ATV

Blog

  • Ky është i riu nga Podujeva që vdiq pasi u rrah brutalisht nga dy persona para disa ditësh

    Ky është i riu nga Podujeva që vdiq pasi u rrah brutalisht nga dy persona para disa ditësh

    Ka vdekur i riu nga Podujeva, pasi u rrah brutalisht para disa ditësh në rrugën “Drenica” në Podujevë.

    Bëhet fjalë për Lulzim Fejzullahun, 18-vjeçar. Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët.

    Sipas familjarëve, i njëjti ishte goditur me veturë, e më pas ishte sulmuar me mjete të forta, duke i shkaktuar tashmë plagë vdekjeprurëse.

    Ditë më parë Policia ka thënë se për këtë rast janë arrestuar dy persona.

  • Ekspertja amerikane: Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, radhën e ka Ballkani

    Ekspertja amerikane: Nëse nuk e ndalojmë Rusinë, radhën e ka Ballkani

    Ekspertja amerikane e sigurisë, Ivana Stradner, ka komentuar fjalimin e presidentit amerikan, Joe Biden, të mbajtur dje në Shtëpinë e Bardhë e ku flet për agresionin rus në Ukrainë dhe shtron pyetjen se çfarë mund të ndodh nëse Amerika largohet dhe Putin mposht Zelenskyn.

    Stradner ka thënë se për një kohë të gjatë ka paralajmëruar për rrezikun e një lufte në Ballkan dhe se më në fund SHBA-ja ka hapur sytë.

    Ajo ka thënë se nëse SHBA-ja nuk e ndalë Rusinë, radha është për Ballkanin, meqë Rusia kërkon një front të dytë në Evropë.

    “Unë kam paralajmëruar për një luftë në Ballkan për një kohë të gjatë dhe më në fund SHBA ka hapur sytë. Nëse nuk ndalojmë Rusinë, Ballkani është i radhës. Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë”, ka shkruar ajo.

  • Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

    Gjermania: Në pranverë dërgojmë forcat shtesë në Kosovë për shkak të përkeqësimit të sigurisë

    “Bundeswheri” gjerman përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se si rezultat i përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, Gjermania do ta rris numrin e forcave të saj që janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Ky kontingjent gjerman i këmbësorisë do të zbarkojë në Kosovë në pranverë.

    “Bundeswheri bën një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Gjermania është shteti i parë që do të rris përkushtimin duke dërguar forca shtesë këmbësorie”, thuhet në njoftim e Bundesëher.

    Nga 80 ushtarë gjermanë sa janë aktualisht në Kosovë në kuadër të KFOR-it, numri i tyre do të shkojë në 300 së bashku me stafin mbështetës.

    Për këtë çështje ka folur edhe Gjenerali gjerman Bernd Schutt, duke thënë se trupat shtesë gjermane do të zbarkojnë në Kosovë në pranverë.

    “Në pranverë do të dërgojmë një kompani shtesë këmbësorie në veprim,” ka thënë gjenerallejtënant Schutt.

    Duke dhënë detaje për forcat shtesë që do të vijnë në Kosovë, Schut ka thënë se ata do të bëjnë patrullime, detyra të sigurisë dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe de-përshkallëzim në rast të trazirave dhe protestave.

    “Portofoli i tyre i detyrave përfshin patrullimet, detyrat e sigurisë dhe, nëse është e nevojshme, de-përshkallëzimin gjatë protestave dhe trazirave,” shpjegoi gjenerallejtënant Schütt.

    Bundesëher njofton se shtimi i trupave gjermane në Kosovë në selinë e KFOR-it është pritur tepër mirë.

  • Ulutas mirëpret shtimin e forcave gjermane në Kosovë: KFOR i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

    Ulutas mirëpret shtimin e forcave gjermane në Kosovë: KFOR i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide

    Komandanti aktual i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka mirëpritur vendimin e Gjermanisë për rritjen e numrit të forcave në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

    Ai ka thënë se njoftime të tilla tregojnë vendosmërinë e shteteve aleate për t’u siguruar që KFOR-i ka kapacitetet e nevojshme për të përmbushur mandatin e saj.

    Ulutas ka thënë se KFOR do të vazhdojë të përpiqet për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe se misioni ushtarak është i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo sfide.

    “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, ka thënë Ulutas.

  • Rreth 300 kërkesa aktuale të kosovarëve për azil në vendet e BE-së

    Rreth 300 kërkesa aktuale të kosovarëve për azil në vendet e BE-së

    Shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në raport me shtetasit e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

    Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin, publikuar të premten, shqiptarët paraqitën vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2023 rreth 892 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

    Shqiptarët pasohen nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 711 aplikime, shtetasit nga Serbia që kishin paraqitur 507 kërkesa, nga Kosova me 281 kërkesa, nga Bosnja me 127 kërkesa dhe nga Mali i Zi me 30 kërkesa për azil.

    Sipas raportit prirja e të gjithë shtetasve nga Ballkani është të kërkojnë azil në tre vende të Bashkimit Evropian: Francë, Gjermani dhe Itali. Shqiptarët kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për azil që mbeten në pritje në vendet e e Bashkimit Evropian për t’u shqyrtuar.

    Kështu sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për Azilin, 3278 shtetas shqiptarë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil, ndërkohë që nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut janë 2146 kërkesa, nga Serbia janë 1250 kërkesa, nga Kosova 966 kërkesa, nga Bosnjë Hercegovina 540 dhe Mali i Zi janë 118 kërkesa.

    Të gjitha kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor të shqyrtuara në vendet e Bashkimit Evropian kanë një nivel tejet të ulët të pranimit.

    Kështu, sipas raportit, shqiptarët kanë vetëm 0,55 % të kërkesave të shqyrtuara që janë pranuar ndërsa asnjë nga vendet ballkanike nuk e kalon 1% të kërkesave të pranuara për azil. Agjencia evropiane për Azilin tha se në nëntor vendet e Bashkimit Evropian morën 118 mijë kërkesa për azil.

    Ndërsa për periudhën nga janari deri në nëntor të vitit 2023 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Europian shkuan në mbi 1 milionë, një nivel që kujton sipas Agjencisë europiane për Azilin krizën e refugjatëve të viteve 2015-2016.

    Në nëntor të vitit 2023 Gjermania ruajti pozicionin e saj si destinacioni kryesor për azilkërkuesit në vendet e Bashkimit Evropian, duke marrë gati një të tretën e gjithë kërkesave për azil që u paraqitën në vendet e Bashkimit Evropian./VOA

  • ​Prishtina fiton Superkupën e Kosovës në futboll

    ​Prishtina fiton Superkupën e Kosovës në futboll

    Futbollistët e Prishtinës kanë fituar për herë të 11-të Superkupën e Kosovës pasi në ndeshjen në Antalia të Turqisë mposhtën skuadrën e Ballkanit me rezultat 2:1.

    Prishtina zhbllokoi shifrat në minutën e nëntë, kur qendërmbrojtësi Sinani shënoi gol të bukur me gjuajtje të saktë nga zona.

    Me të filluar pjesa e dytë prishtinasit shtuan epërsinë, pas një aksioni të shkëlqyer, kur sulmuesi Kryeziu shënoi me kokë nga afërsia, pas harkimit të Kreshnik Ukës.

    Pas këtij disavantazhi trajneri i Ballkanit, Ilir Daja reagoi me disa zëvendësime, duke përfshirë edhe sulmuesin Krenar Dulaj. E pikërisht ky futbollist shënoi gol në minutën e 79-të, duke ngushtuar rezultatin në 2:1 dhe duke i dhënë shpresa skuadrës së tij për rikthim.

    Megjithatë, në minutat e mbetura përkundër disa rasteve ekipi nga Suhareka nuk arritën të gjejnë golin e barazimit.

  • ​Boris Johnson pretendon se bota do të ishte ‘më e qëndrueshme’ me Donald Trumpin

    ​Boris Johnson pretendon se bota do të ishte ‘më e qëndrueshme’ me Donald Trumpin

    Boris Johnson ka mbështetur Donald Trump për presidencën amerikane, duke pretenduar se ai do të befasojë kritikët e tij dhe do të mbështesë Ukrainën, duke e bërë “Perëndimin më të fortë” dhe “botën më të qëndrueshme”.

    Të hënën, ish-presidenti fitoi grupin parlamentar të Iowa-s, eventi i parë në rrugën drejt nominimit të kandidatëve, me 51% të votave.

    Në rubrikën e tij për Daily Mail, për të cilën thuhet se po paguhet deri në 1 milion paund në vit, Johnson tha se është i bindur se Trump do të vazhdojë të armatosë Ukrainën.

    Trump nuk ka arritur të angazhohet për dërgimin e armëve në vend dhe vazhdimisht ka shprehur admirim për Vladimir Putin.

    Në një intervistë të fundit, ai shprehu shqetësimin “ne po japim kaq shumë pajisje… nuk kemi municion për vete”.

    Por Johnson shkroi: “Unë thjesht nuk mund të besoj se Trump do t’i lë në baltë ukrainasit; përkundrazi, pasi e ka kuptuar, siç e ka bërë me siguri, se nuk ka asnjë marrëveshje për t’u bërë me Putinin, mendoj se ka një shans të mirë që ai do të përfundojë atë që filloi – duke u dhënë atyre atë që u nevojitet për të fituar.”

    Ai shtoi: “Nëse është kështu, atëherë ka të gjitha shanset, nën Trump, që Perëndimi të jetë më i fortë dhe bota më e qëndrueshme”. /Sky News/

  • Hekurudha që pritet ta lidhë Shqipërinë me Kosovën do i kushtojë 700 milionë qeverisë së Edi Ramës

    Hekurudha që pritet ta lidhë Shqipërinë me Kosovën do i kushtojë 700 milionë qeverisë së Edi Ramës

    Ndërtimi i linjës së re hekurudhore Shqipëri – Kosovë, ku një pjesë e rëndësishme e saj do të kalojë nga Shkodra, pritet ta rikthejë këtë qytet në një qendër të rëndësishme rajonale, në aspektin ekonomik dhe turistik.

    Për të diskutuar nga afër detajet e këtij investimi madhor, në bashkinë e Shkodrës, u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të dy shteteve, Benet Beci, kryetar i bashkisë Shkodër dhe Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës në Kosovë.

    Liburn Aliu, thotë se kjo linjë hekurudhore do të prekë drejtpërdrejtë ekonominë e dy vendeve prandaj investimi është prioritet nga dy qeveritë.

    Hekurudha Shqipëri – Kosovë përllogaritet të ketë një kosto prej 700 milion euro, ndërkohë që kalimi i kësaj linje nga Shkodra, ka qenë një nga temat e dakordësuara nga dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ky aks pritet të kalojë nga lugina e Drinit duke i shtuar vlerat dhe kapacitet turizmit në veri të vendit./topchannel

  • Deputeti i LV-së: Jemi të gatshëm për zgjedhje, partitë opozitare po bëjnë garë mes veti për vendin e dytë

    Deputeti i LV-së: Jemi të gatshëm për zgjedhje, partitë opozitare po bëjnë garë mes veti për vendin e dytë

    Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të shënojnë rezultat më të lart sesa në zgjedhjet e vitit 2021. Në partinë në pushtet, thonë se janë të gatshëm për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme gjatë këtij viti, apo të rregullta në fillim të vitit 2025. Sipas tyre, mandati i dytë i qeverisë Kurti, do të jetë i përmbylljes së shumë reformave dhe proceseve të nisura në mandatin e parë.

    Deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi, thotë se bazuar në punën e bërë gjatë këtyre tri viteve, vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve dhe lehtësirave për votimin e mërgatës në ambasada, do të tejkalojnë 50 për qind në zgjedhjet e ardhshme.

    “Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta në kalendarin e rregullt ligjor. Nëse zgjedhjet e parakohshme paraqiten dhe krijohen në rrethana të tilla, ne padyshim jemi të gatshëm… Vetëvendosje shkon në këto zgjedhje e përgatitur dhe gatshme dhe bindur se si rrjedhojë e punës që ka bërë gjatë këtij mandati dhe vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve, por edhe si rrjedhojë e lehtësirave që kemi bërë për mërgatën përmes Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, konsiderojmë se do të shënojmë rezultat edhe më të lartë sesa kemi shënuar më 14 shkurt 2021. Mandati i dytë duhet të jetë përveç i përmbylljes së shumë reformave dhe proceseve të nisura në mandatin e parë, duhet të jetë një mandat i zhvillimit të një niveli tjetër për të kaluar Kosova në një nivel krejtësisht tjetër të zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe sundimit të ligjit”, thotë ai.

    Sipas tij, partitë opozitare po bëjnë garë mes veti për vendin e dytë dhe për të tejkaluar sfidën e pragut elektoral.

    “Ka një garë vërtet në kampin opozitar, ato po shtyhen me njëra-tjetrën dhe krejt ky diskutimi dhe diskursi për zgjedhje në fakt është një lloj përballje e partive opozitare me njëra-tjetrën, natyrisht duke goditur Vetëvendosje në mes. Partitë politike opozitare duke qenë të bindura se s’kanë asnjë gjasë për të fituar zgjedhjet, ata po shtyhen për ranglistën mes tyre. Atyre po iu intereson se cila prej tyre do të jetë e para në mesin e partive opozitare dhe e dyta në skenën politike. Po ashtu kanë edhe vlerësimet e tyre sesi duhet tejkaluar sfidën e pragut elektoral”, thekson Rrustemi.

    Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa nënshkrim të marrëveshjes të Brukselit dhe Ohrit, s’mund të ketë zbatim.

    “Për Qeverinë e Kosovës, zbatimi dhe përmbushja e marrëveshjes së Brukselit në këtë fazë, nënkupton njohjen reciproke de-facto të njëra-tjetrës dhe kjo do të ishte një sinjal i vet Serbisë për kapërcimin e mohimit të shtetit të Kosovës ka ana e saj… Nuk mund të ketë zbatim pa nënshkrim, pasi nënshkrimi nënkupton pranim, nënkupton edhe marrje e përgjegjësisë për të zbatuar. Por përtej kësaj nënshkrimi i një marrëveshje ndërkombëtare mes dy palëve është gjëja më normale dhe është një shenjë e mirëbesimit se palët janë të gatshme dhe interesuara për të zgjidhur problemet dhe normalizuar raportet. Refuzimi i Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen është shprehje e qartë se është vazhdim i refuzimit për të njohur realitetin dhe shtetin e Kosovës”, shton deputeti i mazhorancës.

    Krahas kësaj, deputeti i partisë në pushtet e sheh si inkurajuese nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

    “Ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për largimin e (kryetarëve në veri), kërkohet 20 për qind të votuesve të regjistruar të atyre komunave, pastaj është faza e dytë që është votimi për largimin e kryetarëve, e që duhet të marrin pjesë 50 për qind plus një të votuesve të tërësishëm të asaj komune për të larguar kryetarët, e më pastaj që të kalohet në fazën e tretë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme…Ne inkurajojmë mbledhjen e nënshkrimeve, është veprim qytetarë dhe demokratik. Në secilin komunë qytetarët mund të ndërmarrin iniciativën për të kërkuar largimin e kryetarit të komunës”, thotë Rrustemi.

    Ndërkaq, Rrustemi, deklaron se pranimi i targave RKS nga Serbia, si dhe zbatimi i marrëveshjes për energji, nuk është qasje konstruktive nga Serbia, por pranim i realitetit në teren pas insistimit të Qeverisë së Kosovës.

  • Pritej të përfundohej më 2023: Autostrada Prishtinë-Gjilan kantier ndërtimi me gropa e lloç

    Pritej të përfundohej më 2023: Autostrada Prishtinë-Gjilan kantier ndërtimi me gropa e lloç

    Shumë pak makineri dhe punëtorë u panë duke punuar në atë që njihet si “Autostrada Prishtinë-Gjilan”, më 17 janar.

    Ndërtimi nisi para gjashtë vjetësh, por punët në terren duket se po shkojnë shumë ngadalë. I gjithë projekti pritej të përfundohej në fund të vitit 2020.

    Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se janë paraqitur probleme të ndryshme nisur nga rrëshqitja e dheut, riformatimi i kontratave dhe rritja e sipërfaqeve të shpronësimeve./REL