ATV

Blog

  • Ylli pret Pejën, Rahoveci 029 përballet me Sigal Prishtinën

    Ylli pret Pejën, Rahoveci 029 përballet me Sigal Prishtinën

    Java e katërt e Superligës së Kosovës në basketboll vazhdon të dielën me dy përballje interesante, ku skuadrat synojnë pikë të rëndësishme për ecurinë e sezonit.

    Nga ora 17:00, Golden Eagle Ylli pret Pejën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Ylli vjen pas fitores së parë sezonale ndaj Sigal Prishtinës, ndërsa Peja synon rikthimin te rezultatet pozitive pas humbjes nga Vëllaznimi.

    Ndërkohë, xhiroja mbyllet me duelin Rahoveci 029 – Sigal Prishtina, që zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Mizahir Isma”.

    Rahovecasit janë ende në kërkim të fitores së parë këtë sezon dhe shpresojnë ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas. Në anën tjetër, Sigal Prishtina synon të reagojë pas humbjes ndaj Yllit dhe të rikthehet te fitorja.

  • Gjilani ndan rrugët me Debatik Currin pas humbjes nga Vushtrria

    Gjilani ndan rrugët me Debatik Currin pas humbjes nga Vushtrria

    Debatik Curri nuk është më trajner i Gjilanit. Klubi gjilanas ka njoftuar të dielën për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin, pas humbjes 1-0 ndaj Vushtrrisë në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Gjilani e ka falënderuar Currin për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës profesionale.

    Sport Club Gjilani njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se ka mbyllur bashkëpunimin me kryetrajnerin Debatik Curri.

    Pas përmbylljes së këtij bashkëpunimi, klubi shpreh vlerësimin për angazhimin dhe kontributin e trajnerit Curri gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.

    Ndërkohë, klubi ka bërë të ditur se për zhvillimet e ardhshme lidhur me organizimin e shtabit teknik do të njoftojë me kohë përmes kanaleve zyrtare.

  • Vinicius rrezikon deri në katër ndeshje pezullim, në dyshim për El Clásicon

    Vinicius rrezikon deri në katër ndeshje pezullim, në dyshim për El Clásicon

    Vinicius Junior rrezikon të dënohet me dy deri në katër ndeshje pezullim pas kartonit të kuq të marrë ndaj Villarrealit, bëjnë të ditur mediat spanjolle.

    Sulmuesi i Real Madridit u përjashtua në minutën e 71-të, pasi tërhoqi nga flokët një kundërshtar. Sipas raportit të gjyqtarit Isidro Díaz de Mera, braziliani vazhdoi të protestonte edhe pas përjashtimit, duke e komplikuar më tej situatën e tij.

    Komiteti i Disiplinës do të shqyrtojë incidentin dhe reagimin e futbollistit për të përcaktuar masën e dënimit.

    Në rastin më të rëndë, Vinicius mund të mungojë në katër ndeshje, duke rrezikuar të mos jetë i gatshëm për El Clásicon ndaj Barcelonës, të planifikuar për 25 tetor.

    Vendimi përfundimtar pritet të merret nga organet disiplinore të futbollit spanjoll.

  • Messi dhe Suarez shkëlqejnë me nga dy gola, Inter Miami triumfon 4-0 ndaj DC Unitedit

    Messi dhe Suarez shkëlqejnë me nga dy gola, Inter Miami triumfon 4-0 ndaj DC Unitedit

    Inter Miami ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj DC Unitedit, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në kuadër të Major League Soccer (MLS).

    Protagonistët kryesorë të skuadrës nga Florida ishin Lionel Messi dhe Luis Suarez, të cilët realizuan nga dy gola secili, duke i dhuruar ekipit të tyre një fitore të rëndësishme.

    Inter Miami e nisi takimin në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë. Luis Suarez zhbllokoi rezultatin pas asistimit të German Berterames, duke i dhënë skuadrës vendase avantazhin e hershëm.

    Sulmuesi uruguaian shënoi sërish në minutën e 39-të, duke realizuar golin e dytë personal dhe duke thelluar epërsinë e Inter Miamit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve.

    Në pjesën e dytë, Lionel Messi mori skenën kryesore. Ylli argjentinas realizoi në minutën e 47-të, duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke regjistruar golin e 933-të në karrierën e tij profesionale.

    Vetëm 13 minuta më vonë, Messi shënoi edhe golin e dytë personal. Pas një harkimi nga krahu i djathtë, argjentinasi reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.

    Me nga dy gola secili, Messi dhe Suarez ishin vendimtarë në këtë sukses të Inter Miamit, që konfirmoi forcën sulmuese të skuadrës në këtë përballje të MLS-së.

    Për Messin, kjo ishte ndeshja e parë zyrtare me klubin pas lamtumirës nga Kombëtarja e Argjentinës.

  • Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Java e tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të mbyllet sonte me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Kampioni Nacional”, me fillim nga ora 18:00.

    Kjo është ndeshja e fundit e kësaj xhiroje, e cila deri më tani është karakterizuar nga rezultate të ngushta dhe befasi në disa prej përballjeve.

    Vushtrria shënoi fitore minimale ndaj Gjilanit, duke triumfuar me rezultat 1-0. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Malisheva në udhëtim ndaj Dritës, ndërsa Ballkani mori tri pikë të plota në Podujevë, duke e mposhtur Llapin po ashtu me rezultat 1-0.

    Ndërkohë, dueli ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit ishte i vetmi që përfundoi pa fitues, me rezultatin 2-2.

    Tashmë, vëmendja është te përballja Prishtina – Dukagjini, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv për ta mbyllur xhiron e tetë në mënyrën më të mirë të mundshme.

     

  • Vushtrria befason Gjilanin, regjistron fitoren e parë të sezonit

    Vushtrria befason Gjilanin, regjistron fitoren e parë të sezonit

    Vushtrria ka regjistruar fitoren e parë në këtë sezon të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e zhvilluar të shtunën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

    Takimi i vlefshëm për xhiron e tetë të kampionatit u vendos nga një gol i sulmuesit Urim Statovci, i cili shënoi në minutën e 60-të, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të rëndësishme.

    Kjo fitore i jep Vushtrrisë një shtysë në garën për mbijetesë, ndonëse skuadra vazhdon të renditet në vendin e fundit në tabelë, me tri pikë të grumbulluara. Me këtë bilanc, ajo barazohet me Llapin, që mban pozitën e parafundit.

    Në anën tjetër, Gjilani humbi mundësinë për të marrë pikë në këtë përballje dhe mbetet me 11 pikë, në mesin e tabelës së klasifikimit.

  • Baton Zabërgja vendimtar në Ukrainë, shënon golin e gjashtë në pesë ndeshje radhazi

    Baton Zabërgja vendimtar në Ukrainë, shënon golin e gjashtë në pesë ndeshje radhazi

    Baton Zabërgja po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin ukrainas. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e gjashtë në pesë ndeshjet e fundit me Kharkivin, duke konfirmuar momentin pozitiv që po kalon në Premier Ligën e Ukrainës.

    Zabërgja ishte vendimtar edhe të shtunën pasdite, kur me golin e shënuar në minutën e 57-të i siguroi skuadrës së tij fitoren dhe tri pikët e plota. Megjithatë, epërsia nuk zgjati shumë, pasi Kharkivi pësoi gol vetëm tri minuta më vonë, për rezultatin 2:1, i cili mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit.

    Serinë e golave, Zabërgja e nisi më 31 gusht, ndërsa krahas gjashtë golave në pesë ndeshjet e fundit, ai ka regjistruar edhe një asistim në kampionatin ukrainas.

    Futbollisti qëndroi në fushë deri në minutën e 63-të, ndërsa bashkëkombësi i tij, Ermir Rashica, u aktivizua në minutën e 84-të.

    Zabërgja së fundmi ishte pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës, me të cilën luajti në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Irlandës, si dhe në dy përballjet kundër Austrisë.

    Takimi i së shtunës i takoi xhiros së tetë të kampionatit elitar ukrainas. Kharkivi ka grumbulluar 15 pikë, ndonëse ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

  • Shai Gilgeous-Alexander investon te Atlético Madridi-Ylli i NBA-së bëhet pjesë e aksionarëve të klubit spanjoll

    Shai Gilgeous-Alexander investon te Atlético Madridi-Ylli i NBA-së bëhet pjesë e aksionarëve të klubit spanjoll

    Atlético Madridi ka siguruar një emër të njohur nga bota e basketbollit. Shai Gilgeous-Alexander, një nga yjet më të mëdhenj të NBA-së, i është bashkuar grupit të aksionarëve të klubit madrilen, duke zgjeruar kështu lidhjet mes futbollit dhe basketbollit në nivelin më të lartë sportiv.

    Basketbollisti kanadez, i cili luan për Oklahoma City Thunder, ka përjetuar një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Ai është shpallur lojtari më i vlefshëm i NBA-së (MVP) në dy sezonet e fundit, ndërsa sezonin e kaluar arriti të fitojë edhe titullin kampion me skuadrën e tij. Përveç këtyre sukseseve, ai ka qenë katër herë pjesë e ndeshjes prestigjioze “NBA All-Star”.

    Interesi i Gilgeous-Alexander për klubin spanjoll vjen në një moment kur emri i tij është ndër më të spikaturit në basketbollin botëror. I rritur në Toronto, ai e nisi rrugëtimin drejt NBA-së pas një sezoni në Universitetin e Kentucky-t, përpara se të përzgjidhej nga Los Angeles Clippers në draftin e vitit 2018. Një vit më vonë, ai kaloi te Oklahoma City Thunder, ku ndërtoi profilin e një prej lojtarëve më vendimtarë të ligës.

    Në mars të vitit 2026, kanadezi shkroi historinë e NBA-së, duke shënuar të paktën 20 pikë në 127 ndeshje radhazi. Me këtë arritje, ai la pas legjendën Wilt Chamberlain, i cili mbante rekordin e mëparshëm me 126 ndeshje të tilla.

    Pas konfirmimit të investimit të tij te Atlético Madridi, basketbollisti shprehu kënaqësinë për këtë hap të ri.

    “Jam shumë i lumtur që zyrtarisht i jam bashkuar grupit të aksionarëve të Atlético Madridit. Ky është një klub me një histori të pasur në majat e futbollit evropian dhe jam mirënjohës për mundësinë që të kontribuoj në të ardhmen e tij”, u shpreh Gilgeous-Alexander.

    Ndërkohë, në fushën e lojës, Atlético Madridi vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në La Liga. Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone do të përballet të shtunën në transfertë me Deportivo Alavés, me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat.

    Madrilenët kanë grumbulluar 16 pikë në shtatë ndeshjet e para, duke e nisur sezonin me objektiva ambicioze për të qenë protagonistë në garën për titull

  • Dani Carvajal vendos një kusht të pazakontë për të firmosur me Getafen

    Dani Carvajal vendos një kusht të pazakontë për të firmosur me Getafen

    Një raportim i mediave spanjolle të enjten pretendoi se ish-mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka vendosur një kusht të pazakontë për të nënshkruar me Getafen.

    Carvajal mund të bashkohet me çdo klub pa qenë i kufizuar nga afatet e merkatos, pasi është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Real Madridin në fund të sezonit të kaluar.

    Sipas radios Marca, futbollisti është i gatshëm të pranojë një ulje të pagës për të veshur fanellën e Getafes, por vetëm nëse kontrata përfshin një klauzolë të panegociueshme.

    Kjo klauzolë lidhet me të ardhmen e tij dhe parashikon që, nëse gjatë merkatos së dimrit merr një ofertë nga një klub tjetër dhe dëshiron ta pranojë atë, të ketë të drejtën të largohet nga Getafe.

    Me fjalë të tjera, Carvajal do të ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje që do ta lidhte me Getafen vetëm për tre muaj, deri në hapjen e afatit kalimtar të dimrit, kur do të mund të shqyrtonte mundësi të tjera për të ardhmen e tij.

    Megjithatë, Getafe nuk duket e interesuar për një marrëveshje të tillë.

    I njëjti burim raporton se kjo kërkesë po e thellon edhe më shumë hendekun mes dy palëve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

  • Max Verstappen triumfon në garën sprint në Singapor-George Russell përplaset që në xhiron e parë

    Max Verstappen triumfon në garën sprint në Singapor-George Russell përplaset që në xhiron e parë

    Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën qytetase të Singaporit.

    Gara nisi me 30 minuta vonesë për shkak të shiut dhe pistës së lagur, por në fund piloti holandez ia doli të triumfojë, duke regjistruar suksesin e parë në këtë pistë.

    Verstappen përfitoi nga gabimi i George Russell me Mercedesin, i cili u përplas në fund të xhiros së parë, kur ishte në krye të garës. Kjo tërheqje, së bashku me vendin e katërt të Kimi Antonellit me makinën tjetër Mercedes, e afron edhe më shumë pilotin italian me titullin kampion për pilotë.

    Pas këtij rezultati, Antonelli krijon një epërsi prej 89 pikësh në renditjen e përgjithshme.

    Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton me Ferrari, ndërsa në shkallën e tretë të podiumit u ngjit shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc.

    Ndërkohë, dy makinat McLaren u përplasën mes tyre në xhiron e fundit, teksa pilotët po përpiqeshin të parakalonin Leclerc, i cili po përballej me probleme me gomat.