ATV

Blog

  • 100 eurot nga Qeveria: Deliu-Kodra i quan ‘lëmoshë elektorale’

    100 eurot nga Qeveria: Deliu-Kodra i quan ‘lëmoshë elektorale’

    Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas vendimit të qeverisë në detyrë për ndarjen e një pagese prej 100 eurosh për disa kategori të qytetarëve, pak ditë para zgjedhjeve.

    Përmes një postimi n ë Facebook, ajo ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se qytetarët e Kosovës nuk janë lypsarë.

    “Kryeministër, qytetarët e Kosovës nuk janë lypsarë – mos i trajto si të tillë! Kur një qeveri kujtohet për qytetarët vetëm pak ditë para zgjedhjeve, atëherë problemi nuk është te 100 eurot, por te mënyra si e sheh qytetarin. Kosovarët nuk kanë nevojë për lëmoshë elektorale. Kanë nevojë për paga dinjitoze, ekonomi të fortë dhe perspektivë që të rinjtë të mos e shohin largimin si zgjidhje”, ka shkruar ajo.

    Deliu-Kodra ka shkruar se qytetarët, sipas saj, duhet të kenë më shumë dinjitet ekonomik dhe mundësi zhvillimi, duke theksuar se vota e tyre nuk mund të ndikohet nga masa të tilla financiare në prag të zgjedhjeve.

    “Vota e qytetarëve të Kosovës ka më shumë vlerë se çdo tentim për ta blerë me para të momentit. Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën – në një vend me zhvillim, dinjitet dhe mirëqenie për të gjithë”, shkroi Deliu-Kodra.

  • Behrami: Prokuroria duhet të zbarkojë në Qeveri, ndarja e 100 eurove është blerje klasike e votës

    Behrami: Prokuroria duhet të zbarkojë në Qeveri, ndarja e 100 eurove është blerje klasike e votës

    Kandidati për deputet nga lista e Artan Behrami ka reaguar ashpër pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për ndarjen e nga 100 eurove për disa kategori në Kosovë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Behrami e ka cilësuar këtë vendim si “blerje klasike të votës” dhe ka kërkuar reagim nga organet e drejtësisë.

    “Prokuroria duhet tani të zbarkojë në Qeverinë e Kosovës. Kjo është blerje klasike e votës, është ndikim i drejtpërdrejtë te votuesit”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, veprimi bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës, duke cituar dispozitën që parasheh se “keqpërdorimi i varësisë ekonomike apo profesionale për të ndikuar te votuesi që të votojë në një mënyrë të caktuar ose të mos votojë, dënohet me 1 deri në 5 vjet burgim”.

  • ​27 vjet nga masakra në Vushtrri

    ​27 vjet nga masakra në Vushtrri

    Krahas fshatrave, ushtarët dhe policët serbë gjatë luftës në Kosovë, kanë masakruar shumë shqiptarë civil edhe në qytete. Njëra nga këto masakra është edhe ajo e kryer në Vushtrri më 22 maj 1999.

    Gjatë kësaj dite (22 maj), qytetarët e Vushtrrisë, kanë përjetuar tmerr të rënd nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit dhe njësitë e Arkanit. Në këtë ditë, shumicën e qytetarëve i kanë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, dhe i kanë detyruar të grumbullohen te vendi i njohur “Te varrezat” në qytetin e Vushtrrisë.

    Familjet në ish rrugën “Abdullah Shabani”, tani rruga “22 Maji”, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i kanë detyruar të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Ndërsa, të tjerët e kësaj lagjeje i kanë detyruar të shkojnë te vendi i quajtur “Te varrezat” në Vushtrri.

    Gjatë kësaj kohe, janë plaçkitur dhe u janë marrë para e gjësende me vlerë, si ari etj. “Te varrezat”, të grumbulluarit i kanë ndarë në tri grupe: Gratë me fëmijë deri në moshën 15 vjet, Të moshës së re dhe mesatare dhe Të moshuarit.

    Disa nga të grumbulluarit, rreth 1000 veta, i dërguan në sallën e sportit, ku i kanë torturuar në forma të ndryshme, dhe pastaj, disa i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës (fshat në veri të Vushtrrisë) dhe disa të tjerë për në Shqipëri.

    Nga gjithë kjo katrahurë e dhimbshme, më së rëndi dhe më së keqi kanë pësuar 68 shqiptarët që kishin mbetur në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Pengmarrësit shqiptarë janë torturuar në forma çnjerëzore, pastaj janë ekzekutuar të gjithë, shumica me një plumb në kokë – në ballë. Në mesin e të ekzekutuarve kishte femra dhe fëmijë të moshës 15 vjeçare, si dhe pleq e plaka.

    Të vrarët në këtë masakër janë:

    1. Ali (Ibrahim) Melenica (58 vjeç)

    2. Hasan (Ibrahim) Melenica (51 vjeç)

    3. Shaban (Ibrahim) Melenica (49 vjeç)

    4. Nistret (Ali) Melenica (31 vjeç)

    5. Shefki (Musli) Melenica (22 vjeç)

    6. Ibrahim (Bajram) Zeqiri (36 vjeç)

    7. Driton (Rifat) Murseli (27 vjeç)

    8. Rafet (Qazim) Behrami (53 vjeç)

    9. Burim (Rafet) Behrami (17 vjeç)

    10. Kemajl (Tefik) Tërnava (41 vjeç)

    11. Isak (Sylë) Maçastena (33 vjeç)

    12. Fehmi (Ukshin) Musa (37 vjeç)

    13. Arsim (Ismajl) Musa (20 vjeç)

    14. Xhafer (Ramadan) Shaqiri (18 vjeç)

    15. Rrahim (Ali) Shatrolli (43 vjeç)

    16. Muharrem (Hamdi) Bajrami(32 vjeç)

    17. Lulzim (Hamdi) Bajrami (27 vjeç)

    18. Naim (Osman) Bajrami (37 vjeç)

    19. Afrim (Osman) Bajrami (31 vjeç)

    20. Hamit (Adem) Halili (60 vjeç)

    21. Hilmi (Hamit) Halili (27 vjeç)

    22. Hamdi (Ragip) Dallku (62 vjeç)

    23. Agim (Hamdi) Dallku (26 vjeç)

    24. Bashkim (Hamdi) Dallku (23 vjeç)

    25. Jeton (Rifat) Vërbovci (33 vjeç)

    26. Arsim (Hazir) Sejdiu (33 vjeç)

    27. Zeqir (Rexhep) Kadriu (46 vjeç)

    28. Ferki (Zeqir) Kadriu (58 vjeç)

    29. Haki (Zeqir) Kadriu (16 vjeç)

    30. Shahin (Xhevat) Feka (40 vjeç)

    31. Ekrem (Jahir) Feka (30 vjeç)

    32. Miradie (Hajzer) Feka (62 vjeç)

    33. Bedri (Ramadan) Kutllovci (38 vjeç)

    34. Bujar (Dibran) Krasniqi (19 vjeç)

    35. Faik (Raif) Mulaku (57 vjeç)

    36. Driton (Shaban) Merovci (31 vjeç)

    37. Mensur (Ferat) Gërguri (35 vjeç)

    38. Brahim (Rrahim) Maloku (48 vjeç)

    39. Arian (Emurullah) Prokupla(30 vjeç)

    40. Shahidin (Shefqet) Maxhuni(20 vjeç)

    41. Murat (Ferat) Tiriqi (24 vjeç)

    42. Serhat (Ferat) Tiriqi (22 vjeç)

    43. Ahmet (Qazim ) Uka (35 vjeç)

    44. Sekine (Qazim) Uka (24 vjeç)

    45. Ajshe (Azem) Uka (31 vjeç)

    46. Rrahim (Hasan) Shkreli (19 vjeç)

    47. Bukurie (Hasan) Shkreli (16 vjeç)

    48. Fatmir (Halim) Keqolli (26 vjeç)

    49. Fazli (Zenel) Shabani (56 vjeç)

    50. Idriz (Ragip) Hasani (21 vjeç)

    51. Ramadan (Sefë) Shaqiri (50 vjeç)

    52. Hajdin (Ramadan) Shaqiri (19 vjeç)

    53. Besnik (Ramadan) Shaqiri (15 vjeç)

    54. Naser (Arif) Zeka (25 vjeç)

    55. Nexhmedin (Arif) Zeka (22 vjeç)

    56. Agim (Arif) Zeka (20 vjeç)

    57. Bajram (Ramadan) Meha (46 vjeç)

    58. Ramadan (Bajram) Meha (15 vjeç)

    59. Avdi (Hamit) Bardiqi (56 vjeç)

    60. Rrahman (Idriz) Ferati (18 vjeç)

    61. Zeqir (Rrahman) Zeqiri (45 vjeç)

    62. Irfan (Ilaz) Zhilivoda (38 vjeç)

    63. Muhamet (Ahmet) Kadriu (56 vjeç)

    64. Muzafer (Avdulla ) Muhaxheri (42 vjeç)

    65. Agim (Islam) Shaqiri (17 vjeç)

    66. Bajram (Habib) Islami (38 vjeç)

    67. Ibrahim (Habib) Islami (49 vjeç)

    68. Bahri (Mahmut) Syla (24 vjeç)

    Pas ekzekutimit, kufomat janë bartur me një kamion dhe janë dërguar në Serbi, përkatësisht në Batajnicë, me qëllim që të humbin gjurmët e krimit.

    Dëshmitarët që kanë shkuar në shtëpinë ku është kryer krimi, kuptohet pasi janë larguar forcat pushtuese serbe dhe kufomat e të ekzekutuarve shqiptarë, tregojnë se kishte shumë gjurmë të gjakut nëpër mure, në dysheme dhe vende të tjera të shtëpisë së krimit. /kp/

  • ​​Inspektorati në Prishtinë shqipton gjobë 500 euro për hedhje të paligjshme të mbeturinave

    ​​Inspektorati në Prishtinë shqipton gjobë 500 euro për hedhje të paligjshme të mbeturinave

    Drejtoria e Shërbimeve Publike në Kryeqytet ka njoftuar se ekipet e saj po vazhdojnë çdo ditë aksionet për largimin e mbeturinave vëllimore në lagje të ndryshme të Prishtinës, ndërsa ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj qytetarëve që hedhin mbeturina në vende të paautorizuara.

    Sipas njoftimit, pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm në terren, ende ka raste të hedhjes së mbeturinave në mënyrë të paligjshme, duke dëmtuar hapësirat publike dhe mjedisin.

    Në këtë kontekst, Drejtoria bën të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme.

    “Mbrëmë, në orët e vona të natës, Inspektorati i Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë prej 500 euro ndaj një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftim.

    Drejtoria ka paralajmëruar se kontrollet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese në bazë të legjislacionit në fuqi.

    Po ashtu, qytetarët janë ftuar që të raportojnë rastet e tilla në numrat pa pagesë: 0800 12233 dhe 0800 12244.

  • Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

    Qeveria në detyrë miraton pakon “Inflacioni 2.0”, nga 100 euro për pensionistë, punëtorët privat, fëmijë dhe studentë

    Pak ditë para nisjes zyrtare të fushatës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar dizajnimin e një pakoje për përballje me inflacionin. Kurti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin 2.0 synon mbështetje të njëhershme prej 100 euro për pensionistët, 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik dhe 100 euro për studentët.

    “Qeveria jonë dhe e tyre nuk do t’i lërë kurrë vetëm qytetarët pavarësisht bllokadat që të tjerët mund t’i vendosin”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

    Kurti tha se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë për aplikim dhe pagesat do të bëhen javën e ardhshme, ndërsa për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët, nevojitet procedurë aplikimi që do të hapet javën e ardhshme.

    Ndërkaq, Ministri i Financave Hekuran Murati tha se në mbështetjen e njëhershme prej 100 euro përfshihen të gjithë të punësuarit e deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra këtu është sektori privat dhe sektori tjetër, pra publik por që është jashtë organizatave buxhetore, shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat tjera që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit.

    Po ashtu, Qeveria ka njoftuar edhe rritjen e shtesave për lehonat.

    “Nga ky muaj do të rrisim shtesat për lehona. Derisa me qeverisjet e kaluara shtesat për lehona ishin zero, për herë të parë e nisëm duke paguar nga 170 euro për 6 muaj për lehonat e papuna dhe tre muaj për të punësuara. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, kurse në maj vitin e kaluar i rritëm në 325 euro. Sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 korriku bëhet 500 euro. Edhe në këtë maj po i rrisim shtesat për lehona, nga 325 në 500 euro në muaj”, ka thënë Kurti.

  • Aksidenti me 4 të vdekur ku u përfshi kamioni me targa kosovare, dalin detaje të reja

    Aksidenti me 4 të vdekur ku u përfshi kamioni me targa kosovare, dalin detaje të reja

    Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona humbën jetën pas përplasjes së fuqishme mes një veture BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.

    Burime policore nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për AlsatM se nuk përjashtohet mundësia që drejtuesi i veturës BMW të ketë qenë grua.

    Megjithatë, autoritetet zyrtare ende nuk po ndajnë informacione mbi identitetin e viktimave, ndërsa ekipet e mjekësisë ligjore dhe prokurori kujdestar po analizojnë çdo detaj nga vendi i ngjarjes.

    Sipas të njëjtave burime, nga ajo që është konstatuar deri tani në terren, gjasat çojnë drejt dyshimit se automjeti drejtohej nga një grua, por për shkak të djegies së plotë të veturës dhe gjendjes së rëndë në të cilën janë gjetur kufomat, thuajse në eshtra, identifikimi zyrtar do të jetë tepër i vështirë, si dhe nevojën e obduksionit.

    Sipas të dhënave jozyrtare policore, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga drejtuesi i kamionit, i cili për shkak të lodhjes dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë në korsinë e kundërt, në momentin kur nga ana tjetër po vinte vetura BMW.

    Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti të përfshihej menjëherë nga flakët. Nga makina ka mbetur vetëm skeleti metalik, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të hetimeve intensive që po zhvillohen nga policia, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore.

    Në vendngjarje vazhdojnë të qëndrojnë forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një version zyrtar vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve të plota.

  • Fytyra e mbuluar me gjak, dhunohet “Miss Venezuela”, arrestohet stilisti i njohur

    Fytyra e mbuluar me gjak, dhunohet “Miss Venezuela”, arrestohet stilisti i njohur

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë aktiviteteve të lidhura me Festivalin e Kanës, pasi Miss Venezuela Global Andrea del Val publikoi video ku shfaqet me fytyrën e mbuluar me gjak, duke akuzuar stilistin e njohur Giovanni Laguna për agresion fizik.

    Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, modelja dëgjohet duke thënë: “Shikoni çfarë më bëri Giovanni Laguna. Kjo është ajo që doja, që të tregoje kush je”, ndërsa më pas tregon kaosin brenda dhomës së hotelit ku ndodhi incidenti.

    Sipas raportimeve të mediave latino-amerikane, debati mes të dyve u përshkallëzua në një përleshje fizike. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan britma dhe zhurma përpara se klientët e hotelit të njoftonin policinë franceze.

  • Murati me grafikë për 100 eurot që mori vendim qeveria – Studentët dhe punëtorët e sektorit privat duhet të aplikojnë për to

    Murati me grafikë për 100 eurot që mori vendim qeveria – Studentët dhe punëtorët e sektorit privat duhet të aplikojnë për to

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar me anë të një grafike “Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0”, përmes së cilës Qeveria e Kosovës ka miratuar mbështetje të njëhershme financiare për disa kategori të qytetarëve.

    Sipas njoftimit, nga 100 euro do të përfitojnë pensionistët, fëmijët, punonjësit e sektorit jo-publik dhe studentët aktivë.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Publikohen çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.64 euro.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.56 euro për litër, ndërsa gasi do të kushtojë 0.75 euro për litër.

  • Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kurti i rrit pagesat për lehonat nga ky muaj: 500 euro në muaj, pa i llogaritur shtesat për foshnjat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vendosur që një vendim, i cili ishte paraparë të hynte në fuqi në muajin korrik, të zbatohet më herët – që nga ky muaj.

    Pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti njoftoi rritjen e shtesave për lehonat në Kosovë.

    Ai tha se, megjithëse vendimi ishte planifikuar të hynte në fuqi në korrik, nuk ka arsye të pritet më gjatë.

    “Nga 325.9 euro në muaj, duke filluar nga ky muaj, secila nënë lehonë do të përfitojë 500 euro në muaj, pa i përfshirë shtesat për foshnjën”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.