ATV

Blog

  • Trazirat në Dublin: 34 persona të arrestuar pas protestave të dhunshme në qytet pas therjeve me thikë

    Trazirat në Dublin: 34 persona të arrestuar pas protestave të dhunshme në qytet pas therjeve me thikë

    Tridhjetë e katër persona janë arrestuar pas “shkatërrimit të madh nga një turmë e trazuar” në Dublin, ka thënë policia irlandeze.

    Tre fëmijë të vegjël u plagosën në një incident me thikë jashtë një shkolle fillore që shkaktoi protesta të dhunshme dhe përleshje me policinë, shkruan Sky News, transmeton KosovaPress.

    Një nxënëse pesëvjeçare dhe një mësuese, që besohet të jetë rreth të 30-ave, mbeten në gjendje shumë të rëndë, tha policia.

    “Këto janë skena që nuk i kemi parë në dekada, por ajo që është e qartë është se njerëzit janë radikalizuar përmes mediave sociale dhe internetit”, tha komisari Drew Harris.

    Një oficer i Gardës mori një lëndim të rëndë, ndërsa “shumë” oficerë të tjerë u plagosën pasi u hodhën predha në drejtim të tyre, shtoi ai.

    Oficerët me mburoja kundër trazirave mbajtën turmat në qendër të qytetit ku një makine të policisë iu vu flaka mes zemërimit për therjet me thikë në sheshin Parnell East.

  • ​Dita e Falënderimeve, Hovenier viziton ushtarët amerikanë

    ​Dita e Falënderimeve, Hovenier viziton ushtarët amerikanë

    Me rastin e Ditës së Falënderimeve, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier ka vizituar ushtarët amerikanë në kampet Bondsteel dhe Nothing Hill.

    Ai në një postim në rrjetin social X ka falënderuar ushtarët amerikanë për shërbim në Kosovë.

    “I nderuar të kaloj Ditën e Falënderimeve në Camp Bondsteel dhe Camp Nothing Hill me anëtarët e shërbimit amerikan që shërbejnë jashtë shtetit dhe larg familjeve të tyre dhe me mysafirë kosovarë. Faleminderit për ushtarët tanë dhe të gjithë nëpunësit tanë publikë, si dhe për marrëdhënien e fortë dhe të qëndrueshme midis Kosovës dhe SHBA-së. Gëzuar Ditën e Falënderimeve”, ka shkruar diplomati amerikan.

  • ​Abdixhiku reagon pas vendimit të Kushtetueses: Gjykata shpërfaqi paaftësinë e kësaj Qeverie

    ​Abdixhiku reagon pas vendimit të Kushtetueses: Gjykata shpërfaqi paaftësinë e kësaj Qeverie

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rrëzimit të Ligjit për caktimet e çmimeve të Qeverisë Kurti nga Gjykata Kushtetuese.

    Në llogarinë e tij në Facebook, kreu i LDK-së tha se Kushtetuesja e ka rrëzuar një ligj, që siç tha ai të qeverisë më antikushtetuese, teksa shtoi se gjykata shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën.

    “Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj”, tha ai.

    Abdixhiku gjithashtu shtoi se sipas mendësisë së kësaj Qeveria, Kurti do të ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën.

  • ​Izraeli paralajmëron palestinezët që të mos lëvizin në veri të Gazës gjatë pauzës humanitare

    ​Izraeli paralajmëron palestinezët që të mos lëvizin në veri të Gazës gjatë pauzës humanitare

    Ushtria izraelite të premten paralajmëroi palestinezët që të mos lëvizin në pjesët veriore të Rripit të Gazës gjatë pauzës humanitare që hyri në fuqi herët në mëngjes.

    Sipas një gazetari të Anadolu në terren, ushtria izraelite hodhi fletëpalosje në pjesët jugore të Gazës, duke përfshirë qytetin Rafah, duke urdhëruar që të mos lëviznin në veri mes thirrjeve të palestinezëve për të lëvizur atje pasdite.

    “Për banorët e Rripit të Gazës, lufta nuk ka përfunduar ende, pauza humanitare është e përkohshme dhe rajoni verior i Gazës është një zonë lufte”, thuhet në fletëpalosje, shkruan Anadolu Agency, transmeton KosovaPress.

    Aty gjithashtu sqarohet se lëvizja lejohet vetëm nga veriu në jug përmes rrugës Salahuddin në anën lindore të enklavës së vogël.

    “Kthimi në veri është i ndaluar dhe i rrezikshëm, fati juaj dhe i familjes suaj janë në duart tuaja”, thuhet në përfundimin e fletëpalosjes.

    Katari më herët të enjten tha se një marrëveshje për pauzë humanitare midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës do të fillojë në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale (0500 GMT) të premten.

    Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

    Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14,854, tha të enjten zyra për mediave qeveritare në enklavën e bllokuar.

    Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.

  • ​Paga 7500 euro e këshilltarit të Gërvallës, reagon Besnik Tahiri

    ​Paga 7500 euro e këshilltarit të Gërvallës, reagon Besnik Tahiri

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur për pagën e lartë të një këshilltari të shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla.

    Ai në një postim në Facebook ka thënë se nuk bëhet fjalë për barazi sociale ku një këshilltar merr pagë 7.500 euro.

    “Një qeveri, e cila pretendon që angazhohet për barazi dhe drejtësi sociale raportohet se po shpenzon 7.500 euro mujore për shërbimet e një këshilltari të jashtëm politik. Heshtja e qeverisë ndaj këtij skandali është shpërfaqje e hipokrizisë dhe mashtrimit politik. Flisni, mos heshtni!”, ka thënë Tahiri.

  • KE-ja do t’i përgjigjet Qeverisë për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta serbe

    KE-ja do t’i përgjigjet Qeverisë për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta serbe

    Komisioni Evropian nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve specifike rreth propozimit që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të përfshihen në liberalizimin e vizave.

    Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Por, në propozimin e ri, KE-ja ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsye për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Anita Huper, ka paralajmëruar se komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johanson, do të mund të përgjigjet në letrën dërguar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

    “Komisioni Evropian më 16 nëntor ka miratuar propozimin me qëllimin për të siguruar përfshirjen e të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në mundësinë e udhëtimit pa viza në BE. Komisioni është në pritje që kjo të miratohet nga ligjvënësit në BE”, i është përgjigjur ajo pyetjes se cili është qëndrimi i Komisionit rreth vërejtjeve që ka dhënë Qeveria e Kosovës, dhe disa organizata joqeveritare nga Kosova, se me këtë propozim Komisioni do ta pengojë integrimin e serbëve në Kosovë dhe se një e gjë e tillë shkel integritetit territorial të Kosovës, raporton REL.

    “Sa i përket çështjes së dytë, ajo do të përcillet nga komisionarja Johanson në përgjigjen e saj për pyetjen specifike”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian duke iu referuar letrës që Qeveria e Kosovës i ka dërguar Komisionit Evropian.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, më 20 nëntor i ka dërguar një letër Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku thotë se ky propozim shkel sovranitetin e Kosovës, pengon integrimin e serbëve në Kosovë dhe hap rrezikun e përdorimit të të dhënave të pasakta çka paraqet edhe kërcënim të sigurisë.

    “Lëshimi i pasaportave nga Qendra ilegale koordinuese e Serbisë, që i konsideron komunat në Kosovë si pjesë e juridiksionit të Serbisë, është shkelje serioze e sovranitetit”, thuhet në letrën e Qeverisë së Kosovës, ku rikujtohet se Bashkimi Evropian e ka konsideruar Kosovën si të vetmin autoritet legjitim për regjistrin civil me të drejtë të lëshimit të pasaportave për qytetarët që jetojnë në hapësirën e saj.

    Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pohimet se serbët nuk do të përfshiheshin në liberalizimin e vizave pasi ata, me procedurë të përshpejtuar dhe të thjeshtëzuar, mund të pajisen me pasaporta të Kosovës.

    Në letrën e Qeverisë së Kosovës jepen edhe shifrat, sipas së cilave vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti 4.350 serbë të Kosovës kanë marrë pasaporta të Kosovës, që është rritje prej 29 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

    Lidhur me propozimin e KE-së kanë reaguar më herët gjatë 21 nëntorit edhe mbi 20 organizata të shoqërisë civile.

    Përmes një letre të hapur drejtuar Ylva Johansson, komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, shoqëria civile ka kërkuar që KE-ja të tërheqë propozimin.

    Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Schengen.

    Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza./REL

  • ​Ministria e Turizmit e Shqipërisë nënshkruan me UNICEF deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë

    ​Ministria e Turizmit e Shqipërisë nënshkruan me UNICEF deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë

    Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë dhe UNICEF-in nënshkruan sot në Tiranë “Deklaratën për fëmijët dhe të rinjtë dhe veprimet për klimën.”

    Ky është angazhimi i parë në llojin e tij për të përshpejtuar politikat dhe veprimet klimatike gjithëpërfshirëse, të përqendruara te fëmijët dhe të rinjtë në nivel kombëtar.

    Kjo deklaratë nënshkruhet në një moment të rëndësishëm, kur delegacione nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Konferencën e 28-të të Palëve, e njohur edhe si COP28, për të diskutuar dhe për të ndërmarrë masa për ndryshimet klimatike.

    Një nga qëllimet e Deklaratës është të zgjerojë pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike përmes një edukimi më të zgjeruar rreth ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, si dhe përvetësimit të njohurive dhe aftësive të nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme.

    Mesazhet kryesore të të rinjve nga e gjithë bota që do të jenë pjesë e delegacioneve do të jenë: mbrojtja e jetës, shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve; fuqizimi i çdo fëmije gjatë gjithë jetës së tij me mundësi zhvillimi, me arsimimin dhe aftësi për të qenë përkrahës i mjedisit; zvogëlimi i emetimeve dhe përmbushja e marrëveshjeve ambicioze ndërkombëtare për qëndrueshmërinë dhe ndryshimet klimatike.

    Dy të rinj nga Delegatët e OKB-së për të Rinjtë do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar në COP28.

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se UNICEF është një ndër partnerët më të rëndësishëm mbi edukimin e fëmijëve në mënyrë përfshirëse.

    “Sfida është që këtë deklaratë ta përkthejmë në veprimet konkrete të përditshme dhe mesazhet e saj të përthithen nga fëmijët. Jam e bindur se do të kemi një rrugë të bukur, ama tepër sfiduese, që çështjet e klimës dhe natyrës të dëgjohen prej të rinjve e pastaj t’i kthejmë në prioritet për ta. Shqipëria natyrisht që nuk ndikon në ndryshimet globale të klimës, nuk ndot globalisht, por është shumë e rrezikuar prej pasojave që po i ndjejmë çdo vit e më tepër”, u shpreh ajo.

    Përfaqësuesi i UNICEF-it, Roberto De Bernard shprehu kënaqësinë të shohë përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve, në veprimet klimatike.

    “Vlerësoj ambicien e shtuar të qeverisë shqiptare mbi angazhimi për të nënshkruar Deklaratën e fëmijëve, të rinjve dhe veprimet për klimën,” tha ai.

    Ndryshimet klimatike kërcënojnë mbijetesën, zhvillimin, ushqyerjen, arsimimin dhe aksesin e fëmijëve në kujdesin shëndetësor – të gjitha këto janë të drejta të fëmijëve dhe të përcaktuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

    Sipas Indeksit të UNICEF-it mbi risqet e klimës ndaj fëmijëve afërsisht 1 miliard fëmijë (gati gjysma e fëmijëve në botë) jetojnë në vende me rrezik jashtëzakonisht të lartë. Dhe nga ky risk nuk përjashtohen as fëmijët që jetojnë në Shqipëri.

    Raporti i Progresit i BE-së i vitit 2023 tregon se Shqipëria ka një nivel përgatitjeje për të trajtuar ndryshimet klimatike, megjithatë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka në fokus një numër të lartë nismash që do të përkthehen në projekte konkrete veprimi për ndryshimet klimatike.

  • Shënohet në Kosovë java e aktiviteteve për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve

    Shënohet në Kosovë java e aktiviteteve për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve

    Java e aktiviteteve për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve ka qenë javë mjaft intevnisve dhe me aktivitet të shumta në SOS Fshatrat e Kosovës.

    Koordinatorja e SOS fshatrave të Kosovës Shpresa Rama e ftuar në emisionin Alarm në ATV, tregoi se kjo javë është një gamë e gjerë aktivitetesh duke filluar nga data 20 nëntor, “Dita të drejtave të fëmijëve” ku tradicionalisht zhvillohet vizita tek avokati i popullit.

    “Dita e parë, data 20 nëntor, tradicionalisht zhvillohet tek avokati i popullit. Më parë ka ardhë avokati i popullit në ambientet e SOS Fshatit, ndërsa këtë vit, fëmijët kishin rastin ta vizitojnë atë në zyrën e tij me ç’rast i parashtruan pyetje të ndryshme për të drejtat e tyre”, tha Rama.

    Ajo bëri të ditur se dita e dytë vazhdoi me vizitë te Komisioni për të Drejtat në SOS Fshatrat, ndërsa dita e tretë, ka qenë dita që lidhet edhe me fushatën “Bashkë rritemi” që këtë vit i dedikohet strehimit familjar.

    Tutje, Rama bënë të ditur se SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, për herë të parë në Kosovë e sollën programin “PRIDE”, program ky që në fokus ka prindërit strehues dhe prindërit adoptues.

    Ajo tregon se ky program ka filluar për herë të parë në SHBA, ku më pas është sjellë në Evropë, ndërsa Kosova këtë vit, pati mundësinë ta sjellë këtu falë SOS Fshatrave të Fëmijëve. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të saj në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministri Peci pritet për vizitë zyrtare nga homologia e tij shqiptare, Anila Denaj

    Ministri Peci pritet për vizitë zyrtare nga homologia e tij shqiptare, Anila Denaj

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me ftesë të homologes së tij, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Anila Denaj po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar mes dy palëve u ngritën çështje me interes të përbashkët për sektorin e bujqësisë së të dyja shteteve.

    Ministri Peci gjatë këtij takimi tha se mbetemi të përkushtuar drejt qëllimit të përbashkët për krijimin e lehtësirave për prodhuesit e përpunuesit tanë, për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për eliminimin e burokracive që rëndojnë bujqit tanë, këndej e andej kufiri.

    “Kosova dhe Shqipëria në sektorin e bujqësisë nuk janë shtete konkurruese sa janë komplementare. Gjatë gjithë vitit, qytetarët tanë, falë punës së palodhshme të bujqve tanë, mund të shërbehen me prodhime shqiptare” shtoi mes tjerash Ministri Peci, i cili gjithashtu u shpreh se prodhimet bujqësore mbarëshqiptare me të cilat prodhuesit dhe agropërpunuesit tanë eksportojnë, na përfaqësojnë dinjitetshëm kudo në botë të udhëhequr gjithmonë nga cilësia.

    Integrimi në politikat dhe mekanizmat e fondeve të para-anëtarsimit në BE, IPA dhe akreditimi për IPARD, mbeten një synim i Ministrit Peci, andaj përmes realizimit të projekteve të përbashkëta e shkëmbimit të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë, do jetë një shtysë pozitive në maratonën e sukseseve të deritanishme.

    Tutje, vizita e Ministrit të BPZhR-së, Faton Peci bashkë me përfaqësuesit e sektorit të verëtarisë dhe vreshtarisë nga Kosova do të vizitojnë qytetin e Beratit ku pritet të takohen me homologët e tyre vendas dhe bashkërisht të vizitojnë bodrume të verës dhe kësisoj të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të shkëmbimit të përvojave në këtë sektor.

  • “Je bekimi i jetës sime”- Marina Vjollca dhe Getoar Selimi urojnë të voglën e tyre për ditëlindje me dedikimin emocionues

    “Je bekimi i jetës sime”- Marina Vjollca dhe Getoar Selimi urojnë të voglën e tyre për ditëlindje me dedikimin emocionues

    Vajza e këngëtarit të njohur Getoar Selimi dhe Marina Vjollca, Marget, ditën e sotme feston 2-vjetorin e lindjes.

    Në këtë ditë kaq të veçantë, moderatorja e ka uruar të bijën me fjalët më të veçanta.

    Krahas fotos së ëmbël me të bijën, ajo ka shkruar: “Ti nxjerr më të mirën në këdo që takon. Shpirti jot mund të ndriçojë qiellin më të errët. Unë falë teje kam gjetur kuptimin e jetës! Ti je bekimi i jetes sime. Gëzuar ditëlindjen Marget, beba ime”.

    Nga ana tjetër edhe Getoari i ka kushtuar një këngë të voglës së tyre.

    Lajmin e bëri të ditur vetë Getoari për ndjekësit e tij me anë të një postimi në rrjetin social Instagram.

    Ai shfaqet krah Marget në bregdet, teksa në rreshtat e këngës Getoari përshkruar ndjesitë më të bukura që ka përjetuar falë saj.