ATV

Blog

  • PDK premton rritje pagash, pensionesh dhe mbështetje për bizneset

    PDK premton rritje pagash, pensionesh dhe mbështetje për bizneset

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar ditën e dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit me tubime zgjedhore në Gjakovë dhe Pejë.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, gjatë ditës ka vizituar edhe familje të ndryshme, ku qytetarët kanë shprehur shqetësimet për jetesën e vështirë, migrimin e të rinjve, pensionet dhe pagat e ulëta, duke përsëritur mesazhin “Stop krizës”.

    Përmes një video-mesazhi, Hamza prezantoi pesë zotimet kryesore: Ulje të çmimeve dhe tatimeve, investime në energji dhe infrastrukturë, arsim më konkurrues dhe drejtësi më efikase.

    Në tubimin në Gjakovë, Hamza kritikoi Qeverinë aktuale për mungesë rezultatesh.

    I pari i PDK-së premtoi mbështetje për bizneset, themelimin e Gjykatës së Punës dhe krijimin Fondit të Papunësisë.

  • PSD kritikon militarizimin dhe kërkon investime në mirëqenie sociale

    PSD kritikon militarizimin dhe kërkon investime në mirëqenie sociale

    Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj në kuadër të ditës së dytë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare përmes një video-incizimi të publikuar ka kritikuar ashpër orientimin e Qeverisë drejt rritjes së shpenzimeve ushtarake, duke e krahasuar kryeministrin Albin Kurti të dikurshëm si aktivist paqësor me qasjen e tij aktuale në pushtet.

    Ai tha se Kosova ka nevojë urgjente për investime në shëndetësi, arsim, çerdhe publike dhe banim të përballueshëm, e jo për rritje të vazhdueshme të buxhetit për ushtrinë.

    Molliqaj kritikoi edhe idenë për krijimin e xhandarmërisë, duke e cilësuar këtë si pjesë të një logjike të militarizimit të shoqërisë, të cilën e konsideroi jodemokratike.

    Në fund të mesazhit të tij, kreu i PSD-së u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin PSD-në.

  • Vrasja në Breg të Diellit, Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë për 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja në Breg të Diellit, Gjykata aprovon kërkesën e Prokurorisë për 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

    Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka njoftuar se është vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit A.P, për veprën penale Vrasje e rëndë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe të pengoj në rrjedhën normale të procedurës penale.Gjykata gjithashtu konsideron se nëse i pandehuri lihen në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikojë provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë”, thekson Gykata.

  • McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë

    McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e sigurisë

    Gjenerali Chris McKinney, zëvendësdrejtor i Komandës Evropiane të SHBA-së (USEUCOM) për Strategji, Plane dhe Politika, ka zhvilluar këtë muaj vizitën e tij të fundit në Ballkanin Perëndimor.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai u takua me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe koordinimin shumëvjeçar në funksion të forcimit të sigurisë në Evropën Juglindore.

    McKinney theksoi se progresi i arritur së bashku pasqyron angazhimin e përbashkët për një rajon më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë.

    “Përparimi që kemi arritur së bashku pasqyron forcën e angazhimit tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë”, ka deklaruar ai.

    Në takim u ritheksua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për modernizimin e mbrojtjes së Kosovës dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë.

  • Roberto Martinez habit me deklaratën për Ronaldon: Mund të luajë edhe në Botërorin 2030

    Roberto Martinez habit me deklaratën për Ronaldon: Mund të luajë edhe në Botërorin 2030

    Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka bërë një deklaratë befasuese lidhur me të ardhmen e Cristiano Ronaldos në kombëtare, duke mos e përjashtuar mundësinë që ylli portugez të luajë edhe në Kupën e Botës 2030.

    I pyetur nëse Ronaldo mund të jetë pjesë e Botërorit pas katër vitesh, Martinez u përgjigj: “Askush nuk duhet ta dyshojë këtë. Ai e ka merituar”.

    Tekniku portugez e vlerësoi maksimalisht mentalitetin dhe profesionalizmin e sulmuesit legjendar, duke e cilësuar si model ideal për futbollistët e rinj.

    “Do të dëshironim që modelin e Cristiano Ronaldos t’ua transmetonim të gjithë lojtarëve të rinj në Portugali, sepse ai është një shembull për t’u ndjekur”, deklaroi Martinez.

    Ai shtoi se Ronaldo nuk motivohen vetëm nga trofetë individualë apo kolektivë, por nga dëshira e vazhdueshme për t’u përmirësuar.

    “Cristiano nuk përcaktohet nga ajo që ka fituar, por nga uria që ka. Çfarëdo që fiton, të nesërmen ai ka të njëjtin motivim për t’u bërë edhe më i mirë”, tha trajneri i Portugalisë.

    Martinez gjithashtu theksoi se ka punuar me shumë futbollistë që pasi kanë fituar trofe të mëdhenj kanë humbur motivimin, ndërsa Ronaldo vazhdon të ketë mentalitet unik.

    “Kam punuar me lojtarë që pasi fituan Ligën e Kampionëve ose Topin e Artë humbën oreksin për sukses. Te Ronaldo shohim një mentalitet krejt ndryshe”, u shpreh ai.

    Sipas Martinezit, jetëgjatësia sportive e Ronaldos lidhet me përkushtimin maksimal ndaj trupit, disiplinën dhe mentalitetin fitues.

    Nëse do të luante në Kupën e Botës 2030, Cristiano Ronaldo do të ishte 45 vjeç.

  • Topi i Artë 2026 feston 70-vjetorin me ceremoninë historike në Londër

    Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të jetë historike, pasi për herë të parë në 70-vjetorin e çmimit ajo do të zhvillohet në Londër, më 26 tetor.

    I krijuar nga revista franceze France Football në vitin 1956, Topi i Artë është bashkëorganizuar me UEFA-n që nga viti 2024. Vendimi për të pritur këtë ngjarje në kryeqytetin britanik është një nderim për Sir Stanley Matthews, fituesin e parë të çmimit, 70 vjet më parë. Ky veprim pasqyron ndikimin global dhe prestigjin e madh që ka fituar ky çmim në futbollin botëror.

    Vëmendja tani do të përqendrohet te pasuesit e fituesve të vitit 2025, Aitana Bonmati dhe Ousmane Dembélé, ndërsa Kupa e Botës 2026 po afrohet gjithashtu. Emrat më të përfolur dhe favoritët kryesorë për Topin e Artë 2026 janë Lamine Yamal, Micheal Olise, Erling Haaland, Kylian Mbappé dhe Harry Kane.

    Detajet për nominimet dhe akreditimet për mediat do të njoftohen në kohën e duhur.

  • Magyar dhe Rutte flasin për angazhimin hungarez në KFOR

    Magyar dhe Rutte flasin për angazhimin hungarez në KFOR

    Kryeministri hungarez, Peter Magyar, të enjten ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku përpos tjerash, ka folur edhe për angazhimin e vendit të tij në misionin e Aleancës në Kosovë, KFOR.

    Përmes një postimi në Facebook, Magyar tha se vendi i tij do të rikthehet si partner i besueshëm i aleancës më të fuqishme ushtarake dhe mbrojtëse në botë.

    Po ashtu, ai tha se bashkë me sekretarin Rutte janë pajtuar që “ushtarët hungarezë po i kryejnë detyrat e tyre mirë brenda misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë”, raporton “United24Media“.

    “Për momentin, bashkëpunimi mes Budapestit dhe NATO-s mbetet i kufizuar në pjesëmarrjen e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë”, shkroi kryeministri hungarez.

    Për më tepër, ai tha se Rutten e ka informuar edhe me vendimin e vendit të tij për të mos dërguar as armatim e as pajisje luftarake në luftën Rusi-Ukrainë.

  • Një muaj paraburgim për Arben Spasollin, që dyshohet se vrau 37-vjeçarin në Mitrovicë

    Një muaj paraburgim për Arben Spasollin, që dyshohet se vrau 37-vjeçarin në Mitrovicë

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Arben Spasollit, i dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit Erduan Ibrahimi.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa është caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, pas dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në vendim thuhet se paraburgimi ndaj të dyshuarit do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data 27 maj deri më 26 qershor 2026.

    Rasti lidhet me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë Erduan Ibrahimi, ndërsa organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

  • KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

    KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar akreditimin e dy organizatave për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, raporton Ekonomia Online.

    KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për grupin e parë të organizatave vëzhguese për monitorimin e procesit zgjedhor.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.

    Ndërkaq, ai bëri të ditur se dy organizata nuk janë akredituar pasi nuk kanë përmbushur kriteret e parapara.

    “Advocacy Center for Democratic Culture , ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë  07.06.2026. Zyra, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë joqeveritare, ka konstatuar se dokumentacioni i dorëzuar nuk është në përputhje me nenin 54, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Nga analiza e statutit, dhe fushë veprimtarisë së organizatës në fjalë, rezulton se ajo nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me proceset zgjedhore, apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Zyra i rekomandon KQZ-së, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Advocacy Center for Democratic Culture” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

    Po ashtu, Buzhala tha se Zyra ka rekomanduar refuzimin e akreditimit edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju”, pasi ka përdorur terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

    “Odbor za kontrolu i opservaciju, ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë  07.06.2026. Zyra, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Përdorimi i kësaj terminologjie është në kundërshtim edhe me parimet themelore kushtetuese mbi sovranitetin, identitetin shtetëror dhe respektimin e rendit juridik të Republikës së Kosovës nga çdo subjekt që kërkon akreditim dhe ushtrim të aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës. Për rrjedhojë, duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, si dhe në obligimin institucional për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, Zyra vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për akreditim të kësaj organizate. Zyra i rekomandon KQZ, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Odbor za kontrolu i opservaciju” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

    Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.

    OJQ VENDORE:

    1.         INTERNEWS KOSOVA – 23 vëzhgues;

    2.         BIRN KOSOVO – 45 vëzhgues;

    3.         Demokracia për Zhvillim (D4D) – 6 vëzhgues;

    4.         Kosova Democratic Institute – 305 vëzhgues;

    5.         Syri i Vizionit – 153 vëzhgues.

    ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

    1.         Nacional Democratic Institute – 14 vëzhgues.

    MEDIA VENDORE:

    1.         Urgjent Inc. – 3 vëzhgues;

    2.         Albswiss Media SHPK – 2 vëzhgues;

    3.         VIM INFO DOO – 14 vëzhgues;

    4.         Telegrafi – 6 vëzhgues;

    5.         Lajmi.net – 4 vëzhgues;

    6.         KoSSev – 5 vëzhgues;

    7.         Zëri – 3 vëzhgues;

    8.         Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;

    9.         Kontakt Kosvska Mitrovica/Kontakt Plus – 4 vëzhgues;

    10.       TV DUKAGJINI – 38 vëzhgues;

    11.       RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;

    12.       Radio Kim – 3 vëzhgues;

    13.       KOHA – 23 vëzhgues.

    MEDIA NDËRKOMBËTARE:

    1.         The Associated Press – 8 vëzhgues;

    2.         Novinska agencija Tanjug i Tanjug televizija – 4 vëzhgues;

    3.         Top News – 5 vëzhgues;

    4.         European Pressphoto Agency (EPA Images) – 1 vëzhgues;

    5.         Mondo Inc doo – Kurir televizija – 2 vëzhgues;

    6.         Radio Evropa e Lire – 3 vëzhgues;

    7.         GERMAN RADIO &TV ARD – 3 vëzhgues.

    PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:

    1.         Ambasada e Japonisë në Kosovë – 4 vëzhgues;

    2.         Ambasada e Italisë në Prishtinë – 4 vëzhgues.

    INSTITUCION VENDOR:

    1.         Institucioni i Avokatit të Popullit – 67 vëzhgues.

    Në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi edhe rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “EKO LËVIZJA E GJELBËR”.

    Sipas Buzhalës, pezullimi është rekomanduar për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor të partisë brenda afatit shtesë të dhënë nga KQZ-ja.

  • Zjarr i madh në Dolak, përfshihet nga flakët shtëpia e familjes Pllana

    Zjarr i madh në Dolak, përfshihet nga flakët shtëpia e familjes Pllana

    Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës në fshatin Dolak të Vushtrrisë, ku një zjarr ka përfshirë shtëpinë e Driton Pllanës, djalit të martirit Sabri Hashim Pllana.

    Pas kësaj, familja Pllana është përballur me dëme të konsiderueshme materiale.

    Sipas banorëve të zonës, prej një kohe të gjatë janë ngritur ankesa lidhur me problemet në rrjetin elektrik të lagjes. Ata pretendojnë se kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, kanë evidentuar probleme teknike gjatë inspektimeve në terren.

    Banorët thonë se shqetësimet e tyre nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur dhe kërkojnë që rasti të hetohet deri në fund për të sqaruar shkakun e zjarrit.

    “Nëse paralajmërimet e qytetarëve do të trajtoheshin me kohë, pasojat do të mund të shmangeshin. Dëmet nuk janë vetëm materiale, por prekin drejtpërdrejt jetën e familjeve”, thuhet në reagimet e bëra publike.

    Deri tani nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e incidentit, ndërsa pritet që autoritetet kompetente të dalin me informacione shtesë pas hetimeve.