ATV

Blog

  • Gjendet e vdekur një grua në Rahovec, Policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Rahovec, Policia nis hetimet

    Një grua është gjetur e vdekur dje në Rahovec.

    Policia njoftoi se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor trupi i pajetë, derisa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Tutje, në raport thuhet se Policia ka nisur hetimet për rastin.

  • Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj

    Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë për Ekonomia Online se brenda tre muajve, në Kosovë janë shuar afër 400 kompani dhe se kjo po bëhet për shkak të borxheve e konkurrencës jo ferr.

    Këtë fakt, Shahini e sheh shqetësuese, teksa pret veprime institucionale.

    “Është shqetësim për vendin, po flasim aktualisht për tre muajt e fundit ku mesatarisht janë mbyllur rreth 400 kompani e që këto kompani kryesisht janë mbyllur për shkaqe të problemeve të njëpasnjëshme që kanë pas për shkak të humbjes së fuqisë në treg të borxheve dhe të konkurrencës jo ferr”, thotë Shahini.

    “Prandaj shuarja e bizneseve nuk mund të jetë vullnetare përderisa ata nuk kanë arritur objektivat e veta. Asnjë biznes nuk mbyllet vullnetarisht që i ka punët mirë por që i ka punët keq dhe kjo e bën që Kosova të mos jetë një vend atraktiv për bizneset e reja por edhe bizneset me traditë janë duke shkuar drejt falimentimit për arsye të ndryshme të goditjeve të njëpasnjëshme që vijnë në biznes”, shtoi ai.

    Mundësitë e reja zhvillimore ato të investimit si dhe mbështetëse janë tre faktorë tejet të rëndësishëm për tu zhvilluar një biznes, thotë Shahini.

    Shahini numëron edhe ngarkesat që bizneset i kanë në vend, përfshirë ato tatimore e infrastrukturore.

    “Qeveria e vendit duhet të bëjë edhe më shumë, për të krijuar mundësi të reja zhvillimore, mundësi të reja investuese dhe mbështetëse duke i pasur këta tre faktorë të rëndësishëm për të mbajt aktiv ekonominë e vendit. Bizneset janë tepër të angazhuar dhe të bëjë gjithçka që ata të mos mbyllen, por në fund vjen momenti kur edhe mund të dorëzohen dhe nuk mund t’i përballen qoftë ngarkesave të njëpasnjëshme duke përfshirë këtu ngarkesat e larta tatimore, ato të larta të interesit bankar, infrastruktura shpesh e bën ajo fizike që disa biznese mund të mbyllen edhe për këtë çështje po ashtu për humbje të fuqisë konkurruese, humbja e tregjeve dhe mungesa e punëtorëve që kohët e fundit një fenomen po bëhet i zakonshëm”, thotë ai.

    Shahini kërkon që termi “bizneset po mbyllen vullnetarisht” të mos përdoret, pasi siç thekson ai, askush “nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale”.

    “Bizneset zakonisht pas përfundimit të dorëzimit dhe aktivitetit të vetë ekonomik para konkurrencës, para fuqisë konkurruese ata mund të fillojnë procedurat për mbylljen e bizneseve dhe atyre askush nuk shkon me e mbyll biznesin por ata në mënyrë vullnetare që duhet ta përmbyllin procesin por vullnetarisht ata nuk e kanë mbyll punën e vetë, biznesin dhe aktivitetin e vetë”.

    “Nuk duhet përdoret termi ‘vullnetar’, për arsye se vullnetarisht ata i kanë hap bizneset por ka ardhur momenti kur ata edhe duhet të dorëzohen në mënyrë ligjore të paraqesin ç’regjistrimin e biznesit dhe të shikojnë të gjejnë alternativa tjera për tu punësuar ata njerëz ose për të krijuar ndonjë mundësi tjetër ose largim nga vendi ose të gjejnë mundësi tjetër të bashkojnë kapitalin e vetë në ndonjë biznes tjetër apo ndonjë individ tjetër por prape së prape askush vullnetarisht nuk e mbyll biznesin e vetë dhe askush nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale përderisa ai është i aftë për punë”, thotë Shahini.

  • ​25 vjet nga masakra në familjen Berisha në Suharekë

    ​25 vjet nga masakra në familjen Berisha në Suharekë

    25 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

    E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra.

    Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte edhe të tjerë që ishin gjallë, por të plagosur.

    Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.

  • Sot fillon punimet takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim

    Sot fillon punimet takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim

    Takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë do të mbahet sot e nesër në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas njoftimit nga Kuvendi, hapja do të bëhet nga Mimoza Kusari-Lila dhe Lukas Mandl, bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

    Në vazhdim, pikëpamjet e tyre mbi gjendjen e marrëdhënieve BE-Kosovë, do t’i paraqesin: Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit; Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog; Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim; AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik, Ekonomik për Integrim Evropian, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian.

  • Sot përkujtohet masakra e Krushës së Madhe, e pranishme presidentja Osmani

    Sot përkujtohet masakra e Krushës së Madhe, e pranishme presidentja Osmani

    Në Krushë të Madhe përkujtohet maskara e ndodhur 25 vjet më parë.

    Në tubimin përkujtimor dhe kujtim dhe nderim të të rënëve e pranishme do të jetë edhe presidentja, Vjosa Osmani.

    “Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani merr pjesë në tubimin përkujtimor në 25 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe. Presidentja Osmani, gjithashtu do të marrë pjesë edhe në Përurimin e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe

  • Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës.

    “Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi. Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka njoftuar se në KS të OKB-së ka qenë me ish-deputeten dhe aktivisten, Vasfije Krasniqi-Goodman, si e dërguar e posaçme e Presidencës për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Gërvalla ka vazhduar tutje duke thënë se për 25 vjet të pasluftës Kosova ka avancuar në demokraci, sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut, ndërkohë që “Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”.

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

  • Trump fiton betejën me gjykatën: E respektoj vendimin, do të paguajë 175 milionë dollarë

    Trump fiton betejën me gjykatën: E respektoj vendimin, do të paguajë 175 milionë dollarë

    Ish-presidenti Amerikan, Donald Trump fitoi betejën me gjykatën e Lartë të Nju-Jorkut kundër sekuestrimit të aseteve të tij pasurore.

    Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Donald Trump do të duhet të paguajë një shumë prej 175 milionë dollarë brenda 10 ditëve.

    Në këtë mënyrë, organet ligjzbatuese do të pezullojnë akuzat për mashtrim fiskal në shumën prej 454 milionë dollarësh.

    Vendimi i hap rrugën Trump për të kandiduar i pashqetësuar në zgjedhjet e nëntorit në SHBA.

    “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Manhatanit, Arthur Engoron i ka bërë një dëm të tmerrshëm shtetit të Nju Jorkut. Bizneset po ikin dhe krimi po lulëzon në të gjithë shtetin dhe ajo që ai ka bërë është një shërbim kaq i keq dhe nuk duhet lejuar të ndodhë më kurrë. Unë e respektoj shumë vendimin e divizionit të apelit dhe do të jap ose 175 milionë dollarë në para, obligacione ose garanci ose çfarëdo që është e nevojshme, shumë shpejt brenda dhjetë ditëve”, tha Trump.

    Zyra e Prokurores së Përgjithshëm të Nju Jorkut, Letitia James, e cila po trajton çështjen, tha se Trump “është duke u përballur me përgjegjësinë për mashtrim”.

    Trump ka luftuar për të mbledhur para si për fushatën e tij ashtu edhe për shpenzimet e tij ligjore.

    Ai është deklaruar i pafajshëm në rastet penale dhe ka mohuar të ketë kryer shkelje ligjore për rastet e përmendura ndaj tij.

    Në çështjen civile të Nju Jorkut, Trump u gjet përgjegjës për mashtrim me pasurinë e tij në miliarda dollarë për të siguruar kushte më të mira kredie dhe sigurimi.

    Gjyqtari Arthur Engoron zbuloi se Trump ishte përfshirë në mashtrim duke mbivlerësuar pronat, duke përfshirë edhe pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, apartamentin e tij në Kullën Trump të Manhatanit dhe ndërtesa të ndryshme zyrash dhe fusha golfi.

    Gjyqi u fokusua kryesisht në atë se sa duhet të paguajë Trump në gjoba.

  • Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka refuzuar kërkesën e Rusisë, për të vendosur në rend dite të agjendës, seancë të jashtëzakonshme për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë.

    Vetëm tre anëtarë votuan pro gjatë një procedure formale, ndërsa 12 të tjerë abstenuan ndaj kësaj kërkese.

    Përfaqësuesit e Francës dhe SHBA-së insistuan se Rusia nuk është konsultuar fare me anëtarët e Këshillit të Sigurimit për këtë seancë.

    Kurse përfaqësuesi i Rusisë ka insistuar me arsyetimin se kërkesa e saj kishte figuruar në agjendë dhe ishte publikuar në kalendar nga Presidenca Japoneze e OKB-së.

  • “Trepça” eksploaton në tokë private, i ndërpritet puna, KPMM: Për këtë parcelë nuk ka licencë

    “Trepça” eksploaton në tokë private, i ndërpritet puna, KPMM: Për këtë parcelë nuk ka licencë

    PËRGATITI: ARMAND HOTI    

    Njësia veriore e ndërmarrjes “Trepça”, në shkurt nisi gërmimet për material argjilor, në këtë parcelë në komunën e Leposaviqit.

    Por ato ua ndali në gjysmë, policia dhe inspektorati i minierave, me arsyen se nuk kishte licencë.

    Për lokacionin në të cilin është shfrytëzuar materiali argjilor, ndërmarrja nuk posedon licencë shfrytëzimi nga KPMM-ja.

    Për këtë tokë, vetë institucionet morën vendime të ndryshme nga njëra-tjetra. Fillimisht, me nënshkrim të kryeministrit Albin Kurti, parcela iu dha Trepçës, për nevoja të flotacionit të Leposaviqit.  

    Prona që propozojmë t’ia japim në shfrytëzim “Trepçës” do të mundësojë ndërtimin e pendës së deponisë së sterileve.

    Mirëpo më pas, doli se nuk ishte pronë e Agjencisë Pyjore, por tokë private e një qytetari të etnisë serbe.

    Parcela me nr. 3129 Kostin Potok, Majdevë-Leposaviq e përshkruar në vendim të Qeverisë, sipas të dhënave nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, është parcelë me pronësi private, ndërsa parcela që menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës, në të cilën janë bërë verifikimet gjendet parcelë fqinje.

    Edhe pse shenjat vërehen në terren, kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti, nuk e konfirmon se aty ka punuar njësia veriore e ndërmarrjes.

    Sapo e kemi marrë vendimin, ne nuk e kemi zbatuar ende, sepse në proces të zbatimit, ka dalë informata nga komuna se prona është private dhe normalisht se e kemi stopuar procesin, dhe në ndërkohë Agjencioni i Pyjeve na ka dërguar një shkresë tjetër ku na ka treguar se na e kanë dhënë gabimisht parcelën, kanë bërë njëlloj permutacioni të numrave. Nuk e kam informatën që është punuar.

    Nga Agjencia Pyjore thanë se “Trepça” dhe Ministria e Ekonomisë, tashmë janë të informuara lidhur me pronësinë e parcelës, dhe u kanë kërkuar që vendimi të korrigjohet.

    Sipas informacioneve që posedon ATV-ja, me rastin është duke u marrë edhe Policia./atvlive.tv/

  • Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në orarin mësimor, nxënësit e dy shkollave në Mitrovicë, nga klasa e 6 deri tek e 9-ta, kanë të paraparë lëndën e artit figurativ. Mirëpo, tash e një muaj këta nxënës nuk po e mbajnë orën e artit figurativ, kjo për shkak se po mungon mësuesja e artit. 

    Madje ka raste, që nxënësit në mungesë të mësimdhënëses, lirohen më herët për në shtëpi.

    “Artin figurativ nuk jemi tu e mbajtë qe një muaj, kur te kena orën e artit shkojmë në shtëpi”, deklaroi një nxënës i klasës së tetë në shkollën fillore “ Musa Hoti”.

    Përveç shkollës fillore “Musa Hoti”, e njëjta mësimdhënëse është e angazhuar edhe në shkollën “Fazli Grajcevci” në Shipol, duke krijuar edhe aty të njëjtën situatë.

    Por, sa do të zgjasë kjo ende nuk dihet, ngase drejtoresha e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, pa dhënë detaje, tha se kanë filluar procedurat për të bërë zëvendësimin e saj.

    Ndërkaq, siç mëson televizioni, kjo nuk është hera e parë që nxënësit e këtyre shkollave mbesin për një periudhë të gjatë pa mësimdhënës. Situatë e njëjtë ishte krijuar edhe para disa muajve, në mungesë të mësimdhënëses së gjuhës gjermane./atvlive.tv/