Dyzet persona janë vrarë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur pas sulmeve me armë në Bashkinë Crocus jashtë Moskës të premten mbrëma, sipas Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë.
Sipas The Guardian që thirret në median ruse Interfax deri në pesë persona të armatosur u përfshinë në sulme.
Agjencia më e lartë hetimore e Rusisë, Komiteti Hetimor, tha se po i heton ngjarjet si një sulm terrorist, raporton Associated Press.
Agjencia nuk tha se kush mund të jetë përgjegjës për sulmet.
Princesha e Uellsit thotë se është në fazat e hershme të trajtimit pasi kanceri u zbulua në teste
Në një deklaratë video, Catherine thotë se ishte një “shok i madh” pas një “dy muajsh tepër të vështirë”.
Por ajo dërgoi një mesazh pozitiv, duke thënë: “Jam mirë dhe po forcohem çdo ditë e më shumë”.
Detajet e kancerit nuk janë bërë të ditura, por Kensington Palace thotë se ka besim se princesha do të shërohet plotësisht.
Deklarata e princeshës shpjegon se kur ajo bëri një operacion abdominal në janar, nuk dihej që kishte kancer.
“Sidoqoftë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohej një kursi të kimioterapisë parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të këtij trajtimi,” tha princesha.
Ajo tha se po mendonte për të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, duke shtuar: “Për të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje, në çfarëdo forme qofshin, ju lutemi mos e humbni besimin apo shpresën. Nuk jeni vetëm”.
Catherine tha se rikuperimi nga operacioni i saj në janar, për një gjendje që nuk është zbuluar, kishte marrë kohë dhe prioriteti tani ishte të qetësonte familjen e saj.
“William dhe unë kemi bërë gjithçka që mundemi për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re.”
Princesha shtoi: “Na ka marrë kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë.”
Ajo tha se familja tani ka nevojë për “disa kohë, hapësirë dhe privatësi”.
Për shkak të sulmeve me armë zjarri në drejtim të policisë, nevoja për ndërtimin e një stacioni policor në Zubin Potok, ishte konsideruar urgjente.
Me po kaq nxitim u kryen edhe shpronësimet, andaj në tetor të 2023-ës edhe nisën procedurat e prokurimit. Por, pa kaluar as 5 muaj nga përgatitja e terrenit, tenderi është anuluar.
Derisa i riu nuk ndërtohet, policëve si stacion do t’u shërbejnë këta kontejnerë.
“Puna në kontejnerë na penalizon pak. Por do vazhdojmë të angazhohemi njësojë derisa të ndërtohet i riu. Shpresoj se nuk do ketë vonesa”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.
Sipas njoftimit, tenderi u anulua për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore të prokurimit. Megjithatë, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se mund të ketë ndikuar edhe deklarimi i emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se shpronësimet në veri me qëllim të ndërtimit të stacioneve policore janë çështje në anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Komisioni për Politikë dhe Demokraci do ta shqyrtojë më 27 mars aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili pritet ta votojë raportin për Kosovën. Nëse merr dy të tretat e votave të këtij Komisioni, raporti i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Me certifikimin e 56 noterëve të rinj, komunat si Kamenica, Istogu, Skenderaj e disa të tjera, pritet që më të mos kenë mungesë të noterëve.
Nga 437 sa ishte numri i kandidatëve, vetëm 56 arritën ta kalojnë provimin e noterisë, të cilët të premten u pajisën me certifikata nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Si ministre deri më tani nuk kam mundur t’i emëroj noterë kandidatët që kanë dhënë provimin e noterisë në procesin e vitit 2019, duke e ditur se ka qenë proces më i komprometuar ndonjëherë, ndërhyrje nga brenda, ndërhyrje nga jashtë, gjithandej… Më duket e padrejtë ndaj jush, sepse ju i jeni nënshtruar një procesi transparent e meritor, besa ka pasur ankesa që detyra ka qenë shumë e vështirë, ndërsa ata e kundërta e kësaj, por jemi ku jemi”, tha Haxhiu.
Te certifikuarit i uroi edhe kryetarja e Komisionit, Filloreta Lekiqi, teksa u bëri thirrje që profesionin ta ushtrojnë me nder e profesionalizëm.
“Kam nderin t’i uroj kandidatët që kanë kaluar me sukses provimin e noterisë, duke marrë parasysh të gjithë angazhimet që i kemi bërë ne si komision dhe ju si kandidatë… Që nga sot mund ta ushtroni profesionin për të cilin keni ardhur për t’u certifikuar, uroj që të keni sa më shpejt mundësinë që të ushtroni profesionin dhe ta bëni me nder dhe profesionalizëm”, tha Lekiqi.
Përveç këtyre që u certifikuan sot, Ministrja Haxhiu tha se shpejt do të hapet edhe konkursi tjetër për pranimin e 100 noterëve të tjerë.
Risi, sipas saj, do të jetë konkursi për komunat veriore, që, sipas saj, nuk ka ndodhur kurrë më herët.
Në pamundësi të shqyrtimeve dhe planifikimit me kohë, shumë projektligje u bartën nga viti 2022 në agjendën e vitit 2023.
Në një raport të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në trevjetorin e Qeverisjes Kurti II, theksohet se 44 për qind e agjendës legjislative të vitit 2023 është bartje nga viti 2022.
“Këtu nuk bëjnë pjesë plot 26 projektligje, nga miratimi i të cilave Qeveria u zmbraps në vitin 2023, edhe pse planifikoi që të njëjtat t’i miratojë në vitin 2022. Edhe pse programin legjislativ e miratoi me vonesë, Qeverinë e ka karakterizuar jo-stabiliteti për t’iu përmbajtur programit legjislativ”, thuhet në raportin e IKD-së.
Sipas IKD-së, Qeveria shtatë herë ka ndryshuar programin, mirëpo përsëri nuk ka arritur ta përmbushë në plotni agjendën legjislative. Deri në fund të viti 2023, është miratuar vetëm 58% e programit.
“Nga 99 projektligjet e planifikuara, Qeveria i miratoi vetëm 57 prej tyre, përderisa 42 të tjera nuk janë miratuar. Qeveria miratoi edhe 21 projektligje të tjera jashtë planifikimeve në Programin Legjislativ”, thuhet më tej në raportin e IKD-së.
Mosefikasiteti i Qeverisë ka reflektuar më pas edhe në Kuvend.
“Kuvendi ka arritur të miratojë 34 nga 55 apo 62% e projektligjeve që i kanë plotësuar kushtet për t’u proceduar për miratim në lexim të dytë, që i bie 44% e totalit të ligjeve të dërguara në Qeveri dhe vetëm 34% e Ligjeve të planifikuara në Agjendën Legjislative të Qeverisë për vitin 2023”, thuhet në raportin e IKD-së.
Përveç planit legjislativ, IKD-ja thotë se Qeveria ka dështuar të përmbushë planin edhe me miratimin e koncept-dokumenteve.
Përmes një projekti, Organizata për Drejtësi dhe Transparencë, tregoi për pasojat dhe rrezikun me të cilin përballen personat, të cilët zgjedhin të flasin për mashtrimet që bëhen në institucionet ku punojnë.
Menaxheri i projektit, i cili vetë raportoi për keqpërdorime që u bënë në Aviacionin Civil të Kosovës, shkaku i së cilës mbeti pa punë, tha se sinjalizuesit kanë nevojë për më shumë mbrojtje.
Mungesa e anonimitetit ishte një shqetësim tjetër, andaj u rekomandua ruajtja e identitetit si dhe mbrojtje më efektive.
Një faktor i rëndësishëm për sinjalizuesit u konsideruan mediat, ndërsa vetë gazetarët folën për përvojat e tyre.
Këshilla e Ekrem Jakupit i cili udhëtimin e tij si sinjalizues e nisi gjatë punës në një bankë komerciale në vend, ishte vendosmëria për ta çuar rastin deri në fund.
Për gjithë sinjalizuesit që duan të raportojnë korrupsionin e dukuri të ngjashme, u hap edhe një faqe në të cilën mund të drejtohen duke dërguar edhe mesazhe anonime.
Në të gjithë sektorët që përmendi, kryeministri Albin Kurti tha se është krenar për arritjet e qeverisjes së tij gjatë plot 3 vjetëve. Andaj duke komentuar deklaratat për gatishmëri që të shkohet në zgjedhje, kryeministri tha se me të gjitha arritjet nuk ka arsye për këtë.
“Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që bëjmë. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë e mirë nuk rrëzohet”, tha Kurti
Puna për qeverisje të mirë megjithatë s’ishte e lehtë. Për atë, kritikat që dialogu i mori kohë, nuk po i vlerëson të duhura, duke shtuar se vazhdon të mos jetë prioritet.
“Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë”, tha Kurti.
Kurti në këtë konferencë u paraqit bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili, gjithashtu, përmendi arritjet e dikasterit të tij në nivel vendi.
Në zgjedhjet e mbajtura para tre vjetësh, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm duke marrë më shumë se 50 % të votave.
Kryeministri Albin Kurti iu bëri ofertë partive opozitare, nëse duan të shkojnë në zgjedhje. Kreu i Qeverisë tha se edhe mund t’iu ndihmojë t’i sigurojnë numrat për rrëzimin e qeverisë.
Gatishmëri për zgjedhje të reja nga ana tjetër po tregojnë edhe partitë opozitare, mirëpo atyre, sipas analistëve politikë, nuk është se u konvenojnë.
“Mendoj që opozitës nuk i konvenon në këtë kohë. Opozita pret që kryeministrit Kurti t’i dobësohet pozicioni nga presioni që do t’i vijë nga SHBA-ja dhe për këtë arsye ata kanë dëshirë që kjo të shkojë edhe disa muaj që qeveria të përballet me këtë situatë dhe sigurisht të ketë rënie të mbështetjes në elektorat”, tha gazetari Bekim Kabashi.
Por përtej opozitës, shkuarja në zgjedhje thonë se do t’i konvenonte vetëm partisë në pushtet.
“Është nevojë e kësaj qeverie që me e tejkalu këtë situatë të rëndë me të cilën po përballet, është në sanksione dhe kryeministri Kurti është i izoluar nga SHBA-ja. Jemi para zgjedhjeve në BE dhe në SHBA dhe zgjedhjet në Kosovë do ta lehtësonin këtë presion”, tha Kabashi.
“Jo pse qeveria dëshiron që të ketë proces zgjedhor por që t’i ikë presionit ndërkombëtar rreth krijimit të asociacionit dhe ky vit zgjedhor edhe në BE edhe në SHBA, vera mund të ketë proces zgjedhor edhe në Kosovë”, tha Fidan Ukaj, politolog.
Sidoqoftë, rrëzimi i qeverisë nga opozita sipas analistëve shihet proces tejet i vështirë meqë kërkohen 2/3 e deputetëve.
Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij gjyqësor janë tërhequr nga punëtoria triditore që Ministria e Drejtësisë e kishte organizuar për finalizimin e legjislacionit në kuadër të reformës.
KPK-ja e KGJK-ja qasjen e zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë e kanë quajtur tendencioze dhe jokorrekte.
Mospajtimet mes dikasterit të drejtësisë dhe këshillave kësaj radhe lindën rreth disa propozimeve. KGJK-ja e KPK-ja kanë propozuar që të fillohet draftimi i Ligjit për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me këtë nuk është pajtuar MD-ja.
Gjithashtu, këshillat nuk janë pajtuar me propozimin e Ministrisë që të ketë ligj të veçantë për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që kjo të përfshihet në kuadër të Ligjit për KGJK-në dhe KPK-në.
“Ministria e Drejtësisë nuk i ka sjellë konkluzionet e punëtorisë së kaluar, s’i kanë marrë parasysh rekomandimet e sistemit prokurorial, ashtu siç janë marrë vesh në punëtoritë e mbajtura më parë. Ata kërkuan të diskutohet një draft i Ligjit në të cilin kishte rekomandime të MD-së, të cilat nuk ishin diskutuar më parë dhe nuk ishin as pjesë e raportit përmbledhës të grupit punues”, thuhet në reagimin e KPK-së.
Megjithatë, ministrja Albulena Haxhiu thotë se integriteti i gjyqtarëve e prokurorëve do të rregullohet me ligj. Sipas saj, largimi nga punëtoria është përpjekje për të penguar reformën.
Pjesë e rekomandimeve në punëtorinë që rrjedh nga Deklarata e përbashkët e Zotimeve për reformën në drejtësi, ishte edhe rekomandimi nga këshillat që të mos iu njihet e drejta për të iniciuar zyrtarisht procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve dhe të mos konsiderohen valide ankesat disiplinore anonime.
Por, as kjo nuk është pranuar nga MD-ja, e cila ka propozuar të kundërtën.
Për herë të parë në Kosovë u nënshkruara një marrëveshje për zhvillimin e ankandit të erës. Ministria e Ekonomisë e nënshkroi këtë marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare Financiare.
Drejtuesja e kësaj ministre, Artane Rizvanolli, derisa e konsideroi si shumë të rëndësishëm këtë projekt, vitin 2024 e quajti si vit fantastik për energjinë në Kosovë.
Menaxheri Regjional, IFC-së, Nicolas Marquier, tha se me këtë projekt do të dyfishohen kapacitetet e energjisë me erë në vend.
“Jemi duke ecur përpara me një ankand të ri, ndryshe ankandin e parë të erës në Kosovë, që të dyfishojmë kapacitetet e energjisë në Kosovë e që do të përfshijnë rreth 8 për qind të kërkesës së energjisë. Ne jemi institucioni më i madh në botë sa i përket financimit, sidomos në sektorin privat dhe qëllimi ynë është t’i afrojmë tregjet”, tha Marquier.
Projekti u tha se do të shërbejë në krijimin e një sektori më të sigurt të energjisë, në rast të sfidave që mund të hasen në këtë drejtim.