ATV

Blog

  • Vjedhja në xhaminë e fshatit Gumnasellë të Lipjanit, dyshohet se hajnat kanë hyrë nga dritarja

    Vjedhja në xhaminë e fshatit Gumnasellë të Lipjanit, dyshohet se hajnat kanë hyrë nga dritarja

    Një rast i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Gumnasellë të Lipjanit. Rasti është iniciuar si vjedhje e rëndë, mirëpo deri më tani asnjë person nuk është ndaluar.

    Gazetarja e ATV-së, Sara Shehu, nga vendngjarja mori një prononcim nga imami i xhamisë, Sadik Sadiku dhe kontribuuesin e xhamisë, Dalip Sadiku.

    “Nuk është hera e parë, na ka ndodh edhe më herët i njëjti rast, mirëpo asnjëherë nuk e kemi lajmëruar policinë. Këtë herën e fundit që ka ndodh, të martën në mbrëmje ose të mërkurën në mëngjes, nuk e dimë saktë, kur e kemi parë rastin, atëherë e kemi lajmëruar policinë”, tha imami Sadik Sadiku.

    Ndërsa kontribuuesi i xhamisë, Dalip Sadiku, thotë se në momentin që ka hyrë brenda xhamisë për namazin e sabahut, e ka vërejtur se kasaforta ka qenë e kthyer në anën e kundërt dhe menjëherë ka dyshuar se dikush e ka thyer atë.

    “Kam ardhë në ora 06:10 ditën e djeshme për ritet fetare. Kur e kam hapur derën, menjëherë me ka rënë në sy protofoli që ka qenë në anën e kundërt e kthyer dhe menjëherë dyshova se ka hyrë dikush këtu, megjithëse dera ka qenë e mbyllur me çelës”, tha Sadiku.

    Ai thotë se dyshojnë që personat që kanë thyer kasafortën kanë hyrë nga dritarja, ndërsa nuk e di sa para kanë qenë në këtë kasafortë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë A LIVE e gjeni në videon më poshtë:

  • Largohen billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serb në Zveçan

    Largohen billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serb në Zveçan

    Janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve serb që ishin vendosur në Zveçan.

    Lajmi është bërë i ditur nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Lidhur me këtë rast Sveçla u shpreh se Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

    Postimi i plotë:

    Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

    Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës.

    Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë.

    Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë.

  • Në grupin “Macet e Kosovës” kërkohet të vendosen varreza për kafshët në kryeqytet

    Në grupin “Macet e Kosovës” kërkohet të vendosen varreza për kafshët në kryeqytet

    Psikologu Visar Sadiku, përmes grupit “Macet e Kosovës” në Facebook, ka propozuar që të realizohet një peticion për të vendosur për varrezat e kafshëve në Prishtinë.

    “Duke e pasuar parasysh se macet tona dhe kafshët në përgjithësi, janë anëtarët e familjeve tona, dhe ne e dimë që ato nuk do të jenë me ne përgjithmonë, a nuk është e duhur që të realizojmë një peticion për Komunën e Prishtinës, për të vendosur për ‘varrezat e kafshëve’”, ka shkruar Sadiku në këtë grup.

    Sipas tij të gjitha shtetet e Evropës kanë varreza të kafshëve.

    “Unë nuk mendoj se është e duhur për një mase më të cilën ke kaluar shumë kohë, i ke dhënë e të ka dhënë shumë dashuri, të përfundojë në një gropë e të harrohet që ka ekzistuar ndonjëherë … Të gjitha shtetet e Evropës kanë varreza për kafshët”, ka shkruar Sadiku.

    Ai është shprehur se për shkak të lidhjeve që krijojnë njerëzit me kafshët e tyre, duhet të ketë një vend që t’i varrosin pasi ato të ngordhin.

  • Limaj: Marrëveshja e Ohrit nuk u kanë koncensus, atë e ka bërë një njeri

    Limaj: Marrëveshja e Ohrit nuk u kanë koncensus, atë e ka bërë një njeri

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, mbrëmë në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se Marrëveshja e Ohrit nuk ka qenë koncesus politik në Kosovë, por atë e ka bërë një njeri.

    “Marrëveshja e Ohrit nuk u kanë koncensus, atë e ka ba një njeri. Ai ka ba koncesion, se koncensus s’ka pasë hiç, koncesion po. Koncesus, jam duke thënë se kushdo që është në Qeveri, duhet me i ftu pozitë dhe opozitë, duhet me i futë në proces, duhet me marrë përgjegjësi bashkë. Është një temë ku nuk duhet me fitu elektoralisht. Është një temë ku nuk guxon me kalkulu në dëm për nevoja ditore”, tha Limaj.

    Ai thotë se problemi me Serbinë është problem nacional dhe për këtë duhet bërë bashkë pozitë dhe opozitë.

    “Si Kosovë këtu, problemin me Serbinë nuk mundet me e zgjidh një njeri dhe këto probleme, ky është një problem nacional dhe duhet të reagojmë si komb, si vend, pozitë dhe opozitë. Nëse hipokrizi e dyfytyrësi ka politika ditore, këtu duhet të jemi shumë të qartë”, tha Limaj. /atvlive.tv

  • Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, IKShPK-ja thotë se s’ka raste të konfirmuara në Kosovë – ka një apel për prindërit

    Rritja e rasteve të fruthit në Evropë, IKShPK-ja thotë se s’ka raste të konfirmuara në Kosovë – ka një apel për prindërit

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dalë me një komunikatë, pas alarmimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rritjen e rasteve të fruthit në Evropë.

    Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IKShPK-ja ka bërë me dije se përkundrejt rritjes së madhe të rasteve në Evropë dhe në rajon, në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me fruth.

    Tutje, Instituti ka thënë se bën mbikëqyrjen e vazhdueshme të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë këtu edhe fruthin, duke i ndërmarrë në vazhdimësi masat profillaktike dhe kundër- epidemike.

    Në njoftim, u është drejtuar edhe një apel prindërve.

    “Vaksinimi është mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së fruthit. Aktualisht, Kosova ka shkallë të mirë të mbulueshmërisë me vaksinën MMR (Fruth-Rubellë-Parotit).  IKShPK është duke punuar intensivisht në koordinim me ekipet e vaksinimit dhe institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor që të identifikohen fëmijët të cilët nuk kanë marrë vaksinën MMR sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.  Me ketë rast, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet në komunikatë.

    Fruthi është një ndër sëmundjet më ngjitëse dhe me vdekshmëri më të lartë te fëmijët nën 5 vjeç.

  • Hapet një fondacion për të ndihmuar familjen e 18-vjeçarit që u vra në Podujevë

    Hapet një fondacion për të ndihmuar familjen e 18-vjeçarit që u vra në Podujevë

    Avokati Tomë Gashi, përfaqësuesi juridik i Rrahim Fejzullahut, xhaxhait të 18-të vjeçarit, Lulzim Fejzullahut që u rrah për vdekje nga dy të mitur në Podujevë, njofton se është hapur fondi për ta ndihmuar familjen e Lulzimit.

    Ai njofton se paratë që mblidhen destinohen vetëm per vëllain dhe motrën e Lulit, të cilët, për arsye shëndetësore nuk mund të punojnë.

    “Fondi eshte hapur – ta ndihmojme familjen e Lulzim Fejzullahut!

    Ne foto jane te dhenat e llogarise/fondit te hapur ne emer te Gezim Fejzullahut, vellait te Lulit.
    Parate qe mbledhen destinohen vetem per vellain dhe motren e Lulit, te cilet, per arsye shendetesore, nuk mund te punojne”, shkruan avokati Gashi.

  • I dërguari britanik për Ballkanin porosi Serbisë: Duhet te vendosni sanksione ndaj Rusisë

    I dërguari britanik për Ballkanin porosi Serbisë: Duhet te vendosni sanksione ndaj Rusisë

    Republika Srpska nuk mund të jetë një shtet i pavarur dhe Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, tha në një intervistë për Hina, Lord Stuart Peach, i dërguari special i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor.

    Londra “dënon kërcënimet” për t’u shkëputur nga Republika Srpska dhe vazhdon të mbështesë marrëveshjen e Dejtonit, tha Peach, i cili vizitoi Kroacinë për herë të pestë që kur u emërua si i dërguar i kryeministrit në fund të vitit 2021.

    Ish-komandanti i Forcave Ajrore Britanike dhe ish-presidenti i Komitetit Ushtarak të NATO-s u takua, ndër të tjera, me kryeministrin Andrej Plenkoviq, ministrin e Punëve të Jashtme Gordan Grliq Radman dhe kreun e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe Milorad Pupovec.

    Në një intervistë për Hinën dy vjet më parë, Peach shprehu shqetësim të madh për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Sot, pas ardhjes së qeverisë së re dhe zhvillimeve të caktuara në proceset brenda atij vendi, i dërguari britanik është “ende i shqetësuar”, veçanërisht për situatën e sigurisë të kërcënuar nga kërcënimet për shkëputje nga Republika Srpska.

    Londra i dënon ato kërcënime dhe thotë se Republika Srpska është një entitet legjitim brenda Bosnje dhe Hercegovinës, por nuk mund të jetë një “shtet i pavarur” siç dëshiron ta bëjë presidenti i saj Milorad Dodik, tha Peach.

    “Një e ardhme e ndritur për Bosnje dhe Hercegovinën është në interesin e të gjithëve, për të gjithë njerëzit në atë vend, pavarësisht nga grupi etnik,” tha Peach.

  • Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë Kiril Vatev, ka mbërritur të enjten për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast në pikën kufitare në Han të Elezit është pritur nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci.

    Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Ministri i Bullgarisë, Vatev së bashku me Ministrin Peci në takimin bilateral që do ta zhvillojnë gjatë ditës do të diskutojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore.

    Krahas kësaj, të dy së bashku do të realizojnë edhe një varg aktivitetesh, duke përfshirë këtu vizitat tek disa agrobiznese vendore në vendin tonë, për t’u njohur nga afër me potencialin zhvillimor të prodhuesve vendor.

    Ministri Peci dhe homologu i tij bullgar, Kiril Vatev gjatë kësaj vizite do të bisedojnë edhe për mundësitë e thellimit të shkëmbimeve tregtare mes shteteve të tyre në mënyrë që produktet e Kosovës të jenë pjesë e tryezave bullgare.

  • Zëdhënësja ruse Zakharova me dezinformata për FSK-në

    Zëdhënësja ruse Zakharova me dezinformata për FSK-në

    Agjencia e lajmeve shtetërore të Rusisë “Tass” ka publikuar një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, më 17 janar, ku kishte thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i armatosin “strukturat ilegale të sigurisë” të Prishtinës me shitjen e raketave anti-tantik “Javelin”, shkruan The Geopost.

    Këto pretendime të rrejshme Zakharova i bëri publike më 17 janar, pasi u dha lajmi nga Departamenti amerikan i Shtetit se ShBA ka pranuar t’i shesë Kosovës raketat antitank “Javelin”.

    E këtë nuk vonua ta publikonte më pas edhe mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”.

    “Krijimi i strukturave paralele të sigurisë, të cilat Prishtina dhe patronët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i quajnë ushtri, synon t’i shërbejë një qëllimi krejtësisht tjetër – ambicieve nacionaliste të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti… Dhe tani Uashingtoni dëshiron t’u japë armë më serioze radikalëve të Kosovës, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të ndihmojnë në forcimin e të ashtuquajturës pavarësi e tyre”, deklaroi ajo.

    Analiza:

    Zakharova vazhdimisht bën deklarata kundër shtetësisë së Kosovës që janë në të njëjtën linjë me Beogradin, sidomos kur këto lidhën me ndihmën që Shtetet e Bashkuara ia japin një shteti demokratik siç është Kosova.

    Por, pas një verifikimi vërehet se faktet qëndrojnë ndryshe dhe se deklarata e Zakharovës është dezinfromatë.

    Më 18 tetor të vitit 2018 Kuvendi i Kosovës i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga qeveria për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në ushtri të rregullt. (https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=18375)

    Në këtë datë, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro, një abstenim, nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo, atëherë pati thënë se “Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran nga një shtet demokratik siç është Kosova”. (https://www.evropaelire.org/a/29652776.html)

    Që nga viti 2008, ushtria e Kosovës është duke u konsoliduar dhe ky proces është planifikuar të zgjasë për 10 vjet./GEOPost

  • Rashiq për largimin e kryetareve në veri përmes peticionit: Është zgjidhja e duhur dhe legjitime e përcaktuar nga institucionet kosovare

    Rashiq për largimin e kryetareve në veri përmes peticionit: Është zgjidhja e duhur dhe legjitime e përcaktuar nga institucionet kosovare

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, në një përgjigje për Ekonomia Online, ka thënë se procesi i nënshkrimit të peticioneve, i cili do të hap rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, është proces legjitim korrekt i përcaktuar nga institucionet e Kosovës.

    Ai ka thënë se si qeveri kanë pasur të drejt që nga fillimi që shkarkimi i katër kryetarëve të bëhet përmes Udhëzimit Administrativ dhe jo me propozime të tjera improvizuese.

    “Ky është proces legjitim korrekt është i përcaktuar prej institucioneve kosovare sikurse që është prej anës së Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe unë jam në fund i bindur se procedurat të cilat i përcaktojmë ne si institucion ose vet institucionet që e kanë të drejtën me kreditin e dokumenteve. Kemi pasur të drejt prej fillimit që duhet një zgjidhje sistematike. Jo propozime që kemi pasur me improvizime”, tha ai.

    Rashiq ka shtuar se dizajnimi i Udhëzimit Administrativ, ka qenë dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet në Kosovë dinë ta bëjnë me profesionalizëm.

    “Opsioni i parë ka qenë dorëheqja e kryetarëve, dhe kjo e ka pasur një konotacion shumë të çuditshëm që kryetarët ta japin dorëheqje pas një kohe të shkurtër, pavarësisht se nuk i hyjnë legjitimitetit unë po flas për legalitetin, dhe në këtë rast kur dizajnohet Udhëzimi Administrativ për mua është një dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet e Kosovës janë të gatshme ta bëjnë në mënyrë profesionale”, është shprehur ai për EO.

    Tutje, ai u shpreh se nënshkrimi i peticionit është vetëm iniciativa fillestare e gjithë procesit, por që ai bëri thirrje që e gjithë procedura të respektohet.

    “Nënshkrimi i peticioni i kërkesës për shkarkim është një iniciativë fillestare, i cili po duhet ta siguroj daljen në referendum e kështu me radhë. Por prapë po kthehemi në atë aspekt që duhet me pas forma dhe dinamika të punës në këtë rast procesi të respektohet siç duhet”, tha ai.