ATV

Blog

  • Banka Qendrore Europiane rrit normat e interesit për herë të parë që nga viti 2023

    Banka Qendrore Europiane rrit normat e interesit për herë të parë që nga viti 2023

    Banka Qendrore Europiane rriti normat e interesit për herë të parë pas gati tre vjetësh të enjten, pasi rritja e çmimeve të energjisë e shkaktuar nga lufta me Iranin po nxit inflacionin në rritje, raporton CNN.

    BQE-ja e rriti normën bazë të interesit në zonën euro me një të katërtën e një pike përqindjeje, në 2.25%, duke u bërë banka e parë e madhe qendrore që rrit koston e huamarrjes që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

    “Lufta në Lindjen e Mesme po gjeneron presione inflacioniste”, tha banka qendrore në një deklaratë. “Perspektiva mbetet e pasigurt, me rreziqe në rritje për inflacionin dhe rreziqe në rënie për rritjen ekonomike”, shtoi ajo.

    Inflacioni në 21 vendet që përdorin euron ishte 3.2% muajin e kaluar, nga 3% sa ishte në prill, ndërsa çmimet e energjisë u rritën. BQE-ja, ashtu si bankat e tjera të mëdha qendrore, synon një normë inflacioni rreth 2%.

    Europa varet në masë të madhe nga importet e lëndëve djegëse fosile për të furnizuar ekonominë e saj dhe po shpenzon miliarda dollarë më shumë për importet e energjisë për shkak të luftës. Rritja e vrullshme e kostove të energjisë kërcënon të pengojë një rimëkëmbje ekonomike ende të brishtë në rajon, i cili vetëm së fundmi doli nga kriza energjetike e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.

    Inflacioni total arriti kulmin në 10.6% në zonën euro në tetor të vitit 2022. Ndërkohë, normat e interesit arritën nivelin rekord prej 4% në shtator të vitit 2023, pas një fushate të zgjatur të rritjes së normave për të frenuar rritjen e shpejtë të çmimeve.

    Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që ekonomia e zonës euro të rritet me 1.1% këtë vit, sipas një vlerësimi të prillit, që paraqet një ulje prej 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me parashikimin e tij të janarit.

  • Serwer: Kosova t’i bashkohet gazit amerikan nëse alternativat janë të njejta, por vendos Qeveria dhe jo e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane

    Serwer: Kosova t’i bashkohet gazit amerikan nëse alternativat janë të njejta, por vendos Qeveria dhe jo e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane

    Profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për thirrjen e SHBA-së që Kosova t’i bashkohet projektit të gazit amerikan.

    I pyetur nëse bashkëngjitja e Kosovës në këtë projekt duhet parë më shumë si veprim strategjik politik dhe jo si teknikalitet, Serwer ka thënë se një gjë e tillë s’mund të bëhet dhe se të dyja aspektet duhet të përputhen me nevojat dhe dëshirat e Kosovës.

    “Nuk mund ta bësh këtë. Kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe dhe e kushtueshme. Si dimensioni politik/i sigurisë energjetike ashtu edhe dimensioni ekonomik/teknik duhet të përputhen me nevojat dhe dëshirat e Kosovës”, ka thënë Serwer.

    Profesori amerikan ka thënë se vendimi për bashkëngjitje në projekt i takon Qeverisë së Kosovës dhe jo të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane.

    “Nëse të gjitha alternativat e tjera janë të barabarta në kosto dhe fizibilitet, sigurisht që do të doja që Kosova të përdorte LNG-në amerikane. Por jo të gjitha alternativat janë të barabarta dhe teknikisht nuk jam i kualifikuar t’i peshoj ato kundrejt propozimit të SHBA-së. Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria e një Kosove sovrane dhe të pavarur, jo unë apo i Ngarkuari i Ambasadës Amerikane”, është shprehur Serwer.

    Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti se Kosova mund të lidhet në stacionin e gazit në Vlorë dhe nga aty të marrë energji elektrik pavarësisht thirrjes amerikane për tu bërë pjesë e projektit me LNG, Serëer ka thënë se kryeministri kosovar e ka bërë të qartë qëndrimin e tij dhe ndoshta SHBA-ja duhet ta përmirëosjë ofertën.

    “Ai e ka bërë të qartë pikëpamjen e tij. Ndoshta SHBA-të duhet ta përmirësojnë ofertën e tyre”, është shprehur Serwer.

  • Trump: Do ta marrim ishullin Kharg të Iranit ‘në një të ardhme jo shumë të largët’

    Trump: Do ta marrim ishullin Kharg të Iranit ‘në një të ardhme jo shumë të largët’

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të do ta “godasin” Iranin shumë fort sonte dhe do të marrin “kontroll të plotë” të tregjeve të naftës dhe gazit në vend.

    Duke përshkruar se çfarë do të bëjë Uashingtoni, ai tha se “në një të ardhme jo shumë të largët, do të marrim ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës”.

    Sipas presidentit amerikan, kjo do të jetë e ngjashme me atë që Uashingtoni kreu në Venezuelë, të cilën ai deklaron se po “funksionon shkëlqyeshëm” për të dy vendet.

    “Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin shumë fort sonte. Në një moment në të ardhmen jo shumë të largët, ne do të marrim ishullin Kharg dhe pika të tjera të infrastrukturës së naftës, dhe do të marrim kontrollin e plotë të tregjeve të tyre të naftës dhe gazit, ashtu siç kemi bërë me Venezuelën, e cila po funksionon shkëlqyeshëm si për Venezuelën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP”, shkroi Trump në Truth Social.

    Ndryshe, Ishulli Kharg është terminali kryesor i naftës i Iranit në Gjirin Persik dhe Trump më parë ka hedhur idenë e marrjes së ishullit nga Irani, duke thënë se “ne mund ta marrim atë lehtësisht”.

  • Garë e ngushtë për gruan më të votuar në PDK mes Vlora Çitakut e Sala Jasharit

    Garë e ngushtë për gruan më të votuar në PDK mes Vlora Çitakut e Sala Jasharit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 89,27% nga numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

    Deri tani, kur aktualisht janë numëruar 2,230 vendvotime nga 2,498 sa janë në total, në Partinë Demokratike të Kosovës po zhvillohet garë e ashpër mes dy grave kandidate.

    Aktualisht, kandidatja për deputete Vlora Çitaku numëron 34 mijë e 932 vota.

    Pas saj, vie kandidatja Sala Jashari me 34 mijë e 921 vota. Pra një diferencë prej 11 votash.

    Kjo është 10-shja më e votuar e PDK-së:

    1.[1] BEDRI HAMZA 105,755 Vota
    2.[4] PËRPARIM GRUDA 64,790 Vota
    3.[5] ARIAN TAHIRI 56,511 Vota
    4.[2] URAN ISMAILI 50,983 Vota
    5.[3] VLORA ÇITAKU 34,932 Vota
    6.[9] SALA JASHARI 34,921 Vota
    7.[12] GANIMETE MUSLIU 26,931 Vota
    8.[8] ARBEN MUSTAFA 24,471 Vota
    9.[7] RRAHMAN RAMA 24,246 Vota
    10.[10] ENVER HOXHAJ 24,168 Vota

  • Një autobus sulmohet me armë zjarri në Malishevë, arrestohet i dyshuari dhe sekuestrohet një armë – Policia jep detaje

    Një autobus sulmohet me armë zjarri në Malishevë, arrestohet i dyshuari dhe sekuestrohet një armë – Policia jep detaje

    Një rast i rëndë njoftohet të ketë ndodhur sot në Malishevë, ku, në fshatin Pagarushë, një autobus është sulmuar me armë zjarri.

    Rastin e ka konfirmuar, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

    ‘‘Rreth orës 12:10, është pranuar një informacion lidhur me një sulm me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës, me ç’rast njësitë përkatëse policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes’’, thuhet nga Policia.

    Tutje, shtohet edhe se, i dyshuari për sulmin është arrestuar, dhe se, është sekuestruar një armë zjarri AK-47.

    ‘’Si rezultat personi i dyshuar është arrestuar dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, është ndaluar për 48 orë, si dhe është sekuestruar një armë e llojit AK-47. Nga ky incident nuk ka persona të lënduar, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe aktualisht është në proces të hetimit’’, është thënë nga Policia për Express

  • Gjetjet në Ministrinë e Arsimit: Mbi 225 mijë euro pagesa u nënshkruan nga zyrtari i paautorizuar

    Gjetjet në Ministrinë e Arsimit: Mbi 225 mijë euro pagesa u nënshkruan nga zyrtari i paautorizuar

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se disa pagesa në vlerë totale prej 225 mijë e 570 euro të Ministrisë së Arsimit nuk janë nënshkruar nga zyrtari i autorizuar.Kjo është një nga gjetjet e ZKA-së në raportin e auditimit për Ministrinë e Arsimit për vitin 2025.

    Sipas ZKA-së, bëhet fjalë për tetë pagesa në Agjencinë për Aftësim Profesional dhe Arsimin për të Rritur (AAAPARr) që nuk janë nënshkruar nga personi i autorizuar.

    “Mungesa e nënshkrimit nga zyrtari i autorizuar për pagesat që kanë vlerë mbi 1 mijë euro dobëson kontrollet e brendshme në fazën e pranimit të mallrave dhe shërbimeve dhe mund të ndikojë në procesimin e pagesave pa verifikim të plotë.” – thuhet në raportin e ZKA-së.

    ZKA vlerëson se kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme dhe mungesës së verifikimit të plotë të dokumentacionit para procedimit të pagesës.Ministria e Arsimit është pajtuar në lidhje me këtë gjetje të auditorëve.

    Kurse, ZKA ka rekomanduar që ministri i Arsimit të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme, në mënyrë që raporti i pranimit të mallit të nënshkruhet nga personi autorizues, para procedimit të mëtejmë të dokumentacionit për pagesë.

    Gjatë kësaj kohe të auditimit, Arbërie Nagavci ka qenë ministre e Arsimit dhe Fikrije Zymberi është drejtoreshë në AAAPARr, kurse nga data 18.02.2026 është Hajrulla Çeku.

    Ky raport ka rezultuar me 9 rekomandime, prej tyre një i ri dhe tetë të përsëritura. Kurse, nga rekomandimet e vitit të kaluar, Ministria e Arsimit ka zbatuar 7 prej 15 rekomandimeve të dhëna.

    Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Opinion të kualifikuar Ministrisë së Arsimit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2025. Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që u jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar.

    Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare.Raportin e plotë të audimit të Ministrisë së Arsimit nga ZKA e gjeni në këtë LINK.

  • Daut Haradinaj del me një sugjerim për mandatarin e ri të qeverisë

    Daut Haradinaj del me një sugjerim për mandatarin e ri të qeverisë

    Daut Haradinaj nga Aleanca ka thënë se kudhdo që e formon qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të duhej që pika e parë të jetë rikthimi i projektit amerikan për gazin dhe rikthimi i projektit të termocentralit të ri.

    “Pavarësia energjetike nënkupton edhe zhvillim, edhe siguri kombëtare. Çdo devijim nga këto dy tema lë të kuptohet se i shërben agjendave anti-Kosovë dhe anti-Amerikë”, ka shkruar Daut Haradinaj.

  • Auditimi i BE’së: Gjendja e hekurudhave të Kosovës më keq se para nisjes së investimeve milionëshe para 10 vitesh

    Auditimi i BE’së: Gjendja e hekurudhave të Kosovës më keq se para nisjes së investimeve milionëshe para 10 vitesh

    Një raport i Gjykatës Evropiane të Auditorëve ka gjetur se gjendja e hekurudhave të Kosovës në vitin 2025 ishte më e keqe se para fillimit të rehabilitimit para 10 vitesh, ndërsa nuk ka ende afat të qartë për përfundimin e rrjetit hekururdhor të Kosovës.

    Përkundër investimeve dhjetëra miliona euro nga grantet e Bashkimit Evropian dhe projekteve të Qeverisë së Kosovës, gjendja aktuale e hekurudhave të Kosovës është më e keqe se para 10 vitesh, kur edhe kishin filluar këto investime.

    Kjo gjetje del nga një raport i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, i cili ka matur ecurinë e projekteve hekurudhore të financuara nga Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor.

    Raporti analizon gjithsej 12 projekte në Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut, të financuara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ëBIF).

    Auditorët konstatojnë se projektet janë në përputhje me prioritetet e BE-së për lidhjen e rajonit me rrjetin evropian të transportit, por zbatimi i tyre është karakterizuar me vonesa të mëdha dhe probleme në menaxhim.

    Kësisoj, objektivi i vendosur për përfundimin e rrjetit kryesor të transportit hekurudhor deri në vitin 2030 ka pak gjasa të arrihet.

    Sipas raportit, Komisioni Evropian ka financuar projekte në Ballkanin Perëndimor pa vlerësuar mjaftueshëm gatishmërinë e tyre për zbatim.

    Çka thotë raporti për Kosovën?

    Në këtë raport Kosova përmendet në kuadër të rehabilitimit të rrjetit hekurudhor që lidhë Kosovën me shtetet e rajonit dhe më gjerë.

    Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor brenda Kosovës është 148 kilometra, dhe ishte ndarë në tri faza: Faza e parë fillon nga Hani i Elezit – Fushë Kosovë, faza e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë Jugore dhe faza e tretë është nga Mitrovica e Jugut deri në Leshak, në kufirin me Serbinë.

    Kjo linjë pastaj parashihet të lidhet më korridorin e dhjetë hekurudhor që lidhë Kosovën më Ballkanin Perëndimor dhe rrjetin Trans-Evropian të Transportit.

    Megjithatë, kur kanë kaluar mbi 10 vjet nga koha e nisjes së këtyre projekteve, gjendja aktuale e hekurudhave të Kosovës është më e keqe se kur në kohën kur kishin filluar këto investime.

    Në mostrën e auditimit janë përfshirë dy projekte nga Kosova në këtë korridor: një segment prej 66.8 kilometrash, me grant të BE-së prej 38.5 milionë euro, i miratuar në vitin 2015; dhe një segment tjetër prej 33.4 kilometrash, me grant prej 17.2 milionë euro, i miratuar në vitin 2016.

    Në total, projektet e audituara për Kosovën mbulojnë 100.2 kilometra, si pjesë e rrjetit hekurudhor që është përgjegjësi e Kosovës për ta ndërtuar.

    Auditorët e BE-së gjetën se asnjë nga këto projekte për të cilat Kosova ishte zotuar se do t’i kryejë, nuk ishte përfunduar sipas standardeve të rrjetit kryesor TEN-T deri në kohën e auditimit.

    “Gjetja më kritike për Kosovën është se, në qershor 2025, gjendja e hekurudhës ishte më e keqe sesa para fillimit të projektit”, thuhet në raport.

    Për me tepër, raporti konstaton se transporti hekurudhor i Kosovës ishte ndërprerë që nga viti 2020, pasi disa tunele ishin shembur gjatë punimeve. Po ashtu, auditorët theksojnë se nuk kishte datë të parashikueshme për fillimin e punimeve në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkohë, sinjalizimi dhe elektrifikimi nuk ishin ende funksionalë në kohën e auditimit, në qershor 2025.

    Probleme edhe në rajon

    Raporti evidenton probleme serioze edhe në vendet e tjera të rajonit.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, Komisioni Evropian në qershor 2022 kishte pezulluar dy projekte të miratuara fillimisht, përfshirë segmente të palidhura të Korridorit Vc, për shkak të situatës politike në Republikën Srpska.

    Në Maqedoninë e Veriut, auditorët theksojnë se një seksion hekurudhor prej 23 kilometrash, që duhej të niste në vitin 2024 pranë kufirit me Bullgarinë, ende nuk ishte ndërtuar. Përfundimi i tij ishte planifikuar për vitin 2030. Raporti po ashtu përmend se një grant ishte miratuar për një segment hekurudhor që, në kohën e miratimit, nuk ishte i lidhur plotësisht me vendet fqinje dhe nuk kishte marrëveshje që do të garantonte funksionimin e të gjithë korridorit.

    Për Serbinë, raporti thotë se mbështetja për sektorin hekurudhor është kryesisht ende në fazë planifikimi, me synim përmirësimin e linjave sipas standardeve të BE-së. Në tabelën e raportit, Korridori Hekurudhor X në Serbi ka 513, por asnjë kilometër të përfunduar sipas standardeve të rrjetit kryesor TEN-T; ndërsa për Korridorin Xc, trafiku po zhvillohet vetëm në kushte të veçanta gjatë punimeve. /Buletini Ekonomik/

  • Punëtorëve të RTK’së u dalin pagat, anulohet protesta e paralajmëruar

    Punëtorëve të RTK’së u dalin pagat, anulohet protesta e paralajmëruar

    Sindikata e Punëtorëve të RTK’së ka njoftuar se u janë ekzekutuar pagat.

    Në njoftimin e sindikatës thuhet se meqë kërkesa e tyre është plotësuar, protesta e paralajmëruar anulohet, shrkuan Reporteri.net.

    “Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) njofton të gjithë punëtorët e RTK-së se sot është realizuar pagesa e plotë e pagave, kërkesë kjo e sindikatës sonë për të cilën protestuam të martën e kësaj jave. Duke qenë se kërkesa për pagesën e pagave është përmbushur, SPERTK njofton se protesta e paralajmëruar anulohet, pasi qëllimi sindikal për të cilin u organizua është arritur. Ky është rezultat i qëndrueshmërisë, unitetit dhe solidaritetit të punëtorëve të RTK-së, të cilët dëshmuan se mbrojtja e të drejtave të tyre është mbi çdo interes tjetër”, thuhet në njoftim.

    Sindikata ka thënë se në ditët në vijim do të angazhohen për realizimin e pagës së 13-të dhe për rritjen e shumës së shujtës ditore.

    “Mirënjohje të veçantë shprehim për të gjitha mediet që përcollën me profesionalizëm shqetësimet dhe kërkesat tona, për Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për Sindikatën e KEK-ut, për organizatat e shoqërisë civile, si dhe për European Centre for Press and Media Freedom, të cilat na mbështetën publikisht në përpjekjen tonë të drejtë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve të RTK-së. SPERTK thekson se angazhimi ynë sindikal nuk përfundon me kaq. Përkundrazi, kjo është dëshmi se organizimi sindikal, solidariteti dhe veprimi i përbashkët japin rezultate konkrete në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në njoftim.

  • Bankat e rrisin në 5 euro tarifën për pagesa brenda bankës

    Bankat e rrisin në 5 euro tarifën për pagesa brenda bankës

    Bankat në Kosovë e kanë ngritur në 5 euro tarifën për pagesat që qytetarët i kryejnë brenda degëve bankare. Në shumicën e bankave, tarifa për një pagesë në sportel, ose brenda bankës, tashmë është 5 euro, nga 2.50 euro sa ka qenë vitin e kaluar.

    Kjo tarifë po i prek më së shumti personat e moshuar dhe qytetarët që nuk dinë ose nuk kanë mundësi t’i përdorin shërbimet bankare online. Për ta, sporteli mbetet ende e vetmja mënyrë për të kryer pagesa të faturave, obligimeve apo shërbimeve të tjera.

    Në anën tjetër, pagesat përmes aplikacioneve bankare apo platformave online janë shumë më të lira, në disa raste me tarifa simbolike ose pa pagesë.

    Por M.GJ, pensionist nga Prishtina, thotë se e ka të pamundur t’i përdorë këto aplikacione. Për të dhe shumë qytetarë në Kosovë, pagesat fizikisht në sportele të bankave, mbetet ende mënyra e vetme që e kanë.

    M.Gj., ka ofruar dëshmi sesi banka në të cilën është klient, ia kishte ndalur si provizion 5 euro, për një pagesë në vlerë më të ulët se 1 mijë euro.

    “Kjo është e tmerrshme. Unë jam pensionist. 5 euro tarifa për një pagesë”, ka thënë ai. /Ekonomiaonline