ATV

Blog

  • Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Zef Deda

    Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Zef Deda

    Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori i njohur Julian Deda.

    Ai prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Deda ka vdekur në Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.

    Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si ‘Charlie Chaplin’ i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore.

    Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.

    Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj./tvklan.al

  • Komuna e Lipjanit shpërndan 244 motokultivatorë në vlerë prej rreth 300 mijë euro

    Komuna e Lipjanit shpërndan 244 motokultivatorë në vlerë prej rreth 300 mijë euro

    Komuna e Lipjanit në bashkëpunimin me “Islamic Relief”, kanë bërë shpërndarjen e 244 motokultivatorëve në vlerë prej 228 044 euro, raporton Ekonomia Online.

    Nënkryetari Diamant Bytyqi, tha se Komuna e Lipjanit, po i kushton rëndësi të veçantë sektorit të bujqësisë. Për këtë sektorë ai tha se kanë ndarë mbi 1 milionë euro subvencione.

    “Komuna e Lipjanit është një krah i fuqishëm i bujqve. Këtë bashkëpunim me Islamikun e kemi filluar me një dark falënderuese”.

    “Komuna e Lipjanit është duke i kushtuar rëndësi të veçantë sidomos sektorit të bujqësisë këtyre të fermerëve vetëm këtë vit mbi 1 milionë euro kanë qenë subvencionime. Janë mbështetur mbi 900 bujq me pajisje që do tu shërbejnë atyre për ekonomi familjare”.

  • Kurti: Ekonomisë së vendit secilin vit i shtohen mbi 1 miliard euro nga ndërmarrësit

    Kurti: Ekonomisë së vendit secilin vit i shtohen mbi 1 miliard euro nga ndërmarrësit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se bashkëpunimi mes sektorëve është i nevojshëm në mënyrë që të zhvillohet ekonomia e vendit, ku për këtë ai tha se do të kenë çdo herë mbështetjen e qeverisë.

    Kurti në konferencën për dialogun publiko-privat që po mbahet me mbështetjen e Qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka theksuar se ekonomisë së vendit secilin vit i është shtuar mbi 1 miliard euro, për çka tha se kjo rritje padyshim është rezultat i ndërmarrësisë së sektorit privat.

    “Konkurrencën dhe bashkëpunimin duam t’i shohim bashkë. I gjithë sektori privat e ka të garantuar aleatin dhe partnerin në mënyrë që ta ndihmojmë njëri tjetrin në këtë drejtim, të prodhojmë e të eksportojmë më shumë, të luftojmë informalitetin më shumë dhe të përforcojmë konkurrencën e vendit tonë. Ne duhet të jemi në këtë dialog edhe mirë të strukturuar në mënyrë që sfidat të definohen saktë, takimet tona mos të jenë biseda që përsëriten, për raportime për rezultatet e arritura. Ekonomisë së vendit i është shtuar mbi 1 miliard secilin vit”, tha Kurti.

  • Gërvalla: Shuma prej 7500 eurove për Gani Jakupin nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar

    Gërvalla: Shuma prej 7500 eurove për Gani Jakupin nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se shuma prej 7500 euro për bashkëpunëtorin e jashtëm të Ambasadës së Kosovës në Bruksel për çështje kulturore dhe mediatike, Gani Jakupi nuk është pagë mujore, por projekt 1 vjeçar për angazhim të tij në vendet jo njohëse të Kosovës.

    Gërvalla gjatë raportimit në Komisionin për punë të jashtme, tha se kjo shumë është modeste krahas ofertave të tjera milionëshe që mund të aranzhoheshin me kompani lobuese.

    Duke folur për ndarjet buxhetore të dikasterit të saj, tha se shumica e mjeteve do të orientohet në lobim për njohje të reja, blerje të objekteve të ambasadave dhe konsullatave në disa vende, si dhe hapje të misioneve të reja diplomatike.

    “Në kuadër të diplomacisë kulturore, përpjekjeve tona për të krijuar një ambient tjetër në vendet jonjohëse të Kosovës, si ministre shfrytëzoj të gjitha instrumentet, natyrisht duke kursyer buxhetin e shtetit. Është lehtë të angazhosh një kompani që kushton katër milionë por është vështirë të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme me një shumë modeste që nuk i tejkalon shpenzimet që Kosova i ka për një diplomat për vendin pritës. Ndërkohë që të gjithë ata që mundohen të denigrojnë një personalitetin si zotëri Avni Jakupi, të gjithë ata persona bëjnë sikur nuk e kuptojnë, pasi kjo nuk është një pagë, është një projekt që është i lidhur me objektiva të qarta që i shërben Kosovës në vendet jonjohëse. Unë jam shumë krenare që me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore por shumë që përfshinë një projekt 1 vjeçar”, tha ajo.

    Mirëpo kritike ndaj ministres u shpreh deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se ndarja e 7500 eurove për Jakupin është sa pesëmbëdhjetë paga të policit të Kosovës.

    Ajo kërkoi nga ministrja që financat të orientohen më shumë në lobim dhe jo në blerjen e objekteve të reja.

    “Nuk kemi pagu këshilltarë të jashtëm ka 7500 euro që është sa pesëmbëdhjetë herë sa rroga e policit… Me shumën që e keni nda të lutem mos i koncentro në blerjen e ndërtesave. Është e rëndësishme por nuk është gjithçka ministre, milionat që i kemi të fokusoheni në blerje të ndërtesave kur Serbia, është duke bërë investim të jashtëzakonshëm në lobim, madje më shumë se çfarë ka bërë pas pavarësisë së Kosovës”, theksoi Musliu-Shoshi.

    Asaj iu përgjigj ministrja Gërvalla, e cila tha se me PDK-në nuk mund të flas për financa, pasi sa kanë qenë në pushtet kanë paguar kontrata milionëshe për qëllime të shkëmbimit territorial.

    “Fakti që thuhet se nuk kemi paguar këshilltarë nga 7500 euro, më lejoni që partia që ju e përfaqësoni në kohën që ka qenë në pushtet ka paguar 50-fshin e 7500 euro, pra janë 4.5 milionë euro që janë paguar për krejt të tjera synime dhe qëllime. Me PDK-në unë hezitoj të flas për financa dhe para. Unë nuk dua të ju dëgjoj juve derisa flas unë”, deklaroi ajo.

    Gjatë raportimit të ministres Gërvalla, pati përplasje të ashpra ndërmjet deputetes së PDK-së, Musliu-Shoshi dhe kryetares së Komisionit për punë të jashtme, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu.

    Deputetja opozitare disa here iu drejtua Hyseni-Kryeziut me fjalët “mshele gojën”.

    “Kur të flas unë të lutem dëgjo. T’i nuk ke nevojë me tregu a jam jashtë temës apo jo. Mshile. Kështu që Ligjin për shërbim të jashtëm nuk e ke dorëzu dhe je në fund të mandatit…T’i s’ki lidhje me politikë të jashtëm, nuk e di çka fol, ti je vetëm kukull e Dejona Mihalit”, tha ajo.

    Pas kësaj, ministrja lëshoi sallën dhe kryetarja e komisionit mbylli punimet e komisionit./kp/

  • Çeku për ushtrinë e Serbisë: E dështuar, ka pësuar disfata në të gjitha luftërat

    Çeku për ushtrinë e Serbisë: E dështuar, ka pësuar disfata në të gjitha luftërat

    Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka komentuar raportimet se ushtria e Serbisë është vendosur në afërsi të territorit të Kosovës

    Çeku ka thënë se Serbia ka një ushtri të dështuar, ka theksuar se ka pësuar disa disfata nëpër luftëra.

    “Serbia nuk e ka fuqinë, sidomos ushtarake, Serbia ka një ushtri të dështuar, që ka pasuar disfata në të gjitha luftërat, e ka të demoralizume, e ka një ushtri që populli i vet nuk i beson dhe nënçmon. E ka kuadrin, i ka oficer të vjetër të ish-Jugosllavisë që i kanë humbur të gjitha luftëra në Ballkan”, tha ai në RTK.

  • Krasniqi: Janë rritur normat e interest të kredive në 6.3 për qind në vitin 2022

    Krasniqi: Janë rritur normat e interest të kredive në 6.3 për qind në vitin 2022

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një videoje ka thënë se normat e interest të kredive janë rritur.

    “Normat e interest të kredive janë rritur në 6.3 për qind në vitin 2022, nga 5.8 për qind sa ishin në vitin 2021”, thuhet në video.

    Krasniqi ka thënë se qytetarët që kanë kredi krahas rritjes së çmimeve, duhet të përballojnë edhe rritjen e normave të interesit të kredive.

    “Mbi 650 mijë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë kredi, krahas rritjes së çmimeve, duhet të përballojnë edhe rritjen e normave të interesit të kredive!”, ka thënë Krasniqi.

  • Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Rohde: Asociacioni është një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se një nga obligimet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në në një ligjëratë në Universitetin e Mitrovicës ‘Isa Boletini’, Rohde ka thënë se Gjermania nuk kërkon asnjëherë përmbushje të obligimeve që janë në kundërshtim me Kosovën dhe kushtetutën e saj.

    “Një nga obligimet e Kosovës në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, është krijimi i Asociacionit. Gjermania asnjëherë nuk do të mbështeste diçka që është kundër interesave të Kosovës dhe kundër kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, tani është koha e përmbushjes së obligimeve. Sepse vetëm atëherë kur të arrihet normalizimi, mund të shohim sukses për Kosovën në proceset integruese në Evropë”, ka thënë dje ai.

    Më tej ambasadori gjerman ka folur edhe për lidhshmërinë që kosovarët kanë me Gjermaninë dhe afrimin e lëvizjes së lirë për ta.

    “Të gjithë kosovarët kanë së paku nga një familjar në Gjermani. Dua të nënvizoj që ishte e padrejtë që Kosova të ketë regjim të vizave. Mirëpo, nga një janari kosovarët nuk kanë pse të pyesin dhe pse të presin për viza. Madje, Kushdo që i pëlqen futbolli, jeni të mirëpritur në Gjermani, pasi vitin e ardhshëm do të mbahet Evropiani tek ne”, ka thënë Rohde.

    Përveç kësaj, ai theksoi rëndësinë që Kosova së bashku me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Ka një luftë në Evropë, e shumë tensione që vijnë si shkak i politikave të Putinit, çka sjell regres në kontinent. Për Gjermaninë është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Nuk është se vetëm duam të bëjmë mirë në Ballkan, por janë edhe interesat tonë të përgjithshme”, është shprehur ambasadori gjerman.

    Rohde po ashtu ka thënë se gjithmonë janë në mbështetje të projekteve që vijnë në kuadër të përmirësimit të gjendjes në Kosovë.

  • Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla fillore e mesme e ulët “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës, tash e dy muaj ka mungesë të mësuesit për klasën e katërt, për shkak se mësimdhënësi paraprak është pensionuar. E për ta zëvendësuar atë po angazhohet një mësuese, e nga një herë edhe drejtoresha.

    Nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur të shqetësuar për mënyrën se si po e vijojnë mësimin. Drejtoresha e shkollës ka refuzuar të flas. Ndërsa, në Komunën e Malishevës, thotë se pengesë e kanë një udhëzim administrativë. Megjithatë, njohësit e çështjeve arsimore theksojnë se në këto lloj situate, dëmi më të madh po iu bëhet nxënësve,

    Nxënësja e cila është në klasën e katërt, Florinda Gashi tregon se janë pa mësues gati 2 muaj dhe se në raste të rralla e mëson edhe drejtoresha.

    Po ashtu, Lorena Gashi tha se një mësuese zhvillon mësim për klasat e tretët dhe të katërt.

    Erblin Gashi, po ashtu në klasën e katërt, tha se i mungon mësuesja.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi u shpreh se për atë nuk është shumë e lehtë çështja e zëvendësimeve të mësimdhënësve sepse një gjë të tillë e pamundëson udhëzimi administrativ.

    Sipas saj, procedura e rekrutimit për zëvendësim zgjat mbi 60 ditë dhe për këtë arsyeje janë detyruar të obligojnë një mësuese për të dy klasat.

    Drejtoresha Krasniqi tha se janë në fazën e fundit të rekrutimit dhe se pritet shumë shpejt të shpallen rezultatet për mësimdhënësin e ri.

    Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja theksoi se mungesa e mësimdhënësve dhe zëvendësimet e tilla i dëmton më së shumti nxënësit dhe se këtë situatë duhet marrë më seriozisht Ministria e Arsimit. Sipas tij, është e pa tolerueshme që nxënësit të qëndrojnë pa mësimdhënës muaj të tërë.

    Ndërkaq nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se në mungesën e mësimdhënësve, në raste të papritura sigurohet një zgjidhje e brendshme nga shkollat dhe aktivi profesional.

    Deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marrë ndonjë informatë nëse është siguruar ndonjë zëvendësim i ri për klasën e katërt të shkollës “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës.

  • Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ka qenë një gëzim i madh për familjet e pengjeve dhe gjithashtu për palestinezët që prisnin lirimin e trefishit të njerëzve nga burgjet izraelite, shkruan BBC, transmeton KP.

    Megjithatë, dita e parë dhe deri më tani gjithçka do të planifikohet dhe kështu duhet të jetë që në orën 14:00, 13 pengje izraelite do të dalin, do t’i dorëzohen Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe do të kalojnë në Egjipt për kontrolle mjekësore përpara se të kthehen në Izrael për t’u ribashkuar me familjet e tyre.

    Pasi të jenë në duart e Izraelit, Izraeli do të lirojë 39 të burgosur palestinezë dhe më pas i njëjti proces duhet të përsëritet gjatë tri ditëve të ardhshme.

    Pas kësaj, ekziston mundësia e një zgjatje të mëtejshme të pauzës së luftimeve – me kusht që Hamasi të lirojë 10 pengje të tjera në ditë.

    Dje pati konfuzion për numrat dhe listat që nuk përputheshin, por tani, deri më tani gjithçka po shkon shumë mirë.

  • EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    Një ekip i specializuar prej gjashtë këshilltarësh policor i është shtuar EULEX-it që nga dje, si përforcim i misionit në Kosovë, raporton Sinjali.

    Përmes një njoftimi për media, EULEX njofton se ky ekip do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë.

    “Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.

    Dislokimi i këtij ekipi special do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa, siç ka thënë EULEX-i, “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

    Pjesëtarët e Ekipit Special të EULEX-it janë të dërguar tre nga Holanda dhe tre nga Suedia. Ata do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

    “Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren”, thuhet në njoftim.