ATV

Blog

  • PSD në ditën e katërt të fushatës akuzon qeverisjen në Prishtinë

    PSD në ditën e katërt të fushatës akuzon qeverisjen në Prishtinë

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në ditën e katërt të fushatës zgjedhore ka publikuar një video në Facebook ku ka kritikuar ashpër mënyrën e qeverisjes në Komunën e Prishtinës.

    Ai ka deklaruar se po shqyrtohet vendosja e një takse prej 10 eurosh për çdo veturë që hyn në kryeqytet.

    Molliqaj ka theksuar gjithashtu se gjendja e pastërtisë në qytet dhe menaxhimi komunal nuk janë përmirësuar, duke kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë të rezultateve konkrete.

    Në fund, ai ka theksuar se Partia Socialdemokrate paraqet, sipas tij, një alternativë opozitare që synon të përfaqësojë interesin e qytetarëve dhe ka kërkuar mbështetje në zgjedhje me numrin 129.

  • Dita e katërt e fushatës, PLE kërkon besimin e qytetarëve për përfaqësim dinjitoz

    Dita e katërt e fushatës, PLE kërkon besimin e qytetarëve për përfaqësim dinjitoz

    Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka shpërndarë një video-incizim nga tubimi elektoral i mbajtur në Pejë, ku ka përcjellë mesazhe për unitetin e komunitetit egjiptian.

    Gjatë fjalimit të tij, Berisha bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin numrin 131, të cilin e cilësoi si simbol të një ndryshimi të rëndësishëm për komunitetin egjiptian.

    Kreu i PLE-së tha se kandidatët e listës zgjedhore përfaqësojnë potencial të madh politik dhe institucional.

    Berisha u bëri thirrje simpatizantëve dhe qytetarëve që të angazhohen në mobilizimin e votuesve.

  • PDK premton rritje pensionesh për familjet e dëshmorëve dhe për mësimdhënësit

    PDK premton rritje pensionesh për familjet e dëshmorëve dhe për mësimdhënësit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ka vazhduar prezantimin e programit qeverisës në ditën e katërt të fushatës për zgjedhjet parlamentare.

    Gjatë ditës, Hamza publikoi një video-mesazh në të cilin shpalosi zotimet për familjet e dëshmorëve. Ai tha se pensionet për familjet e dëshmorëve do të rriten dhe se prindërit e dëshmorëve nuk do të detyrohen më të zgjedhin ndërmjet pensionit të moshës dhe pensionit të dëshmorit.

    Po ashtu, kandidati i PDK-së për Kryeministër zhvilloi një takim me punëtorët e arsimit, ku prezantoi vizionin e tij për përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit. Në mesazhin e publikuar nga ky tubim, ai theksoi nevojën për trajtim më të dinjitetshëm të mësimdhënësve dhe profesorëve.

    “Mësuesit nuk duhet të mendojnë nëse u del paga për të kaluar muajin. Arsimtarët dhe profesorët nuk duhet të ndihen të nënvlerësuar. Punëtorët e arsimit duhet të kenë siguri dhe dinjitet në punën e tyre”, thuhej në mesazhin e shpërndarë nga Hamza.

    Në kuadër të programit të PDK-së për arsimin, ai premtoi paga më të larta, kushte më të mira pune dhe vlerësim të merituar për të gjithë punëtorët e dijes, duke përsëritur moton e fushatës: “STOP krizës, PO ndryshimit!”.

  • LVV premton dyfishimin e shtesave për fëmijët në 60 euro

    LVV premton dyfishimin e shtesave për fëmijët në 60 euro

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetet e saj në ditën e katërt të fushatës elektorale, me kryetarin e partisë dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, i cili gjatë ditës ka zhvilluar takime me qytetarë në Kaçanik, Han të Elezit dhe Vushtrri.

    Në tubimin e mbajtur në Kaçanik, Kurti prezantoi programin e LVV-së për bujqësinë, punësimin dhe mbrojtjen.

    “Kush e punon tokën, shtetin e ka përkrah. Për çdo diplomë shkolle, një vend pune. Dronat do t’i kemi ‘Made in Kosova’ – tre lloje i kemi blerë nga shtete partnere, e të katërtin e prodhojmë vetë”, deklaroi ai.

    Më pas, në takimin me qytetarët në Han të Elezit, kandidati i LVV-së tha se në mandatin e ardhshëm do të ketë rritje të pensioneve dhe mbështetje shtesë për familjet.

    Sipas tij, pensionistët që kujdesen për mbesat dhe nipërit e moshës 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit janë të punësuar, do të përfitojnë nga 100 euro shtesë në muaj mbi pensionin ekzistues.

    Ndërkaq, në tubimin zgjedhor në Vushtrri, Kurti u fokusua te politikat sociale, duke premtuar dyfishimin e shtesave për fëmijë, nga 30 në 60 euro në muaj.

  • LDK zotohet për rritje pagash, pensionesh dhe krijimin e 40 mijë vendeve të punës

    LDK zotohet për rritje pagash, pensionesh dhe krijimin e 40 mijë vendeve të punës

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, kanë mbajtur sot tubime elektorale në Malishevë, Suharekë, Gjilan, Lipjan dhe Prishtinë, në kuadër të ditës së katërt të fushatës zgjedhore.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para qytetarëve në Malishevë u zotua për krijimin e vendeve të reja të punës.

    Ndërkohë, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, tha se amaneti i dëshmorëve dhe heronjve të vendit obligon institucionet të punojnë për një Kosovë të forte.

    Në Suharekë, Lumir Abdixhiku është pritur në një tubim të madh elektoral, të cilin e ka vlerësuar si dëshmi të rritjes së mbështetjes për LDK-në dhe energjisë së fushatës në terren.

    Ai u zotua për përfundimin e projekteve zhvillimore që, sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara për vite me radhë, duke theksuar se qeverisja e ardhshme do t’i realizojë ato brenda një afati të shpejtë dhe me efikasitet më të lartë.

  • AAK premton lehtësim të barrës fiskale për bujqit dhe bizneset

    AAK premton lehtësim të barrës fiskale për bujqit dhe bizneset

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në ditën e katërt të fushatës elektorale, ka mbajtur tubim në Podujevë e Klinë ndërsa dita pritet të përmbyllet me një takim me qytetarët në Istog.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij deklaroi se gjatë mandatit të tij qeverisës kishte lënë të gatshme dy projekte madhore energjetike.

    Nga ana tjetër, kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, kritikoi politikat sociale të qeverisë aktuale, duke thënë se shteti nuk forcohet duke i varfëruar qytetarët dhe duke i bërë ata të varur nga ndihmat sociale.

    Gjini paraqiti edhe disa nga zotimet ekonomike të AAK-së.

    AAK në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 128.

  • Kvicha Kvaratskhelia pas triumfit të PSG-së: Do të tentojmë ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve

    Kvicha Kvaratskhelia pas triumfit të PSG-së: Do të tentojmë ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve

    Paris Saint-Germain e ka fituar me shumë dramë finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit, duke triumfuar 4-3 pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1.

     

    Njëri nga protagonistët e mbrëmjes, Khvicha Kvaratskhelia, nuk e fshehu emocionin pas suksesit historik të skuadrës franceze, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e të gjithë ekipit në rrugën drejt trofeut.

     

    “Është një ndjenjë e pabesueshme. Isha shumë i lodhur, por kur gjithçka përfundoi, sërish kisha energji për të vrapuar dhe për të festuar. Ia dolëm. Falënderoj tifozët tanë, klubin, trajnerin dhe bashkëlojtarët. Jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë natë”, deklaroi ylli gjeorgjian.

     

    Kvaratskhelia foli edhe për objektivat e PSG-së në të ardhmen, duke theksuar se skuadra synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm fitues edhe në sezonin e ardhshëm.

     

    “Tani duhet të vazhdojmë në këtë drejtim. Sezonin e ardhshëm do të përpiqemi ta fitojmë sërish këtë trofe”, shtoi ai.

     

    Kjo fitore shënon herën e dytë në histori që Paris Saint-Germain ngre trofeun e Ligës së Kampionëve, duke konfirmuar statusin e tij si një nga skuadrat më të forta në futbollin evropian.

     

    Njëkohësisht, PSG siguroi titullin e dytë radhazi në garën më prestigjioze për klube në Evropë. Sezonin e kaluar, parisienët triumfuan bindshëm ndaj Interit me rezultat 5-0 në finale, ndërsa tani synojnë të afrohen me rekordin e Real Madridit, skuadrës së vetme që ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve tre herë radhazi.

  • Real Madridi e sheh Alexis Mac Allisterin si alternativë për mesfushën

    Real Madridi e sheh Alexis Mac Allisterin si alternativë për mesfushën

    Real Madridi raportohet se po e shqyrton Alexis Mac Allisterin si një alternativë të mundshme për repartin e mesfushës, në rast se nuk arrin t’i realizojë objektivat kryesorë gjatë afatit kalimtar të verës.

     

    Sipas mediumit spanjoll “El Debate”, mesfushori i Liverpoolit po ndiqet me vëmendje nga drejtuesit e klubit madrilen, të cilët e konsiderojnë atë një zgjidhje të përshtatshme për forcimin e skuadrës.

     

    Kampioni i botës me Argjentinën vlerësohet si një opsion më i përballueshëm financiarisht krahasuar me disa emra të tjerë të njohur. Në Madrid besojnë se ai mund të sjellë stabilitet, ekuilibër dhe kontroll në mesfushë.

     

    Mac Allister ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2028 dhe prej kohësh ndodhet në listën e dëshirave të klubit spanjoll. Ai vlerësohet për inteligjencën taktike, qetësinë me topin dhe aftësinë për t’u përshtatur në role të ndryshme në mesfushë.

     

    Ndërkohë, Real Madridi vazhdon të hasë vështirësi në ndjekjen e objektivave të tij kryesorë. Enzo Fernandez i Chelseat mbetet zgjedhja e parë, por transferimi i tij shihet si i ndërlikuar për shkak të çmimit të lartë dhe kontratës afatgjatë me klubin anglez.

     

    Edhe Rodri i Manchester Cityt është përmendur si një mundësi për mesfushën madrilene, por raportimet tregojnë se mosha dhe problemet e mëparshme me lëndimet kanë ndikuar në vlerësimin e tij nga drejtuesit e klubit.

     

    Strategjia e Real Madridit është e qartë: të gjejë një mesfushor që mund të organizojë lojën dhe të kontrollojë ritmin e saj. Me Jude Bellinghamin, Arda Gulerin dhe Brahim Diazin që ofrojnë kreativitet gjatë ndeshjeve kundër ekipeve të mëdha.

  • San Antonio Spurs në finalen e NBA-së pas triumfit ndaj Oklahoma Cuty Thunder në ndeshjen vendimtare

    San Antonio Spurs në finalen e NBA-së pas triumfit ndaj Oklahoma Cuty Thunder në ndeshjen vendimtare

    San Antonio Spurs janë kualifikuar në finalen e madhe të NBA-së pasi mposhtën Oklahoma City Thunder me rezultatin 111:103 në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare të finales së Konferencës Perëndimore.

     

    Fitorja në Oklahoma City u siguroi Spurs titullin kampion të Perëndimit dhe një vend në finalen e NBA-së për herë të parë që nga viti 2014. Seria mes dy skuadrave u vendos vetëm pas ndeshjes së shtatë, duke dëshmuar rivalitetin dhe nivelin e lartë të garës.

     

    Heronjtë e triumfit ishin Victor Wembanyama dhe Julian Champagnie. Francezi udhëhoqi Spurs me 22 pikë, ndërsa Champagnie shtoi 20 pikë, prej të cilave 18 erdhën nga gjuajtjet për tre pikë. Në total, shtatë lojtarë të Spurs shënuan pikë dyshifrore, duke treguar forcën kolektive të ekipit.

     

    Një nga momentet kyçe të takimit erdhi në mesin e çerekut të fundit, kur Luke Kornet bllokoi një tentativë të Isaiah Hartenstein pranë koshit dhe ndali një aksion që mund ta kishte afruar Thunder në vetëm katër pikë diferencë. Edhe pse Kornet realizoi vetëm dy pikë gjatë gjashtë minutave në parket, bllokimi i tij rezultoi vendimtar për rrjedhën e ndeshjes.

     

    Te Thunder, Shai Gilgeous-Alexander ishte edhe një herë lojtari më i mirë me 35 pikë dhe nëntë asistime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin. Cason Wallace kontribuoi me 17 pikë, ndërsa Jared McCain dhe Alex Caruso shtuan nga 12 pikë secili. Mungesa e Jalen Williams për shkak të dëmtimit e vështirësoi edhe më shumë detyrën e skuadrës vendase.

     

    Me eliminimin e Thunder, është konfirmuar se NBA do të ketë një kampion të ri për të tetin sezon radhazi.

     

    Ndeshja e parë e finales së madhe të NBA-së mes San Antonio Spurs dhe New York Knicks do të zhvillohet më 4 qershor.

  • Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe

    Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe

    Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, mund të rikthehet në futbollin turk dhe te një klub që e njeh shumë mirë. Mediat turke raportojnë se “Pirati” është një nga objektivat kryesorë të drejtuesve të ardhshëm të Fenerbahçe.

     

    Sipas gazetarit turk Yagiz Sabuncuoglu, ekziston një marrëveshje e plotë mes sulmuesit të RCD Mallorca dhe Aziz Yıldırım, i cili pritet të kandidojë për postin e presidentit të Fenerbahçes në zgjedhjet e muajit qershor.

     

    Ndërkohë, Mallorca po e ndjek me qetësi situatën, pasi klubi spanjoll pret të përfitojë një shumë të konsiderueshme nga transferimi i mundshëm i sulmuesit kosovar.

     

    Fillimisht u raportua se Mallorca ishte e gatshme të ndahej me Muriqin vetëm për një shumë rreth 18 milionë euro. Megjithatë, duke pasur parasysh dëshirën e fortë të lojtarit për t’u larguar nga Spanja, palët pritet të ulen në bisedime për të rishikuar kushtet e transferimit.

     

    Muriqi nuk është një emër i panjohur për tifozët e Fenerbahçes. Ai ishte pjesë e skuadrës turke gjatë sezonit 2019/20, ku me paraqitjet e tij të mira tërhoqi vëmendjen e klubeve evropiane dhe më pas vazhdoi karrierën jashtë Turqisë.

     

    Nëse transferimi realizohet, ky do të ishte një rikthim i bujshëm për sulmuesin kosovar, i cili vazhdon të mbetet një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kosova.