ATV

Blog

  • Facebook, Instagram dhe WhatsApp me shërbime premium nga Meta

    Facebook, Instagram dhe WhatsApp me shërbime premium nga Meta

    Meta ka njoftuar futjen e planeve të reja me pagesë për platformat e saj kryesore, Facebook, Instagram dhe WhatsApp, duke ofruar shërbime shtesë për përdoruesit që zgjedhin t’i abonohen.

    Sipas kompanisë, abonimet “Plus” do të sjellin funksione të avancuara, përfshirë statistika më të detajuara, opsione të zgjeruara personalizimi dhe më shumë kontroll mbi përmbajtjen dhe audiencën. Çmimet e këtyre planeve pritet të variojnë nga rreth 2.99 deri në 3.99 dollarë në muaj, në varësi të platformës.

    Meta ka theksuar se Facebook, Instagram dhe WhatsApp do të vazhdojnë të mbeten falas për përdorimin bazë, ndërsa shërbimet me pagesë synojnë t’u ofrojnë përdoruesve një eksperiencë më të avancuar dhe më të personalizuar.

    Ky zhvillim vjen si pjesë e strategjisë së kompanisë për të rritur të ardhurat përtej reklamave dhe për të financuar investimet në teknologji të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.

  • Liverpool zyrtarizon largimin e Arne Slot

    Liverpool zyrtarizon largimin e Arne Slot

    Liverpool ka vendosur që t’i jap fund bashkëpunimit me teknikun holandez Arne Slot,kjo pas një sezoni zhgënjyes për “The Reds”.

    Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, lajmi u bë i ditur fillimisht në platformën X dhe më pas u konfirmua zyrtarisht. Klubi anglez ka vendosur ta ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me trajnerin holandez, i cili kishte kontratë deri në verën e ardhshme.

    Slot, 47 vjeç, kishte drejtuar Liverpoolin për dy sezone. Në sezonin e tij të parë ai arriti të fitojë titullin në Premier League, ndërsa në sezonin e dytë skuadra përfundoi në vendin e pestë, një rezultat zhgënjyes për klubin.

    Si kandidat për pasues të tij po përmendet Andoni Iraola, aktualisht trajner i AFC Bournemouth. Trajneri spanjoll po ashtu është në radar edhe të Bayer 04 Leverkusen, gjë që e bën garën për shërbimet e tij edhe më të fortë.

    E ardhmja e pankinës së Liverpool FC mbetet tani e hapur, me klubin që pritet të marrë vendim të shpejtë për trajnerin e ri.

  • Barcelona prezanton Anthony Gordonin-Anglezi firmos deri në vitin 2031

    Barcelona prezanton Anthony Gordonin-Anglezi firmos deri në vitin 2031

    Barcelona ka nisur me vrull merkaton e verës, duke zyrtarizuar transferimin e sulmuesit anglez Anthony Gordon.

    Klubi katalanas konfirmoi se Gordon ka nënshkruar një kontratë afatgjatë, e vlefshme deri në vitin 2031, duke u bërë kështu përforcimi i parë i madh i skuadrës për sezonin e ri.

    Presidenti Joan Laporta arriti të mposhtë konkurrencën e fortë për shërbimet e futbollistit, pasi interesim për të kishin shfaqur edhe Bayern Munich dhe Liverpool.

    Sipas raportimeve, Barcelona pagoi 70 milionë euro menjëherë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Investimi konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për klubin katalanas, i cili synon të forcojë edhe më shumë repartin ofensiv të drejtuar nga Hansi Flick.

    Gjatë prezantimit zyrtar, Gordon nuk i fshehu emocionet për transferimin në “Camp Nou”, duke e cilësuar këtë moment si realizimin e një ëndrre.

    “Të jem pjesë e klubit më të madh në botë është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe mezi pres të nis këtë aventurë të re”, deklaroi sulmuesi anglez.

    Gordon shtoi se objektivi i tij kryesor me fanellën blaugrana është të fitojë trofe të mëdhenj, veçanërisht UEFA Champions League, trofe që mbetet ëndrra e tij më e madhe në karrierë.

    Me këtë transferim, Barcelona dërgon një sinjal të qartë për ambiciet e saj, duke synuar të ndërtojë një skuadër konkurruese në të gjitha frontet për sezonin e ardhshëm.

  • Interi synon Ruben Diasin në rast të largimit të Yann Bisseck

    Interi synon Ruben Diasin në rast të largimit të Yann Bisseck

    Interi po planifikon lëvizjet e tij për afatin kalimtar veror dhe emri i mbrojtësit portugez Ruben Dias ka dalë në skenë si një nga objektivat e mundshëm për repartin defensiv.

    Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtuesit zikaltër po monitorojnë situatën e qendërmbrojtësit të Manchester City, veçanërisht nëse gjatë verës largohet Yann Bisseck.

    Mbrojtësi gjerman po ndiqet nga Bayern Munich, ndërsa Interi thuhet se e vlerëson kartonin e tij rreth 40 milionë euro. Një shitje e mundshme e Bisseck do t’i hapte rrugë klubit italian të kërkojë një zëvendësues të nivelit të lartë.

    Në këtë skenar, Ruben Dias shihet si një alternativë ideale falë përvojës dhe cilësive të tij. Raportet sugjerojnë se statusi i portugezit te Manchester City mund të mos jetë më aq i paprekshëm sa në vitet e kaluara, duke rritur mundësinë e një transferimi.

    Interi beson se marrëdhëniet e mira me klubin anglez mund të ndihmojnë në negociata, duke marrë parasysh bashkëpunimet e mëparshme mes dy klubeve në tregun e transferimeve.

    Megjithatë, një operacion i tillë mbetet i komplikuar nga ana financiare. Manchester City pritet të kërkojë rreth 50 milionë euro për shërbimet e Diasit, çka do të thotë se Interi duhet fillimisht të realizojë një shitje të rëndësishme për të siguruar fondet e nevojshme.

    Për momentin, gjithçka varet nga e ardhmja e Yann Bisseck, ndërsa Ruben Dias mbetet një nga emrat më tërheqës në listën e dëshirave të zikaltërve për sezonin e ardhshëm.

  • Jurgen Uldedaj paralajmëron spektakël në Wembley: Vetëm fitorja më intereson

    Jurgen Uldedaj paralajmëron spektakël në Wembley: Vetëm fitorja më intereson

    Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka dërguar një mesazh të qartë dhe plot vetëbesim para përballjes me Austine Nnamdi, ku do të mbrojë titullin botëror IBO në kategorinë cruiserweight.

    Pak orë para ngjitjes në ring në OVO Arena Wembley, Uldedaj ka shprehur entuziazmin për sfidën, duke theksuar se synimi i tij afatgjatë është të bëhet kampion i padiskutueshëm i kategorisë.

    “Karriera perfekte për mua është të bëhem kampion i padiskutueshëm në kategorinë time. Tani dua vetëm ta mbroj titullin. Më pas, pse jo një meç unifikues? Kjo është mbrojtja ime e parë e titullit dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar”, deklaroi shqiptari.

    Boksieri nga Lezha foli gjithashtu me krenari për mbështetjen e madhe që vazhdon të marrë nga tifozët shqiptarë, duke zbuluar se pret një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh në Londër për ta përkrahur.

    “Shqiptarët kanë qenë gjithmonë pranë meje. I dua njerëzit e mi dhe mbështetësit e mi. Ata janë zjarr. Kur jam në ring dhe i dëgjoj duke brohoritur, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

    Megjithatë, deklarata më e fortë erdhi kur Uldedaj u pyet për rezultatin e meçit. Boksieri nuk la vend për dilema, duke e bërë të qartë objektivin e tij.

    “Fitore, fitore, fitore. Me çdo kusht fitore. Nuk ka rëndësi si, por ne do të fitojmë. Jemi gati. Kemi punuar fort dhe jemi përgatitur maksimalisht”, tha ai.

    Përballja ndaj Nnamdit konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme në karrierën e Uldedajt. Një triumf në Wembley do t’i siguronte mbrojtjen e parë të suksesshme të titullit botëror IBO dhe do ta afronte edhe më shumë drejt objektivit të madh për t’u shpallur kampion i padiskutueshëm në kategorinë cruiserweight.

  • Nico Paz gati për rikthimin te Real Madridi, klubi aktivizon klauzolën e riblerjes

    Nico Paz gati për rikthimin te Real Madridi, klubi aktivizon klauzolën e riblerjes

    Nico Paz është gjithnjë e më pranë rikthimit te Real Madridi, me mesfushorin argjentinas që tashmë është i informuar prej javësh për planet e klubit dhe e ka pranuar me entuziazëm sfidën për t’u rikthyer në “Santiago Bernabeu” sezonin e ardhshëm.

    Sipas raportimeve, lojtari është i gatshëm të nisë një kapitull të ri me skuadrën madrilene, pavarësisht lidhjes emocionale që ka krijuar me Comon gjatë qëndrimit të tij në Itali. Paz largohet nga klubi italian me vlerësime të larta, pasi zhvilloi një sezon pozitiv dhe u rrit ndjeshëm si futbollist nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas.

    Te Real Madridi besohet se 20-vjeçari rikthehet si një lojtar më i pjekur dhe me cilësi të dëshmuara, i gatshëm për të konkurruar në nivelin më të lartë.

    Klubi madrilen pritet të aktivizojë klauzolën e riblerjes para afatit të 30 qershorit, duke siguruar shërbimet e talentit argjentinas për një shumë më të vogël se vlera aktuale e tij në treg. Raportohet se Reali do ta rikthejë Paz për më pak se 10 milionë euro, një lëvizje që konsiderohet shumë e favorshme ekonomikisht.

    Në këtë mënyrë, “Los Blancos” kanë arritur të mbrojnë interesat e tyre ndaj konkurrencës së fortë nga klubet e tjera evropiane, të cilat ishin të gatshme të investonin shuma shumë më të larta për transferimin e mesfushorit premtues.

    Rikthimi i Nico Paz pritet të jetë një nga lëvizjet e para të Real Madridit gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa drejtuesit e klubit vazhdojnë ndërtimin e skuadrës për epokën e re nën drejtimin e Xabi Alonsos.

  • Dardanët nisen drejt Pragës për miqësoren ndaj Çekisë

    Dardanët nisen drejt Pragës për miqësoren ndaj Çekisë

    Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur përgatitjet e fundit në vend dhe është nisur drejt Pragës, ku të dielën do të zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Çekisë.

    Atmosfera në kampin e “Dardanëve” është pozitive, me futbollistët dhe stafin teknik të fokusuar maksimalisht në këtë përballje, e cila konsiderohet një test i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për sfidat e ardhshme.

    Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar pamje nga udhëtimi i ekipit drejt kryeqytetit çek, duke pasqyruar mobilizimin dhe përkushtimin e grupit para ndeshjes.

    “Drejt Çekisë për miqësoren e parë. Fokus, përkushtim dhe gati për sfidën që na pret”, ka shkruar FFK-ja në një nga publikimet e saj në rrjetet sociale.

    Në një tjetër postim, të shoqëruar me fotografi nga aeroporti dhe udhëtimi i ekipit, Federata ka ndarë momentet e nisjes së futbollistëve drejt Pragës, me mbishkrimin: “Dardanët nisen për në Pragë”.

    Përzgjedhësi Franco Foda pritet ta shfrytëzojë këtë takim për të testuar alternativa të ndryshme në formacion, si dhe për t’u dhënë mundësi disa lojtarëve që synojnë të fitojnë më shumë hapësirë në skuadër.

    Përballja me Çekinë do të shërbejë gjithashtu si një tregues i nivelit aktual të ekipit dhe do të ndihmojë stafin teknik në identifikimin e elementeve që kërkojnë përmirësim para sfidave të ardhshme.

    Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “epet ARENA” në Pragë, me fillim nga ora 16:00. Pas këtij takimi, Kosova do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore ndaj Andorrës, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

  • AAK në ditën e dytë të fushatës premton ulje taksash dhe lehtësime për bizneset

    AAK në ditën e dytë të fushatës premton ulje taksash dhe lehtësime për bizneset

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubimin e radhës elektoral në Rahovec, me pjesëmarrjen e kandidatit të AAK-së për Kryeministër, Ardian Gjini, si dhe ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.

    Gjatë adresimit para qytetarëve, Ardian Gjini foli për programin ekonomik të Aleancës, duke kundërshtuar taksat progresive dhe duke premtuar politika që, sipas tij, do të stimulojnë punën dhe prodhimin vendor.

    Ai premtoi gjithashtu ndryshime edhe në pragun e TVSH-së, duke theksuar se bizneset do të kenë lehtësime fiskale.

    Gjini kritikoi Qeverinë që sipas tij po favorizohen kompani të mëdha përmes tenderëve njëburimorë dhe skemave shtetërore.

    Në kuadër të aktiviteteve të ditës, kandidati i AAK-së për kryeministër zhvilloi takime me bizneset private.

  • LDK premton 5 miliardë euro investime, rritje pensionesh dhe punësim të garantuar për të rinjtë

    LDK premton 5 miliardë euro investime, rritje pensionesh dhe punësim të garantuar për të rinjtë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar sot ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke zhvilluar një seri tubimesh në disa komuna të vendit, ku u prezantuan kandidatët dhe programi qeverisës i partisë.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidatin për presidente në listën e partisë, Vjosa Osmani, morën pjesë në takime me qytetarë në Kaçanik, Hani i Elezit, Shtime, Fushë Kosovë dhe në Prishtinë.

    Në tubimin e mbajtur në Kaçanik, Lumir Abdixhiku prezantoi vizionin e partisë për zhvillim ekonomik të bazuar në mirëqenien e qytetarëve.

    Në të njëjtin takim, Vjosa Osmani vlerësoi historinë e Kaçanikut si simbol i qëndresës dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes qytetare në proceset demokratike.

    Në Shtime, Lumir Abdixhiku premtoi investime të mëdha publike në infrastrukturë, energji dhe shëndetësi. Ai u zotua për ndërtimin e një centrali me gaz amerikan dhe një paketë investimesh prej rreth 5 miliardë eurosh.

    Kurse Vjosa Osmani në Shtime, u fokusua në rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mirënjohjes ndaj aleatëve të Kosovës, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • LVV premton mbështetje për gratë e punësuara në sektorin privat

    LVV premton mbështetje për gratë e punësuara në sektorin privat

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar sot aktivitetet në kuadër të ditës së dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

    Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me partnerët e koalicionit, ka mbajtur tubime zgjedhore në Istog dhe Pejë, ku ka prezantuar programin qeverisës dhe zotimet për mandatin e ardhshëm.

    Gjatë ditës, Kurti ka vizituar edhe disa biznese vendore ku ka premtuar 200 milionë euro për industrinë kreative, duke e quajtur këtë një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

    Gjate tubimit në Pejë, Kurti tha se kishte kontaktuar ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit për t’u informuar lidhur me projektin e rrugës Kuqishtë–Qakorr në Rugovë.

    Në kuadër të zotimeve elektorale, Kurti premtoi mbështetje shtesë për punësimin e grave në sektorin privat.