Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston sot 56-vjetorin e lindjes.
As kësaj radhe ai nuk do të mund të festojë pranë familjarëve të tij për shkak se nga nëntori i vitit 2020, ai ndodhet në paraburgim si i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Kujtojmë se Thaçi ka qenë në krye të Partisë Demokratike të Kosovës si dhe kryeministri i parë i Kosovës së pavarur.
Hashim Thaçi është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt dhe ishte presidenti i pestë i Republikës së Kosovës, derisa dy herë ishte shef qeverie.
Nga e enjtja, Venecia do të fillojë tarifat e hyrjes për udhëtarët ditorë, e para e këtij lloji në botë
Bashkia e Venecias njoftoi nëntorin e kaluar se për 29 ditë në 2024, për shkak të turizmit masiv, do të aplikonte një tarifë krejtësisht të re prej 5 eurosh për turistët që do të vizitonin vetëm për një ditë.
Tarifa do të aplikohet gjatë sezonit turistik, nga data 25 prill deri më 5 maj, pastaj fundjavat në maj (11 dhe 12, 18 dhe 19 dhe 25 dhe 26), qershor (8 dhe 9, 15 dhe 16, 22 dhe 23 maj dhe 29 dhe 30), si dhe dy fundjavë në korrik (6 dhe 7 dhe 13 dhe 14).
Taksa, zbatimi i së cilës është vonuar disa herë, synon vetëm turistët që hyjnë në pjesën e vjetër midis orës 08:30 dhe 16:00 me orën lokale, thanë zyrtarët e qytetit.
Është një eksperiment që synon të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet, për ata që jetojnë dhe për ata që punojnë atje, thonë autoritetet.
Gjobat e mundshme për mosrespektim variojnë nga 50 deri në 300 euro. Një tarifë e tillë nuk do të paguhet për fëmijët nën 14 vjeç.
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të votojnë në zgjedhjet e shtata me radhë, për president shteti.
Kujtojmë se presidenti i parë, Kiro Gligorov, u zgjodh në seancë parlamentare më 27 janar 1991, kur Maqedonia u krijua si shtet i pavarur.
Për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen sot (24 prill 2024), numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.
Zgjedhjet e fundit presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 për qind të numrit të votuesve që dolën dhe votuan në rrethin e dytë.
Ai kandidoi edhe në këto zgjedhje, ndërsa përkrah tij janë Gordana Siljanovska, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maxim Dimitrievski./Alsatm
Pjesëtarë italianë të KFOR-it kanë inspektuar zonën e materialeve industriale toksike, të njohur si “Eurosteel”, në Pejë.
Inspektimi u krye nga KFOR-i në bashkëpunim edhe me institucione të Kosovës, përfshirë strukturën civile për mbrojtjen e ambientit dhe planifikimit urban, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe FSK-në.
Inspektimi u zhvillua në kuadër të programit për monitorim dhe kontroll të KFOR-it në zonat ku është raportuar për substanca potencialisht të dëmshme për shëndetin.
“Specialistët italianë verifikuan mbylljen korrekte të fuçive në zonë dhe vazhduan me analizimin e të dhënave. Matjet më pas u krahasuan me të dhënat e marra më herët për të vlerësuar trendin dhe për të identifikuar ndonjë dëmtim potencial të ambientit. Rezultati konfirmoi se nuk u zbulua asnjë rrezik për shëndetin”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.
Ligji për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, sipas kryesuesit të Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, së shpejti do të kalojë në konsultime publike.
Mes tjerash, Andin Hoti njoftoi gjatë një takimi të Komisionit për të drejtat e njeriut, se gjatë vitit 2023 janë gërmuar 15 lokacione në Kosovë, kurse në Serbi, vetëm në Shtavall.
“Janë dorëzuar nëntë mbetje mortore te familjarët gjatë vitit 2023. Fatkeqësisht gjatë vitit 2023 janë bërë gërmime vetëm në një lokacion në Serbi, në Shtavall. Shumica prej informacioneve që kemi, nuk janë vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe të dëshmitarëve atje në Shtavall”, tha Hoti.
Për gërmime të mëtutjeshme atje, sipas Hotit, sfidë mbetet mungesa e informacioneve dhe moszbatimi i deklaratës së 2 majit të nënshkruar në Bruksel, për personat e zhdukur.
I zhgënjyer për fatin e të pagjeturve është shprehur edhe kryetari i Këshillit të Familjarëve, Ahmet Grajqevci. Sipas tij, të zhdukurit do duhej të ishin kryefjala e të gjitha institucioneve.
“Çështja e personave të zhdukur është e mundimshme dhe e dhimbshme, asnjë institucion nuk ka bërë mjaftueshëm. Çështja e dinarit për 24 orë diskutohet, por jo edhe e personave të zhdukur që për fatin e tyre e di më së miri Serbia”, tha Grajqevci.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ftoi qytetarët të dorëzojnë dëshmitë që kanë nga lufta.
“Ta ngrisim zërin, sepse nuk është e drejtë që për një serb të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ndërsa për sulm ndaj vendit tonë të mos kërkohet mbledhja e Këshillit. Ne si popull jemi krenarë, faji nuk është te ne, kërkojmë ndihmë”, tha Mulhaxha-Kollçaku.
Mungesa e diskutimeve me prokurorët, për çështjen e të pagjeturve nga Komisioni për Personat e Zhdukur, u konsiderua neglizhencë. Ndërsa, kërkesë e pjesëmarrësve në këtë komision ishte një takim me Këshillin Prokurorial.
Pesë nga tetë të akuzuarit në grupin e dytë, për dhunim të 11-vjeçares nga Prishtina janë shpallur fajtorë e janë dënuar me burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Behlul Rrahmani është dënuar me 12 vjet burgim, ndërsa Driton Rrahmani, Blendin Sadiku, Muhamet Sadiku, Muhamet Restelica e Flamur Sadiku janë dënuar me nga dhjetë vjet burgim.
Gjashtë të dënuarit nga gjykata janë dërguar për të mbajtur masën e paraburgimit, sipas vendimit të Gjykatës deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Ndërsa, janë liruar Gëzim Sadiku dhe Egzon Sadiku, ky i fundit akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit.
Avokatja e viktimës vendimin e ka quajtur meritor, teksa ka folur për procesin e gjykimit, i cili ishte i mbyllur për media.
Viktima, sipas saj, vazhdon të qëndrojë në strehimore.
Megjithatë, me vendimin nuk është pajtuar mbrojtja, e cila ka paralajmëruar ankesën në shkallën e dytë.
Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në dhjetor të vitit 2022, pas aktakuzës së parë ndaj Ekrem Rexhepit dhe tre të miturve.
Shkalla e parë i kishte dënuar me 40 vjet burgim gjithsej, por rasti u kthye në rigjykim në Apel, dhe procesi është duke u zhvilluar në Departamentin për të Mitur.
Gjykata kishte njoftuar se nuk ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz.
Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria”, e mitura ishte ngacmuar fillimisht me fjalë e pastaj dhunuar.
Ndërkohë, sipas aktakuzës së dytë ndaj personave që u dënuan këtë të martë, rasti i dhunimit të 11 vjeçares kishte ndodhur në qershor të po të njëjtit vit.
Në këtë zyrë, Sadik Duraku vite më parë kishte marrë kartelën që ia njeh statusin e veteranit të luftës së UÇK-së.
Pikërisht ky dokument që iu gjet në xhep gjatë kontrollit në hyrje të Serbisë, u bë shkak që Duraku të arrestohet e të dërgohet në paraburgim për 30 ditë, nën dyshimet për krime lufte.
Tani, një javë pas arrestimit, Organizata e Veteranëve Dega në Has po pretendon se Duraku nuk është veteran i vërtetë.
“Është vërtetu që Sadik Duraku është veteran i UÇK-së, por është veteran i rrejshëm. Do të thotë formën derisa ka ardhë te statusi është përmes të hollave”, tha kryetari i OVL-UÇK-së në Has, Xhevdet Thaçi.
Në këtë drejtim, kryetari i degës së Veteranëve të UÇK-së në Has, paralajmëron se do ta padisin Durakun kurdo që ai të hyjë në Kosovë.
“U bëjmë apel organeve serbe që ta deportojnë sa më shpejt Durakun në Kosovë, dhe vërtet ta padisim Durakun për manipulim dhe mashtrim se si ka ardhë deri te statusi”, tha Thaçi.
Gjatë ditës, familja e Durakut nuk pranoi të deklarohej rreth qëndrimit të OVL-UÇK-së në Has, e cila mes viteve 2021-2022 i kishte larguar nga Lista më shumë se 1300 persona, të cilët merrnin pensionin e veteranit.
Ndërkohë, 54-vjeçari me vendbanim në Angli, që u arrestua më 16 prill, gjatë kësaj të marte priste vizitën e parë nga familja.
Bashkimi Evropian bëri hapin e parafundit drejt liberalizimit të vizave për Zonën Schengen për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe.
Parlamenti Evropian miratoi raportin e euro-deputetit slloven, Matjaz Nemec, i cili rekomandimin e tij e paraqiti të zhveshur nga konteksti politik.
“Ky është një votim i rëndësishëm. Kjo nuk është çështje politike, por teknike. Është vazhdim i vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë, i miratuar më 2009, dhe për Kosovën që nga fillimi i këtij viti. Ky vendim është për t’ua bërë njerëzve jetën më të mirë dhe afekton rreth 18 mijë serbë rezidentë të Kosovës, të cilët kanë pasaporta speciale. Dhe, që nga fillimi i këtij viti ata mbesin kategoria e vetme e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në”, tha Nemec.
Përkundër se Kosova konsideron se vendimi shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, hartuesi i raportit iu referua vetëm aspektit të lëvizjes së lirë.
“Besoj se nuk ka justifikim për këtë, politik apo ndonjë tjetër. Kjo është një çështje të cilën e krijoi BE-ja më 2009 dhe na takon neve ta ndreqim atë. Në thelb, kjo është çështje e trajtimit të barabartë ose diskriminimit, dhe ne duhet të jemi kundër çfarëdo forme të diskriminimit. Nuk duhet të lejojmë që këta qytetarë të paguajnë çmimin për dështimin e politikanëve të tyre”, tha Nemec.
Duke e vlerësuar të papranueshëm, Qeveria e Kosovës theksoi se vendimi nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtim pa viza.
“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit, të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së. Shtyrja para e këtij propozimi, ka ndikim negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Që prej momentit kur është iniciuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, thuhet në reagimin nga Qeveria e Kosovës.
Me kërkesë të BE-së, pas liberalizimit të vizave, më 2009, Serbia hapi Drejtorinë Koordinuese, e cila lëshon pasaporta për shtetasit serbë që jetojnë në Kosovë.
Për qytetarët e pajisur me dokumente të tilla serbe, nuk vlen liberalizimi i vizave.
Mbajtësit e atyre që njihen si “pasaporta koordinuese”, të cilat i paraqesin qytetet e Kosovës si pjesë të Serbisë, nuk mund të udhëtojnë nëpërmjet aeroportit të Prishtinës.
Punëtorët e “Telekomit” të Kosovës, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit.
“Ma e keqja është, sepse në kohën e fundit kanë filluar bankat pasi nuk kemi mundur t’i paguajmë kreditë, t’i thërrasin dhe t’ua ndalin kreditë bashkëhuamarrësve”, tha kryetari i sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
1800 punëtorë mbetën pa rroga për shkak se përmbaruesi privat tashmë i suspenduar, bllokoi llogaritë e kompanisë ku ata punojnë.
Përmbaruesi, Irfan Kërçagu, filloi zbatimin e përmbarimit, pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që detyron ndërmarrjen t’ia paguante “Dardafonit”, 5,7 milionë euro.
Tash “Telekomi” nuk po arrin t’i shlyejë detyrimet ndaj kontraktorëve.
“Telekomi i ka diku 540 antena në prona private, që i ka me qira. Tash që nuk kemi mundur t’ua paguajmë qiranë shumica prej pronarëve kanë filluar të thërrasin dhe të interesohen pse s’ka dhe bëjnë kërcënime të ndryshme që mund t’i dëmtojnë edhe antenat”, tha drejtori financiar në “Telekom”, Feim Kelmendi.
“Telekomi” insiston në shkarkimin e përmbaruesit, suspendimin e të cilit e bëri Ministria e Drejtësisë, në mars, ndonëse vetë ia kishte deleguar këtë kontest.
Për këtë, menaxhmenti i ndërmarrjes inicioi edhe një komision disiplinor të përbërë nga ekspertë juridikë e përmbarues.
Ky komision, mblodhi të hënën për herë të parë në Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit e “Telekomit” dhe përmbaruesin privat Irfan Kërçagu me avokatin e tij mbrojtës.
Kërkesën për shkarkim, menaxhmenti i ndërmarrjes e bazon në disa pika. Pretendimet e “Telekomit” u mohuan në plotësisht, nga pala tjetër.
Përfaqësuesit e ndërmarrjes publike i bënë kërkesë komisionit disiplinor, që mjetet e bllokuara mbi shumën prej 5,7 milionë të lirohen.
“Sepse mjetet që janë nëpër banka tejkalojnë shumën të cilat pretendon të inkasohen nga përmbaruesi, ndërsa për çështje procedurale, llogaritë bankare të “Telekomit” kanë mbetur të bllokuara edhe pse ka mjete më tepër sesa edhe vetë vendimi që është në fuqi”, tha Kelmendi.
Shkalla e dytë e Komerciales, tashmë ka caktuar tre ekspertë, të cilët do të bëjnë ekspertizën financiare, për pagesat që ndërmarrja ka kryer në emër të vendimit të arbitrazhit të vitit 2016.
Zyrtarë të “Telekomit” thanë se në këtë ekspertizë, nuk do të llogariten mbi 10 milionë euro, që “Dardafoni” mori nga ndërmarrja përmes mundësimit të shfrytëzimit të numrave dhe shërbimeve 3 dhe 4G, në formë kompensimi.
Nga “Telekomi” pretendojnë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it” 27 milionë euro, kurse ndërmarrja kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit, në shumën prej rreth 40 milionë eurosh.
Përmbaruesi privat deri më tani ka arritur të tërheqë 2.1 milionë euro nga xhirollogaritë e ndërmarrjes.
Qarkullimi në rrugën “Dardania” të martën ishte mjaft i vështirë.
Madje, qytetarët ankohen se me këtë problem po përballen qe disa vite.
Zyrtarët komunalë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë kanë bërë të ditur për ATV-në se tashmë kanë nënshkruar kontratë me një kompani private e cila do të bëjë riparimin e rrugës, që pritet të kushtojë 25 mijë euro.
Megjithatë, sipas tyre, punimet do të nisin pas përmirësimit të kushteve atmosferike.
Reshjet e shiut shkaktuan telashe edhe në Prishtinë, pasi një pjesë e fasadës së një ndërtese në rrugën “UÇK”, ra në tokë.
“Është një incident që ka ndodhur sot në mëngjes. Me marrjen e informatës ekipet emergjente të kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Inspektorët dhe shërbimi i zjarrfikësve e kemi eliminu rrezikun. Një pjesë e fasadës, si pasojë e shirave ka ra. Është eliminu rreziku dhe do ta pastrojmë ta kthejmë në gjendjen e mëparshme. Do të monitorojmë më tutje këtë pjesë të qytetit, mirëpo edhe pjesë të tjera të qytetit për ndonjë eventualitet”, ka thënë drejtori për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.
Si zakonisht, reshjet e shiut shkaktuan edhe tollovi në komunikacion.