ATV

Blog

  • Aktivistët bllokojnë me ngjitës zyrën e profesorit Xhevat Krasniqi

    Aktivistët bllokojnë me ngjitës zyrën e profesorit Xhevat Krasniqi

    Lëvizja Feministe Studentore ia ka bllokuar me ngjitës zyrën profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual.

    “Xhevat Krasniqi, nuk ke vend në UP” dhe “Skenë krimi, mos kalo”, janë dy mesazhet që kjo organizatë i ka vendosur pranë derës së zyrës së tij në Fakultetin e Edukimit.

    “Ende nuk ka vendim për rastin e profesorit të denoncuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Ai është suspenduar dy herë për ngacmim seksual, njëherë nga Universiteti i Gjakovës, e herën tjetër nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai nuk mund të vazhdoj të mbaj ligjërata në Universitet. Andaj si duhet as zyra, vendi ku shumë vajza kanë dëshmuar që janë ngacmuar. Ngacmimi seksual është krim”, thuhet në reagimin e Lëvizjes.

    Kundër Krasniqit është protestuar disa herë nga studentë dhe përfaqësues të organizatave në Kosovë.

  • Ka 400 punëtorë në Gjermani, ky është rrëfimi i ndërmarrësit të suksesshëm shqiptar

    Ka 400 punëtorë në Gjermani, ky është rrëfimi i ndërmarrësit të suksesshëm shqiptar

    Isak Neziri një ndër ndërmarrësit shqiptar më të suksesshëm në Gjermani, ishte i ftuar ne emisionin LIBERO në ATV, ku ka bërë një rrëfim emocionues për rrugëtimin e tij drejt suksesit.

    Ai ka treguar për punën e tij të cilën e ka bërë qysh në moshë të re më saktësisht në vitin e dytë të shkollës së mesme.

    “Periudha kur unë kam dal dhe kam shitur rroba në vitin e dytë të shkollës ka qenë një sfidë në vete pasi që në atë kohë prindërit tanë ishin larguar nga puna dhe ishte e vetmja zgjidhje për të mbijetuar, aty jam në tregun e Skenderajt, ndërsa gjatë javës katër herë kemi qenë në tregje të ndryshme të Kosovës, më saktësisht në tregjet që i kemi pasur më afër sepse unë jetoj në Drenas dhe kam dal për të bërë një tregëti të vogël ta quajmë në tregun e Drenasit, Skenderajt, Komoranit dhe Malishevës”, tha Neziri.

    Më vonë pas vështirësive gjatë jetës dhe dhunës së vazhdueshme ai vendosi të largohej nga Kosovë për një mundësi më të mirë.

    “Në vitin 1997 ne e kemi lëshu Kosovën si shumica e kosovarëve përshkak të dhunës, kemi pasë fatin të vendosemi në Munichen, përkundër të gjitha sfidave që i kemi pasë me leje qëndrim dhe me leje për punë fal Zotit ja kemi arritur gjermanët që të na ndihmojnë në këtë rast, puna ime e parë ka qenë më mirëmabjtë hapsirën brenda dhe jashtë, kam qenë pastrues i objekteve kam punuar nga 2 orë për 160 marka në muaj vetëm si punë sociale vetëm që mos të rri dhe këtë punë e kam bërë për 8 muaj për socialin”, tha Neziri.

    Rrëfimin e tij të plotë në LIBERO e gjeni në videon më poshtë:

  • Amerikanët dhe rusët konfrontohen të ashpër për Kosovën në OKB: “Mos e ndryshoni historinë, gjenocidi u parandalua”

    Amerikanët dhe rusët konfrontohen të ashpër për Kosovën në OKB: “Mos e ndryshoni historinë, gjenocidi u parandalua”

    Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork të mbajtur të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Wood, i kërkoi homologut të tij rus Vitaly Nebenzija të mos përpiqet të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve historike.

    Diskutimi u zhvillua në seancën ku u shqyrtua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

    Wood e lidhi përpjekjen e Rusisë për të ndryshuar historinë rreth veprimeve të NATO-s në vitin 1999 me faktin se kërkesa e Rusisë për një seancë speciale mbi veprimet e NATO-s kundër Serbisë u refuzua dy herë.

    Gjatë seancës, përfaqësuesi rus Nebenzia hodhi akuza kundër NATO-s, një lëvizje që e shtyu Wood-in të merrte fjalën.

    “Operacioni i ‘Forcave Aleate’ në 1999 ishte jetik dhe legjitim për të nxitur tërheqjen e forcave serbe të Millosheviçit nga Kosova dhe për të ndaluar spastrimin etnik”, tha Wood.

    Ai shtoi se operacioni parandaloi gjenocidin.

    “Ky operacion ishte ndërhyrja e fundit e mundshme për të parandaluar gjenocidin dhe ishte një përgjigje e nevojshme urgjente për të mbrojtur popullsinë civile”, shtoi Wood.

    Pas kësaj, ai iu drejtua drejtpërdrejt rusëve.

    “Duket se Federata Ruse është e pakënaqur me faktin që Këshilli nuk i jep hapësirën që dëshiron për të promovuar një realitet alternativ. Do të ishte më mirë të lihej mënjanë revizionizmi dhe të punohej për zgjidhjen e sfidave përpara”, tha Wood.

    Kjo përleshje verbale në skenën ndërkombëtare vjen në një kohë kur tensionet politike janë në kulmin e tyre dhe mbi të gjitha tregon sesi ngjarjet nga e kaluara vazhdojnë të ndikojnë në politikën dhe diplomacinë e sotme.

  • Gërvalla: Ndalohet punësimi i familjarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

    Gërvalla: Ndalohet punësimi i familjarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se ka nënshkruar vendimin i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    “Nepotizmi, familjarizmi, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe llogaridhënies si pasojë e këtyre dukurive, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Diasporës kanë qenë ndër arsyet kryesore të gjendjes së mjeruar në të cilën e kam gjetur këtë institucion. Është i gjatë rrjeshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve. Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”, ka shkruar Gërvalla.

    “Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternativë. Punësimi në MPJD, rekrutimi i diplomatëve të rinj mund dhe do të bëhet vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Krasniqi publikon pamje nga përgatitjet për meqin e 4 majit: Mezi pres të ju shoh sërish

    Krasniqi publikon pamje nga përgatitjet për meqin e 4 majit: Mezi pres të ju shoh sërish

    Boksieri kosovar, Haxhi (Robin) Krasniqi, do ta zhvilloj meqin e radhës më 4 maj.

    Ish-kampioni ka publikuar pamje nga përgatitjet për këtë meq.

    Kundërshtari i tij do të jetë, Jorge Silva. Ata do të përballën në Augsburg të Gjermanisë.

  • Duda Balje u ndalua nga policia serbe në Merdarë

    Duda Balje u ndalua nga policia serbe në Merdarë

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje është ndaluar të martën nga autoritet serbe në pikën kufitare në Merdarë , raporton Ekonomia Online.

    Balje është ndaluar për rreth një orë dhe ishte duke udhëtuar drejt Austrisë së bashku me familjen.

    “Unë jam me familjen, me burrin dhe fëmijët jemi në rrugë për Austri, por jo veç me kanë ndalë dhe për një orë mi kanë ndal letrat. Burri ka pyetur a ka najsen, dhe i kanë thënë jo kontroll rutinore”, ka thënë shkurtimisht Balje.

    “Si kemi kaluar në Merdarë kemi prit një orë e gjysmë dhe kemi vazhduar burri ka pyet se çka ka ndodhur thanë vetëm kontrollë e rregullt asgjë tjetër. Kemi marrë pasaportat dhe kemi vazhduar rrugën. Kemi vazhduar rrugën dhe jemi tashmë rrugës për në Hungari. Asnjë problem tjetër vetëm se kemi qenë në një vend një orë një orë e gjysmë”, tha Balje përmes telefonit për Ekonomia Online.

  • Nga 2004-ta afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes, shkak ndryshimet klimatike

    Nga 2004-ta afër 80% e komunave përballen me mungesë të ujitjes, shkak ndryshimet klimatike

    Që nga viti 2004, afër 80 për qind të komunave në Kosovë, përballen me mungesë të ujitjes si shkak i ndryshimeve klimatike. Kështu u tha se lansimin e kampanjës “Ndrysho për Klimën”, organizuar nga USAID dhe programit për grante, që ka për qëllim të forcimit të përpjekjeve për përshtatje dhe veprim ndaj ndikimeve që po sjellin ndryshimet klimatike, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë tryezë u tha se si shkak i ndryshimeve klimatike, deri në vitin 2050, 4. 2 për qind do të jetë rënia e GDP-së në Kosovë nëse nuk ndërmerren veprime.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Kosova ndër sfidta kryesore që ka është përmbytjet dhe thatësirat.

    Sipas tij, si shkak i thatësirave në Kosovë, ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë.

    “Ndryshimet klimatike ka një kohë që janë prezente përmes ndikimeve në produktivitetin bujqësor, zjarret, ndryshime në furnizim me ujë, thatësira, vërshimet, emigracion. Përmbytjet dhe thatësirat janë shfaqur si sfida kompleksë për Kosovën. Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Kosova ka përjetuar thatësira të shumta në dekadat e fundit. Që nga viti 2004 afërsisht 80 për qind e komunave të Kosovës janë përballur mungesë të ujitjes për shkak të thatësirave. Sipas masterplanit të Kosovës për ujitje, aktualisht ujiten vetëm 7 mijë hektar tokë”.

    “Këshilli për Sekretariatin për ndryshime klimatike vetëm se është aktiv dhe ka aprovuar dokumente të rëndësishme sikur se është plani për energji. Mirëpo tani jemi në proces të funksionalizmit të bordit zhvillimor shkencor se bashku me USAD që prioritet kemi ofrimin e të dhënave të sakta shkencore që do të informoj politikëbërjen e Këshillit për ndryshimeve klimatike”, ka thënë ai.

    Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendës drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se ndryshimet klimatike kanë ndikim në të gjithë kontinetin e po ashtu edhe në Kosovë.

    “Siç e dimë këto ndikojnë në secilin kontinent të planetit, pasojat janë të mëdha dhe e dimë që rreziqet janë të mëdha për të adresuar këtë, dhe duhet bashkëpunim për të zbutur efekte e ndryshimeve klimatike. Duhet të shtrojmë rrugën jo vetëm për të adresuar sfidat por edhe për të marr masat për ndryshimet. Ky regjion është i cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike jo vetëm për të ndikuar në mjedis, por edhe në shëndet e ekonomi. Së bashku mund të bëjmë një Kosovë më të qëndrueshme”, ka thënë ai.

    Petrit Gashi nga “USAID Kosovo Adapt Activity”, ka thënë se këto ndryshime klimatike kanë ndikim të madh edhe në ekonomi.

    Ai tha se sipas raportit të Bankës Botërore, 4. 2 për qind do të jetë rënia vjetore e GDP-së së Kosovës deri në vitin 2050 nëse nuk ndërmerren veprime klimatike.

    “Ajo çfarë do të shohim sot ka të bëjë më sfidat kryesore me të cila ballafaqohet Kosova. Ne në raportin tonë, fokusin e kemi pasur në identifikim e kufizimeve. Ne kemi një numër sfidash qysh sot edhe për të ardhmen temperatura ekstreme, kërcënime të mëdha nga vërshimet, era të forta në qytete që nuk i kemi hasur më herët, kemi edhe një degradim të dheut. Këto janë pjesërisht nga ndryshimet klimatike por kemi identifikuar edhe një dorë të njeriut me sfidat që ballafaqohemi në kontekst të ndotjes së ajrit e shpyllëzimit”, u shpreh ai.

    “Këto çfarë parashohim në skenarë e që ne i kemi analizuar është e frikshme, disa prej indekseve që ne i kem deri në fund të këtij shekulli cilido skenar, problemet do të jenë të theksuara si ndryshimet e temperaturave mesatare, nivelit të indeksit të zjarrit, të indeksit të vërshimeve që e kemi analizuar gjitha tregojnë një të ardhmen brengosëse, nevoja për me ndërmarr diçka që është e madhe. Nëse nuk lëvizet tregojnë që efektet ekonomike do të jenë të thella. Raporti i Bankës Botërore flet për një rënie prej 4.2 për qind të GDP-së vjetore deri në vitin 2050. Kjo përkthehet në rënie të GDP edhe për kokë banori”, ka thënë ai.

  • Ramiz Qeriqi deklarohet në Hagë, pohon se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

    Ramiz Qeriqi deklarohet në Hagë, pohon se kishte polici ushtarake në batalionin e tij

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) po vazhdon dëshminë dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Qeriqi pohoi se në batalionin e dytë të Brigadës 121 ku bënte pjesë ai, kishte polici ushtarake.

    Ish-pjesëtari i UÇK-së shtoi se në batalione të UÇK-së ka pasur polici ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një rregullore e UÇK-së në të cilën sipas prokurores Silvia D’Ascoli thuhej se dëshmitari ia kishte dhënë edhe ushtarëve të tij.

    Sipas këtij dokumenti, thuhej se flitej edhe për policinë ushtarake dhe rolin e saj e po ashtu edhe sjelljet e tyre sa i takon popullatës civile, e të tjera.

    Dëshmitari konfirmoi se sipas rregullores, policia ushtarak kontrollonte lejet e udhëtimit, lejet e njerëzve, arrestimet dhe i dërgonin ushtarët në drejtim të brigadës.

    Ramiz Qeriqi pohoi se në batalionin e tij kishte deri në shtatë anëtarë në policinë ushtarake dhe komandant i saj ishte Ajet Hasani, ndërsa zëvendës i tij, Ajvaz Koripuzi.

    Dëshmitari tha se policia ushtarake ka filluar të funksionojë nga fundi i majit dhe fillimi i qershorit 1998. Po ashtu, pohoi se komandan i policisë ushtarake në nivel të brigadës ishte Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi”.

    Ai pohoi po ashtu që policia ushtarake kishte të drejtën që të arrestojë edhe komandantë të batalioneve në rast të shkeljes së rregullave.

    “Ashtu kanë thanë atëherë në atë kohë”, tha Qeriqi, duke pohuar se ushtarët pa leje qarkullimi edhe çarmatoseshin.

    Ai gjithashtu pohoi se për arrestimin e civilëve duhej leje nga policia ushtarake.

    “Ka qenë detyrë e tyre, jo e jona”, tha dëshmitari Qeriqi.

    Sipas tij, këto rregulla pasqyrojnë detyrat e policisë ushtarake gjatë kohës që ka shërbyer si komandant.

    Më pas, atij iu paraqit një raport ku thuhej se dikush ishte në terren dhe i prezantuan rregulloren e policisë ushtarake për batalionin së bashku me sqarime. Dëshmitari tha se kjo ishte bërë pa prezencën e tij nga Haxhi Shala.

    “Pa prezencën time. (Takimin e ka mbajtur) Ky që e ka mbajtur këtu, Haxhi Shala”, tha ai.

    Edhe në fillim të seancës, dëshmitari u mor në pyetje nga prokurorja Silvia D’Ascoli, e cila u fokusua tek deklarata që kishte dhënë dëshmitari gjatë gjykimit të Fatmir Limajt më 2005.

    Prokurorja tha se në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se për të lëvizur nga njëri batalion në tjetrin duhej kërkuar leje, gjë të cilën e pohoi ai.

    Për Isak Musliun ai tha se ka qenë pjesë e njësive në komandën e Fatmir Limajt dhe nofka e tij ka qenë Çerçizi. Po ashtu, edhe në deklaratat e mëhershme ai kishte thënë se Musliu kishte mjekër dhe e mori emrin nga luftëtarit shqiptar Çerçiz Topulli.

    Qeriqi tha se propozimin që Isak Musliu ta ketë këtë nofkë, ia ka dhënë Ismet Jashari.

    Prokurorja kërkoi që në prova materiale të pranohet një ditar me disa shkrime me aën të secilave u mor në pyetje dëshmitari, ndërsa kjo u kundërshtua nga të gjithë palët mbrojtëse të të akuzuarve.

    Para kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III shfuqizoi vendimin e 4 prillit lidhur me kërkesat për mospjesëmarrjen fizike të të akuzuarve në sallën e gjyqit.

    Trupi gjykues mori vendim që kërkesat e tilla duhet të bëhen 48 orë para seancës për të cilën është duke u kërkuar leja me përjashtim të rasteve të veçanta.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Nis takimi në mes anëtarëve të Komisionit për Sigurisë dhe delegacionit të Çekisë

    ​Nis takimi në mes anëtarëve të Komisionit për Sigurisë dhe delegacionit të Çekisë

    Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë pritur në takim delegacionin e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Sigurisë nga Republika e Çekisë.

    Takimi është duke i zhvilluar i mbyllur për media. Ky delegacion nga Çekia gjatë ditës do të takohen edhe me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

  • Prokuroria Speciale pranon donacion nga Ambasada Britanike për intervistimin e të pandehurve dhe dëshmitarëve

    Prokuroria Speciale pranon donacion nga Ambasada Britanike për intervistimin e të pandehurve dhe dëshmitarëve

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar të martën donacion nga Ambasada Britanike, i cili u vlerësua tejet i rëndësishëm për këtë institucion, raporton EO.

    Donacioni përbën pajisje për intervistimin e të pandehurve dhe dëshmitarëve.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se ka informuar ambasadorin Hargreaves për punën e këtij institucioni, teksa ka falënderuar edhe për mbështetjen që Ambasada britanike ka bërë për PS-në.

    “Me vjen mirë që pata mundësi që të bisedoj me ambasadorin Hargreaves për punën e Prokurorisë Speciale për kompetencat e PS-së dhe për rezultatet që kemi arrit, mangësitë dhe sfidat që kemi para vetës. Prania juaj këtu ambasador është konfirmim i dëshmuar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për më tepër ne e kuptojmë edhe si mbështetje të punës sonë për të luftuar krimet. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e dhënë ndër vite në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale etike”, u shpreh Isufaj.