ATV

Blog

  • AAK mban të dielën Këshillin e Përgjithshëm

    AAK mban të dielën Këshillin e Përgjithshëm

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të mbajë këtë të diel, më 24 maj, mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, duke përmbyllur procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti.

    Në kuadër të punimeve të Kuvendit do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

    Ky Kuvend konsiderohet etapë përmbyllëse e zgjedhjeve të brendshme të Aleancës dhe pritet të përcaktojë strukturat drejtuese të partisë për katër vitet e ardhshme.

  • Hamza takon 75 vjeçaren: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi “stop” krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën

    Hamza takon 75 vjeçaren: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi “stop” krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga vizitat që po zhvillon nëpër familje kosovare anekënd vendit, ku theksoi mbështetjen dhe vullnetin për ndryshim që, sipas tij, po e gjen te qytetarët.

    Në videon e realizuar gjatë një vizite në Suharekë, Hamza shfaqet pranë nënës Arife, për të cilën tha se, pavarësisht moshës së shtyrë, vazhdon të mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut për Kosovën.

    “Nëpër dyert dhe zemrat që po na i hapin familjet kosovare anekënd Kosovës, po gjejmë vazhdimisht shumë dashuri, mbështetje dhe vullnet për ndryshim”, ka shkruar Hamza.

    Ai ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë moment bashkimi për qytetarët e Kosovës, pa dallim moshe apo profesioni.

    “Më 7 qershor, të moshuar e të rinj, burra e gra, profesionistë, punëtorë e ndërmarrës, do të bëhemi bashkë për t’i thënë: STOP krizës. Sepse vetëm bashkë do ta ndryshojmë Kosovën!”, thuhet në mesazhin e tij.

    Postimi është shpërndarë në kuadër të sloganit të fushatës së PDK-së: “STOP Krizës. Ndrysho Kosovën”.

    Postimi i plotë:

  • Osmani në Ferizaj: Me refuzimin e gazit amerikan disa po i krijojnë hapësirë armiqve të Kosovës

    Osmani në Ferizaj: Me refuzimin e gazit amerikan disa po i krijojnë hapësirë armiqve të Kosovës

    Kandidatja për Presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me qytetarë në Ferizaj ka pyetur ata se disa që pengojnë gazin amerikan kujt po i krijojnë hapësirë.

    Ajo ka aluduar në kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pasi pikërisht çështja e gazit amerikan i përket periudhë së qeverisjes së tij.

    Osmani ka thënë se duke refuzuar gazin amerikan, iu krijohet hapësirë armiqve të Kosovës.

    “Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është, kur disa po i thonë Jo gazit amerikan, kujt realisht janë duke i kriju hapësirë. Çka po ju merr mendja, po pra armiqve të Kosovës që janë kundër Kosovës. Kjo është me rëndësi me kuptu që shkon shumë përtej zhvillimit ekonomik”, ka thënë Osmani, deklarata e saj u transmetua nga “UlpianaPress”.

  • Ousmane Dembélé konfirmon qëndrimin te PSG: Do të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm

    Ousmane Dembélé konfirmon qëndrimin te PSG: Do të jem këtu edhe sezonin e ardhshëm

    Ousmane Dembélé i ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij te Paris Saint-Germain, duke konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit edhe sezonin e ardhshëm.

    Ylli francez ishte vënë në qendër të diskutimeve për shkak se ende nuk ka arritur marrëveshje me “Parisienët” për rinovimin e kontratës, pasi raportohet se kërkon një rritje të konsiderueshme page. Megjithatë, Dembélé e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga “Parku i Princave”.

    “Ka 100 për qind shanse që të jem te PSG sezonin e ardhshëm”, deklaroi fituesi i Topit të Artë gjatë paraqitjes si mysafir special në emisionin “Rothen s’enflamme”.

    Sulmuesi francez theksoi se ndihet shumë mirë në klub dhe se marrëdhëniet me të gjithë janë pozitive.

    “Kam ende dy vite kontratë. Gjithçka po shkon shumë mirë në klub. Ndihem shumë mirë me të gjithë, qoftë me stafin, lojtarët, presidentin apo me pjesën tjetër të klubit”, u shpreh ai.

    29-vjeçari nuk e përjashtoi as mundësinë e rinovimit të kontratës në të ardhmen.

    “Rinovim? Do ta shohim. Nëse klubi më ofron kontratë, do të qëndroj dhe do të jem i lumtur këtu. Shpresoj që gjithçka të vazhdojë kështu”, përfundoi Dembélé

  • Një muaj paraburgim ndaj shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë

    Një muaj paraburgim ndaj shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim shtatë të dyshuarve për kërcënim të votuesve në Graçanicë.

    Kjo pasi gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar këtë masë të pandehurve M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M.

    Ata dyshohen për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen fare lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që do të përsërisin veprat penale, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje penale.

  • Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri vizita te Hashim Thaçi: Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi “Besoni në Kosovë”

    Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri vizita te Hashim Thaçi: Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi “Besoni në Kosovë”

    Memli Krasniqi dhe Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë qëndruar në Hagë për vizitë te ish-presidenti Thaçi.

    Krasniqi shprehet se Thaçi, “si në vizitën e parë, edhe sot ai mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës”.

    Tutje, ai thotë “nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!”.

  • Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke publikon listën për miqësoren ndaj Kosovës

    Republika Çeke e ka bërë publike listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës.

    Kosova në fund të këtij muaji do të jetë mysafire e çekëve, të cilët po përgatiten për kualifikimet dhe paraqitjet drejt Kupës së Botës 2026.

    Federata çeke tashmë ka zbuluar emrat e lojtarëve të grumbulluar, ku në listë bëjnë pjesë edhe tre futbollistë të Hoffenheimit: Vladimir Coufal, Robin Hranac dhe Adam Hlozek. Ata janë bashkëlojtarë me futbollistët kosovarë Leon Avdullahu, Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari.

    Në anën tjetër, lista e Kosovës pritet të publikohet në ditët në vijim. Mbetet të shihet nëse përzgjedhësi Franco Foda do t’u besojë lojtarëve kryesorë apo do t’u japë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj në këtë përballje miqësore.

  • Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Napoli intensifikon kontaktet me Masimiliano Allegrin-Antonio Conte pranë largimit

    Raportimet në Itali po shtohen se Massimiliano Allegri është në listën e ngushtë të Napolit për ta zëvendësuar Antonio Conten, ndërsa drejtori sportiv Giovanni Manna thuhet se ka udhëtuar drejt Milanos për një takim me trajnerin italian.

    Conte ka lënë sinjale të forta se do të largohet në fund të sezonit, ndërsa “Sky Sport Italia” raporton se në qendrën stërvitore të klubit është organizuar edhe një barbecue, që është interpretuar si një lloj “lamtumire” për trajnerin.

    Edhe pse Maurizio Sarri mbetet një nga kandidatët kryesorë për stolin e Napolit, zërat për Allegrin po rriten me shpejtësi. Dy palët kishin pasur kontakte edhe verën e kaluar, përpara se Conte të vendoste të vazhdonte aventurën e tij me klubin napolitan.

    Me tensionet në rritje te Milani dhe pasigurinë rreth projektit sportiv, Napoli po tenton seriozisht ta bindë Allegrin të transferohet në “Stadio Diego Armando Maradona”.

    Sipas “Corriere della Sera”, presidenti Aurelio De Laurentiis e ka dërguar Giovanni Mannan në Milano, ku gjatë ditëve të fundit është zhvilluar një darkë me Allegrin për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit.

    Manna dhe Allegri njihen mirë nga periudha kur kanë punuar së bashku te Juventusi, ndërsa oferta e Napolit raportohet të jetë e ngjashme me atë të verës së kaluar: një kontratë dyvjeçare.

    Në anën tjetër, Milani mbetet i interesuar për Allegrin, por trajneri kërkon garanci konkrete në merkato përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.

    Sipas raportimeve, Allegri nuk është i gatshëm të vazhdojë nëse Zlatan Ibrahimovic dhe Giorgio Furlani do të vazhdojnë të kenë ndikim dominues në strategjinë sportive të klubit.

  • FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    FIFA po shqyrton zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 66 ekipe

    Skena më e madhe e futbollit mund të jetë pranë transformimit më radikal deri më tani, pasi propozime të reja për zgjerimin e Kupës së Botës 2030 janë rikthyer në tryezën e FIFA-s.

    Pavarësisht se turneu i vitit 2026 tashmë është zgjeruar në 48 përfaqësuese, drejtuesit e futbollit botëror po diskutojnë një hap edhe më të madh: kalimin në një format me 66 ekipe.

    Teksa bota e futbollit po përgatitet për Kupën e Botës së parë me 48 skuadra, e cila do të mbahet në Amerikën e Veriut, FIFA po mendon edhe më larg. Sipas mediumit spanjoll AS, propozimi për zgjerimin e Botërorit 2030 në 66 ekipe ka marrë vrull të konsiderueshëm gjatë javëve të fundit.

    Ideja u sugjerua fillimisht nga CONMEBOL, me synimin për të rritur aksesin në nivelin elitar të futbollit botëror. Ajo që dikur konsiderohej si një propozim tepër radikal, tashmë po merret seriozisht nga disa federata anëtare të FIFA-s.

    Hierarkia e FIFA-s, e udhëhequr nga Gianni Infantino, po e sheh zgjerimin si një mënyrë për të promovuar përfaqësim më të madh dhe pluralitet në futbollin ndërkombëtar. Infantino e ka përshkruar shpesh Kupën e Botës si një festë globale, ndërsa një format me 66 skuadra do t’u ofronte vendeve që nuk kanë marrë pjesë kurrë më parë në Botëror një mundësi më reale për kualifikim.

    Me edicionin e vitit 2026 që pritet të sjellë debutues si Kepi i Gjelbër, Curacao, Uzbekistani dhe Jordania, dëshira për një listë më të gjerë pjesëmarrësish po rritet edhe brenda vetë FIFA-s.

    Kupa e Botës 2030 aktualisht është planifikuar të organizohet kryesisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshje simbolike do të zhvillohen edhe në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.

    Megjithatë, një zgjerim i tillë do të sillte sfida të mëdha organizative dhe do të ushtronte presion të jashtëzakonshëm mbi infrastrukturën dhe logjistikën e turneut.

    Edhe pse plani zyrtar mbetet ende në 48 ekipe, FIFA nuk pritet ta finalizojë plotësisht strukturën organizative deri pas finales së Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 19 korrik

  • Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Dallaveret me prona në Prizren, ngrihen 18 parcela me vlerë 1 milion euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngrirë 18 prona në Prizren dhe ka kërkuar paraburgim për të arrestuarin për keqpërdorim të pozitës.

    Sipas kërkesës, i pandehuri E.J., në cilësinë e personit zyrtar si ndërmjetësues i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, dhe përmes këtyre veprimeve ka përfituar për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.

    “ Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë. Përmes këtyre veprimeve, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore më fshatin Lokvicë, Komuna e Prizrenit, me vlerë rreth 1,000,000 euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë”, theksohet në njoftim.

    Hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili gjendet në arrati për shkak të veprave “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

    V.Z. dyshohet se, duke falsifikuar dokumentet publike dhe në koordinim me E.J., ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi përmes së cilës ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij. Në të njëjtin rast, hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit A.G., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    “Në lidhje me rastin, janë sekuestruar para në shumën prej 14.600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërkohë që është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive, për të siguruar gjendjen e pronave deri në përfundim të procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.