ATV

Blog

  • Edhe në Zubin Potok e në Zveçan nisin peticionet kundër kryetarëve

    Edhe në Zubin Potok e në Zveçan nisin peticionet kundër kryetarëve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Edhe pse në biseda pa kamerë u shprehën optimistë për mbledhjen e 20% të nënshkrimeve të nevojshme, nënshkruesit e kësaj nisme nuk donin të flisnin publikisht.

    Numra për ditën e parë nuk dhanë, por në këtë komunë kërkohen së paku 1347 nënshkrime të vlefshme nga lista e votuesve, për të vazhduar me hapin e radhës.

    Në Zveçan, ndërkaq, për ta bërë të mundshëm votimin për shkarkimin e kryetarit kërkohen së paku 1411 nënshkrime valide.

    Edhe në këtë qytezë nënshkruesit hezitonin të shpreheshin para kamerës.

    Referuar bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti serb, kryetari Ilir Peci vlerësoi se peticioni nuk është i drejtë.

    “Unë nuk e shoh se do të jetë zgjidhje përfundimtare e duhur, derisa kanë qenë zgjedhjet tetë muaj më herët dhe kanë qenë të pranuara nga politika vendore dhe ajo ndërkombëtare”, tha Peci.

    Kundërshtimi ligjor i nismës, sipas tij, është opsion.

    “Besoj se do të ketë ankesë, por ta shohim. Ende nuk e kemi marrë një vendim të tillë”, tha Peci.

    Afati 30 ditor për mbledhjen e nënshkrimeve në këtë peticion në Zveçan ka nisur të rrjedhë më 27 Dhjetor.

  • 23 mijë udhëtarë më shumë në këtë vit, në aeroportin e Prishtinës

    23 mijë udhëtarë më shumë në këtë vit, në aeroportin e Prishtinës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    23 mijë udhëtarë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kanë udhëtuar drejt vendeve të ndryshme të Evropës e botës, përmes Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”.

    Në të njëjtën kohë, janë shtuar edhe fluturimet, me 112 më shumë.

    “Në 18-ditëshin e parë të këtij viti, nëse e krahasojmë me periudhën e kaluar, kemi pasur diku përafërsisht rreth 20% më shumë fluturime dhe një rritje të numrit të udhëtarëve nga data 1 deri më 18, diku rreth 15% më shumë udhëtarë”, tha zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara.

    Mirëpo, interesimi për udhëtime nuk është vetëm me transport ajror.

    Pas vendimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, fluks i udhëtarëve po vërehet edhe te transporti rrugor.

    Mirëpo, pas datës 15 janar interesimi për të udhëtuar me autobus ka rënë.

    “Nga data 15 janar e këtej ky intensitet është ulur në masë të madhe. Po e marrim për shembull, nëse për Zvicër janë nis 3-5, ndonjëherë edhe 10 autobusë brenda 1 dite, tash nisen të kompanive të ndryshme nga 1 autobus. Pra ka rënë dukshëm kërkesa për të udhëtuar drejt zonës Shengen, sidomos drejt Zvicrës e Gjermanisë”, tha Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.

    Ndërkohë, viti 2023 është përmbyllur me mbi 3.4 milionë udhëtarë në aeroportin “Adem Jashari”.

    Derisa, këtë vit, gjithashtu, pritet që aeroportit të Prishtinës t’i shtohen edhe 3 linja të reja direkte.

    Nga marsi qytetarët mund të udhëtojnë për në Luksemburg, në maj për në Riga dhe qershor për në Izmir.

  • Zyrtari i lartë i NATO-s: Perëndimi duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

    Zyrtari i lartë i NATO-s: Perëndimi duhet të përgatitet për luftë me Rusinë

    NATO ka paralajmëruar se Perëndimi duhet të rrisë përgatitjet për ngjarje të papritura, përfshirë një luftë me Rusinë, përderisa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë, në mes të indikacioneve për lodhje politike të disa aleatëve perëndimorë të Kievit.

    “Ne duhet ta kuptojmë se nuk është e mirëqenë që jemi në paqe. Prandaj, ne [forcat e NATO-s] po përgatitemi për një konflikt me Rusinë”, tha admirali holandez, Rob Bauer.

    Këto deklarata shefi i komitetit ushtarak të NATO-s i bëri në Bruksel, para nisjes së stërvitjeve më të mëdha të aleancës ushtarake perëndimore që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

    Aleanca duhet të jetë në gatishmëri të lartë për luftë dhe “të presë të papriturën”, tha Bauer, duke shtuar se “në mënyrë që të jemi plotësisht efektiv, po ashtu në të ardhmen, ne duhet të transformimin luftarak të NATO-s”.

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, po ashtu ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjerohet në shtetet fqinje.

    “Ne pothuajse çdo ditë dëgjojmë kërcënime nga Kremlini, së fundi kundër miqve tanë në shtetet baltike”, tha Pistorius për gazetën Tagesspiegel më 19 janar.

    Për të rritur përgatitjen, NATO do të nisë muajin e ardhshëm stërvitjet Steadfast Defender 2024, që do të zgjasin përgjatë majit. Në këto stërvitje do të përfshihen afër 90.000 trupa, të cilët do të stërvisin planet rajonale të aleancës.

    Stërvitja “do të tregojë se NATO mund të kryejë operacione të qëndrueshme dhe të ndërlikuara në shumë fusha për disa muaj, përgjatë mijëra kilometrave, nga Veriu i Lartë në Evropën Qendrore dhe Lindore në çfarëdo kushtet”, tha aleanca pre 31-anëtarësh.

    Përderisa vija e frontit në lindje të Ukrainës ka mbetur gjerësisht e pandryshuar për muaj të tërë, Rusia ka vazhduar të sulmojë qytetet ukrainase me dronë dhe raketa lundruese. Ndërkaq Kievi, që po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022, ka sulmuar caqet ekonomike dhe ushtarake në thellësi të Rusisë.

  • Parashikimi i motit gjatë vikendit

    Parashikimi i motit gjatë vikendit

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vikendi do të jetë me mot të paqëndrueshëm, pasi e shtunja do të jetë me borë, ndërsa, e diela me diell.

    Sipas njoftimit, të shtunën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore.

    “Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri1 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-5m/s. Të dielën mot me diell dhe vranësira të pjesshme temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 1. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit”, thuhet në njoftim.

  • Pas ankesave të qytetarëve – dënohen me gjobë nga KPM katër operatorë kabllorë

    Pas ankesave të qytetarëve – dënohen me gjobë nga KPM katër operatorë kabllorë

    Komisioni i Pavarur për Media sot në mbledhjen e mbajtur ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë.

    Me 64 mijë euro është dënuar operatori ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatori ‘Kujtesa’, me 7 mijë ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro ‘Telkos’.

    Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se këto gjobitje kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

    “Ne si KPM kemi obligime, ashtu siç e thotë ligji se nëse shohim që ka shkelje të rregulloreve ne duhet të adresojmë çështjet….”, u shpreh ai.

    “Jemi duke u ballafaquar me një dukuri që ka ndodhur edhe vite më parë ku qytetarët kanë bërë ankesa për largim të disa pakove televizive pa paralajmërim nga operatorët e shpërndarjes me të cilët qytetarët kanë pasur kontrata”, tha më tej Mehmeti, duke shtuar se rregullorja parasheh që qytetarët 30 ditë përpara duhet të njoftohen se diçka do të ndryshojë nga pakoja për të cilën kanë paguar.

  • Kurti u shprehu ngushëllime familjes Gashi, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Adem Gashi

    Kurti u shprehu ngushëllime familjes Gashi, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Adem Gashi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites qëndroi për vizitë te familja e poetit të njohur, Adem Gashi, i cili u nda nga jeta të martën e 16 janarit.

    Në njoftimin e Zyrës së Kreministrit thuhet se kryeministri Kurti u shpreh se Adem Gashi, ishte “mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë tonë, i Kosovës së tij e tonë të dashur, dhe rrjedhimisht i secilit prej neve”.

    “Vepra e tij, për ne dhe kujtimet tona për të janë gjurmë të thella që bëjnë dritë. Mendja e mprehtë, puna e zellshme, atdhedashuria e paepur dhe miqësia e përhershme e shkrimtarit Adem Gashi, janë kontribut fort i çmueshëm për kombin dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar kështu kryeministri në librin e zisë, gjatë vizitës së tij tek familja Gashi.

    Tutje kryeministri shtoi se të ndjerin do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe gjurmët e thella që ka lënë te populli ynë, duke theksuar se veprat e tij janë ato që do të bëjnë përherë dritë për kontributin e dhënë për Kosovën e tij të dashur.

    “Jemi borxhli, përgjegjës, që kontributin e tij ta vazhdojmë me sjelljen dhe veprimet tona të përgjegjshme në kuadër të idealeve të përbashkëta”, tha në fund kryeministri Kurti.

    Në këtë vizitë për ngushëllime, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe deputetët e Kuvendit, Avni Dehari, Enver Dugolli, Shqipe Selimi, Gani Krasniqi dhe Hydajet Hyseni.

  • MKRS bën kategorizimin e federatave sportive, FFK e FBK bien në kategorinë B

    MKRS bën kategorizimin e federatave sportive, FFK e FBK bien në kategorinë B

    Përmes një komunikate, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka zhvilluar për herë të parë procesin e kategorizimit të federatave sportive.

    Tashmë janë publikuar rezultatet preliminare, ku vërehet rënia e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), raporton KosovaPress.

    FFK dhe FBK kanë rënë nga kategoria A në kategorinë B, kurse vendin e tyre e kanë zënë Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) dhe Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK).

    Vendin e parë në këtë kategorizim e zë Federata e Xhudos e Kosovës me 113.57 pikë të tubuara.

    Ndërkaq, më poshtë mund ta gjeni kategorizimin e plotë të federatave sportive nga MKRS.

  • ​Bullgaria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në bujqësi e zhvillim rural

    ​Bullgaria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në bujqësi e zhvillim rural

    Këshilli i Ministrave miratoi projekt-memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet ministrive të Bujqësisë së Bullgarisë dhe Kosovës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

    Vitet e fundit ka pasur një dëshirë të përbashkët mes dy institucioneve për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

    Nënshkrimi i këtij memorandumi do të krijojë një kuadër ligjor për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ushqimit, blegtorisë, prodhimit bimor, vreshtarisë, zhvillimit rural, kërkimit dhe peshkimit.

    Objektivi kryesor i përfundimit të memorandumit është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, përmes shkëmbimit të informacionit, transferimit të ekspertizës dhe trajnimeve, futjes së teknologjive të reja në kultura, blegtori, peshkim dhe akuakulturë, bashkëpunim teknik dhe administrativ. /BTA

  • ​Gjermania paralajmëron sulmin rus ndaj NATO-s brenda “5-8 vjetësh”

    ​Gjermania paralajmëron sulmin rus ndaj NATO-s brenda “5-8 vjetësh”

    Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius të premten paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të sulmojë një vend të NATO-s “brenda 5-8 vjetësh”.

    “Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë … kështu që duhet të marrim parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s një ditë,” tha Pistorius në një intervistë për gazetën me seli në Berlin, Der Tagesspiegel.

    Ndërsa një sulm rus nuk ka të ngjarë “për momentin”, ministri shtoi: “Ekspertët tanë presin një periudhë prej pesë deri në tetë vjet në të cilën kjo mund të jetë e mundur”.

    Vërejtjet nga Pistorius përkojnë me paralajmërimet e ministrit suedez të Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin, i cili tha se “lufta mund të vijë në Suedi”.

    Pistorius tha për Der Tagesspiegel se paralajmërimet suedeze ishin “të kuptueshme nga një perspektivë skandinave”, duke shtuar se Suedia u përball me “një situatë edhe më serioze”, duke pasur parasysh afërsinë e saj me Rusinë.

    Suedia gjithashtu nuk është ende anëtare e aleancës së NATO-s, në pritje të miratimit nga Turqia dhe Hungaria.

    “Por ne gjithashtu duhet të mësojmë të jetojmë përsëri me rrezik dhe të përgatitemi – ushtarakisht, shoqërisht dhe në aspektin e mbrojtjes civile,” theksoi Pistorius.

    Të martën, e përditshmja gjermane Bild raportoi se qeveria gjermane po përgatit një plan sekret për agresion të mundshëm rus ndaj NATO-s, duke thënë më tej se Ministria e Mbrojtjes po përgatitet për një luftë të mundshme gjithëpërfshirëse evropiane në të ardhmen e afërt.

    Sipas Bild, i cili ka parë planet, “skenari i stërvitjes” i skicuar nga qeveria gjermane parashikon një grumbullim të ardhshëm të trupave ruse në Bjellorusi dhe enklavën Kaliningrad, territori më perëndimor i Rusisë, duke ushtruar presion mbi kufirin e Polonisë.

    Në përgjigje të këtij kërcënimi në rritje, plani parashikon që NATO do të vendosë trupat e saj në Evropën Lindore, duke rritur tensionet në rajon. /AA

  • ​Gjithçka që duhet të dini për Superkupën e Kosovës

    ​Gjithçka që duhet të dini për Superkupën e Kosovës

    Dita e nesërme, e shtune e 19 janarit, e sjell përballjen mes Ballkanit dhe Prishtinës për trofeun e Superkupës së Kosovës.

    Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 11:00 në “Mardan Palace Stadium” të Aksus të Antalisë në Turqi, raporton KosovaPress.

    Të dy skuadrat tash e disa ditë po kryejnë përgatitjet në Turqi, dhe pritet që nesër të tregojnë lojë të bukur, me qëllimin e vetëm te trofeu.

    Sot u bë tërheqja e shortit për skuadrën e cila do të jetë në rolin e vendasit, ku Ballkani do ta ketë këtë epitet dhe do të paraqitet me fanellat vendase, kurse Prishtina do të dalë në fushë me fanellat mysafire.

    Kjo ndeshje i paraprinë stinorit pranveror në futbollin kosovar, që nis në fillim të muajit të ardhshëm.