ATV

Blog

  • 50 shtete pjesëmarrëse në Evropianin e xhudos në Prishtinë

    50 shtete pjesëmarrëse në Evropianin e xhudos në Prishtinë

    Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos vjen si ngjarja më e madhe sportive në vend.

    Kjo ngjarje do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, më 16 dhjetor.

    Deri në 50 shtete pjesëmarrëse me mbi 100 xhudistë/e elitarë/e do të garojnë për çmimin e madh prej 300,000 euro në total në të gjitha kategoritë.

    Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos.

    Federata e Xhudos e Kosovës bëri me dije se hyrja do të jetë falas për të gjithë.

  • Kadrijaj: Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen me fakte të fabrikuara nga Serbia

    Kadrijaj: Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen me fakte të fabrikuara nga Serbia

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka përfunduar dëshminë e saj të cilën e filloi të enjten në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

    Gjatë fundit të dëshmisë së saj, Time Kadrijaj ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së po akuzohen me fakte të fabrikuara dhe grumbulluara nga Serbia.

    “Derisa të vërtetohet e kundërta e kam këtë qëndrim”, tha Kadrijaj.

    Përgjigja e Kadrijajt erdhi pasi prokurori Cezary Michahlzcuck e pyeti dëshmitaren se a është padrejtësi të akuzosh dikë.

    “Po ju nuk e dini këtë, ka pas gjykime të tjera dhe nuk ka pas fabrikime dhe ka pasur persona që janë dënuar në bazë të dëshmive të vërteta. Ju thatë që keni qenë me punën tuaj, ju nuk e dini a janë apo s’janë padrejtësi. A është padrejtësi të gjykosh personat, nuk po them t’i shpallësh fajtor. T’i akuzosh personat, t’i analizosh provat për të vërtetuar pretendimet e atyre që thonë se janë viktima, a është padrejtësi”, tha prokurori.

    Deklarata e Time Kadrijaj erdhi pasi asaj iu prezantua një intervistë që ajo kishte dhënë dhe se kishte thënë se është padrejtësi të gjykohen ata që kishin bërë luftë të drejtë.

    “Gjykata vendos a janë të fajshëm apo të pafajshëm. Nëse e shihni paragrafin e fundit, e shihni që kam thanë se Kosova i ka dhënë përkrahje gjykatës dhe mendim i imi ka qenë që besoj në pafajësinë e ushtarëve të UÇK-së sepse gjithmonë janë përgjigjur thirrjeve që iu janë bërë. S’ka ushtar i UÇK-së që iu ka bë një thirrje me iu përgjigje kësaj gjykate dhe që nuk iu ka përgjigje kësaj thirrje. Unë mendoj se është padrejtësi dhe e kam cekë në paragrafin e fundit sepse e kemi pa, ose janë fakte të fabrikuara dhe të blera nga regjimi i Serbisë për t’i akuzuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kadrijaj./BetimipërDrejtësi

  • Aprovohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pezullimin e vizitave dhe komunikimeve për Thaçin, Veselin dhe Selimin

    Aprovohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së për pezullimin e vizitave dhe komunikimeve për Thaçin, Veselin dhe Selimin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim i përkohshëm lidhur me komunikimet dhe vizitat e Hashim, Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

    Trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të pezullojë çdo vizitë dhe komunikim me persona të paprivilegjuar për tre të arrestuarit nga Gjykata Speciale.

    “GRANTON, Kërkesën, pjesërisht; URDHËRON Sekretarin që të kufizojë përkohësisht kontaktet e tre të akuzuarve në përputhje me kushtet e përcaktuara në paragrafin 5 më lart, në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës; c) URDHËRON Sekretarin që të sjellë në vëmendjen e menjëhershme të Panelit dhe Palëve çdo shkelje (të dyshuar ose tentuar) të urdhrit të Panelit, çdo parregullsi ose ndonjë vështirësi në ekzekutimin e urdhrit të Panelit; dhe d) URDHËRON Sekretarinë që të paraqesë parashtresat mbi Kërkesën deri në mesditën e së martës, 21 nëntor 2023, dhe Mbrojtjen t’i përgjigjet Kërkesës dhe Zyrës së Regjistrimit”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga paneli gjykues.

    Me anë të vendimit të datës 17 nëntor 2023, Paneli i trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Charles Smith III ka ndaluar çdo vizitë për tre të akuzuarit nga individë të jopriveligjuar derisa të vendoset mbi bazueshmërinë e parashtrimeve të ZPS-së.

    “Paneli ndalon çdo vizitë te ndonjë prej tre të akuzuarve nga individë jo të privilegjuar derisa Paneli të ketë vendosur mbi bazueshmërinë e aplikimit të PSP-së. Çdo kërkesë për komunikim me një person jo të privilegjuar gjatë asaj periudhe do t’i nënshtrohet autorizimit paraprak nga regjistruesi. Çdo komunikim i tillë, kur autorizohet nga Regjistruesi, do të monitorohet në mënyrë aktive dhe Paneli autorizon Sekretarin të ndalojë çdo komunikim të tillë në çdo moment kur ekzistojnë arsyet për të justifikuar një masë të tillë”, thuhet në vendim.

    Sipas këtij vendimi, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.

    “Informacioni i vendosur para Panelit sugjeron se ekziston një rrezik real që informacioni konfidencial t’u zbulohet individëve që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato. Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave. Prandaj, Paneli do të urdhërojë masa të përkohshme të nevojshme dhe proporcionale me nevojën për të parandaluar zbulimin e një informacioni të tillë përpara se Paneli të jetë në gjendje të vendosë për bazueshmërinë e aplikimit të PSP-së. Paneli është i kënaqur që masat e urdhëruara më poshtë janë në përputhje dhe në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave themelore të të akuzuarve”, thuhet në vendim.

    Paneli ka theksuar se kufizimet e miratuara në vendim nuk do të zbatohen në kontaktet e priveligjuar.

    “Paneli thekson se kufizimet e miratuara me këtë vendim nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara me avokatin dhe bashkë-avokatin e specializuar siç përcaktohet në rregullën 111. Po ashtu, vizitat speciale sipas kuptimit të nenit 5(1)(d) të udhëzimit për Vizitat me Video dhe neni 23(1) i PD-së për Vizitat dhe Komunikimet mbeten të paprekura”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, lidhur me proporcionalitetin, paneli i gjyqtarëve ka konsideruar se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionit konfidencial dhe ruajtjen e integritetit të procedurave deri në momentin kur të dëgjohen parashtresat nga palët.

    “Për sa i përket proporcionalitetit, Paneli konsideron se nuk ka masa më pak kufizuese që do të siguronin mbrojtjen efektive të dëshmitarëve, informacionin konfidencial dhe integritetin e procedurave deri në momentin kur Paneli mund të dëgjojë parashtresat nga Mbrojtja dhe Sekretaria dhe të vendosë çështje për meritat e saj. Paneli është i mendimit se arsyet e lartpërmendura që mbështesin domosdoshmërinë e masave zbatohen, në të njëjtën mënyrë, për proporcionalitetin e masave”, thuhet tutje.

    Ndërsa, përmendet se këto kufizime janë të përkohshme deri në pritje të përcaktimit përfundimtar mbi bazueshmërinë e kërkesës.

    “Paneli thekson se kufizimet janë miratuar vetëm si masa të përkohshme në pritje të përcaktimit përfundimtar të Panelit për bazueshmërinë e Kërkesës. Në vlerësimin e proporcionalitetit, Paneli gjithashtu ka marrë parasysh faktin se kufizimet nuk zbatohen për kontaktet e privilegjuara ose vizitat e veçanta siç përcaktohet në paragrafin 6 më lart. Prandaj, Paneli konsideron se masat e përcaktuara në paragrafin 5 janë proporcionale”, thuhet në vendim.

    Veç tjerash, në këtë vendim potencohet se paneli nuk është në gjendje të shqyrtoj ndarjen apo pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve në mes të tre të akuzuarve.

    “Në këtë fazë, Paneli nuk është në gjendje të shqyrtojë ndarjen dhe pezullimin e menjëhershëm të të gjitha komunikimeve të tre të akuzuarve pa parashtresa nga Sekretaria dhe Mbrojtja. Në lidhje me këtë, Paneli urdhëron Zyrën e Regjistrimit që deri në mesditë të së martës, 21 nëntor 2023, të paraqesë parashtresa mbi Kërkesën, në veçanti për: (i) realizueshmërinë e masave të kërkuara nga ZPS-ja; (ii) burimet dhe koha e nevojshme për zbatimin e masave të tilla, nëse ato urdhërohen; (iii) çdo masë shtesë ose alternative që ajo e konsideron të disponueshme, në varësi të vendimit të Panelit, për të adresuar rreziqet e identifikuara nga ZPS; dhe (iv) çdo çështje tjetër që e konsideron të përshtatshme për t’u ngritur në lidhje me kërkesën”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Tutje, thuhet se Paneli ka urdhëruar mbrojtjen e tre të akuzuarve që t’i përgjigjet Kërkesës dhe parashtresave të Sekretarisë jo më vonë se ora 16:00 e së mërkurës, 22 nëntor 2023.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar me 17 nëntor 2023, ka kërkuar nga Paneli i Trupit Gjykues që të pezullojë vizitat dhe të gjitha komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

    Në parashtrimet e kryeprokurores së specializuara Kimberly Ëest, thuhet se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe dëshmive konfidencialet tek personat që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit..

    “Hashim Thaç, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi (“Tre të akuzuarit”) kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në parashtrimet e Kimberly West.

    Tutje thuhet se hetimet e ZPS-së kanë zbuluar se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar procedurat duke lëshuar udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët./betimipërdrejtësi

  • Malisheva-Ballkani, formacionet zyrtare

    Malisheva-Ballkani, formacionet zyrtare

    Sot me fillim nga ora 13:00 stadiumi “Liman Gegaj” do të jetë nikoqir i përballjes tejet interesante mes Malishevës dhe Ballkanit.

    Kjo ndeshje i takon xhiros së 15 të Superligës së Kosovës, ku në xhiron e fundit Malisheva e mposhti 1:0 Gjilanin, kurse Ballkani fitoi 3:1 kundër Dukagjinit, raporton KosovaPress.

    Momentalisht, Malisheva zë vendin e katërt me 20 pikë, krahas Ballkanit që renditet në pozitën e parë në kuotën e 32 pikëve, dhe me dy ndeshje më pak të zhvilluara.

    Takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave daton në muajin shtator të këtij viti, ku asokohe Ballkani e mposhti 3:2 Malishevën.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy trajnerët kanë publikuar formacionet zyrtare dhe ato i gjeni më poshtë.

    Malisheva

    Ballkani

  • Kurti nuk e komenton deklaratën e Osmanit për draftin e Asociacionit: Publikimi të bëhet nga ndërkombëtarët

    Kurti nuk e komenton deklaratën e Osmanit për draftin e Asociacionit: Publikimi të bëhet nga ndërkombëtarët

    Kryeministri Albin Kurti, nuk e ka komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, se në draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja ka identifikuar disa çështje që krijojnë dykuptimësi, raporton EO.

    Madje tha se draftin mund ta bëjnë publik ndërkombëtarët ngase me ta është dakorduar që mos të jetë i qasshëm për publikun. Sipas tij, Serbia po vazhdon t’i shkel marrëveshjet dhe se nuk është e interesuar për normalizim.

    Për sulmin në Banjskë ai tha se duhet të ketë hetim të hollësishëm dhe sanksione ndaj Serbisë.

    “Po bëhen nëntë muaj që jeni dakorduar në Bruksel dhe gjatë këtyre nëntë muajve Serbia i ka shkelur marrëveshjet. Draft-statutin duhet bërë publik nga ndërkombëtarët”.

    “… unë jam i gatshëm që të publikohet draft-statuti, Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe ajo e ka Asociacionin për serbët e Kosovës”, tha ai, raporton EO.

    “Dy muaj pas sulmit Banjskë duhet të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione mbi këtë akt terrorist mbi Kosovën që na cenoi të gjithë ne”.

    “Duam sanksione për Serbinë dhe bëjë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të marrin masa për të gjithë këtë sulm”.

  • ​Di Maria njofton largimin nga Argjentina

    ​Di Maria njofton largimin nga Argjentina

    Sulmuesi argjentinas Angel Di Maria do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar pas Kupës së Amerikës të vitit të ardhshëm, tha të enjten 35-vjeçari pasi përfaqësoi vendin e tij për 15 vjet.

    Di Maria ka bërë 136 paraqitje për kampionët e botës, Argjentinën, që nga debutimi i tij në vitin 2008, duke luajtur në katër Kupa Botërore dhe duke shënuar në ndeshjen finale të viti 2022 kundër Francës.

    Ai do të marrë pjesë në Kupën e tij të gjashtë të Amerikës në turneun që mbahet nga 20 qershori deri më-14 korrik në Shtetet e Bashkuara.

    “Copa America do të jetë hera e fundit që do të vesh fanellën e Argjentinës”, ka shkruar Di Maria në llogarinë e tij në Instagram.

    “Me gjithë dhimbje në shpirt dhe duke ndjerë një gungë në fyt, i them lamtumirë gjësë më të bukur që më ka ndodhur në karrierën time. Nuk mund ta shpreh me fjalë se sa brohoritjet e tifozëve më kanë mbushur shpirtin në këtë ndeshje të fundit, kam shijuar çdo sekondë me shokët dhe miqtë e mi”, shtoi ai, duke iu referuar ndeshjes së tij të fundit kualifikuese për Kupën e Botës, në të cilën Argjentina mundi Brazilin.

    Di Maria iu bashkua kampionëve portugez Benfica këtë vit, klubi për të cilin luajti midis 2007 dhe 2010 kur mbërriti për herë të parë në Evropë.

    Anësori ka luajtur edhe për Real Madrid, Paris St Germain, Juventus dhe Manchester United.

  • Kurti për ndalimin e vizitave e telefonatave për ish-krerët e UÇK-së: Mundësitë janë të kufizuara, me Konjufcën po punojmë

    Kurti për ndalimin e vizitave e telefonatave për ish-krerët e UÇK-së: Mundësitë janë të kufizuara, me Konjufcën po punojmë

    Kryeministri Albin Kurti, tha se institucione e Kosovës i kanë mundësitë të kufizuara që të ndikojnë në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online. Duke komentuar vendimin për ndalimin e vizitave dhe telefonave për ish-krerët e UÇK-së, ai tha se ndikimi i tyre është tejet i vogël.

    Por që tha se bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufcën, po punojnë në këtë drejtim.

    “Sigurisht qe bëhet fjalë për zhvillim negativ meqenëse e pësojnë familjet më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë”.

    “Unë këtë dje e kam marr vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së Rexhep Selimi dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”.

    Gjykata Speciale e Hagës, më saktësisht Qendra e Paraburgimit, i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për ish-krerët e UÇK-së.

    Atyre vetëm u është thënë se “me keqardhje i njoftojnë që vizitat janë anuluar”. As familjarët e as miqtë nuk kishin pranuar asnjë sqarim tjetër.

    Ata që kishin vizita të aranzhuara kishin paguar biletat e hotelet, dhe kishin kryer fluturimet. Por në fund, vizita nuk u bë.

    Arsyet pse ka ndodhur një situatë e tillë ende nuk dihen. Megjithatë, kjo vjen disa ditë pasi Prokuroria e Hagës pati disa aksione, arrestime e bastisje, me arsyetimin e “pengimit të drejtësisë”. Por, nuk dihet nëse ndalesa e vizitave e telefonatave ndërlidhet diçka me këtë qëllim.

  • ​Dy muaj nga sulmi në Banjskë, Kurti: Ka hetime të mjaftueshme që t’i vendosën sanksione Serbisë

    ​Dy muaj nga sulmi në Banjskë, Kurti: Ka hetime të mjaftueshme që t’i vendosën sanksione Serbisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se koha prej dy muajsh prej kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit është e mjaftueshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosën sanksione Serbisë.

    I pyetur për këtë çështje, Kurti tha se ‘nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër’.

    “Është e domosdoshme që dy muaj pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit ku u vra rreshteri është kohë më së e mjaftueshme qe të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione për këtë akt që cenoi sonvranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Nuk mund ta durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit për këtë arsye duhet të veprojmë tash e jo nesër”, tha Kurti.

    Ndërsa shtoi se më mes të dhjetorit bëhen 8 vjet prej Serbia nuk ka bërë përparim nën kapitullin 35 që dëshmon dëshirën për normalizim.

  • Aktakuzë kundër një personi për ngacmimin e një gazetareje

    Aktakuzë kundër një personi për ngacmimin e një gazetareje

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.XH., për shkak të veprës penale, ngacmimin e gazetares Edita Doli.

    Sipas aktakuzës, nga viti 2019 e deri më 30 tetor 2023, i pandehuri i lartcekur përmes përcjelljes dhe thirrjeve të vazhdueshme telefonike, në vazhdimësi, përfshihet në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, si dhe duke e vënë të dëmtuarën-gazetaren E.D. nën vëzhgim.

    “Gjithashtu, i pandehuri i ka shkruar të dëmtuarës në rrjetin social “Facebook”, gjatë kohës së transmetimit të edicionit special të ditëlindjes së “RTVD” dhe është inkuadruar live në emision përmes telefonit, e po ashtu i pandehuri ka shkuar në vendin e punës së të dëmtuarës, ku me këto veprime e ka vënë nën frikë të arsyeshme dhe i ka shkaktuar shqetësim të madh emocional”, thuhet në njoftim.

    Në komunikatë thuhet se Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

  • Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Elshani: Nga dhjetori s’do të ketë vetura me targa ilegale, kush s’ka kaluar në RKS gjobitet

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se pas javës së parë të dhjetorit nuk do të ketë më në rrugët e Veriut makina me targa ilegale. Këtë deklaratë Elshani e ka bërë në një intervistë për KosSev.

    “Policia s’mund të garantojë që pas afatit të regjistrimit nuk do të ketë djegie të veturave, por mund të garantojmë që pas javës së parë të dhjetorit automjetet me targa KM, Pr, PZ, GL, UR, PE dhe DA, që të mos jenë në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Elshani.

    Elshani ka thënë se ka interesim të pronarëve të veturave që t’i regjistrojnë ato me RKS dhe se një kërkesë të tillë ia kanë adresuar MPB-së.

    “Kur i kemi marrë ato kërkesa, ua kemi përcjellë eprorëve tanë dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Ne i kërkuam Ministrisë së Punëve të Brendshme që kërkesën tonë t’ia përcjellë qeverisë, sepse e dinim që duhej ta merrte atë vendim që njerëzit të kishin një mundësi tjetër për të regjistruar makinat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e miratoi kërkesën tonë dhe u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 deri më 30 nëntor të riregjistrohen”, ka shtuar ai.

    Elshani ka thënë se nëse do të shihet në rrugë një makinë me targa KM, do t’i merren targat sepse një veturë e tillë s’duhet të jetë në qarkullim. Ai ka thënë se nëse haset edhe për herë të dytë, do të konfiskohet vetura.

    Pas skadimit të afatit për regjistrim, Elshani ka thënë se pronarët e veturave që nuk kanë kaluar në targat RKS do të gjobiten sikur të ishin të paregjistruar.

    Që nga fillimi i procesit, më shumë se 2800 vetura kanë kaluar nga targat KM në RKS.

    “Deri të hënën në orën 16:00 janë riregjistruar 2013 vetura, por në këto dhjetë vjet kanë kaluar mbi 800 vetura në targa RKS. Ka ende kohë deri më 30 nëntor, ajo që është e rëndësishme të thuhet është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat e Regjistrimit punojnë të shtunave dhe të dielave”, ka deklaruar ai.