ATV

Blog

  • 25-vjetori i Masakrës në Krushë të Madhe, ambasadorët në Kosovë kërkojnë drejtësi

    25-vjetori i Masakrës në Krushë të Madhe, ambasadorët në Kosovë kërkojnë drejtësi

    Ambasadorët e vendeve mike në Kosovë, e kanë cilësuar masakrën e Krushës së Madhe si pikënisje e ndërhyrjes së NATO-s mbi shtetin serb. Në 25-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Rahovecit, ambasadorët kërkuan që kryerësit të dalin para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje dhe mundëson që faktet historike mos të kontestohen.

    “Ky muze do t’i ndihmojë të gjithë atyre që vijnë ta shohin atë, ta mësojnë atë që ne tanimë e dijmë, të mos lajthitet se faktet historike janë të pakontestueshme. NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e shtetit, Marilyn Albright tha: “e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djeg fshatrat në Kosovë”.

    “Aksionet e NATO-s kanë synim të shtyejnë paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’i jap fund mizorive dhe krizës humanitare. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterrur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, u shpreh Hovenier.

    Ai ka shprehur ngushëllimet e tij dhe solidaritetin me familjet e viktimave në cilësinë e përfaqësuesit të presidentit amerikan në Kosovë.

    Hovenier ka thënë se e kupton që familjet dhe të mbijetuarit e kësaj masakre kanë kërkuar themelimin e muzeut qe 25 vjet, teksa është shprehur krenar për kontributin amerikan në proces.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen krenare që i kemi mbështetur deri diku përpjekjet e juaja, përmes trajnimit të 30 kosovarëve për shkathtësi të intervistimit, etikë të historisë gojore dhe arkivimit si pjesë e historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

  • Haradinaj: E habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës kanë shpërfillur kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

    Haradinaj: E habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës kanë shpërfillur kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me letrën që krerët e vendit ia kanë dërguar raportueses së KiE-së, Dora Bakojanis duke thënë se mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti.

    “E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjerë dhe përfshinë obligime konkrete. Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë. Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash”, ka shkruar Haradinaj.

    Kryetari i AAK-së ka shtuar se, aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri më tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë.

    Zotohen për shpronësimet në veri, për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe, për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.

    “Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Rasti tragjik në ShBA, Haradinaj: Bashkëndjejmë me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan

    Rasti tragjik në ShBA, Haradinaj: Bashkëndjejmë me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik në Baltimore të Shteteve të Bashkuara një urë e madhe është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

    Haradinaj ka thënë se qytetarët e Kosovës bashkëndjejnë me familjet e të prekurve nga kjo tragjedi.

    “Në këto momente lutemi për të gjithë të prekurit nga aksidenti tragjik i shembjes së urës “Francis Scott Key Bridge” në Baltimore, Merilend, ShBA. Qytetarët e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë dhe solidarizohen me familjet e të prekurve dhe popullin amerikan nga kjo tragjedi”, është shprehur Haradinaj.

  • AUV-i kërkon gatishmëri nga institucionet dhe fermerët për parandalimin e sëmundjes “Mortaja Afrikane e Derrit”

    AUV-i kërkon gatishmëri nga institucionet dhe fermerët për parandalimin e sëmundjes “Mortaja Afrikane e Derrit”

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kërkuar nga fermerët që mbajnë derra në fermat e tyre të ngritin nivelin e biosigurisë.

    Duke u bazuar ne situatën epidemiologjike të raporteve të publikuara ne WOAH (Organizata Botërorë për Shëndetin e kafshëve ), thuhet se ka lajmërime për shpërthime të sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrit ne shtetet përreth.

    “Në Shqipërisë dhe Malit te Zi tek popullata e derrave të egër. Se fundmi janë prekur fermat e derrave të butë ne shtetin e Serbisë ne afërsi me kufirin e Kosovës.  Andaj urdhërohen të gjithë fermerët mbajtës të Derrave qe të ngritin nivelin e biosigurisë ( masat vetëmbrojtëse) ne fermat e tyre. Duke aktivizuar barrierat me dezinfektues dhe kufizim të hyrje daljeve në ferma. Përmes secilave synohet të mbrohen ekonomitë familjare të fermerëve dhe ekonominë e shtetit”, shkruan në njoftimin zyrtar të kësaj Agjencie.

    Ajo ka kërkuar ngritjen e nivelit të gatishmërisë për institucionet relevante lokale dhe qendrore siç janë: Komunat, MBPZHR, APK, Federata e Gjuetarëve të Kosovës me shoqatat e tyre ne nivel vendi, për marrjen e masave te nevojshme për rastet e dyshimta nga tereni.
    Secili qytetarë e në veçanti fermerë sipas kësaj agjencie duhet të lajmëroj nëse sheh ndonjë derr të ngordhur apo nëse ka dyshime në sëmundje tek ferma.

  • Raportohet se lideri i Hamasit do ta vizitojë sot Iranin

    Raportohet se lideri i Hamasit do ta vizitojë sot Iranin

    Mediat iraniane kanë raportuar të martën se lideri i grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, Hamas, do të udhëtojë drejt Teheranit për t’u takuar me zyrtarë iranianë.

    Press TV konfirmoi se lideri i Hamasit, Haniyeh, do të udhëtojë drejt Teheranit më 26 mars.

    Televizioni libanez i udhëhequr nga Hezbollahu, Al Mayadeen TV, raportoi se Haniyeh do ta mbajë një konferencë për media me ministrin e Jashtëm të Iranit.

    Vizita e tij në Iran po bëhet vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

    Irani e ka mbështetur Hamasin në luftën gjashtë tashmë gjashtëmujore me Izraelin, si pasojë e të cilës janë vrarë më shumë se 32.000 palestinezë në Gazë.

    Kjo do të jetë vizita e dytë e Haniyehit në Iran prej se shpërtheu lufta më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen sulm befasues në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, e quajti rezolutën e së hënës “hap pozitiv”.

    “Një hap më i rëndësishëm është veprim efektiv për zbatimin e saj”, tha Kanaani duke folur për rezolutën e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë.

    Hamasi e ka mirëpritur rezolutën, por ka thënë se armëpushimi duhet të jetë i përhershëm.

    Shtetet e Bashkuara abstenuan nga votimi, duke nxitur mosmarrëveshje me Izraelin./REL/

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën që kërkon armëpushim në Gaza, ShBA-ja abstenon

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën që kërkon armëpushim në Gaza, ShBA-ja abstenon

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon një armëpushim në Gaza për pjesën tjetër të Ramazanit.

    Muaji i shenjtë mysliman filloi më 10 mars dhe do të përfundojë më 9 prill – që do të thotë se këshilli po bën thirrje për një armëpushim dy-javor, megjithëse propozimi thoshte se pauza në luftime duhet të çojë “në një armëpushim të qëndrueshëm të përhershëm”.

    SHBA abstenoi nga votimi, ndërsa 14 anëtarë të tjerë të këshillit – përfshirë Rusinë, Kinën dhe Britaninë e Madhe – votuan pro.

    Rezoluta kërkon gjithashtu lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve – që nuk lidhen me një afat kohor – dhe “thekson nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës”.

    Pas votimit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu anuloi një vizitë të planifikuar të delegacionit në Uashington pasi “SHBA-ja u tërhoq nga pozicioni i saj i qëndrueshëm”.

    Në një deklaratë, zyra e Netanyahut tha se “SHBA nuk vuri veton ndaj tekstit të ri që bën thirrje për një armëpushim pa kushtin e lirimit të të rrëmbyerve” dhe e quajti abstenimin amerikan një “tërheqje të qartë”.

    “Kjo tërheqje dëmton përpjekjet e luftës dhe përpjekjet për lirimin e pengjeve, sepse i jep Hamasit shpresë se presioni ndërkombëtar do t’i lejojë ata të pranojnë një armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë,” tha zyra.

    Delegacioni izraelit do t’u prezantonte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë planet për një pushtim tokësor të pritshëm të qytetit strategjik Rafah të Gazës, ku më shumë se një milion civilë palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.

    Ndërkohë, Hamasi mirëpriti rezolutën e OKB-së dhe tha se ajo “pohon gatishmërinë për t’u angazhuar në shkëmbime të menjëhershme të të burgosurve nga të dyja palët”.

    Shtëpia e Bardhë tha pas votimit të së hënës se abstenimi i SHBA “nuk përfaqëson një ndryshim në politikë” dhe se rezoluta “nuk kishte gjuhë që SHBA e konsideron thelbësore”.

    Ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA “mbështet plotësisht” “objektivat kritike” të rezolutës pavarësisht abstenimit të saj./Skynews/

  • Raportimi i drejtorit të policisë në komision, vazhdon me dyer të mbyllura

    Raportimi i drejtorit të policisë në komision, vazhdon me dyer të mbyllura

    Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë po vazhdon të mbahet me dyer të mbyllura.

    Raportimi i drejtorit të Policisë se Kosovës, Gazmend Hoxha po vazhdon, por pa prezencën e mediave, me arsyetimin se ka çështje të ndjeshme për tu trajtuar në këtë komision.

    Hoxha para deputetëve ka shpalosur raportin vjetor të punës për vitin 2023.

    LEXONI EDHE:

    Hoxha: Siguria në veri mbetet e brishtë, gjatë 2023-ës dhanë dorëheqje 11 policë atje

  • Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për proteza të reja

    Vitia: Të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen për proteza të reja

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka deklaruar se janë paguar 15 milionë euro borxh të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore gjatë vitit 2023, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, Vitia tha se Fondi vitin e kaluar në total ka shpenzuar mbi 22 milionë Euro.

    Vitia foli edhe për shërbimin e veteranëve me proteza të reja, duke thënë se do të bëhet kompensimi i tyre me proteza të reja.

    “Sa i përket invalidëve shumica kërkesave janë bërë në nëntor dhjetor 2023, përveq dy tri kërkesave që janë nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe kur kemi parë që janë analizuar të gjitha rrugët dhe e gjithë qeveria jo vetëm  Ministria ka pasur ndjeshmërinë maksimale të gjendet njëherë e mirë që të institucionalizohet i gjithë ky proces e të shkojë përmes fondit të sigurimeve shëndetësore dhe nga vendimi që kemi marrë para pak ditësh në Qeverinë Republikës  së Kosovës dhe të gjitha këto kërkesa janë miratuar dhe të gjithë invalidët e UÇK-së do të kompensohen  për mirëmbajtjen për proteza të reja. Natyrisht është obligim, më së paku që mund të bëjmë për këtë kategori, në anën tjetër Ministria Shëndetësisë në tri vitet e ardhshme ka ndarë një buxhet  mbi 2 milion e 100 mijë që këto shërbime përmes  një plani të veprimit që ka miratuar në vitin e kaluar më këto investime edhe investime materiale dhe shtimin e numrit të resuresve njerëzore, këto shërbime mbas tri viteve invalidët e UÇK-së të mos kenë nevojë të dalin jashtë institucioneve tona publike, jashtë vendit tonë mirëpo t’ i marrin nga institucionet shëndetësore publike që ne se si shoqëri kemi obligim për t’ ju mundësuar sa do pak që mundemi, edhe problemet që ka kjo kategori”.

  • Ministri Maqedonci priti në takim gjeneralin e lartë Gulmezoglu

    Ministri Maqedonci priti në takim gjeneralin e lartë Gulmezoglu

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga Shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së, gjeneral brigade, Ilir Qeriqi dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë tjerë të MM/FSK, priti sot në takim Shefin e Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral brigade Omer Nafiz Gulmezoglu, të shoqëruar nga zyrtarë dhe oficerë të lartë të Turqisë.

    Ministri Maqedonci e falënderoi gjeneralin Gulmezoglu për mbështetjen e pakursyer të Republikës së Turqisë nëpër të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe shprehi vullnetin e fuqishëm për vazhdimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi të ngushtë në mes të të dyja vendeve.

    Nga ana e tij, gjenerali Gulmezoglu e falënderoi ministrin Maqedonci për pritjen miqësore dhe vuri në dukje se Turqia gjithmonë do ta mbështesë Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj strategjike.

    Gjenerali Gulmezoglu pohoi se Republika e Turqisë është e interesuar dhe angazhohet në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë e në rajon dhe se kjo më së miri dëshmohet me prezencën e trupave turke në kuadër të KFOR-it.

  • Hoxha: Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet sivjet, Prishtina qytet i ngarkuar me aktivitet kriminal

    Hoxha: Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet sivjet, Prishtina qytet i ngarkuar me aktivitet kriminal

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u shpreh se këtë vit do të synohet të bëhet Policia e Kryeqytetit, pasi e konsideron Prishtinën qytet të ngarkuar me aktivitete kriminale, raporton Ekonomia Online.

    Hoxha tha se projekti parasheh që të themelohet një drejtori e veçantë për Prishtinën me “një strukturë unike”, që përfshin njësi të trafikut, njësi të reagimit të shpejtë e njësi të hetimeve.

    “Projekti ynë lidhet me strukturën e re të Policisë që ne e kemi aprovuar vitin që shkoi. E në kuadër të kësaj strukture ne kemi paraparë që në kuadër të drejtorisë rajonale në Prishtinë me e themelu një drejtori të veçantë të Policisë për kryeqytetin, për Prishtinën. Ajo do të ketë një strukturë unike. Drejtori i kësaj drejtorie do t’i japë llogari drejtorit rajonal dhe zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë. Kjo drejtori do të ketë më shumë kapacitete policore. Do të ketë një njësi të veçantë të trafikut, do të ketë një njësi të veçantë të reagimit të shpejtë ose njësi mbështetëse operacionale; do të ketë njësi unike të hetimeve për të gjitha tri stacionet policore të Prishtinës, do të ketë njësi të planifikimit, një zëdhënës dhe do të ketë kapacitete në mënyrë që t’u dalë ballë sfidave që i ka Prishtina si kryeqytet dhe si qytet shumë i ngarkuar me aktivitet kriminal dhe dinamikë të madhe të zhvillimit dhe të frekuentimit të njerëzve. Kjo ka qenë perspektiva jonë”, ka deklaruar Hoxha në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Hoxha tha se disa shërbime për Policinë e Kryeqytetit tashmë janë unifikuar.

    “Kemi unifiku disa prej shërbimeve. Për shembull, e kemi pasë një shërbim mbështetës në Vranjevc, një shërbim mbështetës në qendër, një në jug.. i kemi bërë një, një qendër komunikimi të përbashkët, i kemi unifiku disa njësi”, tha ai.

    Drejtori i Policisë parlajmëroi se “do të ketë një shtim të numrit të policëve në këtë drejtori të veçantë”.

    “Qëllimi ka qenë që Prishtinës t’i japim më shumë potencial dhe strukturë unike, në mënyrë që përgjegjësia për siguri të bie mbi një drejtor, jo në tre komandantë të stacioneve policore, pastaj edhe mënyra e raportimit dhe marrja e përgjegjësisë do të jetë më e drejtpërdrejtë”, tha Hoxha. “Ne do të synojmë që gjatë këtij viti t’i kompletojmë këto struktura, në mënyrë që t’i shohim rezultatet e punës gjatë këtij viti”.