ATV

Blog

  • Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e rregullt, kryesuar nga Adnan Rrustemi, kryetar.

    Në këtë mbledhje u miratua raporti me amendamente i komisionit funksional për Projektligjin nr. 08/L-262 për ndryshim plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre.

    Po ashtu, në këtë mbledhje u formuan grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-049 për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-034; të Kodit nr. 06/L-006 i Drejtësisë për të Mitur, si dhe të Ligjit nr. 08/L-132 për ekzekutimin e sanksioneve penale.

  • Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Me Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 prilli, këmbësorëve u është ndaluar përdorimi i telefonave kur e kalojnë rrugën, shiritin apo shtegun e biçikletave ose binarët.

    Dënimi për shkelje të kësaj ndalese është 50 euro. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje këmbësorëve dhe shoferëve që të mos e përdorin telefonin kur janë pjesë e trafikut.

    “Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë 50 euro”, thuhet në thirrjen e Policisë.

    Shoferëve u është bërë thirrje që gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.

    “Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me masë dhe gjobë: 1 pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh, kur vepron për herë të parë në shkelje të rregullit, 2 pikë negative, 3 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë kur vepron për herë të dytë, 3 pikë negative, 6 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 500 euro gjobë kur vepron për herë të tretë”, thuhet në thirrjen e Policisë.

  • Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Të dëmshëm dhe të pamenduar mirë po e konsiderojnë analistët në Kosovë vendimin e kryeministrit Albin Kurti, që së paku nëpërmjet tre anëtarëve të saj, të hyjë në garë për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut. Analisti politik Rrahman Pacarizi vlerëson se ky vendim do ta mobilizojë edhe më shumë politikën maqedonase atje, kur dihet edhe ndikimi që ka Serbia dhe Rusia në këtë vend.

    “Ndikon për të homogjenizuar partinë e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut, VMRO-në, e cila do të jetë problematike me numrat që parashihet të fitojë. Të gjitha këto, duke pas parasysh ndikimin e madh që ka Serbia në këtë vend dhe në një mënyrë edhe Rusia, e bëjnë situatën të komplikuar, pjesëmarrjen e Vetëvendosjes të pamenduar mirë dhe të dëmshme”, thotë Pacarizi.

    Analisti tjetër Bekim Kabashi konsideron se ky vendin do të ketë ndikim negativ edhe në raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut po vlerësohet se do të ketë ndikim negativ në përçarje të faktorit shqiptar atje, e që pastaj do të ketë pasoja edhe në avancimin e të drejtave të tyre në këtë shtet.

    Analistët thonë se do të ketë inate dhe hatërmbetje edhe pas zgjedhjeve. Këshilltari i kryeministrit Bekim Qoku ka njoftuar një ditë më parë se ai dhe dy gra nga Vetëvendosje do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit në RMV me koalicionin e partive opozitare VLEN./Tv Klan

  • ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur me takimin e sotëm me ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    Ai në rrjetin social Xka shkruar se në takim është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

    “Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak.

    Ndryshe, pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u deklarua se Kosova është pajtuar me propozimin e BE-së për dinarin duke e quajtur propozim konstruktiv, derisa sipas tij pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

    “Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur. Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

    Ndryshe, ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.

  • ​Venecia me tarifë të re hyrëse 5 euro

    ​Venecia me tarifë të re hyrëse 5 euro

    Venecia filloi sot një provë të një bilete hyrëse prej 5 eurosh, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar flukset turistike që rrezikojnë të “mbysin” qytetin e Lagunës. Kjo provë do të vazhdojë për 30 ditët e ardhshme kur numri i vizitorëve në qytet pritet të jetë veçanërisht i lartë.

    Vizitorët do të duhet të rezervojnë biletat në internet paraprakisht. Banorët, udhëtarët, studentët, fëmijët nën 14-vjeç, njerëzit që qëndrojnë në qytet gjatë natës dhe njerëzit që vizitojnë për ngjarje sportive do të përjashtohen nga detyrimi për të blerë biletën.

    “Ne kemi për detyrë t’i ruajmë këto qendra të mëdha historike të botës,” tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro në një konferencë shtypi për këtë nismë.

    Ai tha se kjo nuk do të thotë se “qyteti do të mbyllet” dhe mohoi se masa kishte për qëllim mbledhjen e parave për këshillin e qytetit. Brugnaro tha gjithashtu se Venecia nuk do të kufizojë hyrjet, por vetëm do t’i detyrojë njerëzit të paguajnë për të parë qendrën historike. /ANSA

  • ​Ministri Murati: Blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive

    ​Ministri Murati: Blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati konsideron se mënyra e mëparshme ku nxënësit furnizoheshin me libra çdo vit ka pasur efekte negative, përkundër qëllimit fisnik që mund të ketë pasur.

    Sipas tij, me shtypjen e librave çdo vit dhe shpërndarjen e tyre tek nxënësit, ka ndikuar në aspektin e cilësisë dhe në shpenzimet e buxhetit.

    Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ministri Murati vlerësoi si metodë më të mirë, blerjen e librave nga vetë prindërit, ngase sipas tij tekstet zgjidhen me më kujdes sa i përket cilësisë dhe mund të ruhen për disa vite që të përdoren nga gjeneratat e tjera.

    “Çështja e librave të financuara apo të siguruara nga shteti në fillimet e saj mund të ketë qenë edhe një synim fisnik, nëse do të flisnim sipërfaqësisht…Megjithatë, përgjatë rrugëtimit kemi parë se është stërkeq kjo metodë dhe stërkeqja ka ardhur qoftë nga mekanizmi dhe mënyra se si është përzgjedhur apo edhe nga rregullimet ligjore që janë bërë në të kaluarën…Stërkeqja ka ardhur në aspektin e sasisë vjetore të librave. Për shembull nëse para 15 viteve, në klasën e parë kanë qenë dy libra, abetarja dhe matematika, për shkak të këtij mekanizmi të krijuar ku shteti paguan pavarësisht sa libra janë të nevojshme, ka pasur incentive që shtëpitë botuese që ndoshta t’i korruptojnë komisionet të cilat kanë caktuar kurrikulat se çfarë libra duhet të ketë dhe tash kemi përfunduar që klasa e parë t’i ketë 14 libra…Çështja e dytë që e stërkeq apo që ka ndikuar pastaj edhe në mos shfrytëzim efikas të buxhetit ka qenë edhe cilësia e vetë librave dhe ruajtja e tyre. Nëse në të kaluarën një libër e ka blerë vetë prindi dhe ka vendosur cilin libër po e merr e ka shikuar që libri të jetë I cilësisë dhe të jetë i lidhur mirë dhe të jetë I qëndrueshëm. Po ashtu, është siguruar që libri të ruhet sepse ka qenë pronë e familjes. Ka pasur edhe aspekti i cilësisë, kursimit buxhetor por edhe aspektin ambiental. Nuk ka pasur nevojë të shtypen 300 apo 400 mijë libra çdo vit”, tha Murati.

    Gjatë seancës plenare, në të cilën po diskutohet për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit, Murati potencoi se koha kur prindërit blinin vetë tekstet shkollore për fëmijët, ndonëse ka qenë i imponuar si mekanizëm, ka pasur efekte pozitive.

  • Komedia franceze “Second Act” do të hapë festivalin e Kanës

    Komedia franceze “Second Act” do të hapë festivalin e Kanës

    Komedia franceze “Second Act”, me protagoniste Lea Seydoux, do të hapë Festivalin e Filmit në Kanë më 14 maj.

    Duke luajtur jashtë garës për Palmën e Artë, ajo është prurja e fundit nga regjisori i suksesshëm Quentin Dupieux.

    Regjisori 49-vjeçar e ka vendosur veten si një yll i komedive absurdiste me 13 filma në 17 vjet, por mund të njihet më mirë ndërkombëtarisht si ylli i muzikës elektronike Z. Oizo.

    Në “Second Act” luajnë edhe dy emra të mëdhenj të kinematografisë franceze, Vincent Lindon dhe Louis Garrel.

    Festivali, i cili do të zhvillohet nga data 14 deri më 25 maj, vitet e fundit ka përzgjedhur si hapës filma francezë, të cilët shfaqen njëkohësisht në mbarë vendin në Francë.

    Përzgjedhja e plotë do të shpallet më 11 prill, duke përfshirë filmat që konkurrojnë për çmimin kryesor të Palmës së Artë, të cilët do të përballen me një juri të drejtuar nga regjisorja e “Barbie”, Greta Gerwig.

    Dihet tashmë se “Furiosa: A Mad Max Saga”, pjesa më e fundit e ekskluzivitetit post-apokaliptik, do të ketë premierën botërore në festival, duke luajtur jashtë konkurrencës.

    Ka pasur thashetheme të vazhdueshme se Kana mund të shohë rikthimin e regjisorit të “The Godfather”, Francis Ford Coppola me epikën e tij të gjatë “Megalopolis” me Adam Driver.

    Gjithashtu këshillohet për një paraqitje është skuadra e fundit midis Emma Stone dhe regjisorit Yorgos Lanthimos — “Kinds of Kindness” — e cila vjen vetëm disa javë pas suksesit të tyre me “Poor Things”, që përfshinte një Oscar për aktoren më të mirë për Stone.

    Konkurrenca mund t’i japë një shtysë të madhe filmave artistikë si fituesi i vitit të kaluar “Anatomy of a Fall”, i cili fitoi një seri çmimesh, duke përfshirë skenarin më të mirë origjinal në Oscar. /Liberale.al

  • ​Osmani e Hovenier diskutojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    ​Osmani e Hovenier diskutojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier.

    Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Osmani dhe Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral.

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka njoftuar se diskutimi për anëtarësimin e Kosovës do të mbahet më 15 prill, nga ora 14:00-15:15, dhe aty do të prezantohet raporti nga raportuesja për Kosovën Dora Baokyannis, Azdeh Rojhan nga Suedia dhe Beatrice Fresko-Rolfo nga Monako.

    Pas debatit, pritet të ketë votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë, votimi që pritet të ndodhë në maj në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të jetë përcaktues nëse vendi do të anëtarësohet në KiE.

    Ndryshe, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni i Bakoyannis kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

    Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

  • ​Stoltenberg: SHBA ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për SHBA-në

    ​Stoltenberg: SHBA ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për SHBA-në

    Shefi i NATO-s shënoi të enjten 75-vjetorin e Aleancës, duke thënë se ajo jo vetëm që përhap “paqe, demokraci dhe prosperitet” në të gjithë Evropën, por gjithashtu “shumëfishoi fuqinë e Amerikës.”

    “Sot ne festojmë 75 vjetorin e aleancës më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme në histori,” tha sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në ceremoninë përkujtimore në Bruksel.

    “Evropa ka nevojë për Amerikën e Veriut për sigurinë e saj. Në të njëjtën kohë, Amerika e Veriut gjithashtu ka nevojë për Evropën,” tha ai. “Aleatët evropianë ofrojnë ushtri të klasës botërore, rrjete të mëdha inteligjence dhe leva unike diplomatike, duke shumëfishuar fuqinë e Amerikës.”

    Ai theksoi se nuk beson në “Amerikën vetëm” apo “Evropën vetëm.”

    “Unë besoj në Amerikën dhe Evropën së bashku në NATO, sepse ne jemi më të fortë dhe më të sigurt së bashku,” shtoi ai.

    Ai theksoi gjithashtu se ndarja e drejtë e barrës midis anëtarëve është thelbësore dhe tha se Evropa po investon më shumë, pasi shumica e aleatëve të NATO-s do të investojnë të paktën dy për qind të bruto prodhimit vendor në mbrojtje në vitin 2024. /AA

  • ​Policia konfiskon mbi 3600 kg material piroteknikë në një ish-fabrikë në Bërnjak

    ​Policia konfiskon mbi 3600 kg material piroteknikë në një ish-fabrikë në Bërnjak

    Në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e kontrabandës, Policia e Kosovës, më datë 2 prill 2024, në fshatin Bërnjak në një objekt, ish-fabrikë, ka identifikuar disa automjete ku në njërin prej tyre ka pasur dyshime për materiale ilegale.

    Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e kontrollit dhe kanë vërejtur se brenda një kamioni me targa serbe kishte të ngarkuar disa kuti me mjete të ndryshme të dyshuara si mjete piroteknike sasia e të cilave vlerësohet të jetë 3.681 kilogramë.

    Lidhur me rastin janë njoftuar dhe kanë dalë në vendin e ngjarje të gjitha njësitet relevante të PK-së përfshirë njësinë e antiterrorit, forenzikës, hetimet rajonale, K9 dhe Njësia për menaxhimin e mjeteve eksplozive, të cilat janë marrë me procedurat e nevojshme.

    Kamioni së bashku me ngarkesën janë konfiskuar dhe dërguar në terminal doganor për procedura të mëtejme ligjore nga autoritetet.