ATV

Blog

  • O’Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

    O’Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës ndaj Kosovës vë në rrezik ushtarët e NATO-s

    Përgatiti: Entela Sahiti

    Kështu i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me kërcënimin e fundit të presidentit serb, i cili aludoi në pushtim të Kosovës “në një moment të duhur”.

    Duke thënë që të dyja shtetet duhet t’iu shmangen tensioneve, O’Brien ka kërkuar përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    “Sa i përket tensioneve, ne e dimë se e ardhmja për të dyja vendet është në Bashkimin Evropian dhe ekonominë globale. Ne po punojmë me dy qeveritë për të parë se kjo është e mundur. Çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet, edhe ato që ndërlidhen me ushtrimet e ushtrisë përreth kufirit. Duhet përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe presim që kjo të ndodhë shpejt. Qeveria serbe ka ndërmarrë disa hapa për këtë. Mirëpresim lëvizjen e trupave ushtarake prapa dhe bashkëpunim në hetim. Por këto nuk mjaftojnë!”, tha O’Brien.

    O’Brien ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai nuk është tërhequr nga kushti për zbatimin e Asociacionit dhe ka thënë se pret që në ditët në vijim, Qeveria e Kosovës të marrë vendime që janë në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve.

    “Njëra prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të… por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësimit”, tha O’Brien.

    Për kërkesat e ndërkombëtarëve ka folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë. Jeff Hovenier tha se rruga e vetme e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është dialogu.

    “Nuk ka rrugë tjetër dhe posaçërisht zbatimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog, kjo nuk është e negociueshme. Nga kjo Qeveri e Kosovës, ashtu sikurse edhe nga qeveritë paraprake, presim që të punojë në partneritet me ne, derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multientike dhe të sigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Hovenier.

    Porositë e amerikanëve drejtuar Qeverisë vijnë në kohën kur raportet në mes të dy vendeve janë tendosur për shkak të rregullores së BQK-së për dinarin.

  • Sulm në një sallë koncertesh pranë Moskës, raportohet për dhjetëra viktima

    Sulm në një sallë koncertesh pranë Moskës, raportohet për dhjetëra viktima

    Viktima të shumta besohet të ketë shkaktuar një sulm në një sallë koncertesh në Krasnogorsk, pranë Moskës.

    Disa persona dyshohet të kenë hapur zjarr në sallën Crocus City Hall, përpara fillimit të një koncerti të grupit muzikor, Piknik.

    Raportet e mediave flasin për “viktima të shumta” dhe shpërthime të mundshme.

    Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarr dhe shtëllunga tymi mbi ndërtesën e sulmuar.

    RIA-Novosti raportoi se së paku tre persona të armatosur ishin të përfshirë dhe tha se ata duket se kanë hapur zjarr me pushkë automatike.

    Interfax raportoi se ishin së paku pesë sulmues.

    Salla është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen ndër aktivitetet më të njohura ruse.

    Sipas mediave ruse, dhjetëra autoambulanca janë tashmë në vendngjarje.

    “Një tragjedi e tmerrshme ndodhi sot në Crocus City”, citoi Reuters kryebashkiakun e Moskës, Sergei Sobyanin. “Më vjen keq për të dashurit e viktimave”, tha ai.

    Më 7 mars, Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi një alarm sigurie, pasi, siç tha, mori raporte se “ekstremistët kanë plane për të sulmuar tubime të mëdha në Moskë, përfshirë koncerte”.

    Në atë kohë, qytetarët amerikanë u këshilluan “t’i shmangin grumbullimet e mëdha gjatë 48 orëve të ardhshme”. (REL)

  • ​Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, Kurti: Janë nën vëzhgimin tonë dhe NATO-s

    ​Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, Kurti: Janë nën vëzhgimin tonë dhe NATO-s

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me vendin tonë janë duke i përcjellë me vëmendje dhe nën vëzhgim.

    Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt me të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, siç është NATO dhe KFOR-i. Ai sërish foli edhe për zgjedhjet e parakohshme.

    “Së pari kur ka situata të tilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake ofrohen vetëm disa metra larg kufirit, ne përcjellim me vëmendje se a mos po synojnë ta kalojën kufirin, Janë në komunikim të vazhdueshëm MPB, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, d.m.th gjithçka është në vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë, në ndërkohë natyrisht që këto institucione diskutojnë, njoftojnë edhe partneret tanë ndërkombëtar, edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE më lartë. Tash deri në orën 16:00, nuk ka asnjë dëshmi që sot janë afruar serish, ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por nuk mbahen 10 metra prej kufirit. Pra, po vinë në zonën e sigurisë, ku praktikisht nuk ka nevojë as për dronë e dylbi për t’u parë me njëri tjetrin, Nëse dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve, ushtria qëndron në Kazerma, nuk vjen te kufiri, pro duket që dita e sotme do të jetë ndryshe prej të djeshmes… Sa i përket kërkesave të opozitës, nesër në ora 11:00 bëhen fiks tre vjet që kam marrë detyrën, dhe hymë në vitin e fundit të qeverisjes…E tash nëse dëshirojmë që zgjedhjet t’i mbajmë jo në dimër, normalisht që jemi njerëz të arsyeshëm të kuptueshëm dhe mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje nuk mund të jap”, tha Kurti.

     

  • ​Formacioni zyrtar i parë i Franco Fodas me Kosovën

    ​Formacioni zyrtar i parë i Franco Fodas me Kosovën

    Sonte me fillim nga ora 17:00 stadiumi “Vazgen Sargsyan Republican” do të jetë nikoqir i përballjes mes Armenisë dhe Kombëtares së Kosovës.

    Ndeshja e sotme është miqësore dhe “Dardanët” do të synojnë me çdo kusht fitoren, që ta nisin aventurën me trajnerin e ri, Franco Fodan me fitore, raporton KosovaPress.

    Për Fodan kjo është ndeshja e parë që ai do ta zhvillojë në krye të Kosovës, ndërsa miqësoren e radhës do ta ketë kundër Hungarisë.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, Foda ka publikuar formacionin e parë zyrtar me Kosovën, ndërsa më poshtë mund t’i gjeni edhe titullarët e Armenisë.

    Formacionet zyrtare:

    Armenia (4-3-3): Buchnev; Harutyunyan, Haroyan, Calisir, Hovhannisyan; Spertsyan, Bichakhchyan, Harutyunyan; Margeryan, Zelarayan, Briasco

    Kosova (4-2-3-1): Muric; Vojvoda, Dellova, Aliti, Paqarada; Berisha, Loshaj; Zhegrova, Muslija, Rashica; Muriqi

  • Rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga Suhareka – Prokuroria kërkon paraburgimin e dy të dyshuarve

    Rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga Suhareka – Prokuroria kërkon paraburgimin e dy të dyshuarve

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, gjyqtarja e procedurës –ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.03.2024 dhe mund të zgjasë deri më datën 20.04.2024 ndaj të pandehurve D.D., (20 vjeçar), dhe P.B., (19 vjeçar), për shkak të dyshimit zë bazuar se secili ka kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 7, (kur vepra penale kryhet ndaj personit nën moshën 14 vjet) lidhur me par. 1 (kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë), të KP të Kodit Penale të Kosovës.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtje së seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë dhe dëgjimit të pohimeve të palëve, dhe në bazë të provave në shkresat e lëndës, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e paraburgimit është e bazuar.

    Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit veç e veç e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

    Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit, dhe dëshmitarët eventual. Andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore.

    Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, andaj me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

    Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

  • ​Lajçak nuk beson se Kurti do ta fusë Kosovën në izolim

    ​Lajçak nuk beson se Kurti do ta fusë Kosovën në izolim

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta çojë Kosovën drejt një izolimi.

    Ai ka thënë për gazetën italiane “La Stampa” se SHBA-ja qëndron në linjë me BE-së sa i përket Kosovës.

    “SHBA qëndrojnë saktësisht në linjë me ne. Ai (Kurti) e di. E di se cilat janë pritjet. E di që për Kosovën është ekstremisht e rëndësishme të ketë një mbështetje të fortë ndërkombëtare, sepse pikërisht një gjë të tillë Kosova e ka gëzuar nga fillimi. Nuk kam dyshim që (Kurti) do të jetë mjaftueshëm i përgjegjshëm që të mos e fusë vendin e tij në rrezik të një izolimi. Kështu ai po nxjerr përfundimet e duhura”, tha diplomati sllovak.

    Lajçak tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë raportet si pjesë e procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    “Është shumë e rëndësishme që të niset para zgjedhjeve evropiane, sepse më pas BE do të hyjë në një periudhë të tranzicionit. Pastaj SHBA do të shkojë në zgjedhje. Nuk do të jetë ky momenti për të marrë vendime,” tha ai.

    I pyetur nga “La Stampa” se cilat janë pikat që BE-ja do të provojë t’i bindë Prishtinën dhe Beogradin t’i pranojnë ato, diplomati sllovak tha se “Nuk jam akoma i sigurt që do t’i pranojnë, por duhet të na thonë që nuk i pranojnë. E atëherë ne vetëm kemi humbur kohë. Filozofia është që ju e bëni pjesën e juaj dhe unë e bëj timen”.

  • Kurti shpreh gatishmërinë për zgjedhje: Nëse opozita kërkon, mund ta bëjmë me 2/3 e votave

    Kurti shpreh gatishmërinë për zgjedhje: Nëse opozita kërkon, mund ta bëjmë me 2/3 e votave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë që të bisedojë me partitë opozitare për të shpërndarë Kuvendit dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje, raporton EO.

    “Nuk kam deklaruar ashtu, por jam përgjigjur pyetjes së gazetares. Po të mos ekzistonte pyetja…shtrohet pyetja pse më ka pyetur gazetarja. Ajo më ka pyetur sepse ka presupozuar dëshirën e opozitës. Nëse nuk do të kishte dëshirë të opozitës, nuk do të kishte pyetje të gazetares dhe rrjedhimisht nuk do të kishte përgjigje timen. Pra, gjithçka ndërtohet mbi hipotezën që opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme dhe unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme, mund ta bëjmë me 2/3 e votave të Kuvendit shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat. Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që bëjmë. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë e mirë nuk rrëzohet. Qeveria vazhdon, mirëpo nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi ne 12 muaj në vitin e fundit, por të kemi më pak muaj atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrëzojmë Qeverinë”, tha Kurti.

  • Murati: Në qeverisjet e kaluara është dashur tre vite për t’ja shtuar ekonomisë një miliard, ne për tri vie ia shtuam 3 miliardë

    Murati: Në qeverisjet e kaluara është dashur tre vite për t’ja shtuar ekonomisë një miliard, ne për tri vie ia shtuam 3 miliardë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se kjo qeveri që nga dita e parë është përballur me sfida të shumta, si ajo me pandeminë, luftën në Ukrainë e po ashtu edhe krizën energjetike, raporton EO.

    Sukses të kësaj Qeverie në trevjetorin e saj, Murati e sheh rritjen e Bruto Produktit Vendor. Aktualisht sipas Muratit është 9. 6 miliardë euro, 3 miliardë euro më shumë se sa ka qenë viteve të kaluara.

    “Që nga dita parë jemi ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme, sepse nuk ka qenë e zakonshme të ketë pandemi që ndodh njëherë në 100 vite, nuk qenë e jashtëzakonshëm të ketë luftë në territorin e Evropës me këto përmasa dhe të shkaktojë rritje të kostos se jetesës. Po ashtu kemi pasimin edhe me ngritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane si rezultat i shkallës së lartë të inflacionit. Të gjitha këto kanë ndodhë në këto tre vite dhe janë të gjitha sfida të cilat kanë arritur që të jenë sfida goxha të renda edhe për shtetet shumë më të konsoliduara e zhvilluara ekonomikisht”, tha Murati.

    “Nëse shohim gjatë këtyre tre viteve zhvillimet sa i përket bruto prodhimit vendor, kur e kemi marrë qeverisjen, GDP ka qenë në nivelin 6.7 miliardë euro, kurse tash për vitin 2023 ka arritur nivelin prej 9.6 miliard euro, pra kemi gati 3 miliard euro shtim. Në qeverisjet e kaluara është dashur tre vite për të ja shtuar ekonomisë një miliard”, u shpreh Murati.

  • ​Sigurohen zyrat për votim pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri më 21 prill

    ​Sigurohen zyrat për votim pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri më 21 prill

    Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë siguruar zyrat për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat veriore.

    Përveç kësaj, në mbledhjen e KQZ-së me 11 vota pro u votua për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, kështu duke e çuar në 52 numrin e partive të përgjithshme në vend.

    Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj prezantoi raportin lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Ai tha se ky proces do të mbahet në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

    Ahmetaj theksoi se nga raporti i bërë rezulton se në Komunën e Mitrovicës së Veriut, zyra është e demoluar dhe nga aty do të lëvizet gjithë materiali i dëmtuar dhe ai i cili është në përdorim. Ai shtoi se në Zubin Potok materialet pothuajse nuk janë gjetur, derisa për atë të Zveçanit tha se një pjesë e materialeve janë të përdorshme. Ndërkaq, për zyrën në Leposaviq tregoi se është e pa dëmtuar dhe të gjitha pajisjet janë funksionale.

    “Në kuadër të funksionalizimit të zyrave të komisioneve komunale të zgjedhjeve në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicës së Veriut tashmë zyrat janë funksionale dhe zyrtarët e caktuar në këto komuna janë vendosur dhe veprojnë nga zyrat nëpër secilën komunë… Zyra në Leposaviq është e pa dëmtuar dhe të gjitha pajisjet janë funksionale dhe nga aty mund të funksionojë KKZ-ja…Nga këto raporte rezulton se në Komunën e Mitrovicës së Veriut zyra është e demoluar dhe nga aty do të lëvizet gjithë materiali i dëmtuar dhe ai i cili është në përdorim. Në Zubin Potok materialet pothuajse nuk kemi gjetur asgjë në atë zyrë, sikur që është shprehur edhe në raport. Kurse, në Zveçan një pjesë e materialeve janë të përdorshme dhe mund të përdoren për këto procese zgjedhore”, tha Ahmetaj.

    Lidhur me prezantimin e këtij raporti, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi ka pyetur Ahmetajn nëse në zyrat e komunave të përmendura janë shkatërruar edhe materialet e shkruara arkivore. Derisa Ahmetaj potencoi se në zyrën e Zubin Potokut, nuk ka pasur asnjë material.

    Për këtë, Kurteshi tha se mund të konsiderohet si vepër penale, ngase sipas tij çdo i punësuar në institucionet shtetërore, me rastin e dorëheqjes duhet ta bëjë edhe një raport me punëdhënësit për dokumentet e pranuara dhe nëse nuk i dorëzon në mënyrën e rregullt pajisjet, zyrën dhe dokumentet, i njëjti duhet të ndëshkohet.

    Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se raporti duhet të plotësohet, derisa specifikoi atë të zyrës në Komunën e Mitrovicës Veriore. Ai tregoi se ish-zyrtari, atë ditë kur i është kërkuar çelësi, nuk e ka sjellë çelësin dhe ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që sipas tij kjo ka bërë që të rrezikohet jeta e zyrtarëve atë kohë.

    Krasniqi iu drejtua Ahmetajt lidhur me këtë duke i thënë se është përgjegjësi e kryeshefit që lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me pronën publike, me pajisjet e KQZ-së në këtë rast të përcillen me kujdes. Ai tha se mos dorëzimi i çelësit të zyrës, rasti duhet të hapet në polici.

    “Raporti duhet të plotësohet sidomos i Mitrovicës së Veriut ju e dini që aty ka ndodhur një akt terrorist, në këtë drejtim kriminal dhe ka njerëz të akuzuar për këtë çështje. është një fakt tjetër. Ish zyrtari, atë ditë kur i është kërkuar çelësi, nuk e ka sjellë çelësin ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo ka bërë që të rrezikohet jeta e zyrtarëve atë kohë edhe zyrtarëve policor…Ky zyrtarë qëllimshëm nuk i ka dhënë çelësat për të mundur ne të kemi qasje edhe tash ka pretenduar që t’i mbajë çelësat. Unë mendoj se është përgjegjësi e juaja, e jotja si kryeshef dhe e tjerave që janë nën menaxhimin tuaj, që çështjet që kanë të bëjnë me pronën publike në pajisjet e KQZ-së në këtë rast, nuk janë çështje për diskutim… Nëse nuk i ka dorëzuar çelësat duhet të hapet rast në polici dhe duhet të bëhet përgjegjës edhe për rastin kur ka ndodhur”, tha Krasniqi.

    Përveç kësaj , në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ-ja me 11 vota pro votoi për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar me akronimin (PBKDSH).

    Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala tha se me 26 shkurt të këtij viti, kjo parti e cila udhëhiqet nga Nikollë Perkaj ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim.

    Buzhala potencoi se me dorëzimin e dokumentacioni në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin prej ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullores zyra i rekomandon KQZ-së për aprovimin e kërkesës për regjistrim të kësaj partie.

    “Me datën 26 shkurt 2024 një iniciativë politike e quajtur Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar me akronimin PBKDSH e cila udhëhiqet nga Nikollë Perkaj ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim të kësaj partie politike. Pas pranimit të aplikacionit dhe materialeve tjera, zyra i ka shqyrtuar të gjitha dokumentacionit dhe i ka kërkuar kësaj iniciative për korrigjim të dokumenteve ose plotësim të tyre. Gjithashtu pas plotësimit të këtyre dokumenteve, iniciativa politike ka paguar edhe taksën ën vlerën prej 500 eurove që është kërkesë për regjistrim. Pas këtyre veprimeve, gjithë dokumentacioni i zyrës për regjistrim është publikuar në faqen e KQZ-së…Pas i gjithë dokumentacioni i dorëzuar është në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin prej ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullores numër 1-2024, zyra i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për aprovimin e kërkesës për regjistrim të partisë politike me emrin Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar. Nëse aprovohet kërkesa kjo parti politike regjistrohet në regjistrin e partive politike me numrin rendor 52”, potencoi Buzhala.

  • Lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit të Kosovës, Gecaj: Tentativë e Serbisë për të përhapur frikë

    Lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit të Kosovës, Gecaj: Tentativë e Serbisë për të përhapur frikë

    Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi me kufirin e Kosovës nuk shihen si risi pasi ato janë bërë edhe në të kaluarën. Kështu vlerëson njohësi i sigurisë Hysen Gecaj duke shtuar se nuk ka mundësi që në këto rrethana të ndërhyhet në Kosovë.

    Publikimin e videos së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe njoftimin nga ana e tij se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, Gecaj e ka vlerësuar si veprim jo të menduar mirë.

    Në një intervistë për KosovaPress ai tha se këto janë vetëm tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas tij po e shfrytëzon këtë situatë për konsum të brendshëm.

    “Kosova nuk është sot më e provokuar sesa ka qenë dje, pardje dhe ditët tjera në të kaluarën. Serbia vazhdimisht është duke provokuar me trupat e saj në kufi dhe për mua personalisht kjo nuk është ndonjë risi. Tjetër element që për mua është pak shqetësues ose i paqartë është se nëse kryeministri i Kosovës ka një informacion të tillë dhe unë po besoj që ka diçka prej tyre informatave, atë herë këtë është dashtë që ta diskutoj me institucionet e Kosovës dhe me KFOR-in i cili është përgjegjës për sigurinë e Kosovës poashtu edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Plasimi i lajmit menjëherë për opinionin derisa nuk kemi asnjë informatë as nga NATO as nga KFOR as nga institucionet e tjera që diçka e madhe po ndodh rreth kufirit të Kosovës atë herë unë thjesht ende i shoh këto vetëm si tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë dhe sigurisht këtë situatë ta shfrytëzoj për konsum të brendshëm të vetë presidentit Vuçiq për shkak të situatës në Serbi dhe për shkak të popullatës serbe në veriun e Kosovës”, tha Gecaj.

    Gecaj poashtu ka komentuar edhe deklaratat e ambasadorit Amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier i cili sipas tij dha sinjal se Kosova nuk duhet të brengoset shumë për aspektet e sigurisë.

    Sipas tij do të ishte çmenduri që Serbia të mendoj për ndonjë sulm në Kosovë.

    “Do të ishte çmenduri që Serbia të mendoj për ndonjë invazion klasik dhe sulm në Kosovë për shkak se të gjitha konstalacionet ndërkombëtare e vendore nuk flasin për ndonjë favor të Serbisë”, shtoi ai.

    Ai tha se nuk përjashtohen mundësitë për provokime të mëtutjeshme karshi Kosovës nga ana e Serbisë, po e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë lufte.

    “Incidentet e tilla siç ka qenë ajo e Banjskës dhe sulme të vogla terroriste të cilat janë në kontrollin e Serbisë mund të ndodhin mirëpo ajo nuk është luftë ajo është një akt terrorist, një ndërhyrje dhe provokim nga shteti serb që i bëhet Kosovës por edhe fqinjëve tjerë ka mundësi që t’ju ndodh kjo. Unë e kam hallin te eskalimet më të mëdha në një shkallë lufte sepse këto incidente derisa nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë incidente të tilla do të kemi në vazhdimësi. Prandaj mund të përsëritet Banjska dhe situata të ngjashme, mund të kemi trazira të mëdha në veriun e Kosovës por ato lëvizje të trupave që i bënë Serbia në kufirin me Kosovën i ka bërë edhe në të kaluarën ato, nuk ka mundësi që në këto rrethana çfarë jemi sot që në Kosovë të ndërhyhet”, tha Gecaj.

    Ndërkaq shtoi se kjo nuk nënkupton që NATO, KFOR-i dhe FSK-ja duhet të rrinë duarkryq. Ata sipas Gecaj duhet t’i kryejnë detyrat e veta konform Kushtetutës duke mos përjashtuar armatosjen, fuqizimin dhe shtimin e numrit të pjesëtareve të FSK-së.

    Ndryshe kryeministri Albin Kurti në rrjetin social Facebook ka bërë me dije se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe se sipas tij ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.