ATV

Blog

  • Ndërprerje të energjisë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës pas reshjeve të borës

    Ndërprerje të energjisë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës pas reshjeve të borës

    Disa dalje në rajonin e Gjakovës dhe Pejës, janë jashtë funksionit pas reshjeve të borës dhe erërave të forta.

    KEDS ka njoftuar se paralajmërimet e djeshme për përkeqësim të motit përgjatë natës dhe ditës së sotme, kanë mobilizuar ekipet e KEDS-it, kryesisht në zonat më të afektuara në rajonin e Gjakovës dhe Pejës.

    “Në rajonet e afektuara nga reshjet e borës dhe erërat e forta, disa Dalje janë jashtë funksionit. KEDS ka angazhuar ekipe shtesë me qëllim të rikthimit në funksion të tyre. KEDS informon të gjithë konsumatorët e afektuar se po punohet intensivisht deri në rikthimin në funksion të energjisë elektrike tek të gjithë konsumatorët, për çka kërkon mirëkuptimin e tyre”, thuhet në njoftim.

  • Gashi: Vajzës së lënduar nga rënia e kulmit të komunës i takon kompensimi ligjor, përgjegjësit të marrin dënimet e merituara

    Gashi: Vajzës së lënduar nga rënia e kulmit të komunës i takon kompensimi ligjor, përgjegjësit të marrin dënimet e merituara

    Rënia e një pjese të objektit komunal të Prishtinës këtë enjte lëndoi rëndë një vajzë 24 vjeçare.

    Në rrethinën e këtij objekti, në lagjen Arbëria po ashtu u zënë edhe tri vetura të cilat ishin duke qarkulluar në atë pjesë.

    Avokati dhe eksperti i çështjeve ligjore, Tomë Gashi në intervistën e dhënë për Ekonomia Online ka deklaruar se kjo çështje duhet hetuar nga prokuroria e shtetit.

    “Duke pasur parasysh se një vajzë e re, Elza Ujkani ka pësuar lëndime relativisht të rënda dhe është duke u trajtuar në QKUK, kjo pas lirimit duhet të angazhoj një avokat e të kërkoj kompensim të dëmit nga komuna e Prishtinës. Ndërsa detyrë e kanë policia dhe prokuroria e shtetit që të hapin hetime lidhur me arsyet e kësaj ngjarje të rëndë që kanë ndodhur, si është e mundur që nga një vlerë aq e madhe të ketë një ndërtim aq të dobët.”- ka thënë Gashi.

    Tutje, ai ka thënë se objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe si duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk ka pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë.

    “Situata është jashtëzakonisht e rëndë duke qenë se sa kam informata objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk kemi pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë kështu që rënia e objektit ka qenë si shkak i punimeve jo kualitative”, shtoi Gashi.
    Lidhur me lëndimet që ka marrë 24 vjeçarja, Gashi ka deklaruar se kompensim duhet marrë edhe në bazë të dëmeve fizike e psiçike që iu shkaktuan edhe personave tjerë, e në veçanti familjes së saj.

    “Sa i përket kompensimit të dëmit secili që ka pësuar dëme ka të drejtë të kërkoj kompensim në gjykatën themelore dhe dëmshpërblimi duhet të jetë në kuadër të rrezikimit të jetës, fillimisht dhe pastaj dëmeve tjera fizike e psiçike që i ka shkaktuar vet Elzes dhe persona tjerë e sidomos familjarët kur kanë dëgjuar lajmin se është rrezikuar vet jeta e saj”.

    Fajin për këtë dëm, Gashi ua lë atyre që pranuan teknisht ndërtimin e objektit pa i mbushur kriteret e kërkuara.

    “Duhet të iniciohet procedura penale sepse ne nuk mund ta dimë se kujt i takon përgjegjësia kryesore, megjithatë besoj se përgjegjësia më e madhe është ajo humane e vet atyre që kanë ndërtuar këtë objekt e ende më e madhe është e atyre që pranuan teknisht, nëse dikush përmes komisioneve e ka bërë pranimin e këtij plani pa i plotësuar kushtet e rregullat sipas planit që ka qenë për ndërtimin e këtij objektit”- tha ai.

    Gashi po ashtu tha se duhet të paraqiten kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendjes së komunës apo edhe institucioneve tjera private.

    “Nuk duhet të jemi neglizhent dhe duhet të paraqesim kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendje që komuna apo edhe institucionet private të kryejnë punë kualitative dhe jo që me shuma marramendëse të paguhen e këto e pastaj të bien e të rrezikohen jeta e qytetarëve të pafajshëm të cilët shkojnë në komunë për të rregulluar dokumente ose janë gjendur thjeshtë në rrethinën përkatës e sidomos kur ka një numër të madh banorësh atje e ka lokale të cila frekuentohen nga qytetarë të ndryshëm”

    Gashi tha se kujdes të madh duhet të ketë edhe në planet e renovimeve.

    “Nëse bëhet një renovim duhet bërë në bazë të kushteve teknike qe japin inxhinierët e jo që në letër të duken si ndërtime si të bëra në Zvicër, Gjermani apo Amerikë e këndej kualiteti është jashtë çdo standarti ballkanik e lëre më jashtë çdo standarti tokësore duke pasur çmimet marramendëse”.

    “Të mos harrojmë: kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës është renovuar para pak muajsh dhe ka kushtuar 386 mijë euro. Një vajzë është lënduar rëndë, kur kulmi u rrëzua dje. Askush s’ka dhënë dorëheqje, askush s’është arrestuar. A jep kush përgjegjësi?”, ka shtuar Gashi.

  • Minstri Peci pjesë e margjinatit të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi,prezanton politikat bujqësore të Kosovës

    Minstri Peci pjesë e margjinatit të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi,prezanton politikat bujqësore të Kosovës

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në margjinat e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), që po mbahet në Berlin, ka zhvilluar gjatë ditës një takim zyrtar me homologun e tij nga Lituania, Ministrin Kęstutis Navickas, me të cilin kanë bashkëbiseduar rreth sukseseve dhe sfidave në sektorin e bujqësisë dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, shkruan EkonomiaOnline.

    Gjatë këtij takimi, Ministri Peci e ka njoftuar atë me politikat zhvillimore që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit, që qëllim kanë avancimin e mëtejmë të sektorit bujqësor sipas standardeve evropiane.

    “Ministrit Navickas i tregova rreth hapave të ndërmarrë karshi mbështetjes së fermerëve dhe sigurisë ushqimore si dhe për koordinimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian, me qëllim të akreditimit në IPARD”, ka thënë Ministri Peci.

    Gjatë ditës, në kuadër të GFFA në bashkëpunim me SWG është organizuar edhe takimi ndërministror mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i udhëhequr nga Ministri Cem Ozdemir, ku në kuadër të këtij takimi është diskutuar gjatë për rëndësinë e përfshirjes në Procesin e Berlinit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme agro-ushqimore.

    Gjatë fjalimit të tij në këtë takim, Ministri Peci thuhet se ka theksuar hapat e ndërmarrë përgjatë Qeverisjes në këto vite, si dhe angazhimin serioz drejt akreditimit dhe qasjes në fondet IPA.

  • Armë dhe lëndë narkotike në Prizren, dy të arrestuar

    Armë dhe lëndë narkotike në Prizren, dy të arrestuar

    Dy persona janë arrestuar në Prizren, pasi që gjatë kontrollit të veturës janë gjetur substanca narkotike.

    Policia njoftoi se po ashtu gjatë kontrollit në veturë dhe në shtëpinë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar 7.66 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 9.46 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 26.19 gram substancë narkotike hashash, një pushkë gjysmë automatike, dy pistoleta, një palë dylbi, dy shufra, një sprej, një antiplumb, një karikator, një telefon mobil dhe 346 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Reshjet e borës, Rama: Po pastrojmë rrugët e kryeqytetit që qarkullimi të mos jetë i vështirësuar

    Reshjet e borës, Rama: Po pastrojmë rrugët e kryeqytetit që qarkullimi të mos jetë i vështirësuar

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për shkak të reshjeve të borës, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtje e rrugëve gjatë gjithë kohës janë në terren duke pastruar rrugët.

    Në një postim në Facebook, i pari i Prishtinës ka thënë se të gjitha ekipet bashkë me zjarrfikësit po kujdesen që qarkullimi mos të jetë i vështirësuar.

    Ai ka bërë apel që qytetarët të kenë kujdes gjatë vozitjes.

    “Bora ka mbuluar Prishtinën tonë dhe ne po mirëmbajmë rrugët e kryeqytetit. Kompanitë gjatë gjithë kohës janë në terren, të gjitha ekipet tona bashkë me zjarrfikësit po kujdesen që qarkullimi mos të jetë i vështirësuar. Ju lutem të keni kujdes dhe të ndiqni rregullat gjatë vozitjes në këtë periudhë të vështirë me borë, duke pasur parasysh se po bie vazhdimisht”, ka shkruar Rama.

  • Aksidenti i rëndë në Shqipëri, pas të riut nga Lipjani ndërron jetë edhe 42-vjeçari kosovar

    Aksidenti i rëndë në Shqipëri, pas të riut nga Lipjani ndërron jetë edhe 42-vjeçari kosovar

    Pas aksidentit ditë më parë, ku një vdiq një person nga Kosova edhe një person tjetër ka humbur jetën në Shqipëri.

    Lajmi për vdekjen e kanë bërë të ditur familjarët.

    “Të nderuar familjarë, miq e dashamirë, me dhembje të madhe dhe pikëllim të thellë ju njoftojmë se me datë 20.01.2024 në moshen 42 vjeqar ka ndërruar jetë D.K pas aksidentit që bëri me 15.01.2024 në Shqiperi “, shkruan në njoftimin mortor.

  • Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen

    Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, ku ka thënë se Banjska ndryshoi gjithçka.

    Rohde ka thënë se ai vetë as nuk e ka imagjinuar se do të ndodhte diçka e tillë, derisa ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen.

    “Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiq tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë për Kosovo Online.

    Ambasadori gjerman ka bërë me dije se Gjermania do ta shtojë praninë e saj në Kosovë me një kontigjent nga maji.

    “Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen”, ka deklaruar Rohde.

  • 13 të vdekur pas zjarrit në konviktin e një shkolle në Kinë

    13 të vdekur pas zjarrit në konviktin e një shkolle në Kinë

    3 persona kanë vdekur pas zjarrit që shpërtheu në konviktin e një shkolle në Kinën qendrore.

    Kështu ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

    Siç raporton BBC, zjarri vdekjeprurës ndodhi të premten në mbrëmje në një shkollë për fëmijë të vegjël në fshatin Yanshanpu.

    Drejtori i shkollës është arrestuar dhe një hetim është duke u zhvilluar.

    Ndërkaq një person që ka mbetur i lënduar po trajtohet në spital dhe ndodhet në gjendje stabile.

  • Sadiku: Stafi shëndetësor i mbingarkuar shkaku i viruseve, për dy javë 61 mijë vizita në QMF-të e Prishtinës

    Sadiku: Stafi shëndetësor i mbingarkuar shkaku i viruseve, për dy javë 61 mijë vizita në QMF-të e Prishtinës

    Rreth 61 mijë vizita të pacientëve me grip sezonal kanë frekuentuar Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

    Sipas Sadikut, në Kosovë qarkullojnë tri lloje të gripave dhe se i pranishëm ende është Covid-19.

    Sadiku ka thënë se për dy javë të janarit, QMF-të në Kryeqytet kanë dhënë 200 mijë shërbime, një rritje e madhe krahasuar me dhjetorin.

    “Kemi një numër shumë të madh një fluks ju edini që edhe në javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur me rekomandim të IKShPK-së si gjendje epidemisë së gripit në Kosovë dhe realisht sipas informatave në Kosovë janë duke qarkulluar tre virus, virusi i gripit, pastaj Covid-19 dhe virusi që njihet në popull si virusi gripi derrave dhe kemi pasur tre virus që qarkullojnë nëpër opinion dhe kjo ka ndikuar që me u rrit fluksi i pacientëve dhe kërkesa e tyre për shërbime mjekësore”, ka deklaruar Sadiku.

    E shkak i numrit të madh të pacientëve, Sadiku thotë se edhe stafi është i mbingarkuar, shkaku i numrit të vogël të punëtorëve shëndetësor.

    “Po ju tregoj që vetëm për 14 ditë kemi pasur në kryeqytet 61 mijë vizita ose dikun rreth 200 mijë shërbime mjekësorë për 14 ditë që ika ra vetëm që e krahasojmë me dhjetorin dikund 15 për qind më shumë  se në dhjetor kemi pasur kërkesa që bie që kemi një fluks të rritur të pacientëve të cilët janë shumica e tyre janë si pasojë e paraqitjes së epidemisë së gripit dhe këtu ka ndiku që stafi ynë me u ngarku dhe ju e dini që fatkeqësisht Prishtina është e pranueshme. Një sekret publik është kjo që Prishtina ka numër të vogël të punëtoreve shëndetësor numri i punëtorëve shëndetësor është i njëjtë prej vitit 2000, prandaj ne e dimë sa ka ndryshuar numri i banoreve në Prishtinë dhe ky staf që është sot në Prishtinë bazohet në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011”, u shpreh Sadiku.

    E lajm të mirë Sadiku e konsideron projektin për regjistrimin e pacientëve për mjek familjar. Ai ka ftuar qytetarët që të regjistrohen, në të kundërtën nuk do të mund të marrin shërbime mjekësore.

    “Ministria e Shëndetësisë në këtë vite e ka filluar një projekt pilotim  për regjistrimin e pacientit për mjek familjar. Në Prishtinë është duke ndodh në dy lagje, në Dardani dhe Breg Diellit dhe po ftojë përmes jush qytetarët që me u regjistru me caktu mjekun familjar për arsye se nëse nuk e caktojnë mjekun  familjar nuk kanë më mujt me marr shërbime. Prandaj qytetarët që janë jorezident në Prishtinë që jetojnë në Prishtinë po e kanë një vendbanim dikun tjetër por krejt shërbimet i marrin në Prishtinë e kanë momentin që me u regjistrua si banorë të Prishtinës, nëse dëshirojnë që të ardhmen me marr shërbime mjekësorë në Prishtinë”, deklaroi ai.

    E shkak i daljes së stafit në pension, Komuna e Prishtinës ka arritur që t’i punësojë 30 punëtorë shëndetësor, gjysma mjekë e gjysma tjetër infermierë.

    “Nuk është shtuar asnjëherë numri prej vitit 2000. E ka të njëjtin staf, ne krejt çka po mundohemi me bë tani është që do ta kemi një konkurs për pranim të stafit të ri në bazë të asaj sa janë dal në pension. Ne kemi një numër të stafit që pensionohet gjatë vitit dhe ky numër që është pensionua të vitit 2023 është hapur një konkurs dhe kemi marrë 15 mjekë të rinj dhe kemi marrë rreth 15 infermierë”, theksoi Sadiku.

  • ​Interesimi për pasaporta, për 10 ditë aplikuan 39 mijë qytetarë

    ​Interesimi për pasaporta, për 10 ditë aplikuan 39 mijë qytetarë

    Afër 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës që nga 3 janari e deri tash. Ky numër po konsiderohet mjaft i madh në Agjencinë për Regjistrim Civil, ku thonë se po punojnë në kushte të jashtëzakonshme e ku do të kalojë më shumë se 30 ditë, derisa qytetari të pajiset me pasaportë.

    Në Agjencinë për Regjistrim Civil, thonë se vonesa për më shumë se një muaj për t’u pajisur me pasaportë, po ndodh për shkak se prodhimi nuk po mundet të zë hapin e aplikimeve.

    Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, ka thënë se i kanë ngritur të gjitha kapacitetet për të pajisur qytetarët me pasaporta, për shkak se janë në gjendje të jashtëzakonshme.

    “Saktësisht i kemi 38.708 qytetarë që kanë aplikuar për pasaporta që nga 3 janar 2024, deri më dje, kështu po e shohim që është një numër shumë i madhe, kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha. Ne i kemi ngrit të gjitha kapacitetet për t’i pajisur qytetarët me pasaporta, por prodhimi nuk mundet të zë sa është numri i qytetarëve që janë duke aplikuar për pasaporta, në këtë situatë jemi në gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.

    Camaj u shpreh se qytetarët duhet të presin 30 ditë që të marrin pasaportat, pasi që janë në situatë të jashtëzakonshme nga fluksi i madh i aplikimeve.

    “Që t’i njoftojmë qytetarët dhe t’i garantojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka pasaporta të mjaftueshme dhe iu garantojmë se ne jemi të furnizuar dhe kemi kontratë për 3 vite, kështu që qytetarët duhet të ndjehen të lirë sepse ne kemi pasaporta të mjaftueshme por duhet të presin radhën deri sa të prodhojmë pasaportat dhe të pajisen me to…..Realisht me kushte normale është 15 ditë afati ligjor por në kushte të jashtëzakonshme siç jemi tani, sigurisht që do të kaloj edhe 30 ditëshe dhe nuk do kemi mundësi që t’i pajisim me pasaporta, sepse prodhimi nuk po mundet të zë hapin e aplikimeve”, shtoi ai.

    Sipas tij, edhe qytetarët serbë janë duke aplikuar për pasaporta të Republikës të Kosovës.

    “Edhe qytetarët serbë që kur kemi filluar me liberalizimin e vizave, kërkesat janë në rritje dhe në komunat veriore, gjithashtu edhe në komunat jugore, të cilat janë me shumicë serbe, qytetarët serbë vetëm janë duke aplikuar, është numri në rritje për pajisjen me pasaporta …. Në vitin e kaluar kanë qenë 22 mijë deri në 24 mijë mesatarja mujore, ndërsa në muajin dhjetore të viti të kaluar janë 36.665 që kanë aplikuar qytetarët vetëm në muajin dhjetore… Mirëpo nëse e llogaritim muajin janar 2024 me janarin e viti 2023, numri është më shumë se i dyfishuar, vetëm në dhjetë ditë pune kanë aplikuar për pasaporta rreth 38 mijë qytetarë”, përfundoj ai.

    Përndryshe, zyrtarë në Aeroportin e Prishtinës, kanë njoftuar se nga data 1-15 janar 2024, nga 1-15 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023.

    “Kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhëtarë më shumë”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit.

    Kurse, drejtuesit e institucioneve po mundohen të mohojnë daljen e qytetarëve të Kosovës në vende të ndryshme pas liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka shkruar se sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më 19 janar, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë.

    “Për të dëshmuar se nuk bëhet fjalë për “ikje masive” por me raportime dezinformuese nga disa mediume të papërgjegjshme, për të njëjtën periudhë kohore, në vitin që lamë pas kanë hyrë 3511 autobusë ndërsa kanë dalur nga pikat kufitare 3731 autobusë. Pra, 35% më pak autobusë kanë dalur këtë vit pas liberalizimit të vizave sesa në vitin e kaluar”, ka shkruar ai.