ATV

Blog

  • Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri Peci e pret në pikën kufitare në Han të Elezit, homologun e tij bullgar, Kiril Vatev

    Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit të Bullgarisë Kiril Vatev, ka mbërritur të enjten për një vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast në pikën kufitare në Han të Elezit është pritur nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci.

    Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Ministri i Bullgarisë, Vatev së bashku me Ministrin Peci në takimin bilateral që do ta zhvillojnë gjatë ditës do të diskutojnë për konkretizimin e bashkëpunimit në mes të dyja shteteve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore.

    Krahas kësaj, të dy së bashku do të realizojnë edhe një varg aktivitetesh, duke përfshirë këtu vizitat tek disa agrobiznese vendore në vendin tonë, për t’u njohur nga afër me potencialin zhvillimor të prodhuesve vendor.

    Ministri Peci dhe homologu i tij bullgar, Kiril Vatev, gjatë kësaj vizite do të bisedojnë edhe për mundësitë e thellimit të shkëmbimeve tregtare mes shteteve të tyre në mënyrë që produktet e Kosovës të jetë pjesë e tryezave bullgare.

  • Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Azemi i LDK-së: Nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten, do ta quante mashtrues tipik

    Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike.

    Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë, Visar Azemi tha se për shkak të pa aftësisë së qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike.

    Ai tha se kjo qeveri për tre vite nuk ka rritur për asnjë megavat kapacitetet e rigjenerimit të energjisë elektrike.

    Azemi potencoi se nëse Kurti do ta takonte një kryeministër si veten dhe do të flisnin lidhur me këtë situatë, do ta quante atë “një mashtrues tipik e klasik”.

    Tutje, ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa shtoi se si LDK, janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë.

    Sipas tij, ndërtimi i centralit të gazit amerikan, rehabilitimi i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtrishme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja për ta zgjidhur këtë çështje.

  • Bleu shtëpi të re në Prishtinë por u befasua nga ajo çfarë gjeti brenda saj

    Bleu shtëpi të re në Prishtinë por u befasua nga ajo çfarë gjeti brenda saj

    Një person nga qyteti i Prishtinës bleu një shtëpi të re. Mirëpo me të hyrë në shtëpinë e re u befasua nga ajo çfarë gjeti brenda saj.

    Ai gjeti një armë dhe për këtë informoi menjëherë policinë. Me të marrë informatën Policia filloi kontrollin.
    Në kontroll e sipër u gjet edhe një pushkë gjuetie me 27 copë fishekë me leje të skaduar. Me vendim të prokurorit, rasti në procedurë të rregullt.

    “Rr. Lugmiri, Prishtinë 24.01.2024-16:30. Një mashkull kosovar ka raportuar se në shtëpinë tij të cilën e ka blerë nga i dyshuari mashkull kosovar ka gjetur një armë. Policia ka konfiskuar të njëjtën ndërsa gjatë kontrollit në banesë e të dyshuari është gjetur një pushkë gjuetie me 27 copë fishekë me leje të skaduar. Me vendim të prokurorit, rasti në procedurë të rregullt.”, thuhet në raport.

  • Dorëhiqet qeveria e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet të marrë detyrën si kryeministër shqiptar

    Dorëhiqet qeveria e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi pritet të marrë detyrën si kryeministër shqiptar

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski njoftoi se sot kabineti i tij jep dorëheqjen për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.

    Kryeministër i kësaj të fundit pritet të emërohet Talat Xhaferi, i cili do të dorëhiqet ndërkohë nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit.

    Qeveria teknike do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, të përcaktuara të mbahen më 8 maj.

    “Do të kemi kohë të mjaftueshme që t’i kryejmë të gjitha formalitetet dhe të dielën 28 janar të votohet Qeveria teknike”, deklaroi Kovaçevski.

     

  • Osmani: Fokusi im është rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në biznes

    Osmani: Fokusi im është rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në biznes

    Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se fokusi i saj është që të rris pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në biznes, raporton EO.

    Këto deklarime a para e shtetit i bëri në ditën e tretë të Forumit të Biznesit në Kosovë, duke shtuar se rrugëtimi i grave në biznes është duke u përballur me sfida të ndryshme, andaj edhe kërkoi që të krijohet një mjedis në mënyrë që grave të mos ju duhet që të zgjedhin mes punës dhe familjes.

    “Më vjen mirë që po e fillojmë këtë ditë së bashku dhe mendoj që në mesin tuaj ka një forcë shtytëse e pozitive. Natyrshëm se fokusi im është tek pjesëmarrja e grave dhe vajzave në biznes”, tha ajo.

    Sipas saj, Përfshirja e barabartë është çelësi kryesore për zhbllokim e parakusht për mirëqenien e përbashkët.

    “Kur gratë janë aktive në shoqëri vet shoqëritë përparojnë, bota po përjeton ndryshim e në krye të saj janë vet gratë. Rruga drejtë barazisë gjinore është e gjatë dhe duhet të luftohen vazhdimisht steriotipet e paragjykimet”, tha ajo.

    Tutje, presidentja Osmani tha se gratë janë shumë më shumë se kaq, burim i energjisë transformuese, e që po dëshmohet edhe përmes lidershipit përmes organizatave, startup-ve e megjithatë rrugëtimi i tyre është plotë sfida, me jo balancë mes jetës private e asaj profesionale.

    “Oraret fleksibile të punës, përkujdesjen ndaj fëmijëve përmes çerdheve, krijimi i mjedisit ku gratë nuk duhet të zgjedhin mes jetës profesionale dhe asaj private sepse mund ti kenë të dyjat”, tha ajo.

  • Dënohet me vdekje japonezi që kishte shkaktuar zjarrin që kishte lënë të vdekur 36 persona

    Dënohet me vdekje japonezi që kishte shkaktuar zjarrin që kishte lënë të vdekur 36 persona

    Një japonez është dënuar me vdekje për një sulm me zjarr në një studio animacioni në Kioto në vitin 2019. Zjarri i shkaktuar vrau 36 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

    Incidenti, një nga më vdekjeprurësit në Japoni në dekadat e fundit, vrau kryesisht artistë të rinj dhe tronditi botën e adhuruesve të anime, shkruan BBC, transmeton KosovaPress

    Shinji Aoba, 45 vjeç, u deklarua fajtor për sulmin, por avokatët e tij kishin kërkuar një dënim më të lehtë, duke argumentuar arsyet e “paaftësisë mendore”.

    Gjyqtarët e refuzuan këtë megjithatë, duke vendosur që Aoba e dinte se çfarë po bënte.

    “Kam përcaktuar se i pandehuri nuk ishte i çmendur ose i dobët mendërisht në kohën e krimit,” tha kryegjyqtari Masuda të enjten në Gjykatën e Qarkut të Kiotos.

    “Vdekja e 36 personave është jashtëzakonisht e rëndë dhe tragjike. Frika dhe dhimbja e viktimave të ndjera është e papërshkrueshme,” tha ai sipas raporteve të NHK.

    Shumë nga stafi u vranë pasi u bllokuan në katet e sipërme të studios ndërsa zjarri u përhap. Një nga rastet më tronditëse në dekadat e fundit në Japoni, incidenti ndezi zi kombëtare.

    Prokurorët kishin kërkuar dënimin me vdekje duke thënë se Aoba, i cili ishte autor, ishte i motivuar të sulmonte studion pasi besonte se vepra e tij ishte vjedhur.

    Në korrik 2019, ai hyri në studio gjatë një dite pune, duke spërkatur benzinë në katin e parë. Ai më vonë tha gjatë pranimit të fajit në shtator të vitit 2023 se ai nuk e dinte se sa njerëz do të bllokoheshin në ndërtesë.

    “Ndjeva se nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të bëja atë që bëra”, tha ai në atë kohë.

    Vetë Aoba pësoi djegie në mbi 90% të trupit të tij në zjarr dhe u arrestua vetëm pasi u shërua nga operacioni.

    “Iluzioni se Studio e Animacionit në Kyoto kishte bërë plagjiaturë punën e tij ndikoi në motivimin e tij”, i kishin thënë prokurorët gjykatës.

    Por ata thanë se ai nuk ishte i kontrolluar nga iluzionet e supozuara dhe kishte kapacitet dhe njohuri të plotë për veprimet e tij.

    Japonia ruan dënimin me vdekje për krimet e saj më të rënda, si vrasjet e shumëfishta.

    Studioja KyoAni në Kioto është një institucion i dashur, i njohur për prodhimin e filmave dhe romaneve grafike.

  • ​Lirika Deva e 22-ta në Lojërat Olimpike për të rinj

    ​Lirika Deva e 22-ta në Lojërat Olimpike për të rinj

    Skitarja Lirika Deva ka pasur një tjetër paraqitje të mirë në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj Gangëon 2024

    Ajo zuri vendin e 27-të nga 79 garuese në disiplinën e sllallomit. Deva la pas vetes 51 garuese, ku 34 dolën nga shtegu. Lirika mori edhe 118.95 pikë të FIS-it.

    Është ky rezultati më i mirë ndonjëherë për Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj.

    Lirika pati kohën 1 minutë e 50.54 sekonda nga të dyja lëshimet. Në lëshimin e dytë ishte më e shpejtë për rreth dy sekonda.

    Deva garoi edhe të martën në sllallom të madh, ku u rendit e 31-ta.

    Në konkurrencën e meshkujve, është dashur të paraqitet edhe Klos Vokshi, por shkaku i lëndimit të pësuar në garën e djeshme në sllallom të madh, e kishte të pamundur garimin në sllallomin e sotëm.

    Me garën e sotme mbyllet edhe përfaqësimi i sportistëve tanë në LOD që po mbahen në Gangëon të Koresë së Jugut.

  • Prishtinë: Dyshohet se vajza për 5 vjet ushtroi dhunë psiqike ndaj nënës së saj

    Prishtinë: Dyshohet se vajza për 5 vjet ushtroi dhunë psiqike ndaj nënës së saj

    Është arrestuar një grua në Prishtinë, e cila dyshohet se për pesë vite ka shkaktuar probleme dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së saj.

    E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin se e njëjta prej disa (5) vitesh ka shkaktuar probleme dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare-nënës së saj. E dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • NATO zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    NATO zhvillon stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    NATO filloi të mërkurën stërvitjen më të madhe ushtarake që nga periudha e Luftës së Ftohtë dhe një luftëanije amerikane u largua nga Shtetet e Bashkuara për të kaluar përmes Atlantikut drejt territorit të aleancës në Evropë.

    Aleanca ushtarake perëndimore tha se rreth 90 mijë forca morën pjesë në stërvitjen disamujore të quajtur “Steadfast Defender 2024” (“Mbrojtësi i Vendosur 2024”). Operacioni stërvitor ka për qëllim të vërë në provë mbrojtjen e NATO-s, ndërkohë që vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.

    “Aleanca do të demonstrojë aftësinë e saj për të përforcuar arenën euro-atlantike nëpërmjet lëvizjes transatlantike të forcave nga Amerika e Veriut”, tha Gjeneral Christopher Cavoli, komandanti i përgjithshëm suprem i NATO-s në Evropë.

    “Steadfast Defender 2024 do të jetë një demonstrim i qartë i unitetit tonë, fuqisë dhe vendosmërisë për të mbrojtur njëri-tjetrin, vlerat tona dhe rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, tha Gjenerali Cavoli.

    Stërvitja është projektuar si një simulim i përgjigjes së aleancës prej 31 vendesh anëtare ndaj një sulmi nga një vend rival, si Rusia. Stërvitja përbëhet nga një seri manovrash më të vogla që do të shtrihen nga Amerika e Veriut dhe deri në krahun lindor të NATO-s, pranë kufirit me Rusinë, me marrjen pjesë të rreth 50 luftëanije, 80 avionë dhe mbi 1,100 mjete luftarake tokësore.

    Kjo është stërvitja më e madhe që nga viti 1988 kur u mbajt stërvitja “Reforger” gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo vjen në një moment kur NATO ka transformuar mbrojtjen e saj, që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022.

    Aleanca ka dërguar mijëra forca ushtarake në krahun e saj lindor dhe ka përgatitur planet më të zgjeruara që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, për t’u mbrojtur nga një sulm i Rusisë.

  • KQZ-ja udhëton për vëzhgimin e zgjedhjeve në Korenë e Jugut

    KQZ-ja udhëton për vëzhgimin e zgjedhjeve në Korenë e Jugut

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot do të mbajë një mbledhje në të cilën, ndër të tjera, pritet të vendosë për pjesëmarrje në vëzhgimin e zgjedhjeve nacionale në Korenë e Jugut.

    “Shqyrtimi dhe miratimi i pjesëmarrjes së KQZ-së në vëzhgimin e zgjedhjeve nacionale në Korenë e Jugut”, thuhet në rendin e ditës të mbledhjes së KQZ-së.

    Në mbledhjen e cila do të nisë në orën 13:30, përveç kësaj pritet të bëhet edhe shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësim të anëtarit të kuvendit komunal në Prizren, shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për shtesat dhe kompensimet në KQZ si dhe shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për pranimin e drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.