ATV

Blog

  • Hajnat vjedhin në ngrohtoren e Gjakovës kabllo me vlerë 6 mijë euro

    Hajnat vjedhin në ngrohtoren e Gjakovës kabllo me vlerë 6 mijë euro

    Të premten rreth orës 09:30, persona të panjohur në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, kanë vjedhur kabllo elektrike me vlerë prej 6 mijë eurosh.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, kabllot në fjalë shërbejnë për gjenerimin e rrymës.

    “Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë 24.11.2023 – 09:30. Ankuesja femër kosovare – inxhiniere e ngrohtores së qytetit, ka raportuar se person-a të panjohur kanë vjedhur dy kabllo elektrike me gjatësi 10 metra (2×5 m) në vlerë rreth 6000€ që shërbejnë për gjenerimin e rrymës. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Reshjet e borës në kryeqytet, Rama: Po kujdesemi që rrugët të jenë të pastra e lehtë të qarkullueshme

    Reshjet e borës në kryeqytet, Rama: Po kujdesemi që rrugët të jenë të pastra e lehtë të qarkullueshme

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se po kujdesen që rrugët e kryeqytetit të jenë të pastra dhe lehtë të qarkullueshme, pas reshjeve të borës.

    Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes.

    “Bora e parë ka mbuluar Prishtinën tonë me një veshje të bardhë magjike! E ne po kujdesemi që rrugët tona të jenë të pastra e lehtë të qarkullueshme për të gjithë. Të dashur qytetarë, keni kujdes gjatë ngasjes së veturave. Le ta përcjellim borën e parë me dashuri dhe kënaqësi! 🧣🧤”, ka shkruar Rama.

  • Gjendet i vdekur një person në Fushë-Kosovë

    Gjendet i vdekur një person në Fushë-Kosovë

    Një person është gjetur i shtrirë në rrugën “Pajazit Islami”, në Fushë-Kosovë, i cili më pas është dërguar në QKUK, ndërsa vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.

    Sipas policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në rrugë nga një dëshmitar rasti i cili është dërguar në QKUK, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Politikanja serbe pretendon se u fut ilegalisht në Kosovë për të mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”

    Politikanja serbe pretendon se u fut ilegalisht në Kosovë për të mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”

    Kryetarja e partisë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, ka publikuar një fotografi në rrjetin Social “X, ku pretendon se ka hyrë ilegalisht në Kosovë nëpërmjet maleve.

    “Menduan se edhe sonte do të më ndalojnë, por siç thash: Kush e di cakun, ai e di edhe rrugën, qoftë edhe nëpërmjet maleve. Përshëndetje nga fshati Reçicë!”, ka shkruar ajo.

    Ndërsa, ajo pretendon se është në fshatin Reçicë të komunës së Podujevës, duke mbajtur një “tubim kombëtar të serbëve”.

    “Prej vitesh më bllokojnë hyrjen në Kosovë me pretekstin se po e ‘cenojë rendin e tyre kushtetues’”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se për të është e rëndësishme që të “mbroj rendin kushtetues të Serbisë”.

  • Kievi goditet nga sulmi masiv me dron rus – më i madhi i luftës deri më tani, thonë forcat ajrore të Ukrainës

    Kievi goditet nga sulmi masiv me dron rus – më i madhi i luftës deri më tani, thonë forcat ajrore të Ukrainës

    Kievi është goditur nga një sulm masiv me dron gjatë natës, tha kryebashkiaku i qytetit.

    Vitali Klitschko tha se shumë rrethe të kryeqytetit ukrainas ishin shënjestruar.

    Sipas forcave ajrore të Ukrainës, ky ishte sulmi më i madh rus duke përdorur dronët kamikaze Shahed të luftës deri më tani.

    Dronët janë kapur, por fragmente nga avioni i rrëzuar kanë lënë të paktën dy persona të plagosur dhe kanë dëmtuar disa ndërtesa.

    Duke shkruar në Telegram, Klitschko tha se blloqet e apartamenteve u goditën – dhe një zjarr kishte shpërthyer në një çerdhe.

    Kjo vjen pasi presidenti Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi civilët që të prisnin një bombardim dimëror nga Moska.

    Në një fjalim të natës fundjavën e kaluar, ai tha: “Sa më afër të jemi te dimri, aq më shumë rusë do të përpiqen t’i bëjnë sulmet më të fuqishme.”

  • Izraeli liron 39 të burgosur palestinezë

    Izraeli liron 39 të burgosur palestinezë

    Gjithsej 39 të burgosur palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite në këmbim të një grupi pengjesh të mbajtura nga Hamasi të premten në mbrëmje, raporton BBC.

    Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Katari – përfshin armëpushim katërditor. Ata akuzohen për një sërë veprash, nga gjuajtja me gurë deri te tentativa për vrasje. Disa u dënuan ndërsa të tjerët ishin në pritje të gjykimit.

    Grupi prej 24 femrash dhe 15 djemsh adoleshentë u lirua nëpër pikën e kontrollit Beituniya në Bregun Perëndimor të okupuar. Ata më pas do të lejohen të kthehen në shtëpi, sipas shërbimit të burgut të Izraelit. Të arrestuarit u zgjodhën nga një listë prej 300 grave dhe të miturve të përpiluar nga Izraeli.

    Më pak se një e katërta e atyre në listë janë dënuar – shumica dërrmuese po mbahen në paraburgim në pritje të gjykimit. Shumica e të listuarve janë djem adoleshentë – 40% e tyre nën moshën 18 vjeç. Ka gjithashtu një vajzë adoleshente dhe 32 gra.

    Hamasi liroi gjatë ditës së sotme 13 pengje izraelite, si pjesë e marrëveshjes. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe për tre ditë.

  • Sot në kryeqytet inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina

    Sot në kryeqytet inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina

    Sot do të inaugurohet busti i heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në Prishtinë.

    Inaugurimi i bustit të heroit të kombit do të bëhet nga fondacioni “Hasan Prishtina”, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore nga Kosova e Shqipëria.

    Pjesëmarrës në këtë ceremoni pritet të jenë kryeministri i vendit, Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e personalitete të tjera.

  • Borxhi lë jashtë funksionit telefoninë e bazës së zjarrfikësve në Lipjan

    Borxhi lë jashtë funksionit telefoninë e bazës së zjarrfikësve në Lipjan

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Ka më shumë se dy muaj që telefoni në bazën e zjarrfikësve në Lipjan është jashtë funksionit.

    Për shkak të mosshlyerjes së borxhit, thirrjet urgjente bëhen në Polici, e më pas zyrtarë të stacionit policor në Lipjan duhet t’i drejtohen bazës së zjarrfikësve për t’i njoftuar.

    Duke treguar për rëndësinë e një telefonate, kryetari i sindikatës së zjarrfikësve, Muharrem Beka, thotë se ky problem duhet të rregullohet sa më parë.

    Për mosshlyerjen e borxhit për dy muaj dhe se kur do të rifunksionalizohet lidhja në bazë, televizioni ka insistuar të marrë përgjigje dy ditë radhazi në Komunën e Lipjanit, por askush nuk ka dhënë përgjigje.

  • Gjendet vetura që e përdorën grabitësit në Suharekë

    Gjendet vetura që e përdorën grabitësit në Suharekë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Afro 15 kilometra larg Suharekës, në udhëkryqin që lidh fshatrat: Budakovë, Jezerc e Devetakë, është gjetur vetura që përdorën grabitësit e argjendarisë të mërkurën mbrëma.

    Megjithatë, 4 të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati, derisa hetimet për rastin vazhdojnë. Ndërkohë, Policia ende nuk i ka arrestuar as të dyshuarit për grabitjen në Ferizaj.

    Duke llogaritur grabitjet e njëpasnjëshme, njohës të punës së Policisë dhe drejtësisë sugjerojnë që hetimet duhet të intensifikohen.

    “Kjo tregon se nuk kanë të dhëna konkrete. Dhe grupi tani trimërohet dhe mund të pritet një tjetër grabitje…”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.

    “Po shohim shtimin e grabitjeve dhe natyrisht që shteti duhet të vihet në lëvizje për t’i përfunduar në kohë optimale hetimet. Në të kundërtën do të kemi inkurajim për grupet kriminale”, tha Valdet Hoxha, avokat, ish-zëvendësministër i mbrojtjes.

    Përveç intensifikimit të hetimeve, me qëllim të menaxhimit më të mirë në raste të tilla, propozohet që krahas trajnimeve policëve t’u vihen në dispozicion armë të gjata.

    “Paralelisht me hetimet do të duhej që të trajnohen policët për përdorimin e armëve të gjata nga ana e policisë dhe pajisjen e menjëhershme të stacioneve policore, sepse një reagim me kohë…”, tha Hoxha.

    “Policia e Kosovës duhet të veprojë në dy drejtime, e para duhet të krijojë një task-forcë e cila merret me veprimet e tilla, por në anën tjetër do të duhej që departamenti për siguri publike të ketë një shtim më të madh të personelit policor, të uniformuar edhe civil”, tha njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

    Në grabitjen në qendër të Suharekës, grabitësit vodhën ar në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe plagosën një polic.

  • Kurti: E domosdoshme t’i vendosen sanksione Serbisë

    Kurti: E domosdoshme t’i vendosen sanksione Serbisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dy muaj kohë, sipas kryeministri Albin Kurti janë të mjaftueshme për hetime të detajuara lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Përtej kësaj, shefi i Qeverisë theksoi nevojën për ndëshkim të Serbisë, siç tha, që ajo të mos përsëritet më.

    “Në një situatë si ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që paraqesin të njëjtën gjë, duke mbrojtur ligjin, ne mbrojmë edhe sovranitetin dhe garantojmë siguri… Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë, në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë u bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj”, tha Kurti.

    Kurti përmendi edhe mosgatishmërinë e Serbisë për nënshkrim të marrëveshjeve, teksa shtoi se Serbia nuk është e interesuar për paqe.

    “Pasnesër bëhen nëntë muaj prej se në Bruksel përfundimisht jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, gjatë këtyre nëntë muajve, Serbia i ka shkelur së paku tetë nga 11 nenet e marrëveshjes bazike. Në kushtet kur kemi këso shkeljesh të marrëveshjes, konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm, sepse është nënshkrimi ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, tha Kurti.

    I pyetur për draft statutin e Asociacionit, dhe deklaratat e presidentes se ai ka dykuptimësi, Kurti shtoi se ai mund të publikohet vetëm nga emisarët, pasi ishte kërkese e tyre për mospublikim.

    Kreu i ekzekutivit pati kritika për Serbinë, për të cilën tha se ka dëshmuar se Asociacionin synon ta bëjë kundër Kosovës e jo për serbët që jetojnë në vend.