ATV

Blog

  • Qeveria e Kosovës ndan mbi 31 mijë euro për avokim për shqiptarët e Luginës

    Qeveria e Kosovës ndan mbi 31 mijë euro për avokim për shqiptarët e Luginës

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur online, u miratua vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 eurosh.

    Këto mjete do të shfrytëzohen me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

    Në mbledhje gjithashtu është miratuar vendimi për anulimin e Vendimit të Qeverisë  Nr. 14/186 të datës 24 janar 2024.

  • Publikohet projektligji për banimin social dhe të përballueshëm

    Publikohet projektligji për banimin social dhe të përballueshëm

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Ishte një nga premtimet kryesore të Qeverisë Kurti. Madje, kryeministri Albin Kurti ishte i bindur që projekti për ndërtimin e katër mijë banesave me çmim të përballueshëm për të sapomartuarit, do të niste në vitin 2023.

    Por, vetëm me 25 mars të këtij viti, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor publikoi Projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm.

    Nisur nga kjo, zor që projekti do të nisë edhe në vitin 2024, meqë deri në miratimin në Kuvend të projektligjit që tash është i hapur për komente për 15 ditë janë edhe disa procedura.

    Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës nuk beson që ky projektligj do të jetësohet brenda kësaj legjislature.

    Projektligj për Banimin Social dhe të Përballueshëm ka për qëllim krijimin e programeve të banimit, për familjet dhe individët në nevojë.

    Grupet përfituese, sipas projektligjit, janë familjet apo individët me gjendje jo të mirë ekonomike, familjet e mëdha me shumë fëmijë dhe familjet me një prind, të papunët, familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të UÇK-së dhe invalidët e UÇK-së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike./ATVLIVE.TV

  • 2023-ta, vit sfidues për policinë/ Policia menaxhoi raste komplekse veçanërisht në veri të vendit

    2023-ta, vit sfidues për policinë/ Policia menaxhoi raste komplekse veçanërisht në veri të vendit

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    2023-ta ishte një vit i ngarkuar për policinë. Policët u përballën me situata nga më të ndryshmet, deri në konfrontim direkt me terroristët serbë më 24 shtator në Banjskë.

    Teksa raportoi para deputetëve në Komisionin për Siguri, drejtori i Policisë tregoi për punën që bëri institucioni që udhëheq.

    Por jo vetëm, në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëtarët e policisë menaxhuan edhe qindra protesta.

    Për punën në veri mori lëvdata nga të gjithë deputetët, por për ata në qytetet tjera pati edhe kritika.

    Shefi i policisë foli për shumë çështje, por më e rëndësishmja, situata aktuale në veri u diskutua pa praninë e mediave. Megjithatë, pas komisionit, Hoxha iu përgjigj shkurt gazetarëve.

    Hoxha, po ashtu, foli edhe për dorëheqjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa tha se 77 zyrtarë policorë kanë lënë punën vetëm vitin e kaluar./atvlive.tv/

  • Ende ka mbetur pezull tenderi për ndërtimin e stacionit të Policisë në lagjen ‘Kodra e Trimave’

    Ende ka mbetur pezull tenderi për ndërtimin e stacionit të Policisë në lagjen ‘Kodra e Trimave’

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    Para 4 vjetësh u hap tenderi për herë ta parë. Në këtë vend në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet planifikohej nisja e ndërtimit të një stacioni policor.

    Kompania fituese për ndërtimin e këtij stacioni, punimet as nuk i filloi derisa u tërhoq menjëherë pas pandemisë me arsyetimin se çmimet ishin shtrenjtuar.

    Vetëm në tetor të viti 2022 u hap sërish tenderi, por ai është pezulluar në shkurt të këtij viti, pasi në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pati ankesa nga një operator ekonomik.

    Andaj nga Sindikata e Policisë po kërkohet që ky organ të jetë më feksibil në trajtimin e kësaj ankese.

    Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë thotë se ndërtimi i këtij stacioni duhet të fillojë sa më parë, meqë kushtet e policëve, në objektin ku aktualisht qëndrojnë nuk janë të përshtatshme.

    Për këtë foli edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, i cili tha se janë në pritje.

    Para rreth dy vitesh, policia u largu nga objekti që ishte në “Kodrën e Trimave” dhe qëndron në një objekt në Lagjen “Arbëria”./atvlive.tv/

  • PDK-ja “gati për zgjedhje” të parakohshme, aderon Rrahman Rama

    PDK-ja “gati për zgjedhje” të parakohshme, aderon Rrahman Rama

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Në një përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, përsëriti gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Pasi tha se Qeveria ka dështuar në të gjitha premtimet e saj, kreu i partisë më të madhe opozitare theksoi se, për të, qysh nesër mund të dakordohet shpërndarja e legjislaturës së Kuvendit dhe data e zgjedhjeve të reja.

    “Të kthehemi te verdikti i qytetarëve, ata janë fjala e fundit për vendimmarrjen e qeverisë së ardhshme. Dhe, unë jam i bindur, po ashtu, që ditën që shpallen zgjedhjet, do të fillojë numërimi së prapthi për Albin Kurtin si kryeministër”, deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Në kontekst të përgatitjeve për këtë proces, Krasniqi prezantoi anëtarin e ri të partisë, ish-komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

    “Një jetë kushtuar përpjekjeve për liri dhe për shtetndërtim. Komandat në ZOSH në vitet e lavdishme të luftës për çlirim, 1998-99. Komandant i TMK-së pas përfundimit të luftës, e nga viti 2015 deri më 2021 komandat i FSK-së”, shtoi tutje Krasniqi.

    Ushtaraku Rama tha se në rrugëtimin e ri politik do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës.

    “Partia Demokratike është parti shtetformuese, shtetndërtuese. Pavarësisht situatës në të cilën gjendet sot, unë mendoj se japim kontribut dhe do t’i tejkalojmë edhe këto sfida që i ka vendi. Qëllimi im kryesor është t’i shërbejë këtij vendi”, tha Rrahmani.

    Të enjten, PDK-ja do të mbledhë Këshillin Drejtues me qëllim të riorganizimit të kryesisë dhe mobilizimit të strukturave të saj./atvlive.tv/

  • Familja Berisha në kërkim të familjarëve të pagjetur

    Familja Berisha në kërkim të familjarëve të pagjetur

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Gramoz Berisha erdhi përsëri tek varrezat ku pushojnë eshtrat e familjarëve që iu vranë nga forcat serbe, më 26 mars të 1999-ës.

    Në atë të premte marsi, forcat serbe ekzekutuan 49 anëtarë të familjes Berisha nga Suhareka.

    Pesë nga ta u vranë tek shtëpitë e Berishëve, kurse pjesa tjetër e familjes, përfshirë 15 fëmijë, u vra, ose të paktën kështu menduan forcat serbe, në këtë lokal, që sot shërben si muze.

    Gramozi i cili në atë kohë ishte vetëm tetë vjeç, shpëtoi duke u shtirur si i vdekur.

    Bashkë me nënën e tij, Vjollcën, dhe kushërirën Shyhreten, u hodhën nga mjeti ku po transportoheshin kufomat e të vrarëve.

    “Na kanë pru te lokali ku ka ndodhur masakra, te piceria “Kalabria”, aty kanë filluar gjuajtjet derisa nuk ka lëvizur askush. Jam bërë si i vdekur në momentin kur kanë filluar të kapin, pastaj na kanë bartur na kanë futur në kamion dhe kamioni u nis në drejtim të Prizrenit. Gjatë rrugës për Prizren mami më ka kapur mua, fillimisht gruaja xhaxhait, Shyhretja, është hedhur nga kamioni më pas edhe mami me mua, të plagosur jemi hedhur”, tha Gramoz Berisha, i mbijetuar i masakrës.

    Hysni Berisha u angazhua për të mbledhur gjësendet që mbetën nga më të dashurit e tij, duke i ekspozuar ato,në lokalin ku u krye masakra.  

    “Më 1 shtator të ‘99-ës kemi shkuar t’i hapim varrezat për herë të dytë. Në mesin e dokumenteveqë janë gjetur është gjetur edhe fletorja e Miratit, ai ka qenë në klasën e parë dhe e ka marrë lapsin dhe çantën me vete, duke mendu që do kthehet”, deklaroi Hysni Berisha, familjar i të masakruarve.

    Kur lufta mbaroi e ushtria serbe doli nga Kosova, ai u takua sy më sy me atë që urdhëroi gjenocidin në Kosovë. Ishte koha që ai të dëshmonte në Hagë kundër Millosheviqit.

    Në një moment ai thotë se unë kam punë me këtë dëshmitar më së shumti, sepse ky është dëshmitar i përgatitur”, deklaroi tutje Hysni Berisha.

    25 vjet pas luftës, familja Berisha vazhdon të jetë në kërkim të 24 familjarëve të pagjetur.

    “Edhe rasti i familjes Berisha, edhe përpjekja në kuptim të ndriçimit të fatit të më shumë se 20 personave, do të mbetet një nga zotimet tona, ose një nga prioritetet tona”, tha Jushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të pagjeturit.

    Pas luftës së fundit në Kosovë, mbi 1600 personavazhdojnë të jenë të pagjetur./atvlive.tv

  • Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    Ministri Sveçla e tre deputetët deklarohen të pafajshëm për gazin lotsjellës

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Qysh në fillim të seancës, Gjykatësi Sabit Sadiku u jep një njoftim pozitiv katër të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

    Njëra nga dy veprat penale me të cilat ngarkohen Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Drita Millaku e Fitore Pacolli, është parashkruar para 5 ditësh.

    “Pengimi i personit zyrtar e ka arritë parashkrimin me 21.03.24. Seanca sot vazhdon veç për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm. Megjithatë, ndaj të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tha Sabit Sadiku, kryetar i Trupit Gjykues.

    Përballë kësaj aktakuze, ministri e deputetët u deklaruan të pafajshëm, por që në deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara Fitore Pacolli foli më gjatë.

    Kundërshtimin e provave avokatët e caktuar, sipas detyrës zyrtare, thanë se do ta bëjnë më vonë.

    Sipas aktakuzës që e posedon ATV-ja, ministri Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, më 21 mars 2018, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit, ku po mbahej seanca plenare./atvlive.tv/

  • Treni godet një këmbësore në Arbëri, në gjendje të rëndë transportohet në QKUK

    Treni godet një këmbësore në Arbëri, në gjendje të rëndë transportohet në QKUK

    Një këmbësore ka marrë lëndime trupore, pasi është goditur nga treni, sot pasdite, në Prishtinë.

    Aksidenti ka ndodhur, rreth orës 16:30, në afërsi të shkollës “Xhevdet Doda” dhe Varrezave Ortodokse, raporton Ekonomia Online.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia, e cila po heton rrethanat e aksidentit. Ndërsa, një auto-ambulancë e ka transportuar të lënduarën në QKUK.

    Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka njoftuar se këmbësorja është dërguar për tretman mjekësor.

    “Rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën për një aksident në lagjen Lakrishtë. Aksidenti ka ndodhur në hekurudhë ku kanë qenë të përfshirë një tren dhe një këmbësore. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut”, deklaroi Ahmeti.

  • Publikohet lista për dy ndeshjet e marsit në hendboll

    Publikohet lista për dy ndeshjet e marsit në hendboll

    Selektori i Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka shpallur të martën listën e lojtareve në të cilat llogarit për dy ndeshjet shumë të rëndësishme me Poloninë.

    Kosova e Polonia takohen në kuadër të fazës kryesore kualifikuese për “Euro 2024”.

    Ndeshja e parë është më 4 prill nga ora 17:45 në Prishtinë. Ndeshja e dytë zhvillohet më 7 prill në Zielona Gora të Polonisë.

    Kosova e Polonia janë në Grupin 8, ku bënë pjesë edhe Danimarka. Danezet i kanë fituar të gjitha katër ndeshjet e deritashme dhe tashmë janë kualifikuar në Evropian.

    Polonia llogaritet favorite ndaj Kosovës. Por vajzat tona do të japin maksimumin për të shënuar një fitore, që me shumë mundësi do të mjaftonte për kualifikim në Evropian.

    Kombëtarja pritet të ketë përkrahje të madhe në ndeshjen në Prishtinë, ku synohet të befasohet Polonia.
    Grumbullimi i Kombëtares është më 29 mars në Prishtinë. Deri në ditën e ndeshjes Kombëtarja i ka nga dy stërvitje në ditë.

    Selektori Shabani është bazuar në grupin e lojtareve tashmë të konfirmuara, ndërsa rastin ua ka dhënë edhe disa lojtareve të reja. Për shkak të obligimeve personale, në këtë grumbullim mungon aloja Fitore Aliu.

  • Plagoset një person në Kolovicë, policia jep detaje

    Plagoset një person në Kolovicë, policia jep detaje

    Një rast i rëndë ka ndodh sot rreth orë 13:40 në rrugën “Haxhi Zeka”, në Prishtinë, ku një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

    Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e rajonit të Prishtinës, e cila ka dhënë detajet e fundit për të shtënat me armë në mes të ditës.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

    “Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë për Sinjalin, Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës.