ATV

Blog

  • Kërkohet përjashtimi i Xhevat Krasniqit nga UP-ja, akuzohet për ngacmim seksual

    Kërkohet përjashtimi i Xhevat Krasniqit nga UP-ja, akuzohet për ngacmim seksual

    Lëvizja Feministe ka protestuar të martën para Fakultetit të Edukimit, duke kërkuar shkarkimin e profesorit të këtij fakulteti, Xhevat Krasniqi dhe anëtarëve të Këshillit të Etikës, raporton Ekonomia Online.

    Aktivistët thanë se mungesa e reagimit nga UP-ja jo vetëm që normalizon, por edhe institucionalizon ngacmimin seksual brenda këtij institucioni.

    Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt pranë Fakultetin e Edukimit, është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual, në Këshill të Etikës, ndërsa menjëherë pas denoncimit ka ndërprerë bashkëpunimin me Krasniqin, por jo edhe Universiteti i Prishtinës. Ai vazhdon të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit.

  • Hoxha: Siguria në veri mbetet e brishtë, gjatë 2023-ës dhanë dorëheqje 11 policë atje

    Hoxha: Siguria në veri mbetet e brishtë, gjatë 2023-ës dhanë dorëheqje 11 policë atje

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se situata e përgjithshme e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë, megjithatë në pjesën veriore të vendit mbetet e brishtë, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023., Hoxha ka përmendur incidentet kriminale gjatë vitit të kaluar.

    “Vlen të veçohen disa prej rasteve dhe incidenteve kriminale gjatë vitit 2023 si sulmi ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë”, tha ai.

    Ai përmendi edhe disa prej veprave më të rënda kriminale gjatë vitit 2023. “Kemi pasur rritje nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, fatmirësisht ka pasur ulje gjatë këtij viti prej 10.77%”, deklaroi Hoxha.

    Ai ka theksuar se gjatë vitit 2023 janë zbatuar 73 urdhra operativ, teksa plane operative kanë qenë 1889.

    Tek aksidentet me fatalitet, Hoxha tha se 96 sosh kanë qenë në vitin 2023. ”Numri i personave të vdekur në aksidente ka mbetur i njëjtë si vitin e kaluar 106″, shtoi ai.

    Hoxha ka thënë tutje se në vitin 2023 në Drejtorinë Policore në veri kanë dhënë dorëheqje 11 zyrtarë policorë, ndërsa në vitin 2024 nuk ka dorëheqje në Policinë e Kosovës.

  • Ministri Sveçla dhe tre deputetët e LV-së deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministri Sveçla dhe tre deputetët e LV-së deklarohen të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Deklarimin rreth fajësisë, ministri dhe deputetët e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sveçla, Millaku dhe Zyba thanë se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Po ashtu, edhe Pacolli-Dalipi, e cila shtoi se ka vepruar në përputhje me betimin që ka dhënë si deputete.

    “Deklarohem si e pafajshme, kam vepru në përputhje me betimin që kam dhanë si deputete e Kosovës, që punoj për interes të vendit tim”, tha Pacolli-Dalipi.

    Meqenëse të pandehurit nuk e pranuan fajësinë, të njëjtit u njoftuan se brenda afatit ligjor mund të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

  • ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anusiq nesër do ta vizitojë Kosovën, ku ndër të tjera do ta vizitojë edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ai do të jetë në ministri në orën 16:30.

     

  • Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Suharekë, 25 vjet më parë, ku 46 anëtarë të familjes Berisha u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

    Osmani ka shkruar se edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha.

    “Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!”, thuhet në postim.

  • Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Një urë e madhe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

    Ekipet e shpëtimit thanë se janë duke i kërkuar së paku shtatë njerëz në ujë.

    Anija e goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, duke e shkaktuar shembjen e saj. Anija shpërtheu në zjarr për pasojë.

    “Kjo është një gjendje serioze emergjente”, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

    “Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.

    Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.

    Carwright tha se anija quhej “Dali”. Ajo po lundronte përmes Baltimore në drejtim të Kolombos në Shri Lankë, sipas autoriteteve. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit, raportoi radio WTOP.

    “Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.

    Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit./REL/

  • Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, kanë qenë cak të martën i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës. Aksionin gjatë ditës së sotme ka përcjellë nga afër Ekonomia Online.

    Aksioni që ka nisur të hënën, ka për qëllim t’i identifikojë taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, pasi konsiderohen si shkaktarë të tollovisë në Kryeqytet.

    Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, vlerësoi lartë mbështetjen që kanë marrë nga Policia e Kosovës. Tha se kjo dukuri është e shfaqur tejmase në rrugët e Prishtinës.

    “Jemi sot në një aksion i cili po vazhdon që nga dje në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, i cili ka për qëllim linjat e autobusëve, taksitë ilegalë, taksitë që punojnë me pa leje pune por edhe kombibusët. Ju e dini që një nga problemet më të mëdha sipas vlerësimeve tona por edhe sipas vlerësimeve të policisë, këto janë nga disa çështjet që po e mbingarkojnë jashtëzakonisht rrjedhën e komunikacionit në Prishtinë prandaj kemi vendosur që prej dje t’i vendosim disa pika kontrolle në Kryeqytet dhe të shohim bashkërisht dhe të bëjmë kontrollin e nevojshëm për të parë sa është shfaqur kjo dukuri në Kryeqytet”, tha Dushi.

    “Gjithashtu është me rëndësi që të theksohet se si Inspektorat ne kemi pasur kontrolle edhe në të kaluarën ndaj këtyre problematikave në Kryeqytet por megjithatë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë që koordinimin që e kemi me Policinë dhe mbështetjen, veçanërisht këtë aksion që ka filluar dje”, tha tutje Dushi.

    Ndërsa zëvendëskomandanti rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, tha se Policia e përkrah aksionin e përbashkët për këtë dukuri negative.

  • Jamie Shea: Nuk do të ketë luftë në Kosovë, Kryeministri Kurti të tregojë se është partner i besueshëm i ShBA-së dhe BE-së

    Jamie Shea: Nuk do të ketë luftë në Kosovë, Kryeministri Kurti të tregojë se është partner i besueshëm i ShBA-së dhe BE-së

    Ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka siguruar të gjithë se nuk do të ketë luftë në Kosovë.

    Pavarësisht se inteligjenca lëshoi paralajmërimin për një rrezik të lartë për konflikte ndëretnike në Ballkanin Perëndimor, Shea mendon se nuk duhet dramatizuar situata.
    “Nuk shoh perspektivë për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Por ka tensione, sigurisht, dhe kjo është një nga arsyet pse NATO dërgoi forca shtesë në KFOR vitin e kaluar, si para incidentit në Banjskë, ashtu edhe pas incidentit në Banjskë, për t’u siguruar që ka mjaft ushtarë të NATO-s në Kosovë, përfshirë këtu në veri, për të parandaluar çdo lloj agresioni, për të parandaluar çdo lloj sulmi. Pra NATO është shumë vigjilente”, ka thënë Shea.

    Ai pohon se situata është e tensionuar, por sipas tij NATO është plotësisht e mobilizuar.

    “Kështu është edhe BE-ja, për të menaxhuar krizat, për të parandaluar incidentet, për të ulur tensionet dhe mbi të gjitha, për të rikthyer në shina dialogun politik me Beogradin dhe Prishtinën”.

    Për ta arritur këtë, sipas Sheas është e rëndësishme që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ta dëshmojë se është partner i besueshëm i SHBA-së e BE-së, ashtu siç ishin qeveritë e kaluara.

    “Është shumë e rëndësishme që kryeministri Kurti të tregojë se ai është gjithashtu një partner i besueshëm përballë Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Bashkimit Europian. Ajo që ka qenë e suksesshme në të kaluarën është se qeveria e Kosovës ka punuar shumë, shumë ngushtë me miqtë e saj të mëdhenj në BE, në NATO, me Shtetet e Bashkuara, me vendin tim, Britaninë e Madhe. Ne kemi qenë partnerë të mirë dhe duhet ta ruajmë këtë partneritet edhe në vazhdim”, tha Shea për A2cnn.

  • Kaplohet nga zjarri një veturë me targa të huaja në autostradë

    Kaplohet nga zjarri një veturë me targa të huaja në autostradë

    Një veturë me targa të huaja është raportuar se është djegur tërësisht në autostradën në Obiliq.

    Sipas të dhënave, përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

    Njoftimi i plotë:“Obiliq / 25.03.2024 – 21:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë në lëvizje në autostradë, vetura e tij me targa të huaja papritmas është kapluar nga zjarri dhe më pas është djegur tërësisht. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe zjarrfikësit. Perveq dëmeve materiale nuk eshte raportuar per te lenduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti procedohet ne procedure te rregullt”.

  • Kosova përballet sonte me Hungarinë në Budapest

    Kosova përballet sonte me Hungarinë në Budapest

    Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhësi i ri, Franco Foda, do të kenë një test të vërtetë sonte, kur do të takohen me Hungarinë në një ndeshje miqësore.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Puskas Arena” të Budapestit, me fillim prej orës 19:00.

    Kosova hyn në këtë ndeshje pas fitores minimale në miqësoren ndaj Armenisë. Me rezultat të njëjtë, por si vendase, fitoi edhe Hungaria ndaj Turqisë.

    Përveç Leart Paçaradës, i cili është në dyshim shkaku i një lëndimi, Foda do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët tjerë.

    Lajm i mirë padyshim se është riaftësimi i kapitenit, Amir Rrahmani, i cili mungoi ndaj Armenisë.

    Trajneri gjerman i Kosovës në konferencën për media dje theksoi se Kosova nuk do ta ketë aspak të lehtë ndaj një kundërshtari të fortë si Hungaria, por shtoi se ka besim te grupi.

    “Nuk do të jetë e lehtë, pasi luajmë kundër një ekipi shumë të fortë. Ne zhvilluam ndeshje të mirë ndaj Armenisë. Kemi ekip që ka aftësi teknike, por përballja ndaj Hungarisë do të jetë e vështirë, që udhëhiqet nga një trajner që ka treguar paraqitje të mira siç është Marco Rossi. Sidoqoftë, ne mbesim skuadër e fortë dhe kemi besim te grupi ynë. Ndeshja me Hungarinë ishte aranzhuar para se unë të bëhesha trajner i Kosovës. Por, ne duhet të përballemi ndaj kundërshtarëve të tillë, pasi është niveli ku ne synojmë të arrijmë dhe të luajmë në të ardhmen. Ne do të luajmë me besim përballë Hungarisë”, ishte shprehur Foda të hënën.

    Në konferencën para gazetarëve në Budapest ishte paraqitur edhe Amir Rrahmani, i cili vuri në pah rëndësinë që Kosova të testojë veten me kundërshtarë si Hungaria.

    “Ndeshja ka rëndësi sepse është në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator. Duhet të shohim se çka kërkon trajneri dhe të ndjekim planin e idetë e tij. Na duhet kjo ndeshje, pasi luajmë kundër një kundërshtari shumë të fortë me lojtarë që luajnë në klube të forta evropiane. Shpresoj të paraqesim në fushë atë që kërkon trajneri. Trajneri ka kërkuar nga ne që të fitojmë topin sa më afër golit të kundërshtarit në mënyrë që të kemi sa më shumë të shënimit”, deklaroi Rrahmani.

    Vlen të theksohet se interesimi për ta ndjekur këtë ndeshje është shumë i madh dhe kjo dëshmohet më së miri me faktin se të gjitha biletat janë shitur.

    “Puskas Arena” ka kapacitet prej 67 mijë e 215 ulëseve.