ATV

Blog

  • Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Kompensimi për faturat e fryra për veriun, nga qershori 2024 deri në shkurt 2030

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Konsumatorët e dëmtuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, si mbulesë për veriun, do të kompensohen çdo muaj, në shpërndarje të njëjtë kohore, nga Qershori 2024 deri në Shkurt të vitit 2030.

    Në zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike, përkatësisht KEDS, të kryejë kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Përfitues nga ky vendim do të jenë vetëm konsumatorët që, sipas data-bazës, vërtetohet se janë dëmtuar gjatë periudhës në fjalë.

    “OBLIGOHEN – Shërbimet e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), që kompensimi konsumatorëve sipas dispozitivit nën pikën ll të këtij Vendimi, të bëhet duke zbritur faturat në baza mujore në vlerën përkatëse, për periudhën nga 01 qershor 2024 – 28 shkurt 2030”, thuhet në vendimin e ZRRE-së.

    Në bashkëpunim me furnizuesin e licencuar, KEDS-i është i obliguar që, në faturë, të evidentojë vlerën e kompensimit ndaras nga shpenzimet e rregullta mujore.

    Ndonëse në periudhën Shkurt 2012 – Tetor 2017, për disa muaj, shpërndarës kanë qenë edhe KEK-u dhe KOSTT-i, vendimi i Gjykatës obligon KEDS-in të kryejë kompensimin si operator i licencuar i shpërndarjes më 2013, pas privatizimit të këtij shërbimi.

    Konsumatorët nga 34 komunat, për pesë vjet e tetë muaj, u përballën me fatura të fryra për të mbuluar humbjet, si pasojë e mospagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

  • Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Në komunat verore nuk nis regjistrimi i popullsisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të premten kur planifikohej të niste regjistrimi popullsisë, rrugëve të Mitrovicës së Veriut gjëkundi nuk u panë zyrtarët që janë angazhuar që ta kryejnë këtë proces.

    Regjistruesit nga komuniteti serb u tërhoqën në momentet e fundit, ngjashëm siç ndodhi edhe në Zubin-Potok e Zveçan, andaj trajnimi i zëvendësuesve, do ta zvarrisë procesin të paktën për disa ditë.

    “Kemi pasur regjistrues mjaftueshëm, por disa janë tërhequr për shkak të trysnisë. Kemi gjetur prapë regjistrues. Të hënën do të fillojë trajnimi dhe besoj se do jenë të gatshëm”, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati.

    Për shkak të tërheqjes së zyrtarëve regjistrues, qytetarëve iu pamundësua edhe informimi.

    Sidoqoftë, drejtori i Agjencisë së Statistikave bëri thirrje për pjesëmarrje, sepse s’do kenë mundësi të dytë siç kishin kërkuar pas bojkotit të vitit 2011.
    “Në vitin 2011 ata refuzuan, por 3 vite më pas i kërkuan BE-së që të regjistrohen. Ne nuk pranuam. Andaj iu bëj thirrje tash që të regjistrohen”, tha Kastrati.

    Mirëpo, pavarësisht zëvendësimit të zyrtarëve dhe thirrjes së kryeshefit të ASK-së, sipas shoqërisë civile, në komunat në veri do të ketë vështirësi të realizohet ky proces.

    “Për procesin e regjistrimit nuk kishte kampanjë njoftuese. Vlerësoj se pak nga qytetarët dinë për këtë proces – kur fillon e kur përfundon. Këtu nuk kishte po ashtu ndonjë sinjal nga Beogradi zyrtar nëse e mbështet regjistrimin apo jo. Krahas kësaj, në ditët e fundit Lista Serbe bëri thirrje për bojkot”, tha Aleksandar Sljuka, anëtar i Shoqërisë Civile.

    Në mëngjesin e së premtes, Lista Serbe u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb që ta bojkotojnë procesin e regjistrimit.

    Në vitin 2011, qytetarët serbë me kërkesë të Beogradit kishin bojkotuar procesin e regjistrimit të popullsisë.

  • Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Një depo e pajisjeve mjekësore bëhet shkrumb e hi

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një depo e pajisjeve mjekësore, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, është përfshirë nga zjarri në mëngjesin e së premtes.

    Depoja e cila është e ndarë në tri objekte dhe sipas të dhënave të para besohet se zjarri ka shpërthyer në objektin që gjendet në mes.

    Për të lokalizuar zjarrin në vendin e ngjarjes arritën edhe zjarrfikësit.

    Por gjasat për ta shpëtuar objektin, sipas Komandantit të Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ishin të vogla. Madje, ai shprehu shqetësimin, se si kompanitë e mëdha nuk kanë masa mbrojtëse kundër zjarrit.

    Nga ky incident, nuk është lënduar askush, por dëmet materiale vlerësohet të jenë të mëdha.

    Shkaktarët e incidentit të zjarrit ende nuk dihen, ndërkaq hetimet po vazhdojnë.

  • Pak deputetë e ministra në seancën për pyetjet parlamentare

    Pak deputetë e ministra në seancën për pyetjet parlamentare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Rreth 45 minuta u deshën që listës me gjithsej 78 pyetje parlamentare t’i vijë fundi.

    Kaq zgjati seanca e së premtes që ishte paraparë t’u kushtohej vetëm pyetjeve ndaj kabinetit qeveritar.

    Por gati të gjitha mbetën pa përgjigje.

    Disa parashtroheshin, por s’kishte kush të përgjigjej për to.

    Por për shumicën e pyetjeve nuk ishin as vetë deputetët për t’i bërë. Ulëset e tyre gati ishin bosh.

    Ndërkohë, pak nga deputetët që ishin prezentë kritikat i patën për ekzekutivin.

    Por mendim ndryshe për këtë çështje kishte nënkryetarja Saranda Bogujevci.

    Ndërkohë, pyetjet e mbetura do t’i barten një seance tjetër.

  • Pas shumë vonesash, nis procesi i regjistrimit të popullsisë

    Pas shumë vonesash, nis procesi i regjistrimit të popullsisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Fatmir Sylejmani nga kryeqyteti ishte nga të parët që iu nënshtrua procesit të detyrueshëm të regjistrimit të popullsisë, që filloi të premten e 5 Prillit.

    Përveç rasteve si ky, ku filmimi u bë me pëlqim të qytetarit, procesi do të jetë konfidencial e privat.

    Në ditët e para regjistruesit kryesisht do të angazhohen në informim, para se të vijojnë me mbledhjen e të dhënave.

    Përkundër raportimeve për pengesa e vonesa në disa komuna, kryeshefi i Agjencisë së Statistikave këmbënguli që gjithçka është gati.

    Krahas thirrjes për regjistrim, ai shpjegoi natyrën e pyetësorëve.

    “Merren disa të dhëna demografike për individët, pastaj ka fushën për nivelin e edukimit, shkollimit, çështjet sociale, ekonomike. Pastaj, ka disa pyetje për shëndetin, që është shumë e rëndësishme për institucionet. Ndërsa, për ekonomitë familjare merret përbërja, struktura e ekonomisë familjare, hapësira në të cilën jetojnë. Ndërsa, për banesa dhe shtëpi ka disa pyetje, prapë është një pyetësor i veçantë që merren (të dhënat) për vitin e ndërtimit, nëse banesa ose shtëpia ka izolim ka kushte për banim, gjitha këto. Një gamë pyetjesh”, tha kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati.

    Pasi tregoi se gjobat për individët që nuk regjistrohen lëvizin nga 30 deri në 2000 euro, ai sqaroi çështjen e rezidencës.

    “Nëse ai që vjen, ta themi prej Gjakovës apo prej Pejës në Prishtinë, ka një adresë tjetër gjatë regjistrimit në Pejë apo në Gjakovë, ai ajo duhet të regjistrohet në atë lokalitet, vendbanim, ku është rezident pjesën më të madhe të vitit. Që i bie, nëse ju jetoni më shumë se gjashtë muaj në Prishtinë më shumë se gjashtë muaj brenda një viti, duhet të regjistroheni në Prishtinë, sepse merrni shërbime në Prishtinë. Tjetër çka është adresa permanente”, tha Kastrati.

    Krahas aspekteve obliguese ndërkombëtare, sipas ekspertit të ekonomisë Safet Gërxhaliu, planifikimi dhe shërbimet më të mira publike janë prej përfitimeve kryesore të procesit, që ai e vlerëson nga më të rëndësishmit pasluftës.

    “Ne kemi gjithmonë probleme dhe debate të ashpra sa i përket orientimit të buxhetit apo miratimit, apo përgatitjes së pasqyrave financiare për vitin kalendarik paraprak, dhe, në qoftë se do ta kemi një skenim bazuar në këtë regjistrim, me siguri do të ketë ndryshim në qasje, do të ketë përgjegjësi në orientime dhe do të ketë monitorim të projekteve të realizuara që do të jenë në interes të shtetit, në interes të qytetarëve”, tha Gërxhaliu.

    Të dhënat që do të kërkohen për dëmet eventuale nga lufta, do të përdoren nga institucionet përkatëse hulumtuese shtetërore.

    Regjistrimi do të bëhet çdo ditë, pos të hënave. Procesi, në terren, do të zgjasë deri më 17 Maj, ndërsa indikatorët fillestar pritet të prezantohen në Korrik.

  • Pronësia e tokës milionëshe, gjykata e kthen rastin në rishqyrtim

    Pronësia e tokës milionëshe, gjykata e kthen rastin në rishqyrtim

    Përgatiti: Nora Luta

    Me autorizim të Jovica Deniqit, Afrim Islami ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës rreth kësaj prone që ndodhet në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, e për të cilën ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është i bindur që i takon Institutit Bujqësor.

    Gjykata e kishte aprovuar si të bazuar padinë e Ministrisë së Bujqësisë ndaj Agjencisë Kadastrale, e cila pronësinë ia kishte njohur Jovica Deniqit.

    Në seancën e së premtes, në rishqyrtim palët paraqitën pretendimet e tyre rreth të vërtetës mbi pronësinë.

    Në rishqyrtim u kthye pas ankesës së mbrojtjes së Jovica Deniqit, pretendimet e së cilës nuk i ishin paraqitur gjykatës, kur e kishte marrë vendimin.

    Si prova janë administruar edhe vendimet gjyqësore të viteve 1953, 1954, 1996 dhe 2007.

    Ministria e Bujqësisë pretendon se prona ishte tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme nga qytetari i nacionalitetit serb, Jovica Denic, ish-zyrtar i Institutit Bujqësor i cili nuk jeton më në Kosovë.

  • ​Kastrati: Kosova pritet të ketë më pak banorë krahasuar me vitin 2011

    ​Kastrati: Kosova pritet të ketë më pak banorë krahasuar me vitin 2011

    Drejtori Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se gjatë këtij procesi të regjistrimit të popullsisë pritet të ketë më pak banorë, kjo për shkak të rënies së natalitetit dhe migracionit.

    Ai në një prononcim para mediave ka thënë se të gjithë ata qytetarë që nuk regjistrohen, do të përballen me gjoba.

    Kastrati ka thënë se mund të ketë ndonjë bojkot në terren, porse do të vazhdojnë me procesin e tyre.

    “Sa i përket pjesës veriore kemi pas regjistrues dhe mbikëqyrës sa kemi kërkuar, mirëpo duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre, por ne kemi gjetur regjistrues dhe të hënën do të fillojnë trajnimet për komunitetin serb në veri, në katër komunat, dhe shpresojmë që edhe ata do të jenë të gatshëm. Mund të ketë ndonjë bojkotim ad-hoc apo ndonjë trysni, por ne do të ecim përpara me procesin. ASK i ofron kushte secilit komunitet të barabarta dhe mbështet në aspektin logjistik, nëse ata vendosin që nuk do të marrin pjesë në regjistrim, ne e kemi për obligim që të bëjmë një vlerësim të popullsisë për atë zonë, por do të ishte mirë, sepse ata në të kaluarën kur ka qenë regjistrimi në 2011 nuk morën pjesë, por pas tre viteve kishin bërë një kërkesë zyrtare në BE dhe në ASK që të regjistrohen vetëm ajo pjesë, ne nuk ishim dakord si Agjencion, sepse ishte një lloj ndarje. Edhe kësaj here ne po ecim me regjistrimin e popullsisë, ata duhet të jenë në trend me neve”, ka theksuar ai.

    Ai theksoi se trajnimi merr kohë dy ditë, dhe se regjistruesit kanë mundësi të shikojnë procesin edhe prej një video tetë orëshe për mënyrën se si plotësohet pyetësori.

    Sa i përket reagimit të Listës Serbe lidhur me këtë, Kastrati ka thënë se çdo organizim tjetër që bëhet në mënyrë publike kundër këtej procesi do të ndiqet me procedura ligjore.

    Kastrati ka thënë se nëse një person nuk regjistrohet në këtë proces, do të ketë sfida në të ardhmen.

    “Më duket sot ka qenë një deklaratë zyrtare e Listës Serbe që i ka bërë ftesë komunitetit tyre, por sigurisht ne do t’i ndjekim procedurat ligjore, sepse çdo qytetar e ka për obligim të regjistrohet, dhe çdo organizim tjetër, nuk ka të drejtë në mënyrë publike të bëjë fushatë kundër regjistrimit të popullsisë. Sigurisht ne do t’i ndjekim procedurat e zakonshme që janë. Por, besoj që qytetarët nuk e kanë atë mendim të njëjtë, sepse ne kemi kontakt me komunitetin në ato pjesë, por mund të ketë ndonjë presion jo i dukshëm në sipërfaqe. Por, patjetër për të gjithë do të ketë gjoba dhe vështirësi nëse një person nuk regjistrohet gjatë këtij procesi, sigurisht se do të kenë sfida në të ardhmen për të qenë pjesë e institucioneve, sepse nëse nuk je në regjistra, llogaritet që nuk ekziston. Prandaj, ftoj gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike apo religjioze që të jenë pjesë e regjistrimit, sepse nuk ka pyetje konfidenciale, që zakonisht është sfiduese për disa institucione, sepse pyetjet janë të zakonshme”, nënvizoi Kastrati.

    Kastrati ka thënë se do të ketë dy misione nga institucionet ndërkombëtare që do të monitorojnë regjistrimin, një do të vijë të dielën, ndërsa një tjetër me datën 22 prill që do vlerësojnë gjithë procesin e regjistrimit.

    I pyetur me pritshmëritë e këtij institucioni lidhur me numrin e qytetarëve, ai ka thënë se presin që ky numër të jetë më i vogël krahasuar me vitin 2011, kjo për shkak të rënies së natalitetit dhe migracionit.

    Ndërsa, ka treguar edhe për lojën shpërblyese që do të zhvillohet për ata që qëllojnë numrin.

    “Numrin e saktë s’po e themi sepse është një lojë shpërblyese. Është një pyetje e thjeshtë, kushti është që secili qytetar me qenë i regjistruar, ti mund të luash para se të regjistrohesh. Loja shpërblyese do të jetë prej datës 10 online deri me 10 maj, një javë para se të përfundojë regjistrimi me qëllim që mos të dijë askush sa është numri i popullsisë. Presim që do të ketë zvogëlim të numrit të popullsisë krahasuar me vitin 2011, për shkak zvogëlimit të natalitetit në dekadën e fundit dhe migracionit të lartë të kosovareve jashtë Kosovës

    Ai ka shtuar se në pyetësor do te këtë edhe pyetje në lidhje me dëmet e luftës.

    Kastrati ka thënë se regjistrimi do të zhvillohet çdo ditë të javës përveç të hënave, ndërsa ka informuar qytetarët që të regjistrohen në atë vendbanim ku është rezident në pjesën më të madhe të vitit.

    “Regjistrimi do të zhvillohet çdo ditë të javës përveç të hënave, ne kemi parë nga përvojat e kaluara dhe shtetet tjera, sepse gjatë ditëve të punës ka shumë familjarë që nuk është askush, kështu është edhe gjatë vikendit. Regjistruesi ka për detyrë t’i lë tre herë një letër informuese, që thuhet se ka qenë. Por, në rast se qytetarët nuk mund të kontaktojnë regjistruesin, kanë të drejtë të thërrasin në komunë apo në ASK, dhe dërgojmë stafin tjetër. Qytetarët duhet të regjistrohen në atë vendbanim ku është rezident më pjesën më të madhe të vitit”, ka përfunduar Kastrati.

  • Në bashkëpunim me ushtrinë turke, FSK- ja përfundon një trajnim që kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake

    Në bashkëpunim me ushtrinë turke, FSK- ja përfundon një trajnim që kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pjesëtarët e FSK-së në Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë (R3K) kanë përfunduar me sukses trajnimin me Murtaja 81mm, të udhëhequr nga instruktorët e kontingjentit turk.

    “Trajnimi i realizuar në bashkëpunim me Ushtrinë Turke kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake në nivel të regjimentit dhe rritjen e ndërveprushmërisë me partnerët në fushën e mbështetjes me zjarr për këmbësori të lehtë”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai ka publikuar edhe disa fotografi nga ky trajnim.

  • Arrestohet 25-vjeçari në Kaçanik, ishte i dënuar me 1 vjet burgim për “keqpërdorim të fëmijëve në pornografi”

    Arrestohet 25-vjeçari në Kaçanik, ishte i dënuar me 1 vjet burgim për “keqpërdorim të fëmijëve në pornografi”

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 25-vjeçar në Kaçanik pasi ishte i kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”.

    Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se i arrestuari ishte i dënuar me 1 vjet burgim dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

    “Me datën 05.04.2024 rreth orës 09:15, policët e stacionit në Kaçanik, në Kaçanik kanë arrestuar personin e kërkuar A.B ( M/K) i moshës 25-vjeçar. Ai ishte i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale‘Keqpërdorim i fëmijëve ne pornografi’ me dënim burgimi prej dymbëdhjetë muajve dhe pas kompletimit të dokumentacionit është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia rajonale e Ferizajt ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim teksa ka inkurajuar edhe të tjerët që të bashkëpunojnë me policinë.

  • ​Vajzat U19/ Kosova shënon fitore bindëse ndaj Luksemburgut

    ​Vajzat U19/ Kosova shënon fitore bindëse ndaj Luksemburgut

    Kombëtarja e Kosovës e grupmoshës U19 në konkurrencën e vajzave e ka mposhtur sot Kombëtaren e Luksemburgut, të të njëjtës grupmoshë, me rezultat bindës 4:0, në kuadër të rrethit të dytë për kualifikimet e Evropianit 2024.

    Dardanet e reja, me plotë përkushtim iu qasën lojës që nga fillimi i ndeshjes. Në pjesën e parë, Kosova zhbllokoi rezultatin duke shënuar golin e parë përmes Rreze Gashit në minutën e 40-të.

    Me të filluar pjesa e dytë, gjegjësisht në minutën e 49-të, Sahare Berisha shënon për 2:0. Vetëm pesë minuta më pas, Alba Shabani thellon epërsinë me golin e saj duke çuar rezultatin e Kosovës në 3:0.

    Ekipi kundërshtar i cili nuk arriti t’i rezistojë Kosovës, pak para fundit zyrtar të ndeshjes, përkatësisht në minutën 82 shkaktoi autogol, çfarë bëri që Kosova ta përmbyllë takimin me Luksemburgun me shifrat 4:0.