ATV

Blog

  • ​Mbi 200 raste me tuberkuloz gjatë 2023-ës u trajtuan në Pulmologji

    ​Mbi 200 raste me tuberkuloz gjatë 2023-ës u trajtuan në Pulmologji

    Në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), aktualisht po trajtohen rreth 10 raste me tuberkuloz. Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar në këtë klinikë janë mjekuar mbi 200 pacientë me këtë sëmundje, derisa kanë dominuar ata të gjinisë mashkullore.

    Kështu thotë drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, derisa potencon se në nivel vendi, numri i të prekurve me tuberkulozë është afro 600.

    Ai shton se vërehet një tendencë e rënies së numrit të rasteve me këtë sëmundje, në krahasim me vitin 2022.

    “Gjatë vitit 2023 sa i përket rasteve të mjekuara nga tuberkulozi në klinikën tonë janë mjekuar diku 203 raste, nga ato kanë qenë 111 meshkuj, 92 femra. Kurse, sa i përket rasteve në nivel vendi, kam biseduar edhe me CDF-në dhe menaxherët kombëtarë dhe janë duke u grumbulluar të dhënat. Deri më tani ata më kanë thënë që janë diku rreth 550 raste, por që dy regjione ende si kanë futur në kuadër të dhënave. Mendohet se diku 600 apo më pak se 600 raste për vitin 2023, çka do të thotë se në krahasim me vitin 2022 vërehet një tendencë e lehtë e rënies së rasteve të reja me tuberkulozë…Klinika e Pulmologjisë ka katër reparte dhe njëri nga repartet është reparti B që merret me trajtimin e të sëmurëve me tuberkulozë. Aty tani kemi diku rreth 10 raste që janë duke u mjekuar nga tuberkuloza me antituberkular”, thotë Hoxha.

    “Fatin” e 10 pacientëve me tuberkulozë që po trajtohen në këtë klinikë, nuk e kanë shumë të tjerë me sëmundje të ndryshme që mjekohen në Pulmologji. Kjo, për shkak se Klinika e Pulmologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të pranuar të gjithë pacientët që kanë nevojë për hospitalizim.

    Në 66 shtretërit që posedon Klinika e Pulmologjisë, janë të shtrirë 66 pacientë të cilët po marrin trajtim shëndetësor. Ndërkaq, ka edhe pacientë të tjerë që për shkak të numrit të vogël të shtretërve dhe hapësirave të pamjaftueshme, pavarësisht që kanë nevojë për hospitalizim, nuk po kanë mundësi të shtrihen.

    Për këtë, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha thotë se ka raste kur pacientëve ua shtyjnë pranimin në spital për disa ditë, apo kërkojnë ndihmë nga klinikat e tjera.

    “I kemi 66 shtretër, 66 të shtruar. Kemi bërë vizitën e përgjithshme, çdo të enjte e bëjë edhe vizitën e përgjithshme dhe kam liruar 9 shtretër por që janë ri mbushur menjëherë…Po, kemi raste kur kanë nevojë për hospitalizim, i shtyjmë për nesër, për ditën tjetër, por edhe duke kërkuar ndihmë edhe nga klinikat e tjera sidomos Klinika e Infektives dhe klinikat interne që të na dalin në ndihmë”, theksoi Hoxha.

    Ndër të tjera, Hoxha potencon se vazhdimisht kanë probleme me hapësira dhe shtretër të mbi ngarkuar. Ai thotë se secila dhomë e ka një shtrat më shumë sesa duhet të ketë.

    Përveç kësaj, Hoxha thotë se kanë mungesë të stafit të mesëm.

    “Sa i përket kushteve në Klinikën tonë, e dimë se Klinika e Pulmologjisë është e vendosur në kuadër të Klinikës së Dermatovenerologjisë, në një farë mënyre jemi qiraxhinj në kuadër të klinikës së lëkurës qysh nga ardhja e Klinikës së Pulmologjisë nga Dragodani ku ka qenë më përpara…Vazhdimisht kemi probleme me hapësira. Kemi probleme me numrin e shtretërve, me nevojat të cilat paraqiten sidomos gjatë muajve të dimrit për hospitalizime, për shkak se kemi ngarkesë të madhe…Sa i përket stafit të mjekëve kemi 16 mjekë pulmologë, të cilët janë të gjithë aktivë. Kurse, sa i përket stafit të mesëm kemi 33 infermierë. Klinika e Pulmologjisë me 66 shtretër, edhe ata shtretër të mbi ngarkuar. Secila dhomë ka nga një shtrat më tepër për shkak se nevojat janë të mëdha për hospitalizim…Kemi nevojë shumë për staf të mesëm infermierë”, thotë Hoxha.

    Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna esenciale për kurimin e tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera, Hoxha theksoi se qëndrojnë mirë.

    Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.

  • Prishtina dyfishon epërsinë ndaj Ballkanit

    Prishtina dyfishon epërsinë ndaj Ballkanit

    Prishtina e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Ballkanit, në finale të Superkupës së Kosovës në futboll.

    Golin e dytë e ka shënuar Leotrim Kryeziu, me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 46’.

    Ndërkohë, golin e parë e ka realizuar Egzon Sinani, në minutën e 9’.

    Ndeshja po zhvillohet në Antalya të Turqisë.

  • Kishte dhënë para me fajde, arrestohet një person në Pejë

    Kishte dhënë para me fajde, arrestohet një person në Pejë

    Një person është arrestuar mbrëmë në Pejë, pasi që dyshohet se kohë më parë i kishte dhënë para me fajde.

    Policia njoftoi se i dyshuar i kishte dhënë rreth 5000 euro viktimës mashkull kosovar, ku më pas ka kërkuar t’i kthehen 15000 euro.

    Tutje, Policia bën me dije se me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Bankat raportojnë afër një mijë euro të falsifikuara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Bankat raportojnë afër një mijë euro të falsifikuara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Zyrtarët e bankave në dy raste të ndara gjatë 24 orëve të fundit kanë raportuar se kanë hasur në afro një mijë euro, para të falsifikuara.

    Sipas Policisë, në Prizren, një zyrtar i bankës, ka raportuar se nga klientë janë deponuar 358 euro para të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar për ekzaminime të mëtutjeshme.

    Kurse, në Deçan, një zyrtar i bakës, ka raportuar se një kartëmonedhë në vlerë 500 euro, të cilën ka provuar ta deponojë dëshmitari mashkull kosovar, dyshohet të jetë e falsifikuar.

    Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminime të mëtutjeshme. Rasti është duke u hetuar.

  • Durmishi: Të gjitha rrugët janë të kalueshme, qytetarët të kenë kujdes gjatë vozitjes

    Durmishi: Të gjitha rrugët janë të kalueshme, qytetarët të kenë kujdes gjatë vozitjes

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se pavarësisht reshjeve të vazhdueshme, të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

    Ai ka shkruar në Facebook se kompanitë e kontraktuara nga MMPHI, janë në terren për pastrimin e akseve rrugore nga bora, normalizimin e qarkullimit rrugor dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e automjeteve që nga orët e hershme të mëngjesit.

    “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë vozitjes si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Jemi vazhdimisht në terren për t’u siguruar se po punohet me intensitet të shtuar për pastrimin e rrugëve, duke u kujdesur për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve nëpër rrugët e Kosovës”, ka shkruar ai.

    Reshjet e borës, Rama: Po pastrojmë rrugët e kryeqytetit që qarkullimi të mos jetë i vështirësuar

  • Vëllai i Doja Cat dyshohet se ka abuzuar për vite radhazi me këngëtaren

    Vëllai i Doja Cat dyshohet se ka abuzuar për vite radhazi me këngëtaren

    Nëna e këngëtares Doja Cat, paraqiti një kërkesë të përkohshme masë ndalimi ndaj djalit të saj 30-vjeçar, duke hedhur akuza të rënda.

    Sipas saj, ai ka dhunuar fizikisht dhe verbalisht këngëtaren dhe tha se Doja Cat, ka nevojë për mbrojtje.

    Madje ajo tha se vëllai i kishe thyer dhëmbët këngëtares dhe dhuna u përsërit edhe gjatë këtij fillimi të viti.

    Mbrojtje iu dha vetëm nënës së këngëtares, por Doja Cat sipas gjykatësit duhej të paraqiste kërkesën e saj për urdhër ndalimi./atvlive.tv/

  • Për herë të tretë Madonna paditet nga fansat e saj, kjo është arsyeja

    Për herë të tretë Madonna paditet nga fansat e saj, kjo është arsyeja

    Dy fansa të Madonna-s kanë paditur atë me akuzën se ishte vonuar në skenë në koncertin e saj dhe ata kishin për të dalë në punë të nesërmen në mëngjes.

    Në padi thuhet se koncerti duhej të fillonte në oren 20:30 por Madonna u ngjit në skenë pas orës 22:30.

    Fansat kishin thënë se pastaj patën probleme me trafikun duke shtuar se nuk patën mundësi për t’i përfunduar obligimet familjare. Nuk është hera e parë që Madonna paditet nga fansat.

    Këngëtarja në vitin 2019 dhe 2020 ishte paditur për të njejtën arsye nga fansa të ndryshëm./atvlive.tv/

     

  • Paul Walker kishte refuzuar rolin e Superman-it

    Paul Walker kishte refuzuar rolin e Superman-it

    Paul Walker, në vitin 2003 kishte refuzuar 10 milionë dollarë kur iu ofrua roli i një prej superheronjve më të famshëm në histori, Superman-in.

    Menaxheri i Walker shpjegoi duke thënë se: “Mendoj se ishte një marrëveshje prej 10 milionë dollarësh dhe ai ishte i pari. Ai donte ta bënte, e dija se po mendonte ta bënte atë.

    Por, e dija se ai nuk donte të bënte tre ose katër filma Superman dhe të ishte Superman për pjesën tjetër të jetës së tij.

    Pasi kishte provuar kostumin e Superman-it , ai kishte thënë ‘’Nuk jam unë ky, dua të shkoj’’.

    Walker i tha Chicago Sun-Times në atë kohë: “Po, mund të kisha bërë një miliardë dollarë. Ndoshta mund të kisha blerë ishullin tim,” dhe shtoi: “E dini çfarë? Nuk kam nevojë për të. Marka ime e preferuar e këpucëve të vrapimit kushton 23 dollarë. Unë rrallë paguaj më shumë se 40 dollarë për xhinset e mia. Kam veshur një bluzë dhe kjo më kushton 20 ose 10 dollarë. Nuk kam nevojë për një miliardë dollarë për të bërë diçka që nuk dua’’./atvlive.tv/

  • ShKShMK-ja me apel: Kujdes në bjeshkë e pyje, gropat e drunjëve janë vdekjeprurëse

    ShKShMK-ja me apel: Kujdes në bjeshkë e pyje, gropat e drunjëve janë vdekjeprurëse

    Pas reshjeve të dendura të borës në Kosovë të cilat pritet të përcjellën edhe me erëra të fuqishme veriore, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor ka dalë me një reagim për të gjithë qytetarët e vendit që duan ta kalojnë këtë fundjavë në bjeshkë.

    ShKShMK-ja kërkon që të ketë kujdes gjatë skijimit, e sidomos skijimit në pyje, pasi gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

    Po ashtu, apelohet kujdes i shtuar në shtigjet apo kalimet e ekspozuar gjatë ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore, si dhe pajisja me mjetet e duhura për këtë aktivitet.

    Apeli i plotë nga ShKShMK:

    Të nderuar bjeshkatarë, skitarë dhe qytetarë !Këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike pritet të kemi të rreshura bore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e sidomos në viset malore. Të reshurat do të jenë të dendura dhe të përcjellura me erëra të fuqishme veriore. Andaj të keni kujdes gjatë skijimit ( jasht shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50° , e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara. Pas rreshjeve të borës pritni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës. Mos skijoni/ ngjiteni të vetmuar !Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë !Kujdes gjatë skijimit në pyje , gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse!

  • Nis alokimi i mjeteve financiare për përfituesit e izolimit të shtëpive, kaq qytetarë aplikuan

    Nis alokimi i mjeteve financiare për përfituesit e izolimit të shtëpive, kaq qytetarë aplikuan

    Ka nisur alokimi i mjeteve financiare tek qytetarët për subvencionimin e izolimit të shtëpive. Janë mbi 1 mijë qytetarë që kanë përfunduar punimet në shtëpitë e tyre, derisa jo të gjithë i kanë marrë paratë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ndonëse Fondi është në proces të alokimit për ata që i kanë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.

    Përkundër faktit që gratë kanë pasur përparësi në këtë program subvencionimi, numri i atyre qe kanë aplikuar është vetëm 2 për qind krahas numrit të përgjithshëm. Kështu bënë të ditur për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

    Konjuhi thekson se marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit, ndërsa shton se çdo ditë alokojnë dalin para në llogari të qytetarëve përfitues.

    Pavarësisht se ka ende kohë për t’i kryer punimet, Konjuhi shprehet se gjysma e qytetarëve në kohë kanë përfunduar ato.

    “Tashmë është përmbyllur i tërë procesi i vlerësimit të aplikimeve. Fondi ka pranuar gjithsej 3 mijë e 321 aplikime, ku rreth 1010 janë aplikime të cilat janë pa raportin e auditorit dhe janë në listë të pritjes, ndërsa nga aplikimet e tjera janë lëshuar 2 mijë e 150 letra të para aprovimit. Në këtë fazë jemi duke pranuar aplikimet për disbursim, d.m.th kërkesat për disbursim të parave dhe janë mbi 1 mijë persona që tashmë kanë lajmëruar fondin që kanë përfunduar punimet. Marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit dhe për çdo ditë po nënshkruhen marrëveshje, e çdo ditë po dalin para në llogari të qytetarëve… Pothuajse gjysma e qytetarëve kanë përfunduar punimet. Të gjithë qytetarët që kanë marrë letrat e para aprovimit kanë gjashtë muaj kohë prej kur kanë pranuar letrat, kështu ende është herët”, tregon Konjuhi.

    Megjithatë, Konjuhi tregon se ka raste që qytetarët po thërrasin Fondin ende pa kryer punimet, për çfarë bënë thirrje përfitueseve që mos të lajmërojnë pa përfunduar në tërësi punimet sepse vonohet procesi.

    “Gjatë kohës se terrenit janë hasur disa familje të cilët kanë lajmëruar Fondin që kanë përfunduar punimet, kurse kur kanë shkuar kompania verifikuese kanë parë që punimet ende janë në proces dhe kjo prolongon procesin, për shkak se kompanitë do duhej të rikthehen përsëri tek ato familje kur ata të kenë kryer në të vërtetë punimet dhe këto familje shkaktojnë vonesa edhe tek qytetarët e tjerë të cilët veçse janë në pritje, sepse kanë përfunduar përnjëmend punimet. Kështu vonohet procesi dhe ju lutem qytetarëve që mos të lajmërojnë fondin që kanë kryer punimet pa i bërë ato, sepse pastaj kompanitë do duhej që ta shtynë procesin për të gjitha familjet e tjera, edhe ata që kanë kryer punimet e që janë në listë të pritjes”, potencon Konjuhi.

    Përkundër faktit që gratë kishin përparësi të subvencionohen me 5 për qind plus, vetëm 2 për qind e totalit ishin përfituese gra.

    “Gratë janë subvencionuar me një 5 për qind plus, por përkundër këtij fakti, numri i tyre të cilët kanë aplikuar si pronare të shtëpive është i vogël, vetëm rreth 2 për qind të totalit të cilët kanë përfituar”, thekson Konjuhi.

    Mes tjerash Konjuhi tregon fazat që duhet të plotësojnë përfituesit deri tek disbursimi.

    “Qytetarët në momentin që dorëzojnë kërkesën për disburusim përmes e-mailit, [email protected]. FKEE i merr këto kërkesa dhe i liston, i ruan dhe ato më pas shqyrtohen nga Komisioni verifikues për të parë nëse dokumentet janë të plotësuara. Dokumentet e plotësuara siç duhet, dorëzohet tek kompanitë verifikuese të cilat janë të ndara sipas regjioneve dhe këto kompani më pas i kontaktojnë familjet dhe shkojnë i verifikojnë punimet. Kur kryhen verifikimet e punimeve, ata hartojnë një raport të detajuar të cilin e dorëzojnë tek fondi me të cilën dëshmojnë që punimet janë kryer sipas letrës së para aprovimit të cilën kanë marrë qytetarët. Në momentin që Fondi pranon raportin, këto shndërrohen në marrëveshje të disbursimit për të cilat qytetarët i pranojnë në adresën e tyre bashkë me kohën kur mund të vinë të nënshkruajne”, përfundon Konjuhi.

    Sipas saj, sfidë në këtë projekt mbetet plotësimi i dokumentacionit. Ajo thotë, se shumë qytetarë që dorëzojnë kërkesat për disbursim, nuk e plotësojnë siç duhet dokumentacionin e kërkuar.

    Duke folur për qytetarët që kanë aplikuar në thirrjen “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, konjuhi shpjegon se përfituesit duhet t’i dorëzojnë fatura në mënyrë të detajuar dhe jo të përgjithësuar.

    Sipas Konjuhit, komuna e cila prin me përfitues për subvencionim është Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj, Vushtrri, Gjakovë, Gjilan, Prizren. Ndërsa thekson se më së paku aplikues ka nga komunat veriore të vendit.

    Kujtojmë se, me qëllim të kursimit më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka mbështetur programin për subvencionimin e termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5.500 euro.