ATV

Blog

  • PSD në ditën e tretë të fushatës kritikon programin e Abdixhikut për çmimin e energjisë

    PSD në ditën e tretë të fushatës kritikon programin e Abdixhikut për çmimin e energjisë

    Partia Socialdemokrate ka vazhduar fushatën e saj elektorale me një deklaratë të kryetarit të saj, Dardan Molliqaj, i cili në ditën e tretë të fushatës ka publikuar një video-incizim në rrjetin social Facebook ku kritikon ashpër kreun e LDK-së dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

    Në videon e shpërndarë, Molliqaj e vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë politike të premtimeve të Abdixhikut, duke e akuzuar atë për ndryshim qëndrimesh rreth çështjes së çmimit të energjisë elektrike dhe subvencioneve shtetërore.

    Ai më tej e akuzon Abdixhikun për, siç thotë ai, premtime të tilla janë politike dhe synojnë vota në fushatë.

    Në fund të videos, Molliqaj bën thirrje për mbështetje ndaj PSD-së në zgjedhje, duke kërkuar votën për listën 129 dhe duke e prezantuar partinë si opozitë të vërtetë.

  • PDK nis ditën e tretë të fushatës me konferencë pa energji elektrike premton investime

    PDK nis ditën e tretë të fushatës me konferencë pa energji elektrike premton investime

    Partia Demokratike e Kosovës e nisi ditën e tretë të fushatës zgjedhore me një konferencë për media, ndryshe nga subjektet e tjera politike. Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, mbajti konferencën pa energji elektrike dhe pa sistem të zërimit, duke e përdorur situatën si ilustrim të problemeve që, sipas tij, po përballon vendi në sektorin energjetik.

    Kurse gjatë tubimit në Lipjan, Hamza publikoi një mesazh politik ku theksoi nevojën për ndryshim dhe veprim të shpejtë.

    “Kosova nuk është vend i krizave të pafundme. Ndryshimi nuk mund të presë më. Qytetarët e kërkojnë atë tani”, shkroi ai.

    Pas Lipjanit, fushata vijoi në Shtime dhe më pas në Suharekë me fokus në mobilizimin e elektoratit dhe prezantimin e programit qeverisës të PDK-së.

  • Kurti: Paga mesatare është rritur, ndërsa mbi 5.7 milionë euro po investohen në xhudo

    Kurti: Paga mesatare është rritur, ndërsa mbi 5.7 milionë euro po investohen në xhudo

    Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, ka vazhduar aktivitetet e fushatës zgjedhore me tubime në Kamenicë dhe Gjilan, në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

    Kryetari i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë paradites ka qëndruar në Marinë të Skenderajt, ku është përkujtuar 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj.

    Kurti ka publikuar edhe një video kushtuar suksesit të xhudos kosovare, duke e cilësuar Kosovën si “shtet të xhudos” teksa tha se në muajin mars ka nisur projekti me vlerë mbi 5.7 milionë euro për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

    Po ashtu, në një postim në Facebook, i pari i VV-së ka shkruar për rritjen e pagës mesatare dhe përpjekjet për kontrollin e çmimeve të produkteve bazë.

    Më pas, karvani zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje ka vazhduar në Kamenicë, ku është mbajtur tubim me qytetarët e kësaj komune, ku kane publikuar fotografi nga tubimi me mbishkrimin: “Dardana e përbashkuar në thirrjen ‘Krejt për shtet, Shtet për Krejt’”.

    Aktivitetet e ditës të LVV-së janë përmbyllur në Gjilan, ku para tubimit është ndjekur edhe finalja e Ligës së Kampionëve.

  • LPRK kërkon mbështetje në zgjedhjet parlamentare me sloganin “Për barazi dhe dinjitet”

    LPRK kërkon mbështetje në zgjedhjet parlamentare me sloganin “Për barazi dhe dinjitet”

    Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë, kryetari i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Bashkuar dhe bartësi i listës me numrin 1, Erxhan Galushi, ka zhvilluar një vizitë në lagjen Firajë në Pejë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Galushi njoftoi se së bashku me kandidatët dhe aktivistët e LPRK-së, vizituan banorët e lagjes Firajë.

    “Nga afër pamë mungesën e investimeve bazike, infrastrukturën e dobët dhe mungesën e ndriçimit publik në këtë lagje, e banuar kryesisht nga komuniteti rom. Pavarësisht këtyre sfidave, u pritëm me ngrohtësi dhe respekt nga banorët e lagjes, të cilët i falënderojmë për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Besimi dhe shpresa e tyre për ndryshim janë motiv shtesë për angazhimin tone”, shkroi ai.

    Po ashtu, kryetari i LPRK-së ka publikuar edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të komunitetit rom që më 7 qershor të dalin në votime.

  • Fushata e LDK-së vazhdon me zotime për rritje pagash, ulje TVSH-je dhe anëtarsim në NATO

    Fushata e LDK-së vazhdon me zotime për rritje pagash, ulje TVSH-je dhe anëtarsim në NATO

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar aktivitetet në kuadër të ditës së tretë të fushatës elektorale me një agjendë të ngjeshur takimesh me qytetarët. Aktivitetet e ditës nisën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku Forumi i Gruas i LDK-së prezantoi 38 kandidatet gra për deputete të kësaj partie.

    Më pas, kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten numër 1 në listën e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, zhvilluan takime me qytetarë në Klinë.

    Para të pranishmëve, Abdixhiku prezantoi zotimet kryesore të programit të LDK-së.

    Nga ana tjetër, Vjosa Osmani premtoi anëtarsimin e Kosovës në NATO.

    Në Deçan, Abdixhiku tha se me të në pushtet nuk do të ketë më pension më të ulët sesa 300 euro në muaj.

    Kurse në tubimin e mbajtur në Pejë, I pari i LDK-së u zotua për heqjen e TVSH-së për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.

    Ndërkohë, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para qytetarëve tha se kundërshtarët politikë po shmangin debatin dhe po përdorin propagandë e fyerje.

  • Ardian Gjini ngre shqetësime për krizën energjetike dhe neglizhencën e rrugës Gjakovë–Dollc

    Ardian Gjini ngre shqetësime për krizën energjetike dhe neglizhencën e rrugës Gjakovë–Dollc

    Në ditën e tretë të fushatës elektorale të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e infrastrukturës dhe furnizimit me energji elektrike në vend.

    Në postimin e tij, Gjini thekson se mijëra familje janë përballur me mungesë të energjisë elektrike edhe gjatë orëve të ditës, duke e cilësuar këtë si një realitet shqetësues për qytetarët e Kosovës. Ai gjithashtu ka përmendur gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, e cila sipas tij prej vitesh është lënë pas dore dhe nuk ka marrë trajtimin e duhur institucional.

    Duke iu drejtuar qytetarëve, kandidati i AAK-së ka shprehur optimizëm për ndryshime pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke paralajmëruar një “kapitull të ri” për përmirësimin e jetës në vend.

  • Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Një e mitur në Mitrovicë ka treguar një gjest të rrallë ndershmërie pasi ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në rrugën “Lah Nimani”, e cila përmbante dokumente personale dhe 2000 euro para të gatshme.

    Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur vajza ka gjetur kuletën dhe menjëherë e ka dorëzuar në stacionin policor lokal, pa tentuar ta mbajë për vete.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, pas verifikimit të dokumenteve, është arritur të identifikohet pronari i kuletës, të cilit më pas i janë kthyer sendet dhe shuma e parave.

    Pronari ka shprehur mirënjohje për veprimin e të miturës, duke vlerësuar ndershmërinë e saj dhe reagimin profesional të zyrtarëve policorë.

    Në një deklaratë zyrtare, Policia e Kosovës ka vlerësuar lart këtë rast, duke e cilësuar si një shembull pozitiv për shoqërinë dhe për forcimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit.

    Sipas policisë, raste të tilla kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe promovimin e vlerave të ndershmërisë dhe përgjegjësisë në komunitet.

  • Mbi 20 anije kaluan në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit

    Mbi 20 anije kaluan në Ngushticën e Hormuzit në 24 orët e fundit

    Të dhënat e gjurmimit detar dhe mediat shtetërore iraniane kanë njoftuar se mesatarisht 20 deri në 30 anije tregtare dhe cisterna nafte kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit brenda 24 orëve.

    Lëvizjet e anijeve zhvillohen nën kushte të rrepta, ku kërkohet autorizim paraprak. Anijet duhet të marrin leje dhe të koordinohen me Marinën e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).

    Edhe pse është shënuar një fluks i konsiderueshëm i anijeve, ai mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me periudhën para konfliktit, kur në këtë zonë kalonin mbi 130 anije në ditë.

    Zona vazhdon të mbetet e militarizuar. Raportohet se anijet që përpiqen të kalojnë pa koordinim me autoritetet iraniane janë ndaluar ose detyruar të kthehen prapa.

    Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane dhe kanë sanksionuar autoritetin e sapokrijuar të ngushticës nga Irani, i cili synon të mbledhë tarifa transiti për kalimin nëpër këtë rrugë strategjike detare.

  • FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    FSK me oficerë ndërlidhës në Bordin e Paqes, dy majorë i bashkohen stafit të ISF-së

    Bordi i Paqes, mekanizmi ndërkombëtar në kuadër të të cilit vepron Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit për Gazën, ka njoftuar se dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar stafit të këtij misioni.

    Sipas njoftimit, majorët Gentrit Idrizi dhe Labinot Lala do të shërbejnë si oficerë ndërlidhës.

    Roli i tyre është të lehtësojnë shkëmbimin e informacionit ndërmjet Forcës Ndërkombëtare dhe Kosovës.

    Në njoftim thuhet se përfshirja e tyre e zgjeron koalicionin ndërkombëtar të personelit, në mbështetje të përpjekjeve për siguri dhe stabilizim në kuadër të Bordit të Paqes.

  • Arrestohet kosovari në Maqedoninë e Veriut, kërkohej për “vjedhje të rëndë” në rajonin e Tetovës

    Arrestohet kosovari në Maqedoninë e Veriut, kërkohej për “vjedhje të rëndë” në rajonin e Tetovës

    Policia nga Njësia Policore Mateç ka arrestuar një 37-vjeçar nga Kosova, me inicialet N.N., i cili kërkohej në bazë të një telegrami të lëshuar më herët nga SPB Tetovë.

    Sipas autoriteteve, arrestimi është realizuar më 29 maj 2026, rreth orës 14:00. I dyshuari kërkohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, e paraparë me nenin 236 të Kodit Penal.

    Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Stacionin Policor të Tetovës, ku është ndaluar për procedura të mëtejshme. Nga policia bëhet e ditur se, pas kompletimit të dokumentacionit dhe zbardhjes së plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.