ATV

Blog

  • Sulmi që tronditi Moskën dhe la pas të paktën 60 viktima, çfarë dihet deri tani

    Sulmi që tronditi Moskën dhe la pas të paktën 60 viktima, çfarë dihet deri tani

    Të paktën 60 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur pasi persona të armatosur hapën zjarr të premten një koncert rock në Crocus City Hall në një periferi të Moskës, thotë inteligjenca ruse.

    Një zjarr i madh shpërtheu në ndërtesë, duke shkaktuar shembjen e një pjese të çatisë pranë teatrit, por tani thuhet se është shuar kryesisht.

    Grupi i Shtetit Islamik ka pretenduar se ka kryer sulmin dhe tha se përgjegjësit u arratisën.

    Shtetet e Bashkuara thonë se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në këtë pretendim, ndërsa shtoi se e kishte paralajmëruar Rusinë për një sulm të mundshëm ndaj “mbledhjeve të mëdha” në Moskë në fillim të këtij muaji.

    Ukraina ka mohuar çdo përfshirje me këtë ngjarje të rëndë.

    Pas ngjarjes, siguria në Rusi është forcuar ndërsa garda kombëtare është vënë në gatishmëri.

    Në pamjet e publikuara në media dhe rrjetet sociale, shihet momenti kur 6200 të pranishëm që po ndiqnin një koncert të një grupi të muzikës rrok, alarmohen nga të shtënat me armë dhe tentojnë të largohen për të shpëtuar jetën, shkruan Tch.

    Salla shpërtheu në flakë pasi autorët të cilët mendohet të kenë qenë 3 ose 5 persona hodhën edhe granata.

  • Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Komandanti i FSK-së, po qëndron në vizitë zyrtare në ShBA

    Me ftesë të komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i tij po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Ajova, SHBA.

    Në ditën e parë të vizitës, gjenerali Osborn priti në takim bilateral gjeneral Jasharin ku u diskutua për aktivitetet e përbashkëta në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror mes dy forcave si dhe synimet për avancimin e aktiviteteve bazuar në planin afatmesëm të bashkëpunimit. Të dy gjeneralët u pajtuan të zhvillojnë tutje programin në fushat e manovrës, logjistikës, kibernetikës, mjekësisë si dhe zhvillimit të korit të nënoficerëve. “Po ashtu gjatë kësaj vizite u realizuan edhe disa sesione të prezantimeve për rekrutimin dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mbi gatishmërinë si dhe modernizimin. Të dy delegacionet patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe praktika nga të dy vendet përkatëse”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në ditën e dytë të vizitës së tij Gjeneral Jashari dhe delegacioni i tij u pritën nga zëvendës guvernatori i Ajovës, Adam Gregg. Gjatë takimit gjeneral Jashari falënderoi Gregg për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Ajovës po jep për Kosovën në përgjithësi dhe FSK-në në veçanti. KOMFSK pati mundësi të informojë atë për arritjet e FSK-së, dhe rrugën përpara në zhvillimin e kapaciteteve të reja. Zëvendës guvernatori u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit dhe të arriturat si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar tutje në thellimin e bashkëpunimit në nivel sa më të lartë.

    “Delegacioni i FSK-së, ka vizituar edhe Konsullatën e Kosovës në Ajova, ku u pritën nga Sekretari i Parë i Konsullatës, Fatmir Rrahmanaj. Ai prezantoi punën e konsullatës dhe angazhimin e tyre në koordinimin dhe sinkronizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë”, thuhet në njoftim.

  • Peci: Ministrinë e kam gjetur në gjendje kaotike e me shumë abuzime

    Peci: Ministrinë e kam gjetur në gjendje kaotike e me shumë abuzime

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për tri vite qeverisje me këtë institucion ka arritur që ta ndryshoj në mënyrë radikale për të mirë gjendjen në sektorin e bujqësisë, duke e rritur kështu përkrahjen për bujqit dhe fermerët deri në 216 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Ai në këtë intervistë ka folur edhe në lidhje me implementimin e Fondit Blegtoral në vlerë prej 5 milionë eurove, për të cilin tha se me implementimin e këtij fondi në vend do të jenë plus edhe 2 mijë lopë në nivel vendi dhe se Kosova do të ketë në baza ditore mbi 40 mijë litra qumësht të freskët.

    Peci ka thënë se pavarësisht përballjes me krizat botërore, kanë arritur që të kenë të mbjellat më të mëdha se rekordi i të mbjellurave të pas luftës në Kosovë. Ai ka thënë se Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur në një gjendje kaotike e me shumë abuzime në aspektin financiar.

    “Gjendje në të cilin e kam gjetur sektorin e bujqësisë ka qenë gjendje kaotike, në Ministrin e Bujqësisë fatkeqësisht unë mendoj që ka qenë njëra nga institucionet që është abuzuar më së shumti në aspektin financiar. Por nuk është abuzuar vetëm  në aspektin financiar me programet kryesore të subvencioneve dhe të grandeve, del që problemi i pronave të jetë njëra prej mënyrave dhe veprimeve që më abuzive dhe flagrante në Kosovën e pas luftës. Unë jam shumë i lumtur që për tri vite të qenit ministër, gjendja në sektorin e bujqësisë ka ndryshuar radikalisht për të mirë”.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore përkundër që ministër i Bujqësisë jam bërë në periudhën më të pa përshtatshme për shkak të rrethanave dhe efektit që ka pasur covid19, mandej kriza energjetike, agresionit të Rusisë në Ukrainë që i ka rritur çmimet e produkteve bujqësorë për dikun 300 për qind dhe marr për bazë gjendjen katastrofale në të cilën e kam gjetur ministrin e Bujqësisë. Unë sot jam shumë krenar për ndryshimet pozitive që ne i kemi arritur edhe përkundër krejt këtyre fakteve edhe obligimeve të mëdha, edhe zhytjes në krim e korrupsion në këtë institucion ne kemi arritur që te kemi rezultate signifikante, kemi arrit që të kemi të mbjellat më të mëdha se rekordi e të mbjellurave të pas luftës në Kosovë. Kemi arrti që të rrisim përkrahjen deri në 216 për qind, në vazhdimësi për dy vite jemi duke u shpallur institucioni më transparent në vend”.

    “Çdo cent i taksapaguesve të Kosovës dihet mirëfilli se cili është përfituesi final. Përkundër faktit që jemi përballur edhe me disa veshtersi objektive, sikur se janë masat e vënë nga mekanizmat ndërkombëtar, vetëm vitin e kaluar kemi arritur që me partneritete, marrëveshje ndërkombëtare të rrisim buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për 26.4 milion euro, edhe gjithë këto veprime janë realizuar mbi bazën e vullnetit politik që ne e kemi pasur edhe gjitha parametrat i kemi pozitiv, duke përfshirë edhe bilancin tregtar që prej se unë jam ministër rritja e sasisë së eksporteve të prodhimeve bujqësore është rreth 100 për qind”, ka thënë ai.

    Ministri Peci ka thënë se gjendja e bujqve dhe blegtorëve në Kosovë është më e mira në rajon, falë përkrahjes financiare dhe thjeshtësimit të mënyrës së aplikimit të fermerëve për grante dhe subvencione.

    Ai më këtë rast ka përmendur edhe rastin e dy fermerëve në Kosovë të cilët kanë përfituar për here të parë subvencionim pas thjeshtësimit të mënyrës së aplikimit.

    “Gjendje e bujqve dhe blegtorëve në Kosovë unë mendoj që është më e mira në rajon edhe përkundër faktit që tash po shohim një trend të protestave dhe pakënaqësive në krejt vendet e BE-së. Kënaqshmëria e fermerëve të Kosovës me institucionin është tepër e lartë edhe kjo për një mori arsyesh e para për shkak të transparencës, për shkaka se e kemi dëshmuar që vullneti jonë është vetëm me qenë në përkrahje të fermerëve, e dyta rritja e përkrahjes financiare, e treta meritokracia që ne e kemi imponuar, por njëkohësisht edhe në vazhdimësi thjeshtësimi i mënyrës së aplikimit të fermerëve”, ka thënë ai.

    Peci duke folur për implementimin e Fondit Blegtoral në vlerë prej 5 milionë eurove, ka thënë se arsyet për rritjen e këtij fondi kanë qenë pasi kanë vërejtur se kompanitë që bëjnë grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, janë duke u përballur mungesë të konsiderueshëm të sasisë se qumështit. Sipas tij, ky veprim do të ndryshoj tërësisht prodhimtarinë bujqësore nga viti 2025 e tutje.

    “Bëhet fjalë për programin e garantëve për shkak se ne kemi bërë analizë për Fondi Blegtoral prej vitit 1960 e këndej, fatkeqësisht trendi në vazhdimësi ka qenë në rënie, posaçërisht nga periudhë e luftës dhe pas luftës dhe në po dëshirojmë që këtë trend ta ndryshojmë për shkak se nevoja e produkteve të qumështit dhe nënë produkteve të qumështit dhe nevoja e produkteve të mishit dhe nënë produkteve të mishit dhe nënë produkteve të mishit rritet për një vlerë goxha të lartë në aspektin ekonomik të prodhimit, e aspekteve tregtare. Dhe në funksion të kësaj ne e kemi prioritizuar në programe 2023-së që të implementohen në vitin 2024, 5 milion euro, e cila ka për dedikim ekskluziv rritjen e Fondi Blegtoral tekë fermerët por njëkohësisht edhe kapacitet e tjera qoftë në mekanizëm bujqësorë, qoftë në ndërtimin e stallave për të lehtësuar veprimtarin e fermerëve”.

    “Ky vit do të shënon për herë të parë ndryshimin e grafikonit të Fondit Blegtoral në Kosovë për shkak se me mjetet që i kemi në dispozicion tash janë në fazën finale të procesit të vlerësimit të grandeve. Probabiliteti është që ne të kemi diku plus 2 mijë lopë në nivel vendi, e kjo nga viti 2025 nënkupton që Kosova ta ketë në baza ditore mbi 40 mijë litra qumësht të freskët plus si rezultat i masës që ne po e implementojmë, e kjo ka automatikisht efekt shumë pozitiv në krejt zingjrin e funksionimit. Njëra nga arsyet pse e kemi vendosur me prioritete rritjen e Fondit Blegtoral është se ne kemi parë që kompanitë grumbulluese dhe përpunuese kanë ose janë duke u përballur me mungesë të konsiderueshëm të sasisë se qumështit e kjo e ndryshon tërësisht prodhimtarinë bujqësore nga viti 2025 e tutje”, ka thënë ai.

    Peci ka konfirmuar se këtë vit Kosova krahasuar me vitet paraprake mund ta sigurojë miellin e nevojshëm. Thotë se përkrahja ndaj fermerëve ka ndikuar në shtimin e hektarëve të mbjella me grurë.

    “Për të dhënë një përgjigje të tillë është koxha komplekse. Në rast se ne marrim standardin e BE-së të sasisë së miellit për kokë banori pothuajse Kosova mundet me e plotësuar. Po në anën tjetër shoqëria jonë konsumon një numër më të madh të sasisë se prodhimit ose të nevojës. Ndoshta edhe për shkak të traditës, mandej është një numër i madh i fermerëve që e mbjellin grurin po destinimin final të sasisë së grurit nuk e kanë për ushqim për qytetaret ose për prodhuesit, ose për pika grumbulluese, ose për mullinjë, por ja dedikojnë ushqimit për kafshë ose për shpezë”.

    “Ne në një krahasim ose një statistikë të përafërt na ka dalur që dikun 65 deri 70 për qind vitin e kaluar e kemi pasur nevojën e mbulueshmërisë duhet me marr për bazë sasinë e importit numrin e hektarëve, rendimentin mesatar minimal na ka dalë që dikun kemi mbuluar 65 deri 70 për qind. Për me mundur me plotësuar në 100 për qind është pak sa e vështirë, por sido që të jetë trendi është pozitiv. Vitin e kaluar përkundër që kemi pasur rekordin më të madh të të mbjellurave, fatkeqësisht kushtet klimatike vlerësohet se kanë qenë më të dobëta në 30-40 vitet e fundit rrjedhimisht rendimenti ka qenë më i ulët. Në si institucion kemi bërë krejt çka është e mundur për shkak se e kemi vendosur rritjen më të madhe për kulturën e grurit, pikërisht për shkaka të rreziqeve që kanë ekzistuar për sigurinë ushqimore e që ka ardhur si rezultat i çrregullimit të tregut nga agresioni i Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.

  • Grupi Parlamentar i LV-së sot mban konferencë

    Grupi Parlamentar i LV-së sot mban konferencë

    Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot mban konferencë për media.

    Konferenca fillon nga ora 13:00, në sallën e këtij grupi, në Kuvend.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Në vendin tonë sot (e shtunë) do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë.

    Sipas Meto Kosova era do fryjë nga jugperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-54 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 20°C.

  • 35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

    Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke e lënë atë si pjesë të Serbisë.

    Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë. Nga 190 delegatët e pranishëm  në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

    Në demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe me kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës, ranë rreth 30 dëshmorë, qindra u plagosën dhe qindra të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me burg. E tërë fushata kundër Kosovës kishte filluar nga serbët në Fushë Kosovë, më 1987, e cila njihet edhe si lëvizja serbe antishqiptare, ku edhe fillon ardhja në pushtet e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

  • Këshilltari i Zelenskyt: Ukraina s’ka gisht në sulmin në Moskë

    Këshilltari i Zelenskyt: Ukraina s’ka gisht në sulmin në Moskë

    Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina nuk ka gisht në sulmin që ka ndodhur të premten mbrëma në Moskë.

    Disa persona të armatosur kanë shtënë mbi turmën e njerëzve në një sallë koncertesh në Moskë, duke vrarë të paktën 40 persona, sipas raportimeve në Rusi. Mbi 100 persona dyshohet të jenë plagosur e objekti është duke u djegur.

    “Të jemi të qartë, Ukraina absolutisht nuk ka të bëjë asgjë me këto ngjarje”, ka shkruar ai në Telegram.

  • ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Moskë që la të vrarë 40 persona e qindra të plagosur

    ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Moskë që la të vrarë 40 persona e qindra të plagosur

    Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Moskë të premten, ka raportuar “Reuters”.

    ISIS-i ka bërë njoftimin në kanalin e vet në Telegram.

    Si pasojë e sulmit të armatosur, raportohet për të paktën 40 të vrarë e qindra të plagosur. Akoma nuk ka të arrestuar për rastin.

  • Vuçiq pas deklaratave të Kurtit: Serbia s’po përgatitet për luftë

    Vuçiq pas deklaratave të Kurtit: Serbia s’po përgatitet për luftë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten vonë se Serbia “nuk është duke u përgatitur për luftë” me Kosovën, pas pretendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se shteti serb e dërgoi ushtrinë e vet “disa metra” afër kufirit me vendin fqinj të enjten, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Serbia nuk do të futet në luftë, do ta presë momentin për veprimin e saj politik”, tha Vuçiq për televizionin serb Prva të premten.

    Të enjten pak para mesnatës, Kurti tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre.

    Vuçiq tha se ato pamje “janë nga zona e sigurisë tokësore”.

    “Kurti dëshiron që të ndodhë diçka që SHBA-ja të ndërhyjë kundër Serbisë”, tha Vuçiq.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

    Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

    “Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O’Brien.

    Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.

    Vuçiq thirri seancë të Sigurisë Kombëtare

    Vuçiqi e thirri një seancë të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për të shtunën, shkak të një sulmi të madh me armë në kryeqytetin rus, Moskë, më herët gjatë mbrëmjes.

    “Ka disa arsye për këtë”, tha Vuçiq për TV Prva.

    Vuçiq tha gjithashtu se përveç “masave për mbrojtjen absolute të sigurisë së Serbisë, do të propozoj edhe disa ligje të reja”.

    Seanca është paralajmëruar të mbahet një ditë më vonë, më 23 mars.

    Së paku 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, pasi sulmues të armatosur qëlluan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë autoritetet ruse.

    Sipas tyre, persona të armatosur hapën zjarr në sallën e koncerteve Crocus City në Krasnogorsk, afër Moskës, mbrëmjen e së premtes.

    Shpërthime të njëpasnjëshme u raportuan, po ashtu.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç tha, “këtë sulm të përgjakshëm terrorist”.

  • Shtëpia e Bardhë: S’ka asnjë indikacion që Ukraina qëndron prapa sulmit vrastar në Moskë

    Shtëpia e Bardhë: S’ka asnjë indikacion që Ukraina qëndron prapa sulmit vrastar në Moskë

    Shtëpia e Bardhë tha të premten se nuk kishte asnjë indikacion fillestar se Ukraina, e cila po lufton kundër pushtuesve nga Rusia, ishte përfshirë në një sulm “të tmerrshëm” në një sallë koncertesh në Moskë.

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara janë ende duke mbledhur informacione pasi zyrtarët rusë thanë se persona të armatosur hapën zjarr në një sulm “terrorist”, duke lënë të vdekur dhe të plagosur.

    “Nuk ka asnjë indikacion për momentin se Ukraina, apo ukrainasit, janë përfshirë në të shtënat”, tha Kirby, raporton skynews.

    Ky i fundit gjithashtu ofroi ngushëllime për viktimat e sulmit, lajmi për të cilin u përhap disa minuta përpara konferencës së përditshme të Shtëpisë së Bardhë.

    “Imazhet janë thjesht të tmerrshme dhe të vështira për t’u parë dhe mendimet tona padyshim do të jenë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm me të shtëna”, tha ai.

    Ndryshe, ambasada amerikane në Moskë kishte paralajmëruar më 7 mars se “ekstremistët” po planifikonin diçka për zgjedhjet presidenciale ruse, por Kirby tha se Uashingtoni nuk kishte njohuri paraprake për sulmin.

    Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar tani të gjithë amerikanët që të shmangin koncertet apo qendrat tregtare ruse dhe të qëndrojnë në vend pas dhunës së fundit.