ATV

Blog

  • ​Operacioni “Tempulli”, kapet në flagrancë 27-vjeçari për shitje të narkotikëve

    ​Operacioni “Tempulli”, kapet në flagrancë 27-vjeçari për shitje të narkotikëve

    Policia e Shtetit sot ka arrestuar në flagrancë shtetasin G. C., 27-vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “1 Maji”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonte, iu gjetën doza kokaine të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

    Arrestimi ka ndodhur pas hetimeve disaditore me metoda proaktive, si rezultat i kontrolleve të pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor “Tempulli”, njofton Policia e Shtetit.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

  • Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Gjermania

    Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Gjermania

    Policia e Kosovës ka pranuar donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane.

    Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, është shprehur mirënjohës ndaj ambasadës gjermane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka thënë se dhurimi i këtyre donacioneve do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale.

    Njëherit, pjesë e ceremonisë zyrtare ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së.

    “Me datën 19 janar 2024, përmes ceremonisë zyrtare ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me vetura si dhe pajisje të teknologjisë për Policinë e Kosovës nga shteti gjerman, gjegjësisht Ambasada Gjermane në Kosovë. Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Hoxha, ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale, logjistike dhe të teknologjisë. Përkrahja nga partneret tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Po ashtu, thuhet se Rohde ka theksuar se automjetet dhe pajisjet e dhuruara, janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, kështu duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.

    “Ambasada e Republikës së Gjermanisë si partnerë i përhershëm i Policisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit 2022 dhe 2023 ka përkrahur Policinë e Kosovës, më konkretisht Policinë Kufitare në ngritje të kapaciteteve operacionale dhe logjistike me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

    Po ashtu, një kontribut të veçantë nga ambasada gjermane, policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të mbi 150 zyrtarëve policorë.

    Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për ambasadën e Gjermanisë, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.

  • Katër ndeshje interesante zhvillohen këtë vikend në basketbollin vendor

    Katër ndeshje interesante zhvillohen këtë vikend në basketbollin vendor

    Në fundjavë zhvillohet java e 18-të e Prince Caffe Superligës, që gjithnjë e më shumë po bëhet interesante.

    Takimi i parë dhe derbi i kësaj xhiro zhvillohet mes skuadrave verdhezi Golden Eagle Yllit dhe Pejës. Ish-kampionët dhe kampionët do të përballen në një sfidë që pritet të jetë shumë interesante. Therandasit janë në vendin e katërt me dhjetë fitore e shtatë humbje, derisa pejanët në vendin e dytë me 12 fitore me pesë humbje.

    Ndeshje shumë e vlefshme është ai ndërmjet skuadrave prizrenase, Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit, që synojnë të paktën “Play-off”-in në këtë edicion.

    Bashkimi është në vendin e gjashtë me gjashtë fitore e 11 humbje, kurse Prizreni në vendin e shtatë me pesë fitore e 12 humbje, andaj ky takim është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat.

    Të dielën, Istogu do të ndeshet me Sigal Prishtinën. Istogasit janë në vendin e fundit me një fitore e 16 humbje, kurse prishtinasit në vendin e tretë me 11 fitore e gjashtë humbje.

    Ndeshja e fundit për këtë xhiro është ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit. Mitrovicasit janë liderë me 15 fitore e dy humbje, derisa kuqezinjtë renditën të pestit me tetë fitore e nëntë humbje.

    Prince Caffe Superliga – Java 18

    E shtunë

    17:00 Golden Eagle Ylli – Peja

    19:00 Bashkimi – Proton Cable Prizreni

    E diel

    17:00 Istogu – Sigal Prishtina

    19:00 Trepça – Vëllaznimi

  • Osmani takon shefin e EULEX-it, diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimin e ligjit

    Osmani takon shefin e EULEX-it, diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimin e ligjit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Sipas një komunikate nga presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Osmani dhe Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit teknik të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.

  • Qytetarët të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, fituese e shohin sërish VV-në

    Qytetarët të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, fituese e shohin sërish VV-në

    Përgatitjet e partive politike për zgjedhje të reja, kanë shtyrë që edhe qytetarët t’i kërkojnë ato. E disa prej tyre, të intervistuar nga Ekonomia Online, e shohin sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ata shprehen optimist në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, që zyrtarisht pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

    Hamdi Gashi u shpreh i kënaqur me qeverisjen aktuale, ndërsa fituese e sheh sërish VV-në kurdo që mbahen zgjedhjet.

    “Ma të mirë s’ka hala, jemi tepër të kënaqur, edhe nëse ka zgjedhje prapë do fitoj Albini”.

    Mendim të ngjashëm ka edhe Nur Dino i cili kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje për shkak “se nuk po funksionon asgjë”. Thotë se Qeveria i ka duart e lidhura.

    “Sipas të gjithave gjasave, vendi duhet të shkoj në zgjedhje, nuk po funksionon kuvendi, nuk po funksionon asgjë, duhet të shkojmë në zgjedhje. Qeveria ka qenë e zënë, i ka pasur duart e lidhura, 20 vjet e kanë pasur pushtetit këta burokratët, e kanë lënë keq, s’ka mundur me bë diçka ky për tri vjet. Sipas mendimit tim nëse në shkojmë në zgjedhje, e para duhet të dal Lëvizja Vetëvendosje, e dyta duhet të jetë LDK-ja e të tjerat këto që janë bërë tash bashkë”, u shpreh ai.

    Edhe Osman Rama, një qytetar tjetër, për Ekonomia Online tha se edhe nëse ka zgjedhje Kurti është fitues, ndërsa apelon te partitë tjera që të mos lodhen.

    “Së pari 600 fabrika kanë qenë në Kosovë, mbi 40 vite përvojë e punë i merr vetëm 130 euro pension, çka me prit prej tyre, këta duhet të hiqen e të vinë të rinjtë, edhe me pas zgjedhje s’kanë tash çka me bë, se ato veçse janë hëngër tashmë, e nëse ka zgjedhje sipas meje vetëm Albin Kurti duhet të fitoj s’ka tjetër njëherë për njëherë, tjerët as mos u lodhni”, u shpreh ai.

    Ndërsa për Ramadan Berishën nuk ka rëndësi se cila parti duhet të fitoj por që primare ka avancimin e shtetit.

    “Po si çdo shtet që i ka rregullat e veta që duhet me iu përmbajt, njëjtë janë edhe zgjedhjet, partia e cila është më e drejta, e që bën avancimin e shtetit. Sipas meje nuk ka rëndësi cila është vetëm që ta kryej punën mire”.

  • Ndalimi i dinarëve nga BQK-ja, BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin

    Ndalimi i dinarëve nga BQK-ja, BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe, siç thanë nga blloku, mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.

    Kjo thirrje u bë edhe lidhur me rastin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme. Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro, vendim që nga Serbia është parë si ndalesë për pagesat me dinarë serbë.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje.

    “Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.

    Ai përsëriti thirrjen për të dyja palët që edhe këtë çështje ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja./Rel/

  • ​Klopp flet për lëndimin e Salah

    ​Klopp flet për lëndimin e Salah

    Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka folur për lëndimin e Mohamed Salah, ku sipas gjitha gjasave duket më serioz se sa që pritej.

    Salah u lëndua mbrëmë me Egjiptin në ndeshjen kundër Ganës, e vlefshme kjo për Kupën e Kombeve të Afrikës, raporton KosovaPress.

    “Kam biseduar me Mo mbrëmë. Ai e ndjeu. Ne të gjithë e dimë se sa rrallë Mo largohet nga loja, kështu që sigurisht ka diçka. Varet se çfarë do tregojnë testet mjekësore”, tha Klopp.

  • Kurti nga Davosi: Të gjithë ndanë entuziazmin me përparimin tonë

    Kurti nga Davosi: Të gjithë ndanë entuziazmin me përparimin tonë

    Kryeministri i vendi, Albin Kurti, në një panel të mbajtur gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka folur për, siç është shprehur ai, sukseset e Kosovës.

    Në pamjet e publikuara nga kryeministri Kurti në llogarinë e tij në platformën X, shihet se pjesë e panelit ishte edhe kryediplomati britanik David Cameron, i cili para pak javësh vizitoi për herë të parë Kosovën.

    Në mbishkrim, Kurti tha se të gjithë pjesëmarrësit panelit ishin entuziastë për përparimin e Kosovës.

    “I nderuar të mbaj fjalën hyrëse në Forumin Botëror Ekonomik rreth Kosovës si një histori suksesi në një panel mbi financat ndërkombëtare të moderuar nga Sara Pantuliano, krahas David Cameron, Fettah Nadia, Songëe Vera… të gjithë të cilët ndajnë entuziazmin tonë për përparimin e Kosovës”, ka shkruar ai.

  • SOS Fshati nganjëherë nuk ka vend për fëmijët e braktisur

    SOS Fshati nganjëherë nuk ka vend për fëmijët e braktisur

    Lindja e një foshnje jo çdoherë po shoqërohet me ngrohtësi dhe dashuri, pasi ende ka prindër të cilët po ua kthejnë shpinën fëmijëve të tyre të vegjël. E fëmijëve të braktisur vazhdon t’i dal në ndihmë SOS Fshati i Fëmijëve të Kosovës, ku aktualisht jetojnë 37 fëmijë, të cilëve po u kushtohet kujdes e vëmendje e madhe.

    Megjithatë, sfidat për ata fëmijë nisin kur mbushin 18 vjeç, pasi kjo mbështetje fillon të zbehet, derisa ata të rinj nisin të pavarësohen si nga kujdesi, ashtu edhe nga ana ekonomike.

    SOS fshati mbetet mbështetja e vetme për fëmijët që u mungon kujdesi prindëror. Megjithatë, drejtuesit e këtij institucioni i përjetojnë rënd momentet kur nuk kanë vend për t’i strehuar fëmijët.

    Udhëheqësi i kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës, Besnik Peci thotë për KosovaPress, se në këtë fshat janë 37 fëmijë të vendosur në shtatë sos familje, në kuadër të këtij fshati, të cilëve iu ofrohen shërbime me qëllim që të mos e ndjejnë mungesën e familjes.

    Këta fëmijë në Sos Fshat, aktualisht janë nën përkujdesjen e sos nënave dhe ekipit mbështetës.

    “Në Sos Fshatin e Fëmijëve, aktualisht i kemi 37 fëmijë, të cilët janë të vendosur te 7 familje sos, të cilat ne i kemi ndërtuar për ata, si dhe i kemi 12 të rinj që janë pjesë e programit të gjysmë pavarësimit që vazhdojnë të jemi organizata e vetme që ofrojmë përkrahje për të rinjtë pa përkujdesje prindërore, të cilët i kanë mbushur moshën 17 vjeçar, do të thotë përkrahen tri vite përpiqemi me ndihmën e donatorëve, me ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë, që më u siguruar së paku standardin minimal të kushteve për jetës. Secili fëmijë e ka shtratin e vet, e ka dollapin e vet dhe tavolinën e vet, ku ai mëson dhe mandej pjesa tjetër e hapësirave të përbashkëta të shtëpisë, është si ne që i shfrytëzojmë shtëpia tona, ashtu edhe ata”, tha ai.

    Peci derisa tregon se gjatë viti 2023, janë pranuar katër fëmijë në Sos fshat, thekson edhe vështirit që i kalojnë ata në rastet kur nuk ka vend për pranimin e fëmijëve të ri në fshat.

    “Për Sos Fshatin e fëmijëve është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe, emocionale dhe profesionale për të gjitha rastet që ne kemi hapësira për t’i pranuar dhe punojmë me adaptimin e tyre që ata të integrohen sa më shpejt që me stopuar procesin negativ të zhvillimit të tyre dhe thjesht të ndërtojnë dhe t’i zhvillojnë të gjitha sprovat që i nevojiten për jetë. Është shumë e vështirë rastet kur nuk kemi vend dhe kemi shumë kërkesa për me pranuar fëmijë dhe me keqardhje detyrohemi me i refuzuar. Në vitin 2023, i kemi pranuar katër fëmijë të rinj, mirëpo kemi pasur kërkesa më tutje, por për fat të keq për shkak të hapësirës të limituar s’kemi mbërri me i pranuar më fëmijë”, tha ai.

    Peci tregon se për fëmijët e moshës katër deri në 18 vjeç, kujdesen 14 punonjës.

    “Për fëmijët të cilët janë të shpërndarë në shtatë sos familjet, do të thotë përkujdesen 14 punonjës, të cilët ofrojnë kujdes bazik, janë sos nëna dhe sos tezja dhe kuadri mbështetës profesional, do të thotë është psikologu, pedagogu, punëtori social, edukatori dhe këshilltari për të rinj, të cilët përpiqen me intervenuar, me i identifikuar nevojat e fëmijëve dhe me punuar mbi ato nevoja që fëmijët me qenë të përmbushur dhe me i marrë shërbimet në kohë dhe mënyrë adekuate….. Kemi prej moshës 4 vjeçar deri në moshën 18 vjeçar”, tha Peci.

    E vështirësi për fëmijët që jetojnë në sos fshatra, është kur ata mbushin 18 vjet.

    “Gjatë gjithë kohës sa fëmijët sos qëndrojnë në Sos fshatrat e fëmijë të Kosovës, kuadri psikopatologjikë punon me ata që me i përgatit ata drejt jetesës së pavarur, kryesisht dhe më intensivisht prej moshës 16 vjeçare deri në moshën 18 vjeçare, do të thotë është puna më e dendur që bëhet me ta, me qëllim që ata me qenë të gatshëm për të vazhduar tutje. Kur i mbushin 18 vjeç, ne i mbështesim edhe tri vite, pasi që dalin nga organizata jonë, do të thotë fillimisht i mbështesim me 75 për qind nevojat e tyre jetësore, në vitin e dytë 50 për qind dhe në vitin e tretë, 25 për qind. Krejt kjo përkrahje financiare bije, mirëpo përkrahja psikologjike, përkrahja me këshilla dhe me orientimet në punë dhe në karrierë dhe motivim për punësim, vazhdojnë vazhdimisht deri sa i riu ta gjen veten dhe të jetë plotësisht i pavarur për jetën e tij”, tha ai.

  • Ushqimet më të këqija që të shtojnë yndyrën në bark

    Ushqimet më të këqija që të shtojnë yndyrën në bark

    Ka disa ushqime, të cilat duhet shmangur me çdo kusht, sepse janë kryesore për të shtuar sidomos yndyrën në bark.

    Këto ushqime kanë tendencë që të nxjerrin në pah sidomos ato pjesë trupi që marrin lehtësisht kile, siç është edhe barku.

    Më poshtë është një listë, e cila të rekomandon ushqimet që duhet të shmangësh.

    Qëndro larg nga patatet e skuqura, pijet me gaz, ushqimet e bardha (me karbohidrate të përpunuara), të skuqurat, si dhe lëngjet e frutave. Me siguri po mendon se si mund t’i kesh ngrënë vetëm dje të gjitha këto ushqime. Por, kjo është edhe arsyeja pse e ke gjithmonë stomakun të rënduar.

    Në përgjithësi, patatet e skuqura janë shumë të këqija për yndyrën, sepse kanë sasi të lartë vaji dhe kripe që rri e gjitha në stomak. Po kështu, edhe pijet me gaz apo lëngjet e ndryshme të frutave, për shkak të sasisë së lartë të sheqerit që përmbajnë – që, siç dihet, kthehet në yndyrë.

    Të njëjtin efekt kanë edhe karbohidratet e përpunuara që gjendjen në ushqime të tilla si buka e bardhë, biskotat e bardha dhe drithërat me sheqer. Të gjitha këto ushqime të japin pikërisht ato kile që nuk do të doje t’i shtoje gjatë kësaj periudhe.