ATV

Blog

  • Avokati serb që bëri dje homazhe në Prekaz, thotë se u ndalua për 4 orë nga BIA

    Avokati serb që bëri dje homazhe në Prekaz, thotë se u ndalua për 4 orë nga BIA

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, i cili bëri homazhe të enjten në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në kufi për katër orë dhe më pas është liruar.

    Ai ka shkruar në platformën ‘X’, se pas 4 orë mbajtje është lejuar të lëviz lirisht.

    “Zyrtarët e BIA-s që folën me mua kishin një qasje profesionale. Ata bënin pyetje që i interesonin dhe u sollën me shumë edukatë. Nuk ndjeva asnjë armiqësi pavarësisht dallimeve natyrore që kemi. Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Pa dyshim, ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të vijë”, shkroi ai në ‘X’.

  • Lansimi i modelit Galaxy S24, Drilon Jaha: Samsung është një hap para Apple sa i përket Inteligjencës Artificiale

    Lansimi i modelit Galaxy S24, Drilon Jaha: Samsung është një hap para Apple sa i përket Inteligjencës Artificiale

    Samsung Electronics zbuloi së fundmi modelin Galaxy S24. Kjo seri udhëheq rrugën drejt një epoke të re që do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si pajisjet celulare fuqizojnë përdoruesit.

    Inteligjenca artificiale përforcon pothuajse çdo përvojë në serinë Galaxy S24, nga mundësimi i komunikimit pa pengesa me përkthime inteligjente të tekstit dhe thirrjeve, deri te maksimizimi i lirisë krijuese.

    Njohësi i teknologjisë, Drilon Jaha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se ajo që është tepër me rëndësi të Samsungu, por edhe kompanitë e tjera, është fakti se janë duke e shtyrë agjendën e Inteligjencës Artificiale.

    Ai tha se sa i përket thjeshtëzimit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, Samsung tani është një hap para Apple.

    “Samsungu është një hap përpara Apple në thjeshtëzimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, duke e parë këtu lehtësimin e përdorimit të pajisjes. Çka është Inteligjenca Artificiale në telefona, është se në vend që ne me pasë nevojë me e kuptu gjuhën e telefonit, telefoni është duke e kuptu gjuhën tonë njerëzore edhe ky komunikim ka me u zhvillu deri në atë nivel sa që kemi me e pasë shumë të lehtë me komuniku edhe me pajisje të teknologjisë, sikurse një robot, një kompjuter, një telefon e kështu me radhë”, tha Jaha. /atvlive.tv

  • ​Mbi 350 mijë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë në Kongon e goditur nga përmbytjet

    ​Mbi 350 mijë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë në Kongon e goditur nga përmbytjet

    OKB-ja tha të premten se më shumë se 350.000 njerëz në Republikën e Kongos kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare për shkak të reshjeve ekstreme në javët e fundit.

    Duke e quajtur katastrofën e përmbytjeve në vend “të paprecedentë në shkallë për gjashtë dekada”, Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), tha në një konferencë në Gjenevë se nëntë nga 12 departamentet e vendit mbeten nën ujë rreth tre javë pasi u shpall një emergjencë më 29 dhjetor dhe gjithsej 1.8 milionë njerëz janë prekur.

    “Më shumë se 350.000 njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, por qasja është një sfidë për shkak të përmbytjeve dhe shumë fshatra mund të arrihen vetëm me varkë,” tha Laerke.

    Ai theksoi se përmbytjet i kanë lënë komunitetet lokale pa strehim ose qasje në shërbimet shëndetësore parësore, duke shtuar se ka “qasje të kufizuar ose aspak” në ujë të pijshëm të pastër ose kanalizime në zonat më të prekura.

    Rreth 27.000 fëmijë janë jashtë shkollës, tha ai.

    Duke paralajmëruar se përmbytjet mund të kenë edhe pasoja afatgjata, ai tha: “Vlerësimet tona fillestare vlerësojnë se 2300 hektarë tokë të kultivuar janë përmbytur, gjë që ngre shqetësimin se do të thotë të prodhosh ushqim, për shembull pemë frutore dhe pajisje peshkimi, është shkatërruar dhe bagëtia është zhdukur”.

    Laerke tha se për përgjigje të menjëhershme, agjencitë e OKB-së dhe qeveria e Republikës së Kongos mblodhën një buxhet total prej 26 milionë dollarësh, duke i dhënë përparësi strehimit, sigurisë ushqimore, ushqimit, shëndetit dhe ujit, kanalizimeve dhe higjienës.

    “Për të mbështetur përgjigjen fillestare, është bërë një ndarje prej 3.6 milionë dollarë nga Fondi Qendror i Përgjigjes së Emergjencave për të adresuar nevojat më urgjente të 270,000 njerëzve,” tha Laerke. “Megjithatë, për të zbatuar përgjigjen, do të nevojiten më shumë fonde ndërkombëtare.” /AA

  • ​Habit Tuchel, kthen sytë kah ylli i Newcastle

    ​Habit Tuchel, kthen sytë kah ylli i Newcastle

    Siç bëhet e ditur nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, Thomas Tuchel e ka aprovuar edhe opsionin e Kieran Trippier si një zgjidhje për krahun e djathtë të mbrojtjes.

    Synimi favorit i Bayern Munichut për atë pozitë është Nordi Mukiele i Paris Saint-Germain, ku bisedimet po vazhdojnë mes palëve për të arritur marrëveshje, raporton KosovaPress.

    Por, Trippier tani është bërë opsion konkret i Bayernit.

    Gjithçka varet nga bisedimet mes dy klubeve, respektivisht me Paris Saint-Germain dhe Newcastle United.

  • ​Shqiptarët kryesojnë në Ballkan për kërkesat për azil në BE

    ​Shqiptarët kryesojnë në Ballkan për kërkesat për azil në BE

    Shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në raport me shtetasit e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin, publikuar të premten, shqiptarët paraqitën vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2023 rreth 892 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

    Shqiptarët pasohen nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 711 aplikime, shtetasit nga Serbia që kishin paraqitur 507 kërkesa, nga Kosova me 281 kërkesa, nga Bosnja me 127 dhe Mali i Zi 30.

    Sipas raportit prirja e të gjithë shtetasve nga Ballkani është të kërkojnë azil në tre vende të BE: Francë, Gjermani dhe Itali. Shqiptarët kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për azil që mbeten në pritje në vendet e BE-së për t’u shqyrtuar.

    Kështu sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për Azilin, 3.278 shtetas shqiptarë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil, ndërkohë që nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut janë 2.146, Serbia 1.250, Kosova 966, Bosnjë e Hercegovina 540 dhe Mali i Zi 118 kërkesa.

    Të gjitha kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor të shqyrtuara në vendet e BE-së kanë një nivel tejet të ulët të pranimit.

    Kështu, sipas raportit, shqiptarët kanë vetëm 0,55 % të kërkesave të shqyrtuara që janë pranuar ndërsa asnjë nga vendet ballkanike nuk e kalon 1% të kërkesave të pranuara për azil. Agjencia evropiane për Azilin tha se në nëntor vendet e BE-së morën 118 mijë kërkesa për azil.

    Ndërsa për periudhën janar-nëntor 2023 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian shkuan në mbi 1 milionë, një nivel që kujton sipas Agjencisë evropiane për Azilin krizën e refugjatëve të viteve 2015-2016.

    Në nëntor të vitit 2023 Gjermania ruajti pozicionin e saj si destinacioni kryesor për azilkërkuesit në vendet e BE-së, duke marrë gati një të tretën e gjithë kërkesave për azil që u paraqitën në vendet e BE-së.

  • Ushtarët e FSK-së do t’i trajnojnë ushtarët ukrainas në Britani të Madhe

    Ushtarët e FSK-së do t’i trajnojnë ushtarët ukrainas në Britani të Madhe

    Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur mbrëmë në Britaninë e Madhe, ku atje do të trajnojë ushtarët e Ukrainës.

    FSK-ja do të bëhet pjesë e operacionit INTERFLEX, ndërsa Ambasada e Britanisë së Madhe sot ka përgëzuar FSK-në dhe Kosovën për solidaritet me Ukrainën që nga fillimi i luftës atje.

    “Mbrëmë i uruam lamtumirën një kontingjenti të ushtarëve të FSK-së para se të fluturonin në Britani të Madhe për të mbështetur operacionin INTERFLEX. Kosova ka mbështetur dhe demonstruar solidaritet me Ukrainën dhe popullin ukrainas që nga fillimi i luftës”, thuhet në njoftim.

    “Operacioni INTERFLEX zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka për qëllim stërvitjen e trupave të ushtrisë ukrainase. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ofruar gatishmëri për angazhimin e instruktorëve për të ndihmuar në procesin stërvitor të Ushtrisë së Ukrainës në kuadër të këtij operacioni”, shkruan Ambasada.

  • ​De Laurentiis mund të përballet me gjyq për marrëveshjen me Osimhen

    ​De Laurentiis mund të përballet me gjyq për marrëveshjen me Osimhen

    Spekulimet nga Italia sugjerojnë se presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis mund të përballet me gjyq, mbi dyshimin për kontabilitet të rremë në marrëveshjen për të transferuar Victor Osimhen nga Lille në vitin 2020.

    “La Repubblica”, “ANSA” dhe “Sky Sport Italia” pretendojnë se gjyqtarët e Romës i kanë dhënë fund një hetimi për kontabilitet të rremë që përfshin presidentin dhe pronarin e Napolit, De Laurentiis, raporton KosovaPress.

    Por, sipas “Repubblica”, anëtarët e tjerë të klubit janë nën hetim për marrëveshjen që solli sulmuesin nigerian Osimhen në “Diego Armando Maradona” në vitin 2020.

    Osimhen iu bashkua Napolit në një marrëveshje prej 71 milionë eurosh nga Lille, por gjiganti i Serie A pagoi vetëm 50 milionë euro para dhe 21 milionë euro të mbetura u mbuluan nga katër lojtarë kryesisht të panjohur të përfshirë në një marrëveshje shkëmbimi: portieri grek Orestis Karnezis, plus Luigi Liguori, Claudio Manzi dhe Ciro Palmieri.

    “ANSA” pretendon se prokurorët e Romës kanë informuar De Laurentiis për përfundimin e hetimit, kështu që pronari i Napolit tani mund të përballet me një gjyq.

    Osimhen kontribuoi në titullin e parë të Napolit në Serie A pas 33 vitesh sezonin e kaluar, duke shënuar 26 gola në ligë.

    Ai së fundmi ka nënshkruar një zgjatje të kontratës me “Partenopei” deri në qershor të vitit 2026.

  • Pak para transmetimit LIVE, eksperti i komunikacionit u godit nga një veturë në zebra

    Pak para transmetimit LIVE, eksperti i komunikacionit u godit nga një veturë në zebra

    Njohësi i komunikacionit Bekim Ahmeti, u gjend në qendër të një aksidenti pak çaste para se të jepte një prononcim për ATV-në në një lidhe të drejtpërdrejtë.

    Ai së bashku me gazetaren e ATV-së ishte duke kaluar rrugën në zebra, kur u godit nga një veturë, ngasësi i të cilës duket të ketë qenë i shpërqendruar në rrugë.

    “pak para se të fillonte ky transmetim për emisionin A LIVE, zotëri Bekim u godit nga një veturë tek zebrat. Nuk ishte në shpejtësi të lartë, por nuk ishte duke shikuar. A ishte në telefon a jo, ne nuk mundëm ta verifikojmë. Megjithatë, zotëri Bekim tani është shëndosh e mirë, i cili do të na japë më shumë detaje për këtë gjysmë rreth rrotullim i cili është në rrugën “Agim Ramadani””, tha gazetarja e ATV-së, Sara Shehu.

    Ekipi i ATV-së kishte dalë në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, për të zhvilluar marrë një prononcim nga Bekim Ahmeti, për të kuptuar më shumë rreth mbingarkesës që po shkaktohet në këtë rrugë. /atvlive.tv

  • Largimi i kanaleve të DigitAlb, KPM-ja i gjobit operatorët me 100 mijë euro

    Largimi i kanaleve të DigitAlb, KPM-ja i gjobit operatorët me 100 mijë euro

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), të premten ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit. E në rend dite ishin ankesat e shumta të qytetarëve në lidhje me largimin e kanaleve të DigitAlb nga operatorët e shpërndarjes, raporton Ekonomia Online.

    Që nga 1 janari e deri më 18 janar, KPM-ja i ka pranuar 340 ankesa për këtë çështje, ndërsa shumica e tyre janë kundër platformës Artmotion, me 221 ankesa, pasuar nga Kujtesa me 87. E shkak i shkeljeve të shumta, KPM-ja ka gjobitur katër operatorët me 100 mijë euro.

    “Duke pasur parasysh gjithë ato ankesa qe kemi pranuar, ne kemi ardhur në përfundim se kemi shkelje të rregullores së KPM-së, nga Ipko, Kujtesa, Artmotion e Telkos. Ato kanë shkelur nenin 15-të. Gjitha këto dështime në implementim të rregulloreve tona paraqesin dëm të madh drejtuar qytetarëve. KPM-ja do veproj për sanksionimin duke ofruar gjobën maksimale e që është 100 mijë euro. Artmotion 64 mijë euro, Kujtesa 26 mijë euro, IPKO 7mijë dhe Telkos me 3 mijë euro”, u shpreh Mehmeti.

    “Ka pasur ankesa rreth këtij rasti ku platformat televizive kanë ndryshuar kanalet dhe deri dje kanë ardhur 340 ankesa të qytetarëve dhe nga këto ankesa, 221 janë kundrejt platformës Artmortion, 87 për Kujtesën, 23 IPKO dhe 9 për Telkos”, deklaroi kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

    Ai tha se natyra e ankesave është e njëjte, ballafaqim me reklamime mashtrues nga këta operatorë të cilët e kanë ditur se nga 1 janari nuk do i kenë shërbimet e DigitAlb.

    Mehmeti tha se kontrata e fundit është bërë më 28 dhjetor pra vetëm tri ditë para se e drejta për shfrytëzim të Digilalb të skadojë.

  • ​Zbulohet vendi dhe stadiumi i finales së Kupës së Botës 2026

    ​Zbulohet vendi dhe stadiumi i finales së Kupës së Botës 2026

    Sipas Martin Lipton, finalja e Kupës së Botës 2026 do të zhvillohet në stadiumin “AT&T” në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ende nuk është asgjë zyrtare, pasi që FIFA ka njoftuar se orari i ndeshjeve për edicionin e vitit 2026 i Kupës së Botës do të publikohet më 4 shkurt të këtij viti, raporton KosovaPress.

    Ndarjet e qyteteve nikoqir për 104 ndeshjet e Kupës së Botës 2026 do të shpallen gjatë një programi special.

    Transmetimi do të zbulojë gjithashtu vendndodhjen e ndeshjeve hapëse të turneut në Kanada, Meksikë dhe SHBA, vendet e fazës së grupeve për ekipin kombëtar të secilit vend nikoqir dhe vendin për finalen e shumëpritur të Kupës së Botës, e cila është planifikuar për të dielën e 19 korrikut të 2026-ës.

    Atlanta, Boston, Dallas, Guadalajara, Houston, Kansas City, Los Angeles, Mexico City, Miami, Monterrey, New York New Jersey, Philadelphia, San Francisco Bay Area, Seattle, Toronto dhe Vancouver janë qytetet e planifikuara si nikoqire të turneut.

    Kanadaja do të presë Kupën e Botës të FIFA-s për herë të parë në vitin 2026, gati 40 vjet pasi filloi për herë të parë organizimin e ngjarjeve të FIFA-s dhe 11 vjet pasi vendi mirëpriti botën në një nga turnetë më të suksesshëm të Kupës së Botës për Femra FIFA ndonjëherë në vitin 2015.

    Meksika do bëhet kombi i parë që organizon Kupën e Botës FIFA për herë të tretë, pasi vendi më parë priti edicione të paharrueshme në 1970 dhe 1986.

    Ndërkohë, viti 2026 do të shënojë herën e dytë që ekipi kombëtar i meshkujve të SHBA do të largohet për ndeshjet e Kupës së Botës FIFA në toka vendase, me turneun e vitit 1994 në të gjithë SHBA-në që jeton gjatë në kujtimet e tifozëve të futbollit.

    Ndërkaq, sipas Joe Pompliano, finalja e cila thuhet se do të mbahet në Dallas, duhet të mbahet në këtë vend pasi që stadiumi zë më shumë se 100 mijë tifozë, aeroporti është vetëm 15 minuta larg, dhe është e përshtatshme për të gjitha zonat kohore.