ATV

Blog

  • Sejdiu: Kurti me paratë e atyre që punojnë, po mundohet me e mbajtë kolltukun

    Sejdiu: Kurti me paratë e atyre që punojnë, po mundohet me e mbajtë kolltukun

    Analisti Dardan Sejdiu ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka miratuar sot pakon për përballjen me inflacionin.

    Sipas tij, ata që punojnë e paguajnë taksa, po ashtu ata që ndërtojnë biznese e krijojnë vende pune, mundin e tyre kryeministri në detyrë Albin Kurti e hudhi në tokë.

    Sejdiu, ndër të tjera ka thënë se me paratë e atyre që punojnë, Kurti po mundohet me e mbajtë kolltukun, e që vet nuk punos sa duhet për pesë vjet.

    “Ju qe punoni. Ju qe paguani taksa. Ju qe ndertoni biznese, krijoni vende pune, mbani familje, prodhoni, rrezikoni, djersiteni. Sot, Kryeministri ne detyre i kesaj Republike, krejt mundin tuaj e hodhi ne toke. Sepse kur, 15 dite para zgjedhjeve, shperndan para publike me vendim qeverie, kjo nuk eshte kujdes per qytetarin. Kjo eshte blerje e votes me parate e qytetarit. Me parate e atyre qe punojne, po mundohet me e mbajte kolltukun ai qe nuk punoi sa duhet per pese vjet”

    “Pak logjike mjafton. A ka qene arsimi me 14 shkurt 2021 me keq se sot? Jo. Ne shume gjera, sot eshte edhe me keq, edhe plus kesaj u humben pese vjet. A eshte shendetesia me mire? Jo. Sot qytetari, 5 vjet ma vone, paguan privatisht per ato qe shteti duhet me ia siguru ne spitalet publike. A jane faturat e rrymes me te drejta? Jo. Perkundrazi, qytetari paguan me shume, shpesh pa e kuptu as vete si po i faturohet dita, nata, sahati e sistemi. A eshte prodhimi vendor me i forte? Jo. Parate e Kosoves po vazhdojne me shku jashte, ndersa prodhuesi vendor mbetet ne pritje te nje shteti qe e kujton vetem ne fushate”, thuhet në reagimin e tij.

    Sipas Sejdiut, paratë nuk janë të Kurtit, por të bizneseve që kanë paguar taksa.

    “Keto pare qe sot po shperndahen nuk po vijne nga xhepi i Kryeministrit, se ky kurr nje dite pune se ka per me ia dijte kimetin punes e djerses e pares. Po vijne nga puna juaj. Nga taksat tuaja. Nga bizneset tuaja. Nga djersa juaj. Dhe po perdoren jo per me ndertu shtet, por per me shpetu pushtet. Kosova nuk ka nevoje per pako paniku 2 jave para zgjedhjeve. Kosova ka nevoje per qeveri qe ka ambicie per jashte, e per pune te guximshme ne zhvillim ne Kosove. Qeveri qe punon kater vjet, jo per qeveri qe shan, linqon, ndan, rrit cmime cdo dite, kujtohet per qytetarin kur i afrohet dita e data e votimit”, ka thënë Sejdiu.

  • 100 euro, dy javë para zgjedhjeve, reagon ashpër Abdixhiku

    100 euro, dy javë para zgjedhjeve, reagon ashpër Abdixhiku

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për ndarjen e 100 eurove për disa kategori qytetarësh në Kosovë.

    Në reagimin e tij, Abdixhiku e ka cilësuar këtë masë si të motivuar politikisht, duke shtuar se synon ndikim elektoral në prag të zhvillimeve politike.

    Sipas tij, vendime të tilla nuk adresojnë problemet reale të qytetarëve, por shërbejnë si mjete për ruajtjen e pushtetit.

    “Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit”, shkruaan ai.

    Abdixhiku ka theksuar se vendi ka nevojë për një qasje krejt tjetër qeverisëse, ku mbështetja për qytetarët, rritja e mirëqenies dhe zhvillimi ekonomik të mos shihen si masa afatshkurtra elektorale, por si politika të qëndrueshme shtetërore.

    Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër gjendjen socio-ekonomike në vend, duke thënë se qytetarët nuk duhet të trajtohen si objekt i përfitimeve politike dhe se Kosova ka nevojë për “një kapitull të ri” në qeverisje, me fokus në paga dinjitoze, investime dhe zhvillim afatgjatë.

    “Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”

  • Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve në Ferizaj për mashtrim me kriptovaluta, dyshohet se morën 12 mijë euro nga viktimat

    Aktakuzë ndaj tre të dyshuarve në Ferizaj për mashtrim me kriptovaluta, dyshohet se morën 12 mijë euro nga viktimat

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet A.L., R.J. dhe V.N., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, rasti kryesor ka ndodhur më 17 prill 2026 në Ferizaj, në rrugën “Cen Dugolli”, ku të pandehurit dyshohet se, duke përdorur emra të rremë dhe paraqitje të rreme të fakteve, i kanë vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital (“wallet”).

    Prokuroria thotë se të dyshuarit, për realizimin e skemës, fillimisht kanë siguruar një lokal me qira dhe kanë caktuar takim me të dëmtuarit, ku më pas kanë arritur t’ua marrin shumën prej 12 mijë euro.

    Sipas përshkrimit në aktakuzë, paratë dyshohet se i kanë futur në një çantë të gjelbër dhe i kanë vendosur në një dollap brenda lokalit, ndërsa në dollap thuhet se ishte hapur paraprakisht një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës dyshohet se i kanë marrë paratë pa dijeninë e të dëmtuarve dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

    Në njoftim thuhet se pas veprimeve operative të Njësisë së Hetimeve është konstatuar se të pandehurit, duke përdorur skemë të ngjashme, kanë tentuar të organizojnë edhe një transaksion tjetër fiktiv të kriptovalutave në Kaçanik, në rrugën “Ismail Reka”, duke ofruar transfer të USDT-së në vlerë prej 50 mijë euro dhe duke siguruar sërish një lokal me qira për takimin me personat e interesuar.

    Po ashtu, prokuroria njofton se ndaj të pandehurve A.L. dhe R.J. aktakuza përfshin edhe një rast tjetër të dyshuar të mashtrimit, që sipas saj ka ndodhur më 18 gusht 2024 në Ferizaj, në rrugën “Agim Prodani”. Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë kontaktuar të dëmtuarin G.A. përmes aplikacioneve “Telegram”, “Viber” dhe “WhatsApp”, duke u paraqitur se posedojnë USDT dhe do ta bënin transferin përmes “wallet”. Më pas, sipas prokurorisë, janë takuar me të dëmtuarin dhe i kanë marrë 2 mijë euro, ndërsa janë larguar duke vrapuar, pa e kryer transferin e premtuar.

    Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Krejt çka dihet për aksidentin fatal ku u përfshi kamioni me targa te Kosovës

    Krejt çka dihet për aksidentin fatal ku u përfshi kamioni me targa te Kosovës

    Katër persona humbën jetën në një aksident trafiku që ndodhi mbrëmë në qarkoren e Shkupit, midis mbikalimit Vizbeg dhe kryqëzimit të Mirkovcit.

    Ministria e Punëve të Brendshme informon se mbrëmë në orën 23:00, SPB Shkupi ka marrë njoftim se në qarkoren e Shkupit, midis mbikalimit Vizbeg dhe kryqëzimit të Mirkovcit, B.B. (76) nga Kosova, duke drejtuar një kamion MAN me një gjysmërimorkio me targa kombëtare të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kaluar mbi gardhin metalik në drejtim të kundërt të autostradës, duke u përplasur me një automjet pasagjerësh BMW me targa të Shkupit, e drejtuar nga R.V. (51) nga Shkupi.

    “Përplasja shkaktoi zjarr në të dy automjetet, nga i cili automjeti i pasagjerëve dhe kabina e traktorit u dogjën plotësisht. Zjarri u shua nga një ekip i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit”.

    “Nga plagët e marra në vendin e ngjarjes ndërruan jetë shoferi R.V. si dhe bashkudhëtarët A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi dhe një person tjetër identiteti i të cilit aktualisht nuk dihet. Një mjek i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjet, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupat e të ndjerit u dërguan për autopsi”.

    “Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik, shoferi B.B. u privua nga liria dhe u ndalua në stacionin policor. Pas sqarimit dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të hartohet një raport përkatës”, thonë nga MPB.

    Gjatë inspektimit, përkatësisht në periudhën nga ora 23:10 deri në orën 05:00, trafiku u ridrejtua në rrugën Tetovë-Veles, në kryqëzimin e rrugës Prishtinë drejt fshatit Vizbeg dhe Veles-Tetovë në kryqëzimin e rrugës Mirkovci. Në orën 05:00, trafiku u normalizua.

    Aksidenti me 4 të vdekur ku u përfshi kamioni me targa kosovare, dalin detaje të reja

  • Musliu-Shoshi: Qeveria i varfëroi qytetarët dhe tani po tenton t’i blejë votat

    Musliu-Shoshi: Qeveria i varfëroi qytetarët dhe tani po tenton t’i blejë votat

    Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se vendi nuk ka nevojë për një qeveri që i varfëron qytetarët gjatë mandatit, e provon ta blejë dinjitetin e tyre me 100 euro.

    Ky reagim vjen pas vendimit të qeverisë në detyrë për të ndarë nga 100 euro për disa kategori, dy javë para zgjedhjeve.

    “Qytetarët nuk kanë nevojë për një qeveri që i varfëron gjatë gjithë mandatit, e provon ta blejë dinjitetin e tyre me nga 100 euro!
    Shteti nuk ndërtohet me lëmosha elektorale, por me dinjitet, zhvillim dhe shpresë për të ardhmen”, shkruan Musliu-Shoshi në reagim.

  • Krasniqi: Pushteti po tenton me i ble votat e qytetarëve të vendit të dytë më të varfër në Evropë

    Krasniqi: Pushteti po tenton me i ble votat e qytetarëve të vendit të dytë më të varfër në Evropë

    Qeveria në detyrë në mbledhjen e mbajtur ka marrë sot vendim për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët, fëmijet, studentët dhe punëtorët e sektorit privat, si edhe 500 euro shtesa për lehonat.

    Sipas njoftimit të ekzekutivit, masa synon mbështetjen financiare të qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës dhe sfidave ekonomike.

    Pas këtij vendimi ka reaguar analisti politik Albert Krasniqi, i cili e ka kritikuar kohën e marrjes së këtij vendimi, duke e lidhur atë me procesin zgjedhor.

    “Shpërndarja e parave nga arka e shtetit në mes të procesit zgjedhor, tregon për shterpësinë e ideve të një pushteti që tenton të blejë votat e qytetarëve të vendit të dytë më të varfër në Evropë”, ka deklaruar Krasniqi.

  • Muharremi për Kurtin: Ja nisi ky me ble vota me para publike e me i manipulu zgjedhjet

    Muharremi për Kurtin: Ja nisi ky me ble vota me para publike e me i manipulu zgjedhjet

    Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pasi Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, për punonjësit e sektorit jopublik dhe studentët aktiv.

    Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka thënë se Kurti po blen vota me para publike për t’i manipuluar zgjedhjet.

    Postimi i tij i plotë:

    “Qeveria ndan nga 100 euro”

    Ja nisi ky me ble vota me para publike e me i manipulu zgjedhjet.

    Qysh nuk ju vjen marre aspak? Ky është korrupsion i pastër elektoral dhe abuzim me paranë publike për interesa të një partie në kohë zgjedhjesh.

    Kështu, kur nuk je i zoti me qeverisë e me kriju mirëqenie, por krijon vetëm kriza, tash nga paniku për ndëshkim në zgjedhje i ndani lëmosha me jau ble votën qytetarëve që i keni varfëruar. Shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë.

    Fatkeqësisht, 100 euro nuk dalin për asgjë në ditën e sotit, me këto çmime astronomike që janë kriju nga keqmenaxhimi i energjisë dhe ekonomisë që ka kriju inflacioni e rritje të çmimeve kronike. Qytetarëve u duhet siguri dhe stabilitet afatgjatë, jo vitra.

    Merrini paret, e ndëshkojini me votë!

    Këta ju kanë marrë e ju kanë varfëruar me mijëra euro; këto 100 euro janë vetëm për me ju mashtru për votë.

  • Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari për “vrasje të rëndë”

    Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë i kërkuari për “vrasje të rëndë”

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 21 maj 2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit malazez nga Gjermania për në Kosovë.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete gjermane, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre gjermane.

  • Kur do të kryhet pagesa prej 100 euro për pensionistët dhe studentët

    Kur do të kryhet pagesa prej 100 euro për pensionistët dhe studentët

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti pasi ka dhënë lajmin për ndarjen e nga 100 euro për pensionistet, studentët dhe punëtoret e sektorit privat, ai ka treguar se kur do të ndahen këto mjete.

    Ai ka bërë me dije se pagesat për pensionistë dhe studentët do të bëhet para festes së Bajramit.

    “Meqenëse për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, sepse i kemi listat e përfituesve tashmë, do të synojmë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese t`i bëjmë në fillim të javës që vjen, pra para ftesës se Bajramit. Ashtu që secila familje të ndjehet e barabartë me atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset për ta”, tha Kurti.

    Kurse, për të punësuarit e sektorit jo publik dhe studentët, nga ministri i financave jam njoftuar që nevojitet procedurë aplikimi e cila do të hapet në javën e ardhshme, ka shtuar Kurti.

  • Realizohet operim i rrallë në Spitalin e Pejës

    Realizohet operim i rrallë në Spitalin e Pejës

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për realizimin me sukses të një operimi të rrallë.

    Sipas njoftimit të spitalit në Facebook, për herë të parë në një institucion shëndetësor publik është kryer me sukses nefrektomia laparoskopike, një procedurë minimalisht invazive për heqjen e veshkës.

    Ky intervenim është realizuar nga urologu Shkëlzen Elezaj, ndërsa në këtë proces kanë kontribuar edhe ekipet e Repartit të Urologjisë, Repartit të Anestezionit dhe Kujdesit Intensiv.

    “Mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për të gjithë ekipin që kontribuoi në këtë sukses: Repartin e Urologjisë, Repartin e Anestezionit, Kujdesin Intensiv. Faleminderit për përkushtimin, profesionalizmin dhe frymën e shkëlqyer ekipore. Falënderim i veçantë për kirurgun e palodhshëm Dr. Naim Loxha, për angazhimin, guximin profesional dhe kontributin e çmuar, si dhe për Dr. Liridon Elezaj për mbështetjen dhe bashkëpunimin professional”, shkroi mes tjerash spitali i Pejës.