ATV

Blog

  • ​Falja e tatimit në pronë, Ministria e Financave njofton komunat për vendimin e Kushtetueses

    ​Falja e tatimit në pronë, Ministria e Financave njofton komunat për vendimin e Kushtetueses

    Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar Komunat e Kosovës për përmbajtjen e aktgjykimit, si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 eurosh.

    Si rrjedhojë, komunat janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë, e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro.

    Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për 2023, por jo më shumë se njëqind euro, ndërsa ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për 2023 shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

    Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë në dispozicionin e komunave për sqarime shtesë lidhur me këtë çështje, thuhet në njoftim.

  • ​BQK: Vlera e kredive të reja për tetor ishte 160.6 milionë euro, depozitat 61.3 milionë

    ​BQK: Vlera e kredive të reja për tetor ishte 160.6 milionë euro, depozitat 61.3 milionë

    Mbi 7 miliardë euro janë asetet e bankave komerciale në Kosovë dhe se investimet e tyre jashtë vendit kanë arritur në 1.12 miliard euro.

    Kështu thuhet në statistikat bankare për muajin tetor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e kredive bruto ka arritur në 4.83 miliardë euro me një rritje prej 42.47 milionë eurosh, derisa shuma e depozitave të klientëve është 5.87 miliardë euro.

    Sipas raportit, kapitali u bankave komerciale për këtë muaj ishte 838.3 milionë euro.

    Po ashtu, norma mesatare e interesit në depozita ishte 2.37% e që në muajin shtator 2023 ka qenë 2.43%, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.39% ku në muajin paraprak ishte 6.51%.

    Raporti kredi-depozita për shtator 2023 ishte 82.3%, ndërsa margjina e normës së interesit kredi – depozita 4.01%.

    Vlera e kredive të reja ishte 160.6 milionë euro, derisa shuma e depozitave të reja për shtator 2023 arriti në 61.3 milionë euro.

  • ​NATO: Vizita e Stoltenberg tregon riafirmimin për paqe e stabilitet

    ​NATO: Vizita e Stoltenberg tregon riafirmimin për paqe e stabilitet

    Aleanca Veri-Atlantike ka publikuar një video përmbledhëse të turneut ballkanik të shefit të kësaj organizate ushtarake Jens Stoltenberg, i cili vizitoi edhe Kosovën.

    Në një postim në rrjetin X thuhet se vizita e Stoltenberg dëshmon përkushtimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi Ballkanin Perëndimor, duke riafirmuar përkushtimin e NATO-s për ta mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, shkruan NATO.

  • Zbulimi befasues: Bakteret mbajnë mend dhe marrin disa “vendime” për shkak të hekurit

    Zbulimi befasues: Bakteret mbajnë mend dhe marrin disa “vendime” për shkak të hekurit

    Sipas kërkimeve të reja, një organizëm njëqelizor pa tru ose sistem nervor mund të krijojë një lloj kujtese dhe t’ua kalojë atë brezave të ardhshëm.

    Shkencëtarët kanë zbuluar se bakteri i kudogjendur Escherichia coli “kujton” përvojat e kaluara për disa orë dhe se kjo kujtesë mund t’u kalohet brezave të ardhshëm.

    Ky është zbulimi i parë i tillë, por duhet theksuar se e ashtuquajtura kujtesa e baktereve ndryshon nga kujtesa e vetëdijshme e njeriut. Fenomeni i kujtesës në baktere në fakt përshkruan se si informacioni nga përvojat e kaluara ndikon në vendimmarrjen e tyre aktuale.

    “Bakteret nuk kanë tru, por ato mund të mbledhin informacion nga mjedisi i tyre. Nëse ata kanë hasur shpesh në të njëjtin mjedis, ata mund ta ruajnë këtë informacion dhe t’i qasen më vonë kur të jetë e nevojshme,” tha bioshkencëtari molekular Souvik Bhattacharyya nga Universiteti i Teksasit, raporton Science Alert.

    Bhattacharyya dhe kolegët e tij kryen më shumë se 10.000 teste mbi bakteret për të përcaktuar modelet e sjelljes. Ata donin të shihnin nëse qelizat E. coli do të grumbulloheshin së bashku në mostër në një masë të vetme migruese. Një sjellje e tillë shpesh tregon se qelizat janë bashkuar në një kërkim efikas për një mjedis të përshtatshëm.

    Në eksperimentet fillestare, shkencëtarët ekspozuan qelizat E. coli ndaj disa faktorëve të ndryshëm mjedisorë për të parë se cilat kushte i nxisin më shpejt ato të grumbullohen në një masë lëvizëse. Ekipi zbuloi se nivelet ndërqelizore të hekurit luajnë një rol të rëndësishëm në këtë.

    Nivelet e ulëta të hekurit u shoqëruan me formimin më të shpejtë dhe më efikas të një tufe bakteriale aktive, ndërsa nivelet më të larta çuan në një mënyrë jetese më paqësore.

    Midis qelizave të gjeneratës së parë E. coli, kjo dukej si një përgjigje intuitive. Por pas vetëm një grumbullimi masiv, bakteret në nivele të ulëta hekuri ishin edhe më të shpejta dhe më efikase në grumbullim se më parë.

    Për më tepër, ata e përcollën këtë memorie “të hekurt” në të paktën katër gjenerata të njëpasnjëshme të pasardhësve – të cilët krijohen nga ndarja e qelizës mëmë në dy qeliza të reja. Deri në gjeneratën e shtatë të qelizave të reja, kjo memorie humbet natyrshëm.

    Shkencëtarët ende nuk e kanë zbuluar mekanizmin molekular pas sistemit potencial të kujtesës dhe trashëgimisë së tij, por duket se ekziston një lidhje e fortë midis hekurit ndërqelizor dhe sjelljes së grumbullimit të brezave.

    Epigjenetika luan një rol në transmetimin e mjediseve biologjike “të kujtuara” përmes brezave të E. coli duke fikur ose ndezur cilësimet e gjeneve specifike, por ekspertët besojnë se ky nuk është mekanizmi parësor në këtë rast, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e shkurtër të informacioni i trashëguar.

    Nga ana tjetër, hekuri shoqërohet me reagimet e baktereve ndaj stresit, kështu që ka kuptim evolucionar që rreth tij të formohet një sistem memorie ndër brezash. Një sistem memorie me bazë hekuri mund të ndihmojë E. coli të përshtatet me kushtet e këqija mjedisore ose me antibiotikët.

    “Përpara se të kishte oksigjen në atmosferën e Tokës, jeta e hershme qelizore përdorte hekurin për shumë procese qelizore. Ai është i rëndësishëm jo vetëm në formimin e jetës në Tokë, por edhe gjatë evolucionit. Në çdo rast, aq më shumë dimë për sjelljen e baktereve, aq më shumë ne mund t’i luftojmë ato”, përfundon Bhattacharyya.

    Hulumtimi u botua në revistën “PNAS”.

  • Identifikohet i dyshuari për gjuajtjen me bombë në tregun e Prizrenit

    Identifikohet i dyshuari për gjuajtjen me bombë në tregun e Prizrenit

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e Xhevdet Selimit, të dyshuarit për hedhjen e granatës së dorës në Prizren.

    Selimi dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” i cili ka ndodhur më 22 nëntor në tregun e kafshëve në Prizren.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sektori i Hetimeve Rajonale, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar me autorizim të Prokurorisë Themelore Prizren, me qëllim lokalizimin të tije lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi është: XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 Fshati Uglar/ Gjilan. Personi kërkohet , për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” i cili ka ndodhe me 22.11.2023 në Prizren. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të zhdukur në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

  • Kovac te Kosova? Wolfsburgu jep përgjigje zyrtare

    Kovac te Kosova? Wolfsburgu jep përgjigje zyrtare

    Në mesin e shumë emrave që po lakohen në media vendore si kandidat për stolin e trajneri të Kombëtares së Kosovës, është edhe kroati Niko Kovac.

    Largimi i Primoz Glihas e ka lënë vakant këtë pozitë dhe tashmë Federata e Futbollit të Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri.

    Kroati Niko Kovac është në krye të skuadrës gjermane Wolfsburg e cila së fundi është duke kaluar nëpër një krizë të rezultateve duke bërë që e ardhmja e tij të jetë e pasigurt, për t’u p[arë kështu si një opsion për të marr drejtimin e Dardanëve.

    Të kontaktuar nga KosovaPress, nga klubi gjerman kanë thënë se “nuk kanë përgjigje për këtë çështje”.

    “Për çështje si kjo dhe të tjera të cila i konsiderojmë të brendshme, ne nuk mund të përgjigjemi”, thuhet në përgjgijen e Wolfsburgut për KosovaPress.

    Ndryshe, burime brenda FFK-së i kanë thënë KosovaPressit se deri më tani nuk ka ndonjë emër konkret për stolin e trajnerit të ri, por që një vendim mund të merret së shpejti.

  • Policia e Kosovës blen tetë qen, vlera e tyre gati 45 mijë euro

    Policia e Kosovës blen tetë qen, vlera e tyre gati 45 mijë euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar për vendimin për blerjen e 8 qenve zyrtarë, në vlerë prej 44 mijë 944 euro.

    Sipas përllogaritjeve një qen do të kushtojë mbi 5600 euro.

    Tenderi për blerjen e qenve është hapur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me operator ekonomik “Crazy Pet” Sh.P.K në Prishtinë.

  • Silvinjo nderohet me çmimin “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës

    Silvinjo nderohet me çmimin “Shqiponja e Artë” në Samitin e Diasporës

    Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Campos Junior, është shpërblyer me çmimin “Shqiponja e Artë” për kontributin e tij në fushatën kualifikuese të Kombëtares kuqezi, që arriti të siguronte një biletë historike për në finalet e Euro “Gjermani 2024”.

    Këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit Shqiptar në faqen zyrtare.

    Çmimin për suksesin e treguar ia dorëzoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    “Dua të falënderoj të gjithë lojtarët e Kombëtares shqiptare, janë të gjithë të fortë, por sigurisht pa harruar edhe stafin teknik dhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Ne jemi këtu disa përfaqësues, por ne kemi mbi 15 persona në stafin e skuadrës”, ka potencuar Sylvinho pas pranimit të çmimit.

    “Faleminderit të gjithëve, faleminderit të gjithë skuadrës, pasi pa ata lojtarë nuk do të ishte e mundur të isha në këtë mbrëmje dhe të marr këtë çmim që për mua është një nder i madh. Një qytetar i botës i lindur në San Paolo, që ka bërë një rrugëtim të gjatë në futboll duke kaluar nga Londra, Mançester, Milano dhe sot një qytetar shqiptar. Ju faleminderit edhe një herë të gjithëve”, theksoi Sylvinho.

    Ndryshe, Samiti i 3-të i Diasporës zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe bën bashkë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh në Itali, studiues e historianë në Ditën e Arbëreshëve.

    Historike: Shqipëria kualifikohet në “Euro 2024”

    Kombëtarja Shqiptare është kualifikuar në “Euro 2024”. Kuqezinjtë kanë dhuruar edhe një natë magjike për të arritur qëllimin e madh.

  • ​Nesër inaugurohet busti i heroit Hasan Prishtina

    ​Nesër inaugurohet busti i heroit Hasan Prishtina

    Fondacioni “Hasan Prishtina” organizon nesër inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina në Prishtinë.

    Pjesë e këtij inaugurimi do të jenëpresidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë, pasardhësi i Gjergj Kastriotit Loris Kastrioti – Skënderbeu II, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe të ftuar të tjerë.

    Inaugurimi bëhet nga ora 12:00 në rrugën“Hasan Prishtina” – lagjja “Priam Village Prishtina” në Prishtinë.

    Hasan Prishtina (1873-1933), ishte ideolog i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar.

    Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

    Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.

    Ai u vra më 13 gusht të vitit 1933 në Selanik. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës me një vendim të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.

  • Kadare nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Kadare nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar nga Komuna e Gjilanit.

    Në një ceremoni, ku i pranishëm ishte vetë Kadare, artisti mori vlerësimin nga Komuna.

    Ndërkohë, në shtator, Kadare mori nënshtetësinë e Kosovës. Pesidentja Vjosa Osmani i ka dorëzuar dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës shkrimtarit shqiptar me famë botërore.