ATV

Blog

  • Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

    Haxhiu: Investimet në QKUK për shkaqe elektorale, pacientët vdesin nga listat e gjata të pritjes

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për Ekonomia Online se investimet në QKUK po bëhen për shkaqe elektorale. Ai vlerëson se gjendja nëpër spitale vazhdon të jetë e rëndë dhe se investimet në shëndetësi kanë qenë minimale.

    Haxhiu ka deklaruar se para zgjedhjeve po bëhen investime të tilla por që sipas tij nuk e përmirësojnë gjendjen nëpër spitale.

    Pikëpyetja e pacientëve sipas deputetit të PDK-së janë listat e pritjes për analiza e operacione.

    “Siç e dini në tri buxhetet të cilat janë miratuar ka pas planifikime për investime në sektorin e shëndetësisë. Shumica e këtij buxheti ka shkuar në suficit, investimet në sektorin e shëndetësisë kanë qenë minimale. Tash para zgjedhjeve kanë filluar diçka me disa renovime të cilat nuk janë se përmirësojnë kushtet më të mira për operacione për të reduktuar numrin e pritjes së pacientëve. Ne kemi probleme substanciale në menaxhim. Pas gjithë këtyre investimeve, pyetja kryesore që e bëjnë pacientet a ka më i ra me prit prapë tri vjet për një operacion në listë të pritjes. Sa ka me prit për analiza? Sa ka me prit për procedura diagnostikuese?”, u shpreh Haxhiu.

    Deputeti i PDK-së shprehet i zhgënjyer edhe për listat e gjata të pritjes nëpër klinika, teksa përmend raste kur pacientët vdesin derisa t’u vijë radha për koronografi.

    “Siç e dini në Kardiologji, listat e pritjes ndonëse ka pasur investime prapë vazhdojnë të jenë të gjata, prapë listat e pritjes vazhdojnë të jenë të gjata edhe në klinika tjera, kështu nuk ka përmirësim të ofrimit të shërbimit shëndetësor tek pacientët. Në Kardiologji kemi pas raste që pacientet të cilët kanë qenë në listë të pritjes kanë vdekur pa mundur me realizu një koronarografi. Kur stafi i klinikës i ka thirr familjarët, me mllef janë përgjigjur pas një viti e gjysmë se pacienti ka ndërruar jetë dhe këto janë brenga të mëdha në sistemin tonë shëndetësor”, u shpreh tutje Haxhiu.

    Haxhiu ka thënë se investimet janë “kozmetikë” dhe se nuk e përmirësojnë gjendjen në shëndetësi. Ai ka thënë se ekzekutivi ka dështuar ta sjellë në Kuvend Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

    “Kjo krejt çka po bëhet po bëhet një lloj kozmetike e cila nuk ka efekt në përmirësimin e kushteve në sektorin e shëndetësisë po vazhdohet me këso lloj investimesh elektorale derisa për tri vite qeveria nuk ka qenë në gjendje të miratojë strategjinë e shëndetësisë dhe nuk ka qenë në gjendje t’i sjellë në kuvend dy ligjet bazike, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Sigurime Shëndetësore”, ka thënë Haxhiu.

  • Anulohet kufizimi i punës së barnatoreve në kryeqytet

    Anulohet kufizimi i punës së barnatoreve në kryeqytet

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim për anulimin e një kufizimi për punën e barnatoreve.

    Retkoceri ka thënë se PDK kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët.

    “Sot anuluam orarin e barnatoreve – më nuk do të ketë kufizime!”, ka shkruar Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.

    “Pacientët e kryeqytetit në vitin e fundit hasën në shumë vështirësi në furnizim me barëra gjatë kujdestarisë, posaçërisht në situata emergjente dhe për pasojë ishin detyruar që të furnizohen me këto barëra nga barnatoret në komunën e Fushës Kosovës apo Graçanicës”.

  • Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri tash nuk ka shkelje të procesit zgjedhor

    Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri tash nuk ka shkelje të procesit zgjedhor

    Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha se deri më tani nuk ka pasur shkelje të procesit të votimit, ndërsa MPB-ja tashmë i ka dislokuar të gjithë policët në mbarë vendin të cilët duhet të kujdesen për realizimin e procesit zgjedhor në mënyrë demokratike.

    “Nuk kemi vërejtur shkelje të rënda të procesit zgjedhor. Dita është e bukur, shpresoj që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje demokratike. Të gjitha departamentet e punëve të brendshme janë përfshirë me kushte teknike. Ne veprojmë sipas udhëzimeve të përcaktuara nga shtabi zgjedhor”, shtoi Toshkovski.

    Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë shtatë kandidatë.

    Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot vendosin për presidentin e tyre të ardhshëm. Këto janë zgjedhjet e shtatë presidenciale, ndërsa raundi i dytë i mundshëm mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi zgjatë deri në orën 19:00. Votohet në 3480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

    Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë.

    VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

    Përzgjedhja e shefit të shtetit duhet të ndodh në rrethin e dytë kur do të vendoset për dy kandidatë të cilët në rrethin e parë kanë marrë më së shumti vota. Megjithatë edhe për përzgjedhjen e tyre nevojitet plotësimi i censusit, përkatësisht në zgjedhje të dalin më së paku 40% të votuesve të regjistruar. Rezultatet e zgjedhjeve nga rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale, KSHZ duhet t’i publikojë para mesnatës së 24 prillit. Ndërkohë, janë gjithsej 942 vëzhgues, gazetarë dhe përkthyes të huaj janë të akredituar për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale.

  • ​5 xhudistë e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Zagreb

    ​5 xhudistë e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Zagreb

    Ekipi kosovar i xhudos nga nesër (25 prill) deri më 27 prill do merr pjesë në Kampionatin Evropian të Xhudos për Senior.

    Evropiani i Xhudos për Senior do të zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, ku pjesëmarrës do të jenë 47 shtete me 427 garues, nga të cilët 240 janë meshkuj e 187 femra, raporton KosovaPress.

    Kosovën në këtë Evropian do ta përfaqësojnë xhudistët e njohur si Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Akil Gjakova, Dardan Cena dhe Loriana Kuka.

    Distria dhe Flaka ndeshen ditën e parë (nesër) kurse ditën e dytë ndeshet Akili dhe Dardani ndërsa Loriana ndeshet në ditën e tretë.

    Ekipi kosovar është nën udhëheqjen e trajnerit dhe selektorit Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.

    Xhudistët që e përfaqësojnë Kosovën në Evropianin e Xhudos në Kroaci:

    Distria Krasniqi (-52 kg)

    Flaka Loxha (-57 kg)

    Akil Gjakova (-73 kg)

    Dardan Cena (-73 kg)

    Loriana Kuka (-78 kg)

  • Tahiri për Thaçin: Urime ditëlindjen miku im i idealeve kombëtare

    Tahiri për Thaçin: Urime ditëlindjen miku im i idealeve kombëtare

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri e ka uruar për datëlindjen e 56-të ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

    Tahiri me një postim në Facebook tha se veprimtaria çlirimtare e Thaçit është dhe mbetet historike.

    Postimi i plotë:

  • Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

    Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari  Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në fillim të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin është duke i parashtruar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

    Gjatë përgjigjeve të tij, dëshmitari tha se kishte parë vetëm një herë Jakup Krasniqin në Krojmir, pra zona në të cilën udhëhiqte vetë ai në batalionin e dytë të Brigadës 121, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Qat ditë, tjera ditë se kam pa. Për shkak se ushtarët kur e kanë pyet nuk kanë pas leje deri e kanë pa se kush është, ua kam spjegu. Tjera ditë nuk me kujtohet. Ka mujtë me qenë po se kam pa”, tha dëshmitari.

    Pas kësaj, dëshmitari është pyetur edhe nga prokurorja Silvia D’Ascoli e cila u fokusua tek disa urdhra që pretendohet se janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për komandantin e brigadës.

    Dëshmitari tha se nuk i kishte parë asnjëherë këta urdhra mirëpo, kur i kishte prezantuar Fatmir Limajt tek ushtarët, ai tha se ka menduar që po i thotë vetë.

    “Në bazë të dokumentit nuk e ka thanë vetë, por paska marrë urdhra. Unë se kam besu atëherë. Kam mëndu se po e thotë vetë”, tha dëshmitari.

    Pas prokurorisë, pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar fillimisht nga Christoph Barthe. Ai e pyeti dëshmitarin se pse anëtarët e LPK-së kanë marrë pozita udhëheqëse në luftë.

    “Këta e kanë udhëheq luftën. E organizuan hyrjen brenda në luftë. Na mundësuan neve me hy. Se di si ta shpjegojë ndryshe më mirë”, u përgjigj dëshmitari Qeriqi.

    Ndërsa, për vetën, ai tha se ka qenë vetëm vullnetar.

    “Kam qenë ni vullnetar, sa kam qenë në Gjermani kam marrë pjesë në tubime informative për UÇK-në, por nuk kam qenë anëtarë (LPK)”, tha ai.

    Për Hashim Thaçin, Ramiz Qeriqi tha se nuk i kanë ditur funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politik në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Nuk i kemi ditë pozicionet e tyre. Por me vonë e kemi kuptu që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditë pozitën e saktë, por mas lufte e kemi kuptu. Për Azem Sylën e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari.

    I pyetur se a e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve të UÇK-së, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

    “Jo, jo. Ju, lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

    Ndërsa, për takimet rastësore me Thaçin, Qeriqi tha se ka pasur vetëm rroba civile, por që nuk kanë qenë mbledhje

    “S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardh në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

    Se ku e bazon përshkrimin se Selimi ishte kryesori në UÇK gjatë periudhës mars-prill 1998, dëshmitari tha se nga udhëzimi që ia kishte dhënë Azem Syla.

    “Azem  Syla me ka drejtu drejtë tek Rexhep Selimi. Ne, kemi shku aty. E  kam kuptu se e kam marrë udhëzim nga Azem Syla tek Rexhep Selimi dhe pastaj jemi nda ku na kanë qu, prandaj, e kam ditë që ishte 1-shi. Unë jam drejtu në bazë të asaj që me ka drejtu Azem Syla tek Rexhep Selimi. Unë e kam ditë që ai është një udhëheqës që me u drejtu të Rexha që pastaj ai me na nda. Unë se kam ditë pozitën e tij”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, për Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajt, tha se rolin e tyre e ka kuptuar përmes asaj që ishte bërë publike në media.

    “Përmes mediave, përmes publikut kur ka dal me fol vetë. Kur kanë fol tjerët dhe përmes mediave se unë se kam taku.  (Për Fatmir Limajn) Si anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm, tjetër s’kam degju. Nuk e di për pozitë, tamam se di…Kam thanë që e ka pozitën me të lartë se unë. Unë i kam raportu atij e ai me ka thanë me raporton mua e unë në Likoc”, tha Qeriqi duke shtuar se kur flitej për Likocin bëhej fjalë për institucion dhe jo individë.

    Për Kadri Veselin, dëshmitari  tha se është takuar vetëm njëherë në Krojmir gjatë periudhës maj-qershor 1998 dhe se bashku kanë kriju pozicione mbrojtëse kundër forcave serbe.

    “Ka qenë vetëm në vizitë atëherë Kadria dhe jam kanë tu i ba pozicionet, tu i gjetë, me ka ndihmu ku me i ba pozicionet. Kemi bisedu dhe kemi vendos dhe e kam përmend që kemi pas sukses prej atyre pozicioneve”, tha ai duke shtuar se në atë kohë flitej se Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

    Për me vonë, Ramiz Qeriqi tha se ka mëndu që Kadri Veseli ka qenë në shërbimin informativ të UÇK-së.

    “Ma vonë kemi mëndu që ka qenë në shërbim informativ, aty a ku ta di. Në atë kohë, jo se kam ditë…Siç kam thanë edhe këtu, mbas luftës kam mëndu se ka qenë në atë pozitë. Atë kohë, se kam ditë”, tha dëshmitari.

    Duke u kthyer sërish tek Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dëshmitari tha se ia ka dhënë një “Mercedes” në fund të 1998 që të lenin përshtypje të mira kur të dilnin në publik.

    “Nuk e di mujn e saktë, 98-ën është. Mund të jetë shtator-tetor mund të jetë. Këtë makinë ma ka dhënë dhuratë një qytetarë i fshatit Caralevë, në pension është. Në atë kohë nuk ka qenë personale e imja se e ka dhënë në emër të luftës. Kanë mujtë me e marrë kerrin edhe pa me pyet mua edhe pa urdhër. Ka qenë makinë e mirë në atë kohë. Kam thënë që ia kam dhënë se ka qenë dhuratë nga një bashkëqytetarë”, tha ai.

    Sipas tij, nga mediat e ka kuptuar që pozita e Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Kur kanë dal publike nëpër media e kam kuptu. Për Jakupin e di që zëdhënës ka qenë, për Fatmirin se kam ditë kurrë çfarë pozite ka pas. Vetëm ato publike se nuk di më shumë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka njohuri nëse kishte ndonjë pozicion tjetër përfshirë edhe pozitën si zëvdëskomandant”, tha ai.

    Ndryshe, dëshmitari ka filluar dëshminë të hënën më 22 prill, ku sipas prokurorisë ka qenë komandant i batalionit të dytë në Brigadën 121 në Zonën e Pashtrikut.

    Vlen të theksohet se gjatë transmetimit ka pasur vazhdimisht probleme teknike gjatë paradites së sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Von Cramon takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

    Von Cramon takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

    Eurodeputetja liberale e Parlamentit Europian, Viola von Cramon, është takuar me përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Von Cramon tha se ka pasur takim të rëndësishëm me përfaqësuesit shqiptar, ku pjesë e takimit ishin Shaip Kamberi dhe Ragmi Mustafa.

    Ajo tha se diskriminimi sistematik ndaj tyre, duke përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave, nga Serbia është i papranueshëm dhe duhet ndalur menjëherë.

    “Takimi i rëndësishëm me përfaqësuesit politikë të minoritetit shqiptar nga jugu i Serbisë. Diskriminimi sistematik ndaj tyre, duke përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave, nga qeveria e Serbisë është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë!”, ka shkruar Cramon.

  • Krasniqi në ditëlindjen e Thaçit: Urime president, dielli do të lindë përsëri

    Krasniqi në ditëlindjen e Thaçit: Urime president, dielli do të lindë përsëri

    Sot feston ditëlindjen ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

    Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka uruar me anë të një fotografie të postuar në rrjete sociale.

    “Urime ditëlindjen president. Dielli do të lindë përsëri”, ka shkruar kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.

    Thaçi i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë për më shumë se tre vjet, mbush sot 56 vjet jetë.

  • RrGK-ja thotë se të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares iu shqiptua dënim minimal

    RrGK-ja thotë se të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares iu shqiptua dënim minimal

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka shprehur “shqetësim të madh për dënimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë” për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

    RrGK thotë se gjykata ka shqiptuar minimumin e dënimit dhe këtë e kanë vlerësuar “skandaloze dhe të papranueshme”.

    “Vepra penale për të cilën po akuzohen të pandehurit sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 227, paragrafi 7, është e dënueshme me burgim së paku 10 vjet. Në këtë rast, gjykata ka shqiptuar minimumin e denimit, gjë që e vlerësojmë si skandaloze dhe të papranueshme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një rast i tillë.”

    “Ne si shoqëri, përfshirë Rrjetin e Grave të Kosovës, shprehim një shqetësim të thellë në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunimit nga institucionet e drejtësisë. Është thelbësore që gjykatat të kuptojnë peshën dhe ndikimin e këtyre rasteve në shoqëri dhe të ndërmerren veprime me seriozitet dhe dinjitet në trajtimin e tyre.”

    RrGK ka shtuar se dënimet minimale shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë.

    “Dënimet minimale që shqiptohen për këto vepra shkaktojnë shqetësim për gratë dhe vajzat në Kosovë pasi ato duket të jenë në favor të autorëve të krimit dhe jo në mbrojtje të viktimave. Kjo situatë i dekurajon viktimat e dhunës për të raportuar rastet e tyre dhe e bën më të vështirë për ta gjetur besimin në sistemin e drejtësisë.”

    “Rrjeti i Grave të Kosovës do të vazhdojë të monitorojë reagimin institucional ndaj rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe të angazhohet për të siguruar mbështetje dhe drejtësi për viktimat e këtyre veprave të tmerrshme. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe ndihmë për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.”

    Dje Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 62 vjet burgim gjashtë të akuzuar për dhunimin e 11 vjeçares – një me 12 vjet, ndërsa pesë të tjerë me nga 10 vjet.

    “Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç. I akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale të Dhunimit, i pandehuri D.RR është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit, i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

  • Osmani pas votimit: Qytetarët kanë 2 opsione, integrim apo izolim

    Osmani pas votimit: Qytetarët kanë 2 opsione, integrim apo izolim

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka hedhur votën e tij nën shoqërimin e gruas së tij.

    Në një deklaratë para mediave, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

    “Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani.