ATV

Blog

  • Shefi i NATO-s mirëpret vendimin e Trumpit për 5 mijë trupa shtesë në Poloni

    Shefi i NATO-s mirëpret vendimin e Trumpit për 5 mijë trupa shtesë në Poloni

    Presidenti Donald Trump tha se SHBA do të dërgojë edhe 5,000 trupa shtesë në Poloni, një javë pasi Pentagoni anuloi një dislokim të planifikuar prej 4,000 trupash në vend.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e mirëpriti vendimin përpara një takimi të ministrave të jashtëm në Suedi, duke shtuar se rruga drejt një Europe më pak të varur nga SHBA “do të vazhdojë”.

    Duke shkruar në platformën e tij Truth Social të enjten, Trump tha se vendimi bazohej në marrëdhënien e SHBA-së me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin ai e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar.

    Ai nuk dha detaje të mëtejshme nëse trupat shtesë ishin pjesë e dislokimit të mëparshëm të planifikuar apo një operacion tjetër.

    Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar javët e fundit se synon të reduktojë nivelin e përgjithshëm të trupave në Europë si pjesë e axhendës “America First”.

    Marco Rubio pritet të kërkojë ndarje më të madhe të barrës nga partnerët e NATO-s në bisedimet e së premtes në Helsingborg.

    Duke folur me gazetarët të premten në mëngjes, ai tha: “Pikëpamjet e presidentit janë sinqerisht zhgënjim ndaj disa aleatëve tanë në NATO dhe reagimit të tyre ndaj operacioneve tona në Lindjen e Mesme.

    “Ndërkohë ka fusha të tjera ku ne vazhdojmë bashkëpunimin”, shtoi ai, duke përmendur njoftimin për Poloninë.

  • Vuçiq ndërhyn hapur në zgjedhjet e Kosovës, bën thirrje për votimin e Listës Serbe

    Vuçiq ndërhyn hapur në zgjedhjet e Kosovës, bën thirrje për votimin e Listës Serbe

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke deklaruar se situata për komunitetin serb do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë”.

    “Situata do të jetë shumë e rëndë për ne. Albin Kurti ka filluar të ndjek serbët dhe të arrestojë disa nga përfaqësuesit më të njohur të tyre…”, deklaroi Vuçiq, duke pretenduar se këto veprime lidhen edhe me individë brenda institucioneve të Kosovës.

    Ai theksoi se Serbia do ta mbështesë Listën Serbe në këto zgjedhje, duke e cilësuar këtë si një prioritet të politikës së Beogradit, shkruajnë mediat.

    “Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona dhe do të luftojmë për pozicionin e popullit serb”, u shpreh ai, duke shtuar se sipas tij pala shqiptare synon dobësimin e përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë.

    Vuçiq u ndal gjithashtu te çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ZSO), të cilin e quajti obligim të papërmbushur nga marrëveshjet e mëhershme.

    “ZSO është nënshkruar më 19 prill 2013. Por ajo ka të bëjë edhe me mbijetesën e popullit tonë”, tha ai.

    Presidenti serb pretendoi se Serbia po përballet me presione të vazhdueshme ndërkombëtare dhe kritikoi qëndrimet e disa vendeve të rajonit ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve me Beogradin.

  • Thomas Tuchel publikon listën e Anglisë për Kupën e Botës-Mungojnë Palmer, Foden dhe Alexander-Arnold

    Thomas Tuchel publikon listën e Anglisë për Kupën e Botës-Mungojnë Palmer, Foden dhe Alexander-Arnold

    Trajneri i Kombëtarja e Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën prej 26 futbollistësh të ftuar për Kupën e Botës që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

    Para publikimit të listës zyrtare, Tuchel kishte kontaktuar personalisht secilin lojtar për t’i njoftuar mbi vendimin e tij, çka bëri që disa informacione të rrjedhin në media edhe para konfirmimit zyrtar.

    Lista ka sjellë befasi të mëdha, pasi jashtë ekipit kanë mbetur emra të njohur si Cole Palmer, Phil Foden dhe Trent Alexander-Arnold.

    Po ashtu, në listë nuk janë përfshirë as futbollistët me përvojë Harry Maguire dhe Luke Shaw, të cilët për vite me radhë kanë qenë pjesë e rëndësishme e përfaqësueses angleze.

    Mungojnë edhe disa emra premtues të futbollit anglez, si Adam Wharton dhe Levi Colwill.

    Tuchel pritet t’i shpjegojë vendimet e tij më në detaje më 1 qershor, në një konferencë për shtyp.

    Goalkeepers: Dean Henderson (Crystal Palace), Jordan Pickford (Everton), James Trafford (Manchester City)

Defenders: Dan Burn (Newcastle United), Marc Guéhi (Manchester City), Reece James (Chelsea), Ezri Konsa (Aston Villa), Tino Livramento (Newcastle United), Nico O'Reilly (Manchester City), Jarell Quansah (Bayer Leverkusen), Djed Spence (Tottenham Hotspur), John Stones (Manchester City)

Midfielders: Elliot Anderson (Nottingham Forest), Jude Bellingham (Real Madrid), Eberechi Eze (Arsenal), Jordan Henderson (Brentford), Kobbie Mainoo (Manchester United), Declan Rice (Arsenal), Morgan Rogers (Aston Villa)

Forwards: Anthony Gordon (Newcastle United), Harry Kane (Bayern Munich), Noni Madueke (Arsenal), Marcus Rashford (Barcelona, loan from Manchester United), Bukayo Saka (Arsenal), Ivan Toney (Al-Ahli), Ollie Watkins (Aston Villa)

  • Jessie J jep lajmin e madh, fiton betejën me kancerin e gjirit

    Jessie J jep lajmin e madh, fiton betejën me kancerin e gjirit

    Jessie J ka ndarë një lajm tepër emocionues me fansat e saj, duke bërë të ditur se ka fituar betejën me kancerin e gjirit pas gati një viti përballjeje me sëmundjen. Artistja britanike tregoi se rezultatet e analizave të fundit i konfirmuan se tashmë është plotësisht e shëruar, moment që e përshkroi si një nga më emocionuesit e jetës së saj.

    Këngëtarja publikoi një video në Instagram nga spitali, pak para një ekzaminimi me rezonancë magnetike, ku foli hapur për frikën dhe ankthin që kishte përjetuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Ajo pranoi se vuante nga klaustrofobia dhe se procedura ishte mjaft e vështirë emocionalisht, por pavarësisht kësaj zgjodhi të përçonte pozitivitet dhe shpresë për ndjekësit e saj.

    “Jam zyrtarisht e pastër nga kanceri”, shkroi Jessie J në rrjetet sociale, duke zbuluar se kishte shpërthyer në lot sapo kishte marrë lajmin e shumëpritur. Sipas saj, ishte hera e parë pas shumë muajsh që ndiente një frymëmarrje të lirë dhe një qetësi të vërtetë.

    Rrugëtimi i artistes nisi në qershorin e vitit të kaluar, kur mjekët diagnostikuan sëmundjen në fazë të hershme. Pas kësaj, ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e gjirit, ndërsa më vonë u përball edhe me shtyrje të operacioneve të tjera, çka e bëri situatën edhe më të vështirë psikologjikisht.

  • Tronditet showbizi turk: Lëshohet urdhër-arresti për Serenay Sarıkaya dhe të tjerë

    Tronditet showbizi turk: Lëshohet urdhër-arresti për Serenay Sarıkaya dhe të tjerë

    Një operacion i gjerë antidrogë në Stamboll ka tronditur industrinë e showbiz-it turk, pasi Prokuroria Publike e Bakırköy-it ka lëshuar urdhër-arresti për 25 persona, mes tyre edhe emra të njohur të ekranit dhe muzikës.

    Sipas mediave vendase, në listën e të dyshuarve përfshihen aktorja e njohur Serenay Sarıkaya, këngëtari Mabel Matiz dhe artisti Berkay Şahin. Hetimet lidhen me një aksion të gjerë kundër rrjeteve të dyshuara të trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë edhe përdorim dhe lehtësim të konsumit në ambiente të ndryshme.

    Autoritetet turke bëjnë me dije se hetimi ka zbuluar rrjete të trafikut të kokainës që dyshohet se futeshin përmes rrugëve detare, si dhe struktura të mundshme të prodhimit të drogës në disa zona të Stambollit. Në kuadër të operacionit janë urdhëruar kontrolle banesash, marrje deklaratash dhe ekzaminime biologjike për të gjithë të përfshirët.

    Serenay Sarıkaya, e cila ndodhej jashtë Turqisë në momentin e operacionit, nuk është ndaluar nga autoritetet. Ajo ka reaguar publikisht duke deklaruar se sapo të kthehet në vend do të përballet me drejtësinë dhe do të kryejë të gjitha procedurat ligjore. Aktorja ka theksuar gjithashtu se lajmin e ka marrë gjatë një udhëtimi të planifikuar më herët dhe se është e qetë, duke mohuar çdo problem të drejtpërdrejtë.

    Hetimet vijojnë ende, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime të shumta në mediat turke dhe rrjetet sociale, për shkak të përfshirjes së emrave të njohur të industrisë së argëtimit.

  • Okan Buruk e telefonon Vedat Muriqin-Galatasaray synon transferimin e sulmuesit

    Okan Buruk e telefonon Vedat Muriqin-Galatasaray synon transferimin e sulmuesit

    Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, dëshiron me çdo kusht transferimin e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi dhe tashmë ka nisur kontaktet për ta bindur që t’i bashkohet klubit turk gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Sulmuesi prizrenas po kalon një sezon fantastik me RCD Mallorca, ku ka realizuar 22 gola në 35 ndeshje në La Liga, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane.

     

    Sipas mediumit turk Fanatik, Buruk e ka telefonuar personalisht Muriqin dhe i ka shprehur dëshirën për ta parë me fanellën e Galatasaray sezonin e ardhshëm. Marrëdhënia e mirë mes tyre daton nga koha kur bashkëpunuan te Çaykur Rizespor.

     

    Raportohet se edhe Muriqi është i hapur për një rikthim në futbollin turk, aty ku më parë kishte shkëlqyer me Fenerbahçe.

     

    Megjithëse transferimi i tij nuk lidhet drejtpërdrejt me situatën e Mauro Icardi, interesimi i madh i Burukut për Muriqin lë të kuptohet se trajneri turk po mendon për ndryshime në repartin ofensiv të skuadrës nga Stambolli.

     

    Kujtojmë që Vedat Muriqi ka realizuar 22 gola në La Liga këtë sezon për Mallorcan,duke konfirmuar formën e lartë me skuadrën e cila po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll.

  • Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj babait të tij, arrestohet i dyshuari në Kllokot

    Dyshohet se ushtroi dhunë ndaj babait të tij, arrestohet i dyshuari në Kllokot

    Një person është arrestuar në Kllokot nën dyshimin për ushtrim të dhunës fizike ndaj babait të tij.
    Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Kllokot 21.05.2026 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij. Si pasojë e dhunës, viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

  • ​Kujt i takojnë 100 eurot e ndara nga Qeveria në detyrë? Ata me pagë mbi 1 mijë euro nuk përfitojnë

    ​Kujt i takojnë 100 eurot e ndara nga Qeveria në detyrë? Ata me pagë mbi 1 mijë euro nuk përfitojnë

    Qeveria në detyrë ka marrë vendim të ndajë nga 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët aktiv dhe punëtorët në sektorët privat.

    Mbështetja prej 100 euro për pensionistët dhe fëmijët do të ekzekutohet në fillim të javës së ardhshme, ndërkaq për studentët dhe punëtorët e sektorit privat pritet të hapet aplikimi javën e ardhshme.

    Mbështetja prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe atë publik e që nuk paguhen nga buxheti i shtetit vlen për ata punëtorë me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro.

    Ndërsa, mbështetja për studentët vlen për ata aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-2026.

    “Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale sipas listës së pagesave të muajit maj të këtij viti, për mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë.

    Për të gjithë të punësuarit të deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se një mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra sektori privat dhe sektori publik por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshihen shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizata të tjera që nuk marrin pagë nga buxheti. Si dhe mbështetje edhe për të gjithë studentët aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-26 në institucionet të arsimit të lartë në Kosovë që përmbushin kriteret”, tha Murati.

  • KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta

    KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka nisur regjistrimi për votim i personave me nevoja të veçanta për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

    Përmes një njoftimi në Facebook, KQZ bën të ditur se qytetarët që për shkak të aftësisë së kufizuar ose nevojave të veçanta nuk mund të votojnë në vendvotimet e tyre, do të kenë mundësi të votojnë në adresën e tyre përmes ekipeve mobile.

    Sipas KQZ-së, ky proces ka nisur sot dhe do të zgjasë deri më 31 maj.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë, trupi dërgohet për obduksion

    Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë, trupi dërgohet për obduksion

    Një grua është gjetur pa shenja jete të mërkurën në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima femër kosovare është gjetur në shtëpinë e saj rreth orës 11:30.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    “Prishtinë 21.05.2026 – 11:30. Është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare në shtëpinë e saj. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”.