ATV

Blog

  • Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Edicioni i katërt i “Prizren Rock n Blues Fest” rikthehet më 3, 4 dhe 5 korrik

    Prizreni do të mirëpresë edhe këtë verë edicionin e katërt të festivalit “Prizren Rock n Blues Fest”, i cili do të mbahet më 3, 4 dhe 5 korrik, me premtimin për një program më të madh dhe plot befasi për publikun.

    Në tri net magjike, në dy skena gjigante, në lokacionin përballë kompleksit sportiv Sezai Surroi, ngjiten virtuozët vendorë dhe ndërkombëtarë të skenës së rock-ut dhe blues-it.

    Dire Straits Legacy vjen me ritmet e paharruara të rock-ut botëror.

    Telex, gjigantët e rock-ut dhe funk-ut nga Shkupi, rikthejnë hitet evergreen në skenë pas shumë vitesh.

    Rock-bendi i njohur turk Kolpa vjen për herë të parë për një performancë të paharruar në vendin më të bukur, në Prizren.

    Jo vetëm kaq.

    Në skenë rikthehen ritmet e kolosëve të muzikës rock, me performancat e Led Zeppelin 2 dhe Attitude Guns N’ Roses Band.

    Bombastik si asnjëherë më parë, grupi i njohur TNT sjell muzikën autentike.

    BB Poqi, në jubileun e tij të 40-të, do të sjellë performanca të paharruara.

    3 Mosketjerët do të dëshmojnë simbiozën fantastike të tri legjendave të muzikës shqiptare rock.

    Në skenën e madhe të Prizren Rock n Blues ngjiten edhe Zwada, Hawolf, Rool, Urban Band, Flawia Zere, Beska and All Star Band dhe Dolludizgin.

    Më 3, 4 dhe 5 korrik, tri net energjike, në lokacionin përballë sallës Sezai Surroi, nën qiellin e hapur, në vendin më të bukur, në Prizren.

  • Ulen çmimet e naftës dhe benzinës, gazi mbetet në 74 centë për litër

    Ulen çmimet e naftës dhe benzinës, gazi mbetet në 74 centë për litër

    Çmimet maksimale të derivateve kanë shënuar ulje të re për naftën dhe benzinën.

    Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një litër naftë sot mund të shitet deri në 1 euro e 52 centë, apo tre centë më lirë se një ditë më parë.

    Rënie më të madhe ka pasur benzina, e cila sot tregtohet deri në 1 euro e 43 centë për litër.

    Çmimi maksimal i gazit ka mbetur i pandryshuar. Një litër gaz sot mund të shitet deri në 74 centë.

  • Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Kurti bën homazhe në Marinë në nderim të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj

    Në përvjetorin e 27-të të rënies së dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Marinë të Skënderajt.

    Kurti përkujtoi dhe nderoi dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, që ranë heroikisht më 30 maj 1999. Ata u vranë në fshatin Arllat, rrugës për të mbrojtur dhe strehuar civilët e rrethuar nga forcat armike serbe, të cilat po kryenin spastrim etnik e gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    Dy luftëtarë nga familje patriotike, Rasimi e Ragipi u bënë dëshmorë të lirisë që e fituam dy javë pas rënies së tyre dhe gjaku i tyre ndodhet në themelin e shtetit që kemi ndërtuar, e zhvillimin dhe forcimin e të cilit e kemi obligim. /Telegrafi/

  • SHBA godet një motoskaf të dyshuar për kontrabandë droge, humbin jetën tre persona

    SHBA godet një motoskaf të dyshuar për kontrabandë droge, humbin jetën tre persona

    Forcat amerikane kanë kryer një sulm ajror ndaj një motoskafi të dyshuar për kontrabandë droge në Paqësorin lindor, duke vrarë tre persona që ndodheshin në bord, njoftoi Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM).

    Në një deklaratë zyrtare, SOUTHCOM bëri të ditur se mjeti lundrues ishte “i angazhuar në operacione të trafikut të drogës”, ndërsa personat e vrarë i përshkroi si “tre narko-terroristë”.

    Komanda amerikane publikoi edhe një video që, sipas saj, paraqet momentin e sulmit ndaj motoskafit në fjalë.

    Sipas të dhënave të publikuara, SHBA-të kanë ndërmarrë dhjetëra operacione të ngjashme që nga shtatori i vitit të kaluar kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor.

     

  • Aksidentohet një kamion në autostradë, dy persona kërkojnë ndihmë mjekësore

    Aksidentohet një kamion në autostradë, dy persona kërkojnë ndihmë mjekësore

    Një aksident me një kamion ka ndodhur sot paradite në autostradë, në drejtimin Prizren-Prishtinë. Për pasojë dy persona kërkuan ndihmë mjekësore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.

    “Në ora 09:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku. Aksidenti ka ndodhur në autostradë drejtimi Prizren-Prishtinë (kilometri i 51-të). Në aksident është përfshirë vetëm një automjet. Si pasojë e aksidentit, dy  persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Njësia e trafikut e autostradës është marrë me procedurat në vendin e ngjarjes”.

    Krasniqi shtoi se njëri shirit i lëvizjes është bllokuar përkohësisht.

  • Konfirmohet lija e deleve në Suharekë, AUV-i me masa urgjente në të gjithë vendin

    Konfirmohet lija e deleve në Suharekë, AUV-i me masa urgjente në të gjithë vendin

    Në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës është konfirmuar prezenca e sëmundjes infektive “lija e deleve/dhive (Sheep Pox/Goat Pox)”, një sëmundje që prek bagëtinë dhe konsiderohet e rrezikshme për sektorin blegtoral.

    Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), e cila ka njoftuar se konfirmimi është bazuar në analizat laboratorike të realizuara nga vetë institucionet e saj.

    Sipas njoftimit zyrtar, mostrat e marra nga terreni dhe të analizuara në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë vërtetuar praninë e kësaj sëmundjeje në fermat e zonës së prekur.

  • Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për tregun e lirë të energjisë, çështja kthehet në rishqyrtim

    Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për tregun e lirë të energjisë, çështja kthehet në rishqyrtim

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në një rast që lidhet me tregun e lirë të energjisë elektrike, duke shpallur të pavlefshëm një vendim të Gjykatës Supreme dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.

    Bëhet fjalë për rastin KI322/25, të fituar para Gjykatës Kushtetuese nga Zyra Ligjore Basha Kraja LLC, e cila përfaqësoi klientin në këtë procedurë. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Gjykata Supreme kishte cenuar të drejtën për qasje efektive në gjykatë, duke refuzuar të shqyrtojë në substancë një padi që kishte të bënte me një Udhëzues të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Kontesti lidhej me një udhëzues të ZRRE-së që, sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, kishte prodhuar pasoja të drejtpërdrejta juridike dhe ekonomike për operatorët ekonomikë, duke ndikuar në kalimin e tyre nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike në tregun e lirë.

    Sipas pretendimeve të paraqitura nga pala paditëse, udhëzuesi kishte ndryshuar në substancë kriteret e përcaktuara me Ligjin për Energjinë Elektrike, pavarësisht se ishte paraqitur si një dokument me karakter udhëzues. Për këtë arsye, ishte kërkuar që ligjshmëria dhe efektet e tij të shqyrtoheshin në mënyrë të plotë nga gjykatat.

    Megjithatë, Gjykata Supreme kishte refuzuar ta shqyrtonte çështjen në substancë, duke u fokusuar kryesisht në formën juridike të aktit dhe duke vlerësuar se ai nuk përbënte akt që mund të kontestohej në procedurë gjyqësore.

    Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se gjykatat nuk mund të kufizohen vetëm në emërtimin ose formën e një akti, por duhet të analizojnë edhe efektet reale juridike që ai prodhon. Sipas saj, qasja e ndjekur nga Gjykata Supreme kishte qenë tepër formaliste dhe nuk kishte adresuar ndikimin konkret që udhëzuesi mund të kishte në të drejtat dhe interesat juridike të palës.

    Kushtetuesja vlerësoi se mosshqyrtimi i substancës së pretendimeve dhe fokusimi vetëm në formën e dokumentit kishte cenuar të drejtën për qasje efektive në gjykatë, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

    Për pasojë, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Aktvendimin e Gjykatës Supreme me numër P.A. nr. 24/2025 dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rishqyrtim.

    Ky aktgjykim konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për palët e përfshira në këtë rast, por edhe për zhvillimin e jurisprudencës kushtetuese në Kosovë. Ai riafirmon parimin se mbrojtja gjyqësore e të drejtave nuk duhet të pengohet nga formalizmat procedurale kur në pyetje janë të drejta dhe interesa reale juridike.

    Njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se vendimi dërgon një mesazh të qartë se institucionet dhe gjykatat duhet të vlerësojnë përmbajtjen dhe efektet konkrete të akteve administrative dhe rregullatore, e jo vetëm formën e tyre, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në pozitën juridike dhe ekonomike të qytetarëve apo operatorëve ekonomikë.

    Përfaqësuesit e Zyrës Ligjore Basha Kraja LLC kanë vlerësuar se aktgjykimi përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e parimeve kushtetuese që lidhen me qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen efektive gjyqësore të të drejtave, duke theksuar se drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm në formalizma procedurale kur një akt prodhon pasoja konkrete juridike dhe ekonomike. /Telegrafi/

  • Vasfije Krasniqi publikon shtëpinë ku u dhunua: Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, por nuk munda

    Vasfije Krasniqi publikon shtëpinë ku u dhunua: Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, por nuk munda

    E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka ndarë një dëshmi prekëse, duke rrëfyer se pas shumë vitesh është rikthyer në një nga vendet ku, sipas saj, ka përjetuar krimin që ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.

    Krasniqi-Goodman, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar një fotografi të një shtëpie, për të cilën thotë se nuk ka mundur të hyjë në njërën nga dhomat e saj, pasi “aty ndodhi krimi”.

    “Sot vendosa të kthehem në një vend ku për vite të tëra nuk kam pasur forcë të shkel. Ishte vendi i dytë ku, si një vajzë vetëm 16 vjeçe, përjetova tmerrin që më ndryshoi jetën përgjithmonë. Shtëpia e parë nuk ekziston më. Por kjo shtepi ende qëndron. Sot u afrova deri aty. Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda. Në oborr ishte dikush duke punuar. Qëndrova jashtë dhe bëra vetëm një fotografi. Për dikë tjetër mund të jetë thjesht një vend. Për mua është një copë e errët e historisë sime. Një vend ku më morën pafajësinë, sigurinë dhe një pjesë të shpirtit tim. Sot nuk shkova aty për të kërkuar mëshirë. Shkova sepse, pas kaq shumë vitesh, doja ta shihja me sytë e mi se ai vend ende ekziston, ndërsa unë ende po jetoj me atë që ndodhi brenda tij. Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, ka shkruar ajo.

  • Katër mënyra efektive për t’i larguar mushkonjat nga shtëpia

    Katër mënyra efektive për t’i larguar mushkonjat nga shtëpia

    Mushkonjat janë të bezdisshme dhe zakonisht shfaqen në periudhën kur temperaturat fillojnë të rriten.

    Përveçse irrituese, ato mund të shkaktojnë edhe dëme, pasi në disa raste pickimet e tyre mund të çojnë deri në infeksione në trupin e njeriut.

    Roboti virtual, ChatGPT, i ka katër rekomandime për t’i shmangur mushkonjat nga shtëpia.

    Përdorimi i rrjetës

    Vendosni rrjetë të zezë në dyert e shtëpive dhe në dritare, në mënyrë që mushkonjat dhe insektet e tjera të mos futen brenda.

    Sigurohuni që rrjetat të jenë të mbyllura mirë dhe pa vrima.

    Përdorimi i vajrave

    Vajrat si ajo e livandës, eukaliptusit, limonit dhe e mentës janë të njohura për aftësinë e largimit të mushkonjave. Mund t’i spërkatni në shtëpi, hyrje, dyer, dritare dhe në pjesët e ekspozuara, duke pamundësuar futjen e tyre.

    Largimi i ujërave të ndenjura

    Ujërat që qëndrojnë gjatë në enë të ndryshme ose në vazo lulesh mund të bëhen vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave. Sigurohuni që uji të largohet dhe hapësirat të pastrohen me ujë dhe dezinfektues, për t’i mbajtur larg ato.

    Përdorimi i pajisjeve elektronike

    Pajisjet ultrasonike që lëshojnë zëra me frekuenca të larta mund të ndihmojnë në largimin e mushkonjave. Po ashtu, edhe llambat me dritë ultraviolet mund të jenë efektive.

  • Hezbollah lëshon 15 raketa drejt Izraelit gjatë natës

    Hezbollah lëshon 15 raketa drejt Izraelit gjatë natës

    Hezbollahu dyshohet se ka ndërmarrë një seri sulmesh me raketa ndaj Izraelit gjatë natës. Mediat shtetërore iraniane raportuan se grupi i mbështetur nga Teherani ka lëshuar 15 raketa drejt veriut të Izraelit “në përgjigje të sulmeve izraelite”.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk e kanë konfirmuar ende këtë shifër, por në kanalin e tyre në Telegram raportuan për disa sulme të tentuara gjatë natës.

    IDF nuk ka njoftuar për të plagosur, por bëri të ditur se një goditje është identifikuar në zonën e Kiryat Shmona, në veri të Izraelit.

    Ky zhvillim vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se trupat izraelite kanë kaluar në veri të lumit Litani, që është kufiri i mëparshëm i zonës tampon, duke zgjeruar operacionet ushtarake kundër Hezbollahut.

    Gjatë një vizite pranë kufirit verior të Izraelit, Netanyahu deklaroi: “Forcat tona kanë kaluar lumin Litani; ato kanë avancuar drejt pozicioneve strategjike. Ne po operojmë në Bejrut, në Luginën Bekaa, përgjatë gjithë vijës së frontit dhe po i shkaktojmë Hezbollahut një goditje shkatërruese.”

    Nuk është ende e qartë se sa kontroll ushtron Izraeli në këto zona të reja dhe çfarë roli po luan qeveria libaneze në terren.

    Lumi Litani konsiderohej më parë kufiri i zonës tampon që Izraeli synonte të krijonte në jug të Libanit. Gjithashtu, sipas Rezolutës 1701 të OKB-së, ai shërbente si vijë ndarëse e një zone të çmilitarizuar, e cila tani ndodhet nën kontrollin e forcave izraelite.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se një milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në jug të vendit, ndërsa mbi 3 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite.

    Izraeli ka deklaruar se paralajmëron civilët përpara sulmeve dhe se objektivi i operacioneve është vetëm Hezbollahu, grupi i armatosur i mbështetur nga Irani.

    Korrespondentja speciale e Sky News, Alex Crawford, tha se ushtria izraelite ka lëshuar tashmë urdhra të detyrueshëm evakuimi për rreth 15% të territorit të Libanit.

    Ndërkohë, Irani ka bërë të qartë se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund përballjes së tij me SHBA-të duhet të përfshijë edhe ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

    Luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban duhej të ishin pezulluar në kuadër të një zgjatjeje të armëpushimit, pas përplasjes së fundit që nisi në fillim të muajit mars.