ATV

Blog

  • Shtëpia botuese e AAB-së, në panairin e botimeve shkencore në Tiranë

    Shtëpia botuese e AAB-së, në panairin e botimeve shkencore në Tiranë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Botime shkencore e akademike nga të gjitha trojet shqiptare, u sollën në oborrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Në panairin që u hap të martën, e që shënon edicionin e tretë me radhë, vend iu sigurua edhe shtëpisë botuese të Kolegjit AAB, që solli 70 tituj të sferave të ndryshme.

    Organizatorët thonë se me këtë panair duan ta promovojnë punën e gjithë akademikëve shqiptarë.

    Në Tiranë, të martën erdhën edhe akademikë nga Prishtina. Për Isa Mustafën, ngjarje të tilla kanë rëndësi për të dyja shtetet.

    Ndërsa, në një nga ngjarjet e panairit, iu nda çmimi “Vepra më e mirë studimore”, e akademik Anastas Angjelit.

    Panairi i Botimeve Shkencore e Akademike do të jetë i hapur deri të enjten e 25 prillit.

  • Konjufca priti në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme të Çekisë

    Konjufca priti në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme të Çekisë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë.

    Në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit të dyanshëm.

    Kreu i Kuvendit vuri në pah aspiratat dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe angazhimet e institucioneve për garantimin e paqes dhe sigurisë, në kohën, kur shteti serb po angazhohet për destabilizim të vendit tonë dhe rajonit.

    Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të vyer të shtetit çek ndaj Republikës së Kosovës, duke i falënderuar anëtarët e Komisionit për angazhimin në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e parlamentarizmit, të sigurisë dhe mbrojtjes.

    Anëtarët e Komisionit e falënderuan kryetarin e Kuvendit për mikpritjen dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.

  • Suspendohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi

    Suspendohet nga puna profesori Xhevat Krasniqi

    Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marr vendim që të pezulloj nga puna profesorin Xhevat Krasniqi.

    Këtë e kanë bërë të ditur nga UP përmes një komunikate për media.

    “Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.”

    “Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof. Xh.K., UP njofton se Këshilli i Etikës ka marrë vendim mbi këtë rast.

    · Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to.

    · Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.

  • Haradinaj: Raporti i DASh-it goditja më e fuqishme, duhet t’i shërbejë Qeverisë që të japë dorëheqje

    Haradinaj: Raporti i DASh-it goditja më e fuqishme, duhet t’i shërbejë Qeverisë që të japë dorëheqje

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pas raportit të DASH-it të publikuar ditën e djeshme.

    Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qeveria ka mashtruar veten duke krijuar tituj bombastik për fitore të paqena kundër Serbisë por edhe ndërkombëtarëve.

    “Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj ka theksuar se raporti i DASH-it është goditja më e fuqishme ndaj Qeverisë dhe të gjithë jemi të shqetësuar.

    Ai ka shtuar se ky raport duhet t’i shërbejë Qeverisë që të japë dorëheqje.

    “Nuk besoj që ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, lirisë së mediave si dhe të drejtave të njeriut e plot fusha të tjera.

    Raporti i DASH-it është për vitin 2023 dhe nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime të tjera, përfshirë këtu edhe qindra kontrata njëburimore në vlerë prej qindra milionë eurosh. Në një situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që nënkupton dorëheqjen e saj”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

  • Dëshmitari Qeriqi thotë se me Thaçin është takuar tri herë gjatë luftës, por nuk e dinte pozitën e tij

    Dëshmitari Qeriqi thotë se me Thaçin është takuar tri herë gjatë luftës, por nuk e dinte pozitën e tij

    Dëshmitari Ramiz Qeriqi është duke u marrë në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

    Ai tha se gjatë kohës së luftës, është takuar me Thaçin vetëm tri herë.Një prej herëve që dëshmitari pretendon se është takuar me Thaçin, sipas tij ka ndodhur në selinë e UÇK-së në Krumë. Ai thotë se Thaçi nuk ishte paraqitur me ndonjë pozitë atë kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Jo me njëfarë pozite. S’kam ditë që ka pozite. Isha duke u përgatitë për me hy brenda me Azem Sylen dhe aty jemi taku bashkë, e kuptuam që ishte Hashim Thaçi. S’di si ta shpjegojë, jo njëfarë i veçantë, nuk ka qenë. I thjeshtë sikur na ushtarët e tjerë”, tha ai.

    Dëshmitari thotë se një herë tjetër ishte takuar me Thaçin në Krojmir pa praninë e Shukri Bujës dhe Fatmir Limës.

    Ai pohoi se në atë kohë ka besuar që personi kryesor i UÇK-së ka qenë Azem Syla.

    “Ashtu u ndegju”, u përgjigj dëshmitari.

    Ramiz Qeriqi tha se hera tjetër që nuk dinë nëse kishte ndodhur para ose pas takimit në Krojmir me Thaçin ka ndodhur në kur kanë dhënë intervistë për gazetarët e “New York Times”.

  • Presidentja Osmani uron Ditën e Komunitetit turk

    Presidentja Osmani uron Ditën e Komunitetit turk

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Komuniteti turk.

    Ajo tha se komuniteti turk ka kontribuuar në procesin e shtetndërtimit dhe kontribuon në vazhdimësi në jetën tonë institucionale.

    “Në Ditën e Komunitetit turk, festojmë për mozaikun e pasur të diversitetit etnik e kulturor të Kosovës. Tradita, gjuha dhe zakonet e komuniteteve e begatojnë Kosovën dhe nxisin mirëkuptim, tolerancë e harmoni. Komuniteti turk ka kontribuuar në procesin e shtetndërtimit dhe kontribuon në vazhdimësi në jetën tonë institucionale. Urime Dita e Komunitetit turk”, ka thënë e para e vendit.

  • Mblidhet Komisioni për të pagjeturit, përfaqësuesit shprehin zhgënjim për fatin e të zhdukurve me dhunë

    Mblidhet Komisioni për të pagjeturit, përfaqësuesit shprehin zhgënjim për fatin e të zhdukurve me dhunë

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, është takuar me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur si dhe të Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Zhdukur. Këta të fundit u shprehën të zhgënjyer me fatin e të pagjeturve, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, tha se gjatë vitit 2023 kanë realizuar 15 gërmime në Kosovë.

    “Në disa prej tyre lokacioneve kemi arritur t’i gjejmë eshtrat e 20 personave të zhdukur, derisa disa prej këtyre rezultateve jemi ende në pritje. Kurse 9 mbetje mortore gjatë këtij procesi u janë dorëzuar familjarëve”, tha ai.

    Hoti ka njoftuar se këtë vit do të punojnë në katër lokacione në Kosovë.

    “Sa i përket territorit në Serbi, fatkeqësisht vetëm në një vend në një lokacion ‘Shtaval’ ka pasur gërmime që ka pasur informata dhe dyshime që me autobusë janë bartur personat”, tha Hoti.

    Hoti, bëri të ditur se i kanë dërguar edhe letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, për të hapur arkivat në zonën e Drenicës, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

    “Me 1 qershor i kemi dërguar letër Vuçiqit për të hap arkivat në fushën në zonën e Drenicës, tendencë për me i tregu BE-së se Serbia s’ka vullnet me punu në këtë drejtim. Janë arkiva, dokumente që janë publike që kanë qenë në media ne i kërkojmë ato për të zbardh fatin e këtyre personave apo varrezave masive”, tha ai, teksa shtoi që letër i kanë dërguar edhe dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak. Këtë të fundit, Hoti tha se i kanë pyetur se përse nuk ka ende gërmime në Serbi.

    “Kemi kërkuar informacion për 16 lokacione se ekzistojnë, 11 lokacione tjera ne vazhdojmë më i kërku në Serbi. Në Novi Pazar ne dyshojmë që ka ende persona të mbetur në këto lokacione mënyra së si janë zhdukur në formë të grupacioneve. Ka qenë i nevojshëm involvimi i BE-së, me letër që ata të marrin një rol kushtëzimi”, tha Hoti.

    I zhgënjyer për fatin e të pagjeturve është shprehur edhe kryetari i Këshillit të Familjarëve, Ahmet Grajqevci.

    “Çështja e personave të zhdukur është e mundimshme dhe e dhimbshme, asnjë institucion nuk ka bërë mjaftueshëm. Çështja e dinarit për 24 orë diskutohet por jo edhe e personave të zhdukur që për fatin e tyre e dinë më së miri Serbia”, tha ai.

    “Shumë persona i gjetëm nëpër puse, shteti ka flejt, lokacione që i përmendi kryetari nuk janë lokacione të reja janë të tilla që kanë mbetur nga KFOR-i, hetimet nuk kanë vazhduar, shteti ka flejt sot është dashtë me qenë të përfunduara, të gjitha argumentet janë në letra”, tha ai.

    “Ekspozitën e të pagjeturve shumë pak deputetë e kanë vizituar, kemi mundësitë për të bërë më shumë, Vuçiqi rrenën po e bën të vërtetë. Çështja e të pagjeturve shtyhet në Bruksel, ndërsa çështja e dinarit bëhet e rëndësishme, kjo është e tmerrshme. Çka kam pa dhe prek me dorë është shumë e vështirë, ose të punojmë ose ta lëmë krejt”, tha ai.

    Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ftoi qytetarët për të dorëzuar dëshmitë e tyre.

    “Inkurajojmë qytetarët që të deponojnë dëshmitë, kemi çka të themi dhe të dokumentojmë, sado që koha e ka bërë të veten”, tha ajo.

    E fajtor për çështjen e të pagjeturve, deputeti i VV-së e la edhe faktorin ndërkombëtar, pasi e kundërta do të ndodhte nëse BE-ja nuk “ledhaton” presidentin serb.

    “Ta ngrisim zërin, sepse nuk është e drejtë që për një serb të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ndërsa për sulm ndaj vendit tonë të mos kërkohet mbledhja e Këshillit. Ne si popull jemi krenarë, faji nuk është te ne, kërkojmë ndihmë”, tha ai.

    Mungesa e diskutimeve me prokurorët, për çështjen e të pagjeturve nga Komisioni për Personat e Zhdukur, u konsiderua si neglizhencë, kurse u tha se kanë kërkuar takim me Këshillin Prokurorial, dhe pritet ditëve në vijim harmonizimi i agjendës.

  • Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike, merr dy vendime

    Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike, merr dy vendime

    Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot një mbledhje elektronike.

    Në këtë mbledhje Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, raporton Ekonomia Online.

    Gjithashtu Qeveria ka themeluar Komisionin e Pranimit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas konkursit të shpallur me datën 14.03.2024.

  • Çekia i premton Kosovës bashkëpunim në aspektin e sigurisë

    Çekia i premton Kosovës bashkëpunim në aspektin e sigurisë

    Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë pritur në takim delegacionin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë.

    Pas përfundimit të takimit, kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha së bashku me kryetarin e Komisionit për punë të Jashtme dhe Mbrojtje, Pavel Fischer janë deklaruar për media.

    Kryetari i komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se është diskutuar për zhvillimin e mëtutjeshëm për të dy shtetet në aspektin e sigurisë.

    Ndërkaq, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Çekisë, Pavel Fischer tha se përpos sigurisë në vend, Kosova ka shumë projekte në të cilat do ta ndihmojë Republika e Çekisë.

    Ai theksoi se Kosova dhe Çekia të dy shtetet i japin njëra-tjetrës mbështetje të vazhdueshme.
    Takimi është zhvilluar i mbyllur për media, kurse delegacioni nga Çekia gjatë ditës do të takohen edhe me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.

  • Hoti: Raporti i DASh-it shqetësues për Kosovën, Qeveria Kurti me tendencë për diktaturë

    Hoti: Raporti i DASh-it shqetësues për Kosovën, Qeveria Kurti me tendencë për diktaturë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën sa i përket vitit 2023. Hoti ka thënë se raporti është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës.

    Ish-kryeministri tutje ka shtuar se në raport theksohet prezenca e korrupsionit serioz qeveritar, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe medias, përfshirë dhunën dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

    Sipas Hotit, një gjë e tillë ka qenë e pritur, pas aferave me ambasadorin Martin Berishaj, rezervat shtetërore dhe aferat korruptive në KEK.

    Tutje, Hoti ka thënë se Raporti thekson një të vërtetë të hidhur dhe tregon se s’ka pasur reflektim as nga Qeveria dhe as nga presidentja e shtetit.

    Në fund, Hoti thotë se Qeveria Kurti ka tendencë për të imponuar sistem diktatorial, për të kontrolluar qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat.

    Reagimi i plotë:

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës.

    Raporti thekson për, prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, probleme me pavarësinë gjyqësorit dhe me kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve.

    Kjo ka qenë e pritur pas aferave, sikur ajo e Ambasadorit Berishaj, me rezerva shtetërore, aferat korruptive në KEK dhe tani me ambalazhuesit e ujit. Në vend që të kërkojnë drejtësi, bartësit e institucioneve dalin në mbrojtje publikisht ndaj personave të dyshuar.

    E kanë bërë normë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të shtetit dhe shantazhimin e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave.

    Raporti i DASH është një e vërtetë e hidhur që e kemi përmendur disa herë. Nuk ka pasur asnjë reflektim nga qeveria dhe më e rëndësishmja nga Presidentja e shtetit, e cila ka mandat kushtetues t’i mbrojë institucionet e pavarura.

    Kjo qeveri ka tendencë për të imponuar një sistem diktatorial, në mënyrë që Kryeministri të kontrolloj gjithçka: qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat.