ATV

Blog

  • Stambolli nderon Dua Lipën duke i bërë një statujë prej dylli

    Stambolli nderon Dua Lipën duke i bërë një statujë prej dylli

    Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, u nderua së fundmi me një statujë prej dylli nga muzeu “Madame Tussauds Istanbul” në qytetin e Stambollit në Turqi.

    Në këtë skulpturë, artistja e hitit “Levitating” shihet me një nga veshjet skenike të tourit “Future Nostalgia”.

    Kjo veshje ikonike e saj, përcolli Dua Lipën në të gjitha koncertet ku promovoi albumin e saj tejet të suksesshëm.

    Të gjithë adhuruesit e këtij arti, mund të vizitojnë muzeun për të parë skulpturën prej dylli të artistet së famshme; ky lloj arti është tejet i njohur anembanë botës.

    Muzeu “Madame Tussauds Istanbul” është një atraksion turistik që gjendet në Avenue Istiklal në Stamboll. /Telegrafi/

  • Osmani: Regjimi kriminal serb kreu krime makabër në Kosovë, e domosdoshme sjellja e autorëve para drejtësisë

    Osmani: Regjimi kriminal serb kreu krime makabër në Kosovë, e domosdoshme sjellja e autorëve para drejtësisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Rezallës, ku forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra.

    Osmani tha se regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme.

    “Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës.

    Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme.

    Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!

    Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”

  • Dëmtohen tabelat me emërtime shqip në veri, u vendosën stikera me shkronja cirilike

    Dëmtohen tabelat me emërtime shqip në veri, u vendosën stikera me shkronja cirilike

    Disa tabela me emërtime edhe në gjuhën shqipe në disa vendbanime në veri të vendit, sërish janë dëmtuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    Mbi emrin në gjuhën shqipe, janë vendosur stikera me emrin e vendbanimit të shkuar në alfabetin cirilik.

    “Kemi informata që janë vendosur disa stikersa në tabelat e vendbanimeve, një gjë e tillë po ndodh në vazhdimësi”, tha për gazetën Reporteri.net zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani.

    Tabelat e komunikacionit, në të cilat emërtimet e vendbanimeve në veri janë shkruar edhe në gjuhën shqipe, u patën vendosur nga autoritetet e Kosovës më 14 mars.

    Edhe atëherë, menjëherë më 15 mars, disa prej tyre ishin ngjyrosur me ngjyrë të zezë.

  • Zjarr i madh në një objekt në Çagllavicë – deklarohen nga Policia

    Zjarr i madh në një objekt në Çagllavicë – deklarohen nga Policia

    Një zjarr i madh ka përfshirë një objekt në Çagllavicë, më saktë në rrugën Prishtinë-Ferizaj mëngjesin e sotëm. Detaje ka dhënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

    Ahmeti tha se deri tani raportohet vetëm për dëme materiale.

    “Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt në rrugën Prishtinë -Ferizaj. Në vendngjarje janë zjarrfiksit dhe policia të cilët po merren me rastin”, ka thënë ajo.

    “Bazuar në të dhënat e deritanishme janë shkaktuar vetëm dëme materiale”.

  • Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë

    Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar se si në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta.

    Kurti kujton se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

    “29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, shkroi Kurti në Facebook.

    Andaj, shkruan Kurti, “sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”.

    “Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, shkroi tutje kryeministri Kurti.

    “Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, përfundoi Kurti.

  • Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKShPK-ja del me rekomandime për qytetarët

    Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKShPK-ja del me rekomandime për qytetarët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë më disa rekomandime për qytetarët, pasi që tash me rritjen e temperaturave, rritet edhe mundësia e pickimit nga rriqrat që janë bartëse të virusit që i shkakton Ethet Hemorragjike.

    Në njoftimin e IKShPK-së thuhet se nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal, pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, derisa thuhet se laboratoret e IKSHPK-së janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

    “Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftim.

    IKShPK-ja u ka rekomanduar qytetarëve që:

    -Të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;

    -Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë;

    -Të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si  shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut;

    -Të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre;

    -Nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore;

    -Të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe;

    -Të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë);

    -Të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi;

    -Të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.

    Përmes këtij postimi, IKSHPK ka bërë thirrje te qytetarët që të kontribuojnë edhe në përmirësimin e ekosistemit që nënkupton:

    -Të punohen të gjitha tokat e punueshme;

    -Të kositen  livadhet me kohë dhe nga disa herë;

    -Të pastrohen kopshtet dhe pronat përrreth shtëpive

    -Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve;

    -Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë, ku nuk duhet të lihen këmbët e zbathura

    -Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe në mbrëmje të kontrollohen (nga prindërit) për praninë ose jo të rriqrave në trupin e tyre.

    “Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive”, thuhet në apelin e IKSHPK’së.

  • Lista Serbe thotë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Lista Serbe thotë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar Albin Kurti.

    Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

    “Të nderuar qytetarë…dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, tha Lista Serbe në Facebook.

    Por, sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

    Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

    Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

    Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

    “Krahas kësaj, Kurti dëshiron të sulmojë edhe Serbinë me këtë regjistrim me disa kërkesa për dëmshpërblime të luftës, gjë që e pengon edhe më shumë çdo serb të jetë pjesë e këtij procesi”, tha ajo duke iu referuar deklaratës së Kurtit, i cili tha më 30 mars se autoritetet e Kosovës po përgatiten që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës “për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

    Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK./REL/

  • Theret një person në Prishtinë

    Theret një person në Prishtinë

    Një vrasje në tentativë ka ndodhur të enjten në Prishtinë.

    Policia ka arrestuar një të dyshuar që e ka therur një person.

    Viktima është dërguar në QKUK.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me një thikë e kishte goditur viktimën mashkull kosovar dhe si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Një grua në Istog thërret policinë, raporton për dhunë dhe armë në shtëpi

    Një grua në Istog thërret policinë, raporton për dhunë dhe armë në shtëpi

    Një grua ka njoftuar policinë se i dyshuari mashkull kosovar në Istog i ka shkaktuar dhunë dhe ka armë në shtëpi.

    Pas raportimit, policia i është përgjigjur rastit dhe kanë arrestuar të dyshuarin.

    Lidhur me rastin është bastisur shtëpia me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta me dy karikatorë, dy pushkë gjuetie dhe 1 karikator si dhe mbi 130 fishekë të llojeve të ndryshme.

    Personi i dyshuar ka prezantuar lejet përkatëse për armët e lartcekura, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

    Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

    Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit dhe pasojat që ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. Kështu është shprehur përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian.

    Në pyetjet e deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrell ka thënë se këto është dashur të negociohen bashkë me Asociacionin

    “Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

    Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

    Ndërkaq, as dje në Bruksel të dyja palët nuk kanë arritur një marrëveshje sa i përket përdorimit të dinarit.