ATV

Blog

  • Gjendet i vdekur një 42-vjeçar në Prizren

    Gjendet i vdekur një 42-vjeçar në Prizren

    Një person është gjetur pa shenja jete gjatë ditës së sotme në Prizren.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Reporteri.net se viktima 42 vjeçar  është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se familjarët kanë deklaruar se viktima edhe më herët ka pasur probleme shëndetësore dhe sipas tyre bëhet fjalë për vdekje natyrale.

    Megjithatë,  policia me urdhër të prokurorit kujdestar ka hapur rast si “hetim i vdekjes”.

    “Me datë 05.04.2024 , rreth orës 00:30, në shtëpinë e tij në rrugë Petro Nino Luarasi , në Prizren nga mjekët e emergjencës është konstatuar vdekja e viktimës mashkull 42 vjeçar (R.O.).

    Nga familjarët është deklaruar se edhe më herë ka pas probleme shëndetësore.

    Sipas familjarëve dhe mjekëve kujdestar, në bazë të shenjave cilësohet si vdekje natyrale. Megjithatë me urdhër të prokurorit kujdestar hapet rast “Hetim I vdekjes” ndërsa trupi I pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, tha Bytyqi.

  • Austria dërgon 190 ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Austria dërgon 190 ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Ministrja e Mbrojtjes e Austrisë, Claudia Tanner, ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji në misionin e KFOR-it do të dërgohet kontingjenti i 50-të i ushtarëve austriak, në kuadër të të cilit do të shërbejnë 190 ushtarë.

    Tanerova tha se vendi i saj është i përkushtuar për pjesëmarrje aktive në tejkalimin e krizave dhe sigurimin e paqes përmes operacioneve ndërkombëtare të paqes në mënyrë që të përballet me sfidat e reja të shekullit të 21-të.

    Ajo theksoi se zgjidhja e problemeve aktuale të sigurisë kërkon bashkëpunim të ngushtë në nivel evropian dhe ndërkombëtar.

    “Përveç përgjegjësisë së saj parësore për mbrojtjen ushtarake kombëtare, pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare është një prioritet i lartë për forcat e armatosura austriake. Ushtarët austriakë kanë dëshmuar gjithmonë se janë partnerë të besueshëm në Kosovë dhe jam e kënaqur që ky kurs vazhdon me rotacionin e kontingjentin e 50-të”, tha ajo.

    Austria merr pjesë në këtë mision që nga viti 1999. Komandanti i kontigjentit të ri do të jetë koloneli i Shtabit të Përgjithshëm Bernhard Gruber, i cili do të drejtojë rreth 190 ushtarë.

    Që nga 2 korriku 1999, Forcat e Armatosura të Austrisë janë aktive në Kosovë.

    Ministria austriake e Mbrojtjes thotë se Forcat e Armatosura të Austrisë kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbështesin organizatat ndërkombëtare dhe ndihmojnë në rindërtimin e rajonit.

  • ​Kurti u bën thirrje komunave për bashkëpunim në regjistrimin e popullsisë

    ​Kurti u bën thirrje komunave për bashkëpunim në regjistrimin e popullsisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje për angazhim të përbashkët në kryerjen e procesit të regjistrimit të popullsisë, në të cilin është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë.

    Në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me kryetarët e komunave, Kurti vlerësoi se është thelbësore bashkimi i forcave me qëllim të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila sipas tij do t’i shërbejë edhe brezave që do të vijnë pas nesh.

    Si proces të rëndësishëm dhe jetik regjistrimin e popullsisë, e konsideron edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ndërkaq, drejtori në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se pret që të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare të popullit tonë. Qytetarët do të deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruar si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999. Kjo na ndërlidhë me pikën e dytë të rendit të ditës së sotme, institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë të cilën e kemi funksionalizuar për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet anë e mbanë Kosovës. Është thelbësore që të bashkojmë forcat sepse qëllimin e kemi të përbashkët, për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve por edhe brezave që do të vijnë pas nesh. Me frymë të bashkëpunimit ju ftoj që të angazhohemi bashkë për të kontribuar në këto dy procese kaq të rëndësishme për republikën tonë, historinë tonë dhe të ardhmen tonë”, tha Kurti.

    Ministri Krasniqi tha se informacioni i siguruar nga regjistrimi i popullsisë është thelbësor për qeverisjen efektive, shpërndarjen e burimeve dhe politik bërjen.

    Ai konsideroi se ky proces është gurthemel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror, ngase sipas tij duke regjistruar me saktësi informacionin demografik do të mbrohet siguria publike dhe do të mbrohen të drejtat e njeriut.

    “Regjistrimi i popullsisë siguron që çdo individ të llogaritet brenda një shoqërie. Ai u siguron qeverive të dhëna të saktë për madhësinë, përbërjen dhe shpërndarjen e popullsisë së tyre. Ky informacion është thelbësor për qeverisjen efektive, shpërndarjen e burimeve dhe politik bërjen…Ky proces nuk është thjeshtë një procedurë burokratike është gurthemel i qeverisjes moderne dhe zhvillimit shoqëror, duke regjistruar me saktësi informacioni demografik ne do të kuptojmë dhe të shërbejmë më mirë qytetarëve tanë të mbrojnë sigurinë publike, të mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe të nxisim zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, theksoi Krasniqi.

    Drejtori në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi tha se duhet të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e këtij instituti.

    Ai tha se përmes dokumentimit të saktë dhe të hollësishëm të krimeve të luftës dhe pasojave të tyre do të ndërtohet një themel i fortë për një të ardhme me paqe të qëndrueshme.

    “Nga ky takim mbes me shpresë që të vendosen hapa konkret që çojnë drejt grumbullimit të të gjitha materialeve ekzistuese nga komunat e Kosovës në arkivat e Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë. Përmes dokumentimit të saktë dhe të hollësishëm të krimeve të luftës dhe pasojave të tyre ne sigurisht që ndërtojmë një themel të fortë për një të ardhme me paqe të qëndrueshme…Sipas informacioneve që kam arritur të mbledhë nga ish pjesëmarrësit e këtyre komisioneve të gjitha materialet e mbledhura atëherë kanë përfunduar në dy adresa: Arkivin Qendror të Komisionit në Prishtinë të udhëhequr nga avokati Bajram Krasniqi si dhe në arkivat e secilës komunë të Kosovës. Megjithatë, ende nuk kemi arritur të identifikojmë vendosjen e saktë të arkivit qendror të komisionit, por kemi shumë interes që këto materiale t’i mbledhim nga arkivat e komunave të Kosovës. Për të arritur qëllimet tona kërkojmë bashkëpunimin e thellë dhe të vazhdueshëm me të gjitha komunat e Kosovës”, tha Hetemi.

    Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati u bëri thirrje komunave të mbështesin dhe kontribuojnë në regjistrimin e popullsisë, duke u ndihmuar regjistruesve nëpër terrene në aspektin logjistik.

    Ai potencoi se në tri shtete të Evropës do të kryhet regjistrimi i popullsisë këtë vit, për çka shtoi se ky proces do të jetë sfidues për disa regjistrues të rinj që po marrin pjesë për herë të parë në këtë projekt.

    “Gjatë këtyre viteve kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me komunat, por kërkohet që edhe në këto javët në vijim të jeni aktiv sepse duke sipërfaqësisht që është një kohë optimale, gjashtë javë por shumë shpejtë kalojë ditët, dhe kërkohet nga ju që në aspektin logjistik t’i mbështesni stafin që është në terren. Do të jetë sfiduese për disa regjistrues të cilët kanë një distancë të themi jo aq të madhe por në aspektin logjistik nëse keni mundësi t’i mbështesni. Tri shtete jemi në Evropë që do të kemi regjistrim të popullsisë këtë vit. Do të jetë sfidues për disa regjistrues të rinj dhe të reja sepse janë për herë të parë në një projekt të tillë”, tha Kastrati.

    Ndërkaq, regjistrimi i popullsisë ka filluar sot me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj të këtij viti.

    Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit intervistat bëhen përmes pyetësorëve elektronik dhe jo vetëm në letër siç ka qenë më herët.

  • Krasniqi e quan Masakrën e Rezallës krim gjenocidal serb

    Krasniqi e quan Masakrën e Rezallës krim gjenocidal serb

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kujtuar masakrën e Rezallës ku u vranë 98 civilë shqiptarë.

    Krasniqi e ka quajtur këtë masakër si krim gjenocidal serb për të cilin ekzekutorët akoma nuk kanë dalë para drejtësisë.

    “98 civilë shqiptarë, të të gjitha moshave, u vranë mizorisht në Rezallë me 5 prill të vitit 1999. Nuk u kursye askush. As fëmijët dhe as të moshuarit. Edhe për këtë masakër, sikur për shumë të tjera që ka kryer regjimi gjenocidal serb, ende s’kanë dalë para drejtësisë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët”, ka shkruar ai në Facebook.

  • ZRrE-ja vendos për kompensimin e qytetarëve për faturimin në veri, fillon nga 1 qershori deri më 2030

    ZRrE-ja vendos për kompensimin e qytetarëve për faturimin në veri, fillon nga 1 qershori deri më 2030

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka vendosur sot për kompensimin e qytetarëve që u është bërë faturimi për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, nga shkurti i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2017.

    ZRRE ka obliguar Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojnë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave, ashtu që këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse.

    Kjo do të bëhet duke filluar nga 1 qershori deri më 28 shkurt të vitit 2030.

    “Bordi i ZRRE sipas Aktgjykimit të Gjykatës, ka vendosur që të obligojë Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që të kompensojë vetëm konsumatorët të cilët vërtetohet se kanë qenë aktiv dhe kanë kryer detyrimet e pagesave për periudhën nga data 06.02.2012 deri më datën 20.10.2017. Këta konsumatorë do të kompensohen duke u zbritur në faturat e rregullta mujore vlerën përkatëse të kompensimit. Sipas vendimit të Bordit të ZRRE-së, kompensimi i konsumatorëve do të bëhet duke filluar nga data 01 qershor 2024 deri më 28 shkurt 2030”, thuhet në njoftim.

  • Peci: Si rezultat i reformës dhe thjeshtësimit, ka fermerë që ka përfituar për herë të parë

    Peci: Si rezultat i reformës dhe thjeshtësimit, ka fermerë që ka përfituar për herë të parë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se në periudhën e tri viteve të fundit numri i fermerëve dhe blegtorëve është në rritje në vend dhe se falë reformës dhe thjeshtësimit të aplikimit, ka fermerë që kanë përfituar për herë të parë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, ministria i ka thjeshtësuar edhe procesin e aplikimit për subvencione dhe mënyrën e aplikimit por njëkohësisht sipas tij është janë ulur edhe shumë kritere.

    Ai ka thënë se me Fondin Blegtoral në vitin 2025 në vend parashihet ti ketë mesatarisht diku 40 mijë litra qumësht të freskët me shumë se sa që ka aktualisht.

    “Të dhënat që unë i posedoj në periudhën e tri viteve të fundit numri i fermerëve dhe blegtorëve  është në rritje nuk është ne rënie, përkundër trendit evropian dhe global që ka qenë një rënie rapide. Sa i përket çështjes së kritereve ne kemi thjeshtësuar edhe procesin dhe mënyrën e aplikimit por njëkohësisht kemi ulur edhe shumë kritere. Ta zëmë në rast se deri para një viti ka qenë kriter minimalisht për ferme 2 hektar tokë, tash është një hektar tokë, ose në rast se fermerët të cilët është dashtë që të jenë përfitues të mekanizmave bujqësor ose të pajisjeve ose ngritjes së stallave, në rast se ka qenë pragu minimal 15 krerë lopë tash është 5 krerë”.

    “Me mundësin edhe për Fondin Blegtoral që e kemi në dispozicion 5 milionë euro vlerë e cila është në proces të implementimit si synim dhe ambicie të ndryshojmë trendët negative të rënies së Fondit Blegtoral  e që besojmë që prej viti 2025 vetëm kjo pasi që unë po e përmendi tash Kosova prej viti 2025 e tutje parashihet t’i ketë mesatarisht diku 40 mijë litra qumësht të freskët me shumë se sa që ka aktualisht”, ka thënë ai.

    Peci ka thënë se si rezultat i reformës dhe thjeshtësimit të procedurës për aplikim për subvencionim në dy vitet e fundit ka fermë që kanë përfituar për herë të parë.

    “Janë tre fermerë të fundit që unë i kam vizituar muajin e fundit, dy prej tyre që i kanë 70 dhe 80 krerë lopë edhe një fermë i fundit nga Komuna e Obiliqit i cili që nga viti 2013 deri në vitin 2022 ka punuar prej 200-250 hektar, që të tre për herë të parë janë përfitues të subvencioneve në 2 vitet të fundit. Ta zëmë fermeri i fundit që ka mbjell 200-250 hektar në të kaluarën për shkak të burokracisë nuk ka mundur të gëzojë të drejtën e subvencionimit. Si rezultat i reformës dhe thjeshtësimit të procedurës në dy vitet e fundit është përfitues në vlerë afër 200 mijë euro”, ka thënë ai.

  • Zeqiri: Në komunën e Zubin Potokut, regjistrimi do të fillojë të hënën

    Zeqiri: Në komunën e Zubin Potokut, regjistrimi do të fillojë të hënën

    Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në takim me kryetarët e komunave dhe kryeministrin Kurti ka thënë se edhe në komunën e Zubin Potokut, regjistrimi do të fillojë të hënën, raporton Ekonomia Online.

    “Në komunën e Zubin Potokut, regjistrimi do të fillojë të hënën. Sot pritet të nënshkruajmë kontratat e një pjese për shkaqe teknike. Dua të them që shumica konkurete e shumicës serbe janë tërhequr nga konkurenca e tyre. Kanë mbetur vetëm dy, janë disa shenja që do të na përcjellin probleme teknike. Unë pajtohem me parafolësit, është dashur të jetë një kampanjë më e madhe dhe të gjitha kapacitet do t’i shtijmë në funksion, të dalim sa më të suksesshëm”, ka thënë Zeqiri.

    Ai ka shtuar se do të ketë probleme teknike por se ata do t’i ofrojnë kapacitet e tyre për të dalë sa më të suksesshëm.

    “Do të kemi probleme teknike edhe pse ne do ti qesim kapacitetet tona në bashkëpunim me të gjithë akterët që me dal sa më të suksesshëm. Ka pak probleme unë e shoh një problematikë por do të bëjmë aq sa mundemi për me dal sa më të suksesshëm”, ka thënë Zeqiri.

    Atdhe Hetemi, dretor Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë ka thënë se kemi filluar me popullimin e arkivit të Institutit të luftës dhe do të bëhet plotësimi i fondit përmes materialeve të ndryshme që vijnë nga burime të ndryshme.

    “Po mendoj që ka kaluar një kohë e gjatë ashtu siç disa prej jush e shprehët mendimin tuaj. Ne kemi filluar punën respektivisht jam lajmërua nga nëntori dhe kemi arritur ti takojmë disa prej organizatave dhe kemi filluar me popullimin e arkivit të Institutit të luftës. Do të bëhet plotësimi i fondit përmes materialeve të ndryshme që vijnë nga burime të ndryshme. Ku edhe kryetari Drenasit në mënyre kur të grumbullohen të gjitha të dhënat është e paraparë që dosjet do të plotësohen më së miri që është e mundshme. Shpresoj në muajt në vazhdim në momentin që të funksionalizohemi do të ju kontaktojmë secilit prej juve veç e veç. Disa prej komunave veç i kanë dorëzuar materialet siç u cek nga kryetari i Kaçanikut. Ne do të provojmë t’i grumbullojmë secilat për të gjitha këto materiale pa marr parasysh të gjithë akterëve që gjinden.

    Kryeministri Kurti ka kërkuar që të përfshihen të gjitha dokumentimet me shkrim të krimeve të kryera gjatë luftës.

    “Ne nuk dëshirojmë ta mohojmë punën e askujt  që është bërë deri tani, përkundrazi të përfshijmë të gjitha dokumentimet me shkrim të drejtave e krimeve të kryera gjatë luftës, burgosje, përdhunime që besoj  që duhet të regjistrohen. Ne e kemi për obligim si institucione të lëmë gjurmë edhe për zhdukjen e gjurmëve, se krimet gjatë luftës nuk harron asnjëherë”, ka thënë Kurti.

  • Beqa: Mungesa e mazhorancës, rruga e duhur është të shkohet në zgjedhje

    Beqa: Mungesa e mazhorancës, rruga e duhur është të shkohet në zgjedhje

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se duke parë mungesën e mazhorancës në Kuvend rruga e duhur është që të shkohet në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se nuk duhet që të shkohet në pushim pa pasur një mocion për ta rrëzuar qeverinë.

    “Nëse ju mundeni si kryesues me gjete kryeministrin unë mundem më bë pyetje po s’di ku me gjete kryeministrin. Kjo pamje e Kuvendit tregon më së miri që duhet me shku në zgjedhje. Kryesia e Kuvendit është dashtë me u koordinuar me shefat e grupeve jo me thirr një seancë të tillë ku vijnë 10-15 deputetë dhe një ministër ose dy. Po shihet që po degradohet institucioni që është tempulli i demokracisë, kur ministrat dhe kryeministri nuk respektojnë duhet të gjejmë një rrugë juridike që të shkojmë ne zgjedhje. Nuk duhet të shkojmë ne pushim të sezonit pranveror pa pasur një mocion për ta dërguar këtë Qeveri në shtëpi”, ka thënë ai.

  • Mospjesëmarrja e kabinetit qeveritar në Kuvend, opozita kërkon shtyrjen e seancës

    Mospjesëmarrja e kabinetit qeveritar në Kuvend, opozita kërkon shtyrjen e seancës

    Mospjesëmarrja e kabinetit qeveritar në seancën parlamentare, ka bërë që opozita të kërkojë shtyrjen e saj. Në rend dite janë pyetjet parlamentare, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë seancë janë duke munguar ministrat dhe një pjesë e madhe e deputetëve. Ndërsa prezent nga ministrat është vetëm ministri i Bujqësisë Faton Peci.

    Disa deputet të LDK-së e lëshuan edhe sallën si shkak i mos pjesëmarrjes së mazhorancës.

  • Mungojnë deputetët e LV-së, dështon mbledhja e Komisionit parlamentar për hetime në MPJD

    Mungojnë deputetët e LV-së, dështon mbledhja e Komisionit parlamentar për hetime në MPJD

    Në mungesë të mazhorancës ka dështuar mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj, ka thënë se të gjithë kanë qenë të njoftuar për këtë mbledhje, por se nuk kanë marr arsye për mungesën e tyre.

    “Po shihet se nuk kemi kuorum. Të gjithë e kanë marrë informacionin edhe përmes email. Nuk kemi marrë arsye pse nuk kanë ardhur, përpos deputetes Ariana Musliu- Shoshi që ka thënë se mungon për shkak të një aktiviteti. Sot është deshtë ta diskutojmë ketë draft të punës së komisionit. Në mungesë kuorumi duhet ta mbyllim”- u shpreh ajo.

    Kritika për mungesë të deputetëve të pushtetit ka edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha. Ai potencoi se duhet të dihet se kush po i saboton këto mbledhje.

    “Të mos shkohet në mbledhje që dështojnë çdo ditë. Le të dihet kush po i saboton”- u shpreh Berisha.