nëse dikush nga Guxo ose VV ia dëshiron dënimin Hashim Thaçit, atëherë dënimin ia dëshiron edhe Rexhep Selimit.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ua ka rikujtuar pushtetarëve për çka akuzohen çlirimtarët.

    “Krerët e UÇK-së akuzohen për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Kështu që, nëse dikush nga Guxo ose LVV ia dëshiron dënimin Hashim Thaçit, atëherë dënimin ia dëshiron edhe Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit”, ka shkruar ai.

  • Neymar pëson një tjetër lëndim te Santos, por pritet të jetë gati për Brazilin

    Neymar pëson një tjetër lëndim te Santos, por pritet të jetë gati për Brazilin

    Superylli brazilian Neymar ka pësuar një tjetër goditje në aspektin e lëndimeve te Santos, vetëm disa ditë pasi u përfshi në listën e kombëtares së Brazilit për Kupën e Botës 2026.

    Sulmuesi u diagnostikua me një problem në pulpë, duke ngritur menjëherë shqetësime për gatishmërinë e tij për turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. Santos ka konfirmuar se Neymar po vuan nga një lëndim i lehtë në pulpë, pasi testet mjekësore zbuluan një edemë 2-milimetra në pulpën e djathtë. Problemi u njoftua të mërkurën nga departamenti mjekësor i klubit.

    Koha nuk është ideale për 34-vjeçarin, i cili vetëm së fundmi është rikthyer në grumbullimin e Brazilit pas një rikuperimi të gjatë nga dëmtimi i rëndë në gju që pësoi në vitin 2023. Neymar tashmë ka munguar në përballjen e Santosit në Copa Sudamericana ndaj San Lorenzos dhe pritet të mungojë edhe në ndeshjen e ardhshme të kampionatit kundër Gremios.

    Sulmuesi është në garë me kohën për t’u rikuperuar para se të paraqitet në grumbullimin e Brazilit më 27 maj. Si Santos, ashtu edhe Federata Braziliane e Futbollit (CBF), po e monitorojnë nga afër progresin e tij.

    Rodrigo Zogaib, shefi i ekipit mjekësor të Santosit, këmbënguli se lëndimi nuk konsiderohet serioz dhe shprehu besimin se Neymar do të jetë i gatshëm për Brazilin javën e ardhshme.

    “Neymar ka një lëndim të lehtë në pulpë, një edemë. Por, sipas planifikimit tonë, progresi i tij do ta lejojë të jetë i gatshëm javën e ardhshme, kur do t’i bashkohet kombëtares”, deklaroi ai.

  • Khamenei urdhëron: Uraniumi i pasuruar nuk largohet nga Irani

    Khamenei urdhëron: Uraniumi i pasuruar nuk largohet nga Irani

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka urdhëruar që rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta të mos largohen nga territori iranian, një vendim që mund të tensionojë më tej negociatat me Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor dhe sigurinë rajonale.

    Sipas burimeve iraniane, para shpërthimit të luftës së fundit në rajon, Teherani kishte sinjalizuar gatishmëri për të eksportuar një pjesë të uraniumit të pasuruar në 60 për qind, si pjesë e një kompromisi të mundshëm diplomatik.

    Megjithatë, pas kërcënimeve të përsëritura ushtarake nga administrata amerikane dhe sulmeve ndaj objektivave iraniane, udhëheqja iraniane ka ndryshuar qëndrim dhe tani këmbëngul që materiali bërthamor të mbetet nën kontrollin e plotë të shtetit iranian.

    Presidenti amerikan, Donald Trump kishte kërkuar që uraniumi i pasuruar pothuajse në nivel armësh të largohej nga Irani në kuadër të çdo marrëveshjeje të re, duke argumentuar se kjo do të zvogëlonte rrezikun e zhvillimit të armëve bërthamore. Megjithatë, zyrtarët iranianë besojnë se dorëzimi i rezervave strategjike do ta bënte vendin më të cenueshëm ndaj presioneve dhe sulmeve të ardhshme.

    Vendimi i Teheranit shihet nga analistët si një sinjal se Irani synon të ruajë kapacitetin e tij bërthamor si mjet presioni në negociata dhe si garanci sigurie përballë kërcënimeve të jashtme. Në të njëjtën kohë, kjo lëvizje pritet të shtojë shqetësimet në Perëndim dhe te aleatët rajonalë të SHBA-së, veçanërisht te Izraeli, i cili prej kohësh e konsideron programin bërthamor iranian si kërcënim direkt për sigurinë kombëtare.

    Burime diplomatike paralajmërojnë se mosmarrëveshjet mbi uraniumin e pasuruar mund të bëhen pengesa kryesore për çdo marrëveshje të ardhshme mes Iranit dhe SHBA-së, në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten jashtëzakonisht të larta. /Telegrafi/

  • Kthehet në pronësi të MBPZhR-së objekti i uzurpuar në Komunën e Zveçanit

    Kthehet në pronësi të MBPZhR-së objekti i uzurpuar në Komunën e Zveçanit

    Drejtorati i Inspektoratit Qendror të Pylltarisë dhe Gjuetisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, kanë ndërmarrë një aksion për rikthimin në pronësi dhe në administrim të Agjencisë Pyjore të Kosovës, të një objekti në Komunën e Zveçanit, i cili deri më tani ishte i uzurpuar dhe shfrytëzohej nga struktura paralele në veri të vendit.

    Ky veprim është ndërmarrë në bazë të vendimit të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për racionalizimin e hapësirave administrative dhe optimizimin e shfrytëzimit të pronës publike.

    Përmes këtij procesi po bëhet riorganizimi i hapësirave institucionale dhe orientimi më efikas i resurseve financiare, me qëllim që mjetet publike të ridrejtohen drejt investimeve konkrete për fermerët dhe zhvillimin e sektorit bujqësor.

    Ky veprim është pjesë e procesit të riorganizimit institucional dhe optimizimit të shfrytëzimit të pronës publike, me synim rritjen e efikasitetit administrativ, uljen e kostove operative dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve publike.

    Në kuadër të këtij procesi, MBPZhR synon zhvendosjen graduale të institucioneve vartëse në objekte publike, duke reduktuar shpenzimet e qirasë dhe duke forcuar menaxhimin e pronës shtetërore.