ATV

Blog

  • “Ka lëndime në tru dhe është e varur nga aparatura e frymëmarrjes”, Uka flet për gjendjen e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    “Ka lëndime në tru dhe është e varur nga aparatura e frymëmarrjes”, Uka flet për gjendjen e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    23-vjeçarja që u lëndua dje pasi është goditur nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës, pas operacionit që iu nënshtrua mbrëmë, ajo është transferuar në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror.

    Lidhur me gjendjen e saj ka folur shefi i MIQ-it, Shaqir Uka, i cili tha se si pasojë e lëndimeve, ajo ka pësuar gjakderdhje në indin trunor dhe trajtimin po e bën e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura e frymëmarrjes.

    “Për shkak të lëndimeve ajo u është nënshtruar një intervenimi kirurgjik nga ana e ekipës së neurokirurgëve. Pastaj është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në mjekim intensiv dhe vazhdon të qëndron këtu e fjetur nga barna dhe e varur nga aparatura për frymëmarrje. Lëndime kryesisht në kokë, gjakderdhje në regjionin e indit truror, ka edhe lëndime në pjesën e unazës së qafës dhe dy unazave të pjesës torakale, lëndim të kockës së dorës së djathë, ndërsa në vazhdim pritet që në orët e ardhshme të bëhet vlerësimi definitive eventualisht për intervenime të tjera nëse ka nevojë”, tha ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Kurti e Vitia në QKUK, vizitojnë 23-vjeçaren e lënduar nga rënia e kulmit të objektit komunal

    Kurti e Vitia në QKUK, vizitojnë 23-vjeçaren e lënduar nga rënia e kulmit të objektit komunal

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë shkuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), për ta vizituar 23-vjeçaren, e cila u lëndua pas rënies së kulmit të objektit komunal në Prishtinë.

    23 vjeçarja që ka pësuar lëndime nga rrëzimi i kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intenziv Qendror (MIQ). Për gjendjen e saj, ka folur për Ekonomia Online shefi i MIQ-it, Shaqir Uka.

    Ai ka deklaruar se mbrëmë 23 vjeçarja iu është nënshtruar një intervenimi kirurgjik për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Si pasojë e lëndimeve, ajo ka pësuar gjakderdhje në indin trunor dhe trajtimin po e bën e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura e frymëmarrjes.

    Uka ka deklaruar se në orët në vazhdim do t’i bëhen ekzaminime shtesë për të bërë vlerësim definitiv.

    “Pacientja për të cilën ju referoheni është një paciente 23 vjeçare, e cila ka marrë lëndime dje në orët e pasdites në afërsi të ndërtesës së Komunës së re. Është sjellë në Qendrën Emergjente fillimisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe lëndimeve të tjera. Pas ekzaminimeve laboratorike dhe rëntgenologjike, pacientja është rivlerësua pas disa ore dhe për shkak të lëndimeve që ka pësuar është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik nga ana e ekipes së neurokirurgëve. Pas intervenimit kirurgjik, pacientja është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror (MIQ), është sjellë pak minuta pas orës 23:00 dhe vazhdon të qëndrojë edhe më tutje e fjetur me barna e varur nga aparatura e frymëmarrjes dhe e mbuluar me terapinë standarde që bëhet për lëndimet e tilla”, ka deklaruar Uka.

    Krahas lëndimeve në kokë e gjakderdhje në indin trunor, pacientja ka lëndime edhe pjesë torakale dhe në duar.

    “Pacientja i ka lëndimet kryesisht në regjionin e kokës, gjakderdhje në regjionin e indidit trunor. Kjo ka qenë edhe arsyeja që është dashur me iu nënshtru intervenimit kirurgjik. Ka edhe lëndime të një unazës së pjesës së qafës dhe dy unazave të pjesës torakale, gjegjësisht pjesës së gjoksit. Ka edhe një lëndim të kockës së dorës së djathtë. Janë duke u kryer ekzaminimet shtesë, analizat laboratorike dhe pritet që në orët e ardhshme të bëhet vlerësimi definitiv, eventualisht për intervenime të tjera, nëse ka me pas nevojë”, u shpreh Uka.

  • OKB: Fëmijët në Gazë po përballen me kushte të tmerrshme

    OKB: Fëmijët në Gazë po përballen me kushte të tmerrshme

    Fëmijët në Gazë po vuajnë nga “kushtet e tmerrshme” dhe territori i përfshirë nga lufta vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm në botë për fëmijët. Kështu deklaroi zëvendësshefi i agjencisë për fëmijët i Kombeve të Bashkuara.

    Ted Chaiban, pas përfundimit të vizitës treditore në Gazë, tha se që nga vizita e tij paraprake në këtë territor dy muaj më parë “situata ka shkuar nga katastrofike në buzë kolapsit”.

    Nëse vazhdon ky trend i përkeqësimit të kushteve, “ne mund të shohim vdekje si pasojë e konfliktit pa dallim të shoqëruara me vdekje për shkak të sëmundjeve dhe urisë”, tha përmes një deklarate zëvendësshefi i UNICEF-it.

    Chaiban tha se të martën ishte takuar me një vajzë 11-vjeçare, e quajtur Sama, në spitalin al-Nasser në Han Junis. Ajo po luante me miqtë e saj kur një copëz e predhës e goditi në stomak, duke bërë që ajo të humbte shpretkën. Tani, tha ai, sistemi i saj imunitar është komprometuar “në një zonë lufte të mbushur me sëmundje dhe infeksione”.

    Dhjetë minuta më vonë, tha ai, u takua me Ibrahimin, 13 vjeç, i cili kishte qenë duke u strehuar në një zonë të cilësuar të sigurt, kur gjithçka kolapsoi. Dora e tij, që u lëndua rëndë, nuk u trajtua, dhe më pas plaga iu shndërrua në gangrenë dhe mjekët ia amputuan krahun.

    “Disa orë pasi ne u larguam, shumë familje u larguan nga spitali al-Nasser, pasi luftimet u afruan më afër zonës”, tha Chaiban.

    Lufta “ndaj fëmijëve” duhet të ndalojë, tha ai, duke përmendur shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Kjo ministri ka raportuar për pothuajse 25.000 persona të vrarë që nga nisja e luftës më 7 tetor, duke thënë se 70 për qind e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

  • Koreja e Veriut teston një dron bërthamor nënujor

    Koreja e Veriut teston një dron bërthamor nënujor

    Koreja e Veriut ka testuar sistemin e tij të armëve nënujore bërthamore, në shenjë proteste ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që këtë javë kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia, raportoi media shtetërore KCNA.

    Testimi i sistemit “Haeil-5-23”, emrin që Koreja e Veriut ua ka vendosur dronëve sulmues nënujorë me kapacitete bërthamore, u krye nga një grup ekspertësh i Ministrisë së Mbrojtjes. Testimi u krye në ujërat afër bregdetit lindor verikorean, tha KCNA-ja, pa dhënë detaje se kur ndodhi kjo ngjarje.

    Një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes akuzoi SHBA-në, Korenë e Jugut dhe Japoninë se po bëhen “të papërmbajtshme” me stërvitjet ushtarake, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.

    Marinat e tri shteteve kanë mbajtur stërvitje të rregullta treditore, që përfunduan të mërkurën. Në stërvitje mori pjesë edhe aeroplanmbajtësja amerikane, Carl Vinson. Stërvitjet u mbajtën si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përgjigjen e këtyre shteteve ndaj kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

    Testimi i armëve nënujore të Koresë së Veriut nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

    Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut më 19 janar lëshoi një paralajmërim kundër testimeve të fundit të kryera nga Veriu, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të tyre.

    “Ushtria jonë është e përgatitur plotësisht për provokimet e Koresë së Veriut nën një qëndrim të përbashkët të mbrojtjes me SHBA-në”, tha ministria përmes një deklarate, duke u zotuar për përgjigje “dërrmuese” nëse Koreja e Veriut bën një provokim të drejtpërdrejtë.

    Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoko Kamikawa, gjatë një konference për media u pyet për testimin e fundit të Veriut, por ai nuk pranoi të komentonte. Megjithatë, ai u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për të frenuar zhvillimin e armëve të Penianit.

    I cilësuar si “Haeil”, që do të thotë cunami, sistemi i ri i dronëve fillimisht ishte raportuar se është testuar në mars të vitit 2023, dhe media shtetërore ka raportuar se ky sistem mund të kryejë sulme tinëzare në ujërat e armiqve dhe të shkatërrojë sulmet detare dhe operacionet e mëdha të nisura nga portet, duke krijuar një valë të madhe radioaktive përmes shpërthimeve nënujore./REL/

  • Sot pritet vendimi i madh i Gjermanisë për lehtësimin e marrjes së nënshtetësisë

    Sot pritet vendimi i madh i Gjermanisë për lehtësimin e marrjes së nënshtetësisë

    Gjermania pritet të premten ta miratojë ligjin që shkurton rrugën për marrjen e shtetësisë dhe e bënë më të lehtë mbajtjen e dy shtetësive, lëvizje kjo e dizajnuar për të lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore duke e bërë vendin më tërheqës për punëtorët migrantë.

    Pas dy vjetësh pune, shumë mosmarrëveshje e shtyrje, ligji i ri ka mundësi të kalojë në votim të premten në Bundestag.

    Ligji thotë se personat që kanë qenë rezidentë në Gjermani për pesë vjet do të kenë të drejtën për pasaportë gjermane. Ata po ashtu do të mund ta mbajnë edhe shtetësinë e tyre, raportoi Reuters.

    Por, në rastet kur qytetarët tregojnë arritje të larta në punën e tyre dhe flasin nivelin C1 të gjermanishtes, ata do të kenë të drejtë të aplikojnë për nënshtetësi pas tre vjetësh.

  • ​Italia shprehet e gatshme të dërgojë trupa paqeruajtëse në Gaza

    ​Italia shprehet e gatshme të dërgojë trupa paqeruajtëse në Gaza

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani tha të premten se Italia do të ishte e gatshme të merrte pjesë në një mision paqeruajtës të OKB-së në Gaza nëse bashkësia ndërkombëtare do binte dakord për një të tillë.

    “Më shumë se 1000 ushtarakë italianë që ndodhen në Liban janë atje për një mision të OKB-së”, tha Tajani për Radio24.

    “Nëse nevojitet një mision paqeruajtës në Gaza, në një fazë kalimtare, ne jemi të gatshëm të dërgojmë personelin tonë ushtarak me OKB-në si paqeruajtës”, vazhdoi ai, duke shtuar se “nuk ka asnjë kërkesë amerikane për të zgjeruar misionin libanez në këtë drejtim” për momentin. /Ansa/

  • AKB: Mbi 1600 biznese u mbyllën në vitin 2023 në Kosovë

    AKB: Mbi 1600 biznese u mbyllën në vitin 2023 në Kosovë

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerëson se viti 2023 ishte sfidues për Kosovën, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në politikë dhe siguri, gjë që ka ndikuar në rënie të investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.

    “Ekonomia kishim rënie të zhvillimit në krahasim me vitet paraprake si në investime, investime kapitale, eksporte por edhe kishim shurje të bizneseve”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.

    Në bazë të dhënave që posedon AKB, në vitin 2023 u mbyllen mbi 1600 biznese të sektorëve të ndryshëm nga të gjitha regjionet dhe komunat e Kosovës. Duke llogaritur se këto kompani kishin mesatarisht nga 1-4 punëtorë, vlerësohet se mbetën pa punë rreth 5000 punëtorë.

    Kryetari I AKB-së, Agim Shahini, ka vlerësuar se trendi i hapjes dhe i mbylljes së bizneseve në Kosovë gjatë tri viteve të fundit ishte mesatarisht i njëjtë, me rreth 11000 biznese të hapura dhe 1600 të mbyllura.

  • Qytetarët e Zveçanit i përgjigjen peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës

    Qytetarët e Zveçanit i përgjigjen peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës

    Ka nisur sot peticioni për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, ndërsa nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 10:30 kur po raporton ekipi i KosovaPress është vërejtur numër i konsiderueshëm i qytetarëve që kanë dalë për ta nënshkruar peticionin.

    Darko Vukashinoviq, iniciator i peticionit në këtë Komunë, ka ftuar qytetarët e kësaj Komune që të dalin në numër sa më të madh për ta larguar, siç e quajti ai, uzurpatorin nga Komuna.

    Ai u shpreh i bindur se do të përmbyllet numri i nevojshëm i nënshkrimeve që është 1 mijë e 411.

    “Ftoj të gjithë qytetarët e Zvecanit që të dalin në numër sa më të madh për ta shkarkuar kryetarin jolegal dhe jolegjitim të Komunës së Zveçanit… Shpresoj se do ta përmbushim numrin e nevojshëm, nga 7 mijë e 52 votues sa kemi në Zveçan, na duhen 20 për qind, përkatësisht 1 mijë e 411… Pres që zveçanasit të përmbyllin këtë që e kemi filluar dhe ta largojmë uzurpatorin e Komunës”, ka thënë Vukashinoviq.

    Qytetarët nuk kanë pranuar të flasin rreth peticionit.

    Mësohet se edhe në Zubin Potok ka nisur sot peticioni dhe qytetarët atje janë përgjigjur masovikisht.

    Ndryshe, që peticioni të jetë i suksesshëm në Zubin Potok, duhet të nënshkruajnë së paku 1 mijë e 347 votues, që është 20 për qind nga 6 mijë e 732 të votuesve të regjistruar.

  • ​Kolumnisti malazez: Stojkoviq veproi me dinjitet dje në Prekaz

    ​Kolumnisti malazez: Stojkoviq veproi me dinjitet dje në Prekaz

    Kolumnisti nga Mali i Zi, Ljubomir Filipoviq, ka përgëzuar avokatin serb, Çedomir Stojkoviq, për vizitën e këtij të fundit dje në Prekaz, ku vendosi lule në varrin e Blerina Jasharit.

    Filipoviq tha se akti i akti i avokatit serb e bën atë një serb të mirë, teksa tha se rajoni i Ballkanit ka nevojë për zgjedhje të mosmarrëveshjeve ndëretnike në mënyrë të civilizuar.

    Tutje, gazetari malazez tha se Çedomiri performoi me dinjitet edhe si burrë shteti, edhe pse nuk është burrë shteti duke shtuar se nuk kishte asnjë poshtërim në gjestin dhe qëndrimin e tij.

    Shkrimi i plotë:

    Mirëmëngjes! Diçka shumë e rëndësishme ka ndodhur dje në Kosovën fqinje, kur avokati Çedomir Stojkoviq ka vendosur lule mbi varrin e 7-vjeçares Blerina Jashari dhe ka kërkuar falje. Teksa po dëgjoja Çeden duke folur, mendova “ja një serb” në kuptimin më të mirë të mundshëm të fjalës “serb”.

    Ja ky është një serb!

    Asnjë nga fqinjët e Serbisë nuk dëshiron që Serbia të mbetet përgjithmonë e bllokuar në nacionalizmin dhe orekset perandorake ndaj të gjithë neve. Asnjë njeri normal nuk dëshiron që serbët të dënohen si popull. Nuk mendoj se ka një ballkanas normal që nuk dëshiron të jetojë në një rajon ku të gjithë kanë një konsensus mbi vlerat universale dhe ku mosmarrëveshjet ndëretnike zgjidhen në mënyrë të civilizuar. Mendoj se të gjithë duam të jetojmë në Ballkan ku askush nuk dëshiron asgjë të huajën dhe ku mund të thuhet “na falni” për krimet e padiskutueshme të kryera në emrin tonë.

    Çeda Stojkoviq ka kohë që është në skenën opozitare serbe. Ai ishte pjesë e DHSS dhe drejtor i saj. Çeda është një serb, nga Beogradi, me origjinë nga Valjeva. Ndoshta pikërisht sepse është nga andej, Çeda po i bën të gjitha këto. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai mendon politikisht për Serbinë në radhë të parë. Ndryshe nga liderët politikë aktualë dhe të kaluar, të cilët kryesisht erdhën nga Bosnja apo Mali i Zi, ata përdorin Serbinë për nxitjet e tyre nostalgjike dhe anakronike për të aneksuar atdheun e të parëve të tyre në Beograd.

    Çeda erdhi në fokus të publikut rajonal me kritikat e ashpra ndaj Rusisë dhe kërkesat që Serbia të anëtarësohet në NATO. Çeda nuk është rusofob, ai nuk e pëlqen qeverinë ruse. Këtë ai e dëshmoi me përfshirjen e tij vetëmohuese me veprimtarët rusë, të cilëve iu ndalua hyrja në Serbi.

    Çeda, të mos e zgjas, politikisht dhe moralisht është një njeri në vendin e tij.

    Nuk është Çeda i shenjët. Çeda është një qenie njerëzore. Ai mund të bëjë një gabim nesër, ai mund të ketë bërë një gabim në të kaluarën. Si të gjithë ne. Por ai momenti kohor i djeshëm, kur Çeda, pasi u kryqëzua, u përkul dhe vendosi lule mbi varrin e fëmijës së “armikut”, meriton të mbahet mend.

    Çeda performoi me dinjitet edhe si burrë shteti, edhe pse nuk është burrë shteti. Nuk kishte asnjë poshtërim në gjestin dhe qëndrimin e tij. Përkundrazi, ai e tha aq domosdoshmërisht “më falni” në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Mendova se në një univers paralel ku Zoran Gjingjiq i mbijetoi atentatit, Çeda u bë kryeministër. Në atë univers, Serbia e njohu pavarësinë e Kosovës dhe se të gjithë jemi në BE dhe NATO. Imagjinoni atë univers në të cilin Çeda si kryeministër apo president i Serbisë Evropiane e bëri këtë. A nuk do të ishte ky më i miri nga të gjitha universet?

    Por nuk është kështu. Çeda e bëri këtë gjest sepse klienti i tij u ndalua nga BIA për të njëjtin gjest në Serbi, u rrah dhe torturua dhe u arrestua dhe në këtë mënyrë u shkel brutalisht kushtetuta dhe ligjet e Serbisë. Kushedi sa herë është vrarë shteti i së drejtës në atë vend.

    Megjithatë, opozita e institucionalizuar serbe nuk e konsideron Çeden si aleat. Ata nuk e thërrasin Çeden në N1 dhe Nova, sepse nuk i përshtatet shabllonit të tyre. Ai e kritikon Rusinë në mënyrë të tepruar dhe është tepër pro NATO-s. Qëndrimi i skenës opozitare dhe i mediave opozitare ndaj Stojkoviqit është një përgjigje e shkëlqyer se pse opozita në Serbi është e dobët. Ajo është në kërkim të një zëvendësimi, jo një ndryshim. Ajo që ofrojnë është vazhdimësia ideologjike dhe botëkuptimore. Çeda si një aktivist, jo si një politikan, ofron një shkëputje revolucionare me të kaluarën, duke refuzuar çakallin dhe duke nisur Serbinë për në Perëndim. Kjo kërkon guxim dhe përgjegjësi.

    Siç tha një burrë dje në Twitter: “Ja, nuk është e vështirë dhe nuk dhemb. Dhe lehtëson shpirtin”.

  • NATO-ja do të zhvillojë stërvitjen më të madhe në dekada

    NATO-ja do të zhvillojë stërvitjen më të madhe në dekada

    NATO po fillon stërvitjen e saj më të madhe që nga Lufta e Ftohtë duke treguar se si trupat amerikane mund të përforcojnë aleatët evropianë në vendet në kufi me Rusinë, dhe në krahun lindor të aleancës, nëse një konflikt do të ndizet me një kundërshtar “të afërt”.

    Rreth 90.000 trupa do t’i bashkohen stërvitjeve “Steadfast Defender 2024” që do të zgjasin deri në muajin maj, tha të enjten komandanti suprem i Aleancës për Evropën, gjenerali amerikan Chris Cavoli.

    Më shumë se 50 anije do të marrin pjesë, gjithashtu më shumë se 80 avionë luftarakë, helikopterë dhe drone dhe të paktën 1.100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë, tha NATO.

    NATO nuk e përmendi me emër Rusinë në njoftimin e saj. Por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e anëtarëve të aleancës.

    “Steadfast Defender 2024 do të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të vendosur me shpejtësi forcat nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të aleancës për të përforcuar mbrojtjen e Evropës”, tha NATO.

    Përforcimi do të ndodhë gjatë një “skenari të simuluar të konfliktit me një kundërshtar të afërt”, u tha Cavoli gazetarëve në Bruksel pas një takimi dyditor të shefave të mbrojtjes kombëtare, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Stërvitjet e fundit të një madhësie të ngjashme ishin ato që quheshin Reforger – gjatë Luftës së Ftohtë në vitin 1988 me 125.000 pjesëmarrës – dhe Trident Juncture më 2018 me 50.000 pjesëmarrës, sipas NATO-s.

    Trupat që marrin pjesë në stërvitje do të vijnë nga vendet e NATO-s dhe Suedia – e cila shpreson t’i bashkohet aleancës së shpejti.

    Aleatët nënshkruan planet rajonale në samitin e tyre në Vilnius në vitit 2023, duke i dhënë fund një epoke të gjatë në të cilën NATO nuk e kishte parë nevojën për plane të mbrojtjes në shkallë të gjerë, pasi vendet perëndimore zhvilluan luftëra më të vogla në Afganistan dhe Irak, dhe mendonin se Rusia nuk ishte më një kërcënim ekzistencial.

    Gjatë pjesës së dytë të stërvitjes “Mbrojtësi i qëndrueshëm”, një fokus i veçantë do të jetë në dislokimin e forcës së reagimit të shpejtë të NATO-s në Poloni në krahun lindor të aleancës.

    Vende të tjera kryesore të stërvitjeve do të jenë shtetet baltike, të cilat shihen si më të rrezikuara nga një sulm i mundshëm rus, Gjermania – një qendër për përforcimet e ardhshme – dhe vendet si Norvegjia dhe Rumania. ​