Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se në autobusin kosovar që u aksidentua në afërsi të Dubrovnikut kanë qenë rreth 30 udhëtarë. Sipas informatave të para, asnjë nga udhëtarët nuk është lënduar dhe s’ka kërkuar ndihmë mjekësore.
MPJD thekson se aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut, sonte rreth orës 18:00.
Njoftimi i plotë i MPJD-së:
Lidhur me aksidentin e autobusit nga Kosova në Kroaci, nga informacionet e deritanishme, të marra nga autoritetet kroate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin e gjerë se rreth orës 18:00, një autobus me rreth 30 udhëtarë ka pësuar një aksident në vendin e quajtur Orashac, në afërsi të Dubrovnikut.
Sipas informacioneve të deritanishme asnjë nga udhëtarët nuk duket të jetë lënduar dhe as të ketë kërkuar ndihmë mjekësore.
Informacionet rreth këtij aksidenti do t’i përditësojmë sapo të kemi të dhëna më të detajuara nga organet kompetente kroate.
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka hyrë në vitin zgjedhor.
“Ne tanimë jemi në vitin zgjedhor dhe a do të mbahen zgjedhjet ne gjatë mujorin e parë apo në gjashtë mujorin e dytë, kjo tani është çështje që i mbetet shumicës ta diktojë. Por, Kosova është futur në vitin zgjedhor, ky është viti i fundit prandaj është më se normale që ky vit do të karakterizohet me dinamizim dhe aktivitete të tilla”, tha Limaj.
Ai tha se arsyeja pse koalicionin me AKK-në e kanë bërë në këtë kohë, është se sipas tij, koalicionet në ditën e fundit të zgjedhjeve, nuk ka rezultuar të suksesshme.
“Koalicionet e tilla nuk duhet të imponohen në ditën e fundit të zgjedhjeve, koha ka treguar në të kaluarën që vështirë të jenë të suksesshme dhe shumë më me rëndësi kur doni me ba një projekt, është që ta bëni me kohë për t’i dhënë mundësi dhe kohë qytetarit, elektoratit, strukturave dalë ngadalë të ambientohen dhe të njihen edhe të ketë kohë për punimin e një projekti ose programi të përbashkët”, tha Limaj.
Intervistën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
I dyshuari për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka pranuar se e ka blerë armën për Granit Plavën.
Në Prokurori, bashkëshorti i viktimës, i cili u soll nga burgu nën masa të rrepta të sigurisë, sipas burimeve të televizionit pranoi se i ka dhënë paratë për armën, me të cilën dyshohet se u vra Liridona, përkundër faktit se ka thënë se ka qenë hera e tretë që e ka takuar në jetën e tij.
“Naimi tha se ai ia bleu armën Granitit dhe se ka qenë hera e tretë që e ka taku Granitin. Naimi e ka pranu që në kohëra të ndryshme i ka dhanë para Granitit dhe Kushtrim Kokallës”.
Po të njëjtat burime kanë treguar se Tomë Dodaj, nga i cili dyshohet se Murseli dhe Plava e blenë armën, para organit të akuzës pranoi se ua ka shituar armën dy të dyshuarve, në vlerë prej vetëm 280 eurosh.
Jozyrtarisht, ATV-ja mëson se kur i është prezantuar arma e sekuestruar, Dodaj e ka identifikuar se ka qenë arma e njëjtë që ua ka shitur Granitit dhe Naimit. Armën dyshohet, se ata e provuan në oborrin e tij.
Versionin e Dodajt, se armën e kanë provuar duke shtënë nga një plumb secili, e ka konfirmuar edhe Murseli gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.
“Naimi bashkë me Granitin kanë shku të autoservisi i Tomës, edhe kanë kërku një gomë me ndreq. Por ai ju ka tregu që nuk kanë për me rregullu gomë, Naimi e ka hapë temën se ka mbetur pa revole, dhe se e kishte ble, nëse e gjen një. E kanë provu në oborr, kanë qitë edhe Naimi edhe Graniti, e kanë ble 250 euro një revole dhe 30 euro plumba, 20 plumba kanë qenë në të. Naimi ka tentuar ta arsyetojë dorëzimin e armës Te Graniti, si arsye që Graniti nuk ka pasur para të mjaftueshme për ta blerë një armë “, tha Dodaj.
Por Granit Plava është mbrojtur në heshtje duke thënë që deklaratat e tij në Polici i ka dhënë nën presion. Ndërsa, Kushtrim Kokalla do të intervistohet gjatë muajit shkurt, pasi mbrojtja ka kërkuar që fillimisht të pajiset me prova.
E, mbrojtja e Naim Murselit në një përgjigje me shkrim, ka thënë se versioni i të dyshuarit i dhënë në Prokurori, është ndryshe nga ajo çfarë është publikuar në media dhe rrjete sociale.
Sot para Prokurorisë Themelore – departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar për të cilin është i orientuar në drejtim të veprës penale Vrasje e Rëndë në bashkëkryerje.
“I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale. Ne të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit të tyre do t’ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Aterrimi i parë nga Tirana në Kosovë, përmes korridoreve ajrore të reja u bë.
Më të arritur në Aeroportin “Adem Jashari”, i gjithë ekuipazhi shkrepi fotografi, për ta kujtuar gjatë momentin që u quajt historik.
Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë u cilësua historike edhe nga Kryeministri I Kosovës Albin Kurti.
“Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimit sjell benefite edhe për mërgatën tonë. Rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave, si dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti i Prishtinës ‘Adem Jashari”, tha Kurti.
Hapja e këtyre korridoreve, sipas ministrit të Infrastrukturës Liburn Aliu, shton edhe një mundësi tjetër për hyrje ajrore në Kosovë.
Më parë ishte mundësia e vetme për hyrje në Kosovës nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, tash i kemi shtuar edhe korridoret e reja e që krahas punëve që janë bërë në zgjerimin e pistës dhe avancimin e sistemeve të navigimit, personeli dhe mundësitë e agjencive tona tashmë janë të shtuara”, tha Aliu.
Derisa shtoi se do të punojnë për hapjen e korridoreve ajrore edhe me Malin e Zi, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se kjo ngjarje është tregim suksesi.
“Kjo është një storje suksesi e përbashkët. Kjo hapje e hapësirës ajrore duhet të ishte hapur më herët. E planifikueshme për fluturim ku të gjithë do të përfitojnë shumë. Kjo është një e mirë edhe për mjedisin, por edhe për çmimet e biletave. Sot kemi një arsye për të festuar dhe dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontribute dhe do të punojmë për hapjen e një korridori me Malin e Zi”, tha Rohde.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020. Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
Në mungesë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, aplikimi për shfrytëzim të resurseve, i biznesmenit, Daut Fazlija, i cili është pronar i një gurthyesi në Caralevë të Shtimes, ka mbetur pa u shqyrtuar.
Rrjedhimisht, Fazlija nuk mund ta shfrytëzojë gurin në pronën e tij.
“Mua më është ndërprerë puna në qershor të vitit të kaluar, mirëpo, duke falënderuar policinë dhe drejtorinë për miniera më janë lejuar dy minime speciale për rehabilitim të zonës… Jo, jo nuk sjell shumë përfitime, sepse janë minime të vogla, por të më lejojnë që gjatë kësaj me e rehabilitu këtë zonë, unë do e kisha përfundu këtë zonë dhe do e prisja Bordin”, tha Fazlija.
Në mungesë të licencës për shfrytëzim, ai detyrohet ta blejë gurin, pasi që kompania e tij është fituese e projektit për kryerjen e punëve anësore në hekurudhën Fushë Kosovë – Hani Elezit.
“Unë e kam një projekt ndërkombëtar, hekurudhën e trenit, d.m.th. Han i Elezit Fushë Kosovë, e kom marrë shumë të “Alba” në Kaçanik dhe disa kompani në Kaçanik, pra janë çmimet asi soji që nëse nuk e kam gurin tim është problem të fitoj, po duhet me humb nga pak”, tha Fazlija.
Por aplikimi i Fazlijës nuk është i vetmi që nuk është shqyrtuar. Referuar të dhënave të KPMM-së, saktësisht 303 aplikime të kategorive të ndryshme ende s’janë shqyrtuar.
“Po, ka ndërmarrje që kanë projekte kapitale nga Bashkimi Evropian dhe janë peng i mospajisjes me licencë dhe leje. Kemi shumë ndërmarrje që e kanë dorëzuar aplikacionin e kompletuar në KPMM për vazhdim të Licencës /Lejes. Në mungesë të Bordit nuk mund të pajisen, çka nënkupton se ndërmarrjet nuk e kanë statusin aktiv, por të skaduar. Nëse ato zhvillojnë aktivitet konsiderohet veprim i jashtëligjshëm, si veprime të tilla ka disa tek lejet për aktivitete të veçanta”, thuhet në njoftimin KPMM-së.
Më 20 janar ka përfunduar afati për aplikimin e kandidatëve që synojnë pozitën e anëtarit të bordit të KPMM-së.
“Numri i kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të bordit të KPMM-së është gjashtëdhjetegjashtë (66). Anëtarët e komisionit janë njoftuar për mbylljen e konkursit për anëtarë të Bordit të KPMM-së, dhe komisioni do të takohet në ditët në vijim për fillimin e shqyrtimit të CV-ve. Komisioni posa t’i përfundojë procedurat, do t’ia propozojë Qeverisë kandidatët për miratim. Pas miratimit në Qeveri, kandidatët e përzgjedhur do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Tashmë është bërë mbi një vit që KPMM-ja ka mbetur pa bord aktiv që do t’i shqyrtonte aplikimet. Bordi i KPMM-së përbëhet nga pesë anëtarë.
Ideja për ndarjen e procesit të dialogut nga ai i integrimit në Bashkimin Evropian, nuk mbeti veç në Shkup.
Pas kryeministrit Kurti, nevojën për këtë ndarje e theksoi edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, madje në krah të Martin Dvorakut, ministrit për çështje Evropiane të Çekisë, shtet ky që për 6 muaj të vitit të shkuar mbajti presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Duhet të ndahet procesi i dialogut nga Bashkimi Evropian. Sepse masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, po na pengojnë në punën për t’u integruar”, tha Bislimi.
Por, përgjigjja e 67-vjeçarit çek për këtë propozim qe e shpejtë dhe me pak shpresë për Bislimin.
“Një shprehje e miqësisë përfshin gjithashtu të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me Beogradin dhe dialogun. Pyetja e mbylljes së lidhjes së fqinjësisë së mirë dhe procesit të integrimit evropian kanë të bëjnë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Martin Dvorak.
Në pjesën tjetër të konferencës, nuk pati divergjenca mes politikanëve. Të dy, folën për raportet mes dy shteteve dhe rëndësinë e heqjes së vizave për Kosovën.
“Më vjen mirë që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht në shtetet e BE-së, sikurse unë kam ardhur në Kosovë. Mbështetja e vazhdueshme e Çekisë në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, janë disa nga to. Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt i Kosovës”, tha Dvorak.
“Kemi histori të mirë me Çekinë, sidomos për kohën kur ishte në krye të presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian…”, tha Bislimi.
Ministri çek me profesion ekonomist, pak minuta pas aterrimit në Prishtinë u prit në takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Një orë më vonë u takua me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi e pastaj edhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Premtimi për përfundimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, punimet për të cilën filluan gati 6 vjet më parë, u përsërit. Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, brenda këtij viti do të përfundojë kjo autostradë dhe projekte të tjera.
“Do të fillojë këtë vit vazhdimi i autostradës së Gjilanit deri në Dheun e Bardhë. Pra nga Gjilani, nga Bresalci deri në Dheun e Bardhë do të fillojmë autostradën e cila qytetarët e Kosovës, e po ashtu ata të rajonit e në veçanti qytetarët e Shqipërisë do të mund t’i lidhë me korridorin 10 përmes Prishtinës. Respektivisht përmes lidhjes së dy autostradave drejt Bujanovcit dhe me këtë rast edhe shqiptarët në komunën e Bujanovcit do të mund të bëhen pikë e rëndësishme e transitit, edhe të mallrave edhe të qytetarëve”, tha Aliu.
Gjatë konferencës për media pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Aliu tha se 120 milionë euro janë paguar tashmë e që ishin borxh i shpronësimeve.
“Kemi arritur që mbi 120 milionë euro t’i bëjmë pagesa të viteve të shkuara, dhe tani presim edhe me 20 milionë të tjera… Vetëm në fushën e pronave private kemi pasur mbi 102 milionë euro borxh dhe këto kanë mbetur në më pak se 17 milion euro”, tha Aliu.
Mes tjerash, Aliu i ka komentuar edhe raportimet rreth shkëmbimit të pronave komunale në Prishtinë me prona në Badoc, të cilat ishin në pronësi të një ish-klienti të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Aliu ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij vendimi e as se çfarë përmban ai.
Prioritetet e vitit të fundit të mandatit, kryeministri Albin Kurti i paraqiti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Përpos prioriteteve, qeveria mori edhe disa vendime, sikurse plotësim-ndryshimi i ligjit, me ç’rast shqiptarëve të Luginës iu mundësohet blerja e pronave në Kosovë.
Gjithashtu, në këtë mbledhje ekzekutivi i propozoi Kuvendit dy emra për anëtarë të bordit të OSHP-së dhe emëroi anëtarët e Bordit të kompanisë “Drini i Bardhë”.
Lidhur me investimet në shëndetësi më gjerësisht foli ministri Arben Vitia. Sipas tij, 7 milionë euro do të investohen këtë vit në Sistemin Informativ Shëndetësor.
“Përveç në disa pjesëve harduerike të cilat duhet patjetër në implementimin e SISh-it, zgjerimit të rrjetit qeveritar, deri te ambulanca e fundit në secilin cep të Kosovës, janë edhe disa produkte të tjera që e vendosin bazën për Sistemin Informativ Shëndetësor, e cila pastaj do të jetë e mjaftueshme për të kaluar në krijimin e sistemit dhe si parakusht për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, tha Vitia.
Jo më larg se muajin që po vjen pritet të arrijë edhe aparatura për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të sëmundjeve të tjera.
Gjithashtu, Vitia foli edhe për furnizimin me barna për të cilin tha se asnjë kompani s’ka marrë pjesë në procesin tenderik të 2023-ës, për shkak të shumës së vogël që ishte ofruar, derisa shtoi se tashmë është rritur buxheti për 10%.
Ambasada amerikane në Kosovë kërkoi nga Qeveria e Kosovës rishikimin e vendimit të BQK-së për paratë e gatshme, me anë të të cilit nga 1 shkurti ndalohet përdorimi i dinarit serb.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i ka thënë Evropës së Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, t’i adresojë shqetësimet e shprehura prej komunitetit ndërkombëtar, dhe të ofrojë kohë për zbatim të vendimit, për të zbutur ndikimin që mund të ketë te banorët.
“Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Kërkesës së SHBA-së i është kundërpërgjigjur të mërkurën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.
Ndërsa, përkundër insistimit, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka treguar të mërkurën nëse do ta rishqyrtojë vendimin që thotë se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë, është Euro.
Megjithatë, njohës të fushës vlerësojnë se afati është shumë i shkurtër, andaj duhet të shtyhet sepse mund t’i dëmtojë shumë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.
Ndërsa, për ish-guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti, ky institucion nuk ishte dashur të nxjerrë rregullore kur një gjë e tillë është e shkruar në ligj.
Në rregulloren për operacionet për paratë e gatshme, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”.
Ministria e Mbrojtjes nuk ishte fare në dijeni se ndaj kompanisë “BENI DONA” e cila përfitoi tenderë milionësh ka kallëzim penal aktiv.
Në fund të vitit të kaluar, kjo ministri me procedurë të negociuar, tenderin me mbi 2 milionë euro, për t’i ushqyer pjesëtarët e Forcës së Sigurisë ia dha kompanisë e cila dyshohet se më parë kishte furnizuar Policinë e Kosovës, me ushqim me afat të skaduar.
“Ne si Autoritet Kontraktues nuk kemi qenë në dijeni për ndonjë kallëzim penal ndaj Operatorit Ekonomik në fjalë dhe nuk jemi të informuar për një gjë të tillë prej asnjë nga institucionet përkatëse apo kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes nga “BENI – DONA” kishte kërkuar: Vërtetimin nga Administrata Tatimore dhe nga Gjykata Themelore, por jo edhe ndonjë dëshmi nëse është subjekt i ndonjë hetimi.
Ardit Dragusha, nga Demokraci Plus, thekson se kompanitë që dyshohen për keqpërdorime vazhdojnë të marrin miliona euro nga Autoritetet Kontraktuese për shkak të mangësive që ka Ligji për Prokurimin Publik.
“Do të thotë Ligji i Prokurimit Publik parasheh që vetëm nëse ka ndonjë vendim të formës së prerë që rezulton me dënim, sepse nëse kompania është subjekt i hetimit nga Prokuroria, atëherë Autoritetet Kontraktuese nuk kërkojnë dëshmi sepse edhe ligji nuk e parasheh një gjë të tillë. Ka një hendek ligjor këtu, andaj kompanitë që dyshohet se kanë falsifikuar ose janë subjekt i hetimit vazhdojnë të marrin miliona euro”, tha Dragusha.
Megjithatë, sipas tij, autoritetet kontraktuese e kanë një rrugë tjetër të cilën mund ta ndjekin.
“Ekziston “Lista e Zezë” që në këto raste duhet të aplikohet, sepse nga OSHP-ja mund të kërkosh që një kompani të futet në këtë listë vetëm nëse ka dyshime për ndonjë keqpërdorim. Pra nuk ka nevojë të pritet për ndonjë vendim të prerë nga Gjykatat Kompetente. Por, këtë rrugë Autoritetet Kontraktuese e ndjekin shumë pak”, tha Dragusha.
“BENI DONA” me procedurë të negociuar mori tender edhe në fillim të vitit 2023. Vlera e tenderit paraprak, gjithashtu, ishte mbi 2 milionë euro, që i bie vetëm nga Ministria e Mbrojtjes i fitoi rreth 5 milionë euro brenda një viti.