ATV

Blog

  • “U tregua profesionale”- Peach lavdëron Policinë e Kosovës për reagimin ndaj sulmit në Banjskë

    “U tregua profesionale”- Peach lavdëron Policinë e Kosovës për reagimin ndaj sulmit në Banjskë

    Britania mbështet absolutisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kështu ka thënë i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

    Peach në këtë bisedë dënoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit që shkoi.

    Britaniku e vlerësoi si “incident të rëndë” dhe theksoi se autoritetet e Kosovës po bashkëpunojnë në hetimin e ngjarjes, “gjë që e ka theksuar edhe gjatë bisedimeve në Bruksel”.

    “Nga normalizimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dy vendeve, por edhe rajoni më i gjerë, përfshirë edhe Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është ajo e një republike multietnike”, tha Peach.

    I dërguari britanik i ka bërë thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, pasi është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka bërë këtë. Ai ka kërkuar edhe të hetohet procesi zgjedhor i zgjedhjeve të fundit atje.

  • Kompjuteri i parë i Apple mbush 40 vjet

    Kompjuteri i parë i Apple mbush 40 vjet

    Macintosh-i i parë i Apple – një pajisje që revolucionarizoi kompjuterët personalë mbushi 40 vjet prej kur u lansua për herë të parë.

    Kompjuteri “që ndryshoi lojën” doli për herë të parë në shitje më 24 janar të vitit 1984.

    Ish-shefi i Apple, Steve Jobs e kishte prezantuar Macintoshin e parë gjatë një eventi në Cupertino.

    Në ditët e sotme seritë e reja të kompjuterëve të Apple njihen thjesht me termin Mac.

  • Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen 7 raste të dhunës në familje

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen 7 raste të dhunës në familje

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë, njoftoi Policia.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë thuhet se rastet e tilla janë raportuar në komunën e Prishtinës, Lipjan, Fushë Kosovë, Prizren e Kaçanik.

    Rastet e dhunës sipas raportit të policisë:

    Prishtinë 23.01.2024 – 23:45. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin se e njëjta prej disa (5) vitesh ka shkaktuar probleme dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare-nënës së saj. E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Lipjan 24.01.2024 – 09:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 24.01.2024 – 13:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se ka pasur dhunë nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë 24.01.2024-NN. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se ish bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare, në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë psikike si dhe i shkakton probleme në vendin e punës së tij. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Fushë Kosovë 24.01.2024-NN. Viktima femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, ka shkaktuar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe m vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Prizren 23.01.2024 – 15:00. Më 24.01.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se ka pasur dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Kaçanik 24.01.2024-17:00. Viktima mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga djali i tij i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

  • ​Lipjan: Plaqkiten paratë e bamirësisë në xhami

    ​Lipjan: Plaqkiten paratë e bamirësisë në xhami

    Një rast i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Gumnasellë të Lipjanit.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se një burrë është ankuar se persona të panjohur kanë hapur me forcë dritaren e xhamisë, ku kanë vjedhur një kasafortë në të cilën gjendeshin para të bamirësisë.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se nga persona të panjohur është hapur me forcë dritarja e xhamisë dhe prej aty janë vjedhur një kasafortë ku ka pasur para të bamirësisë. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Biden thirrje Kongresit të miratojë “pa vonesë” shitjen e avionëve F-16 për Turqinë

    Biden thirrje Kongresit të miratojë “pa vonesë” shitjen e avionëve F-16 për Turqinë

    Presidenti amerikan Joe Biden u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit të mërkurën duke i informuar ata për synimin e tij për të filluar procesin zyrtar të njoftimit për shitjen Turqisë të avionëve F-16 të kompanisë Lockheed Martin, sapo Ankaraja të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO.

    Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Biden i kërkon Kongresit të miratojë shitjen “pa vonesë”, tha një zyrtar amerikan. Më herët të mërkurën Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pjesëve të këmbimit në Turqi, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër persona në dijeni të letrës.

    Parlamenti i Turqisë ratifikoi të martën kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pas 20 muajsh vonesë një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore. Burimet thanë se letra u dërgua të mërkurën dhe se administrata e Presidentit Biden ende nuk e kishte njoftuar zyrtarisht Kongresin për planet për shitjen.

    Vonesa e Turqisë për miratimin e ratifikimit kishte qenë një pengesë e madhe për të fituar miratimin e Kongresit për marrëveshjen e avionëve luftarakë. Ligjvënësit kishin thënë se po prisnin miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO – përfshirë nënshkrimin e Presidentit turk Erdogan – përpara se të vendosnin nëse do ta miratonin shitjen.

    Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

    Departamenti i Shtetit i kërkoi gjithashtu Ankarasë të mërkurën të finalizojë zyrtarisht ratifikimin e NATO-s nga Suedia. Për ta bërë këtë, Presidenti Erdogan duhet të nënshkruajë legjislacionin, i cili më pas botohet në Gazetën Zyrtare të Turqisë. Instrumenti i anëtarësimit për Suedinë duhet të dërgohet gjithashtu në Uashington.

    Departamenti i Shtetit refuzoi të jepte një afat kohor të saktë mbi procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16.

    Turqia në tetor 2021 kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me paisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë.

    Drejtuesit e komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve shqyrtojnë çdo shitje të madhe të armëve për vende të tjera. Ata rregullisht bëjnë pyetje ose ngrenë shqetësime mbi të drejtat e njeriut ose çështje diplomatike që mund të vonojnë apo ndalin marrëveshje të tilla.

    Suedia dhe Finlanda aplikuan për të hyrë në NATO pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Ndërsa anëtarësimi i Finlandës përfundoi vitin e kaluar, kërkesa e Suedisë ishte penguar nga Turqia dhe Hungaria.

    Të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të miratojnë aplikimet nga vendet që kërkojnë t’i bashkohen aleancës. Kur Suedia dhe Finlanda kërkuan të anëtarësohen, Turqia ngriti kundërshtime mbi atë që tha se ishte mbrojtja nga këto dy vende për grupet që Turqia i konsideron terroriste./VOA

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dalin përsëri para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca e ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë në orën 09:00.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Hungaria “nuk ndjen urgjencë” për anëtarësim e Suedisë në NATO

    Hungaria “nuk ndjen urgjencë” për anëtarësim e Suedisë në NATO

    Opozita hungareze me siguri do të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme parlamenti për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, por përpjekja e tyre mund të dështojë, tha të enjten, kryetari i parlamentit, Laszlo Kover.

    Parlamenti turk ka ratifikuar më 24 janar kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke e bërë edhe më të afërt hyrjen e këtij vendi në aleancë.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tani pritet ta nënshkruajë legjislacionin për Suedinë brenda ditëve.

    Kjo nënkupton që Hungaria do të jetë anëtarja e vetme e NATO-s, që do të duhet të miratojë kërkesën e Suedisë, ashtu që të finalizohet procesi.

    Kover shtoi, në faqen e tij në internet, se ai “nuk ndjen ndonjë urgjencë të veçantë” dhe “nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme” në lidhje me pranimin e Suedisë në NATO.

    Hungaria e ka akuzuar Suedinë se ka qasje armiqësore.

    Në mars të vitit të kaluar, zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, i ka akuzuar zyrtarët në Suedi se po qëndrojnë në fronin e superioritetit moral.

    Kjo pasi Stokholmi e ka akuzuar më parë Qeverinë hungareze se po rrëshqet kundër parimeve demokratike të BE-së.

    Megjithatë, ditëve të fundit ka pasur përparim.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë të martën se e ka ftuar homologun e tij suedez në Budapest, për të biseduar për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur lajmin nga Turqia, duke thënë se pret që edhe Hungaria t’iu japë fund procedurave sa më shpejt që është e mundur.

    Suedia, bashkë me Finlandën, u kanë dhënë fund disa dekadave neutralitet më 2022, dhe kanë vendosur t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Teksa Finlanda është pranuar, Suedisë i është penguar rruga nga Turqia, e ka pasur disa mospajtime me Suedinë lidhur me atë që e ka konsideruar përkrahje të Stokholmit për separatistët kurdë, duke përmendur pjesëtarë të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK).

    Turqia, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e konsiderojnë PKK-në si organizatë terroriste.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Obiliq

    Gjendet pa shenja jete një grua në Obiliq

    Një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në fshatin Dardhishtë të Obiliq.

    Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur dje rreth orës 13:00.

    “Viktima femër kosovare, është gjetur pa shenja jete në një objekt përcjellës të shtëpisë së saj. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raportin e policisë.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në obduksion, rasti duke u hetuar.

  • Vizita e Pendarovskit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugor

    Vizita e Pendarovskit, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugor

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë.

    Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • Ukraina thotë se i rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës

    Ukraina thotë se i rrëzoi 11 dronë rusë gjatë natës

    Rusia lëshoi katërmbëdhjetë dronë sulmues dhe pesë raketa në Ukrainë gjatë natës, tha më 25 janar forca ajrore e Ukrainës, e cila shtoi se u rrëzuan njëmbëdhjetë prej tyre.

    Qyteti-port, Odesa, u sulmua dy herë nga dronët rusë gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper në Telegram.

    Rusia shënjestroi gjithashtu Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, me pesë raketa të drejtuara kundërajrore S-300, tha mbrojtja ajrore.

    Kiper tha në Telegram se gjatë sulmit në qytetin-port të Detit të Zi u plagosën dy persona.

    “Me gjithë punën efektive të mbrojtjes ajrore për të zmbrapsur sulmet e armikut, për fat të keq, një objekt industrial u godit në Odesa dhe ndërtesat e banimit dhe infrastruktura civile u dëmtuan,” tha Kiper.

    Lidhur me këtë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia.

    Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale.

    Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit, në qytetet ukrainase.

    Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL