ATV

Blog

  • Sala Jashari me mesazh prekës për Sahit Jasharin: Faleminderit për gjithçka, mixhë

    Sala Jashari me mesazh prekës për Sahit Jasharin: Faleminderit për gjithçka, mixhë

    Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka reaguar me pikëllim të thellë pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, duke e kujtuar atë si një figurë të shquar të historisë së Kosovës dhe simbol të dashurisë për atdheun.

    Përmes një dedikimi emocional, ajo ka shprehur vështirësinë për të gjetur fjalët e duhura në këto momente dhimbjeje, duke e cilësuar Sahit Jasharin si një njeri të fortë, të formuar nga guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë.

    “Vështirë të flas. Në raste të tilla, fjalët heshtin dhe qetësia sfidon edhe psherëtimat. Ti, njeri i çeliktë, i farkëtuar nga guximi dhe dashuria për atdheun. Jetove një jetë plot vepra, e emri yt ka peshë të madhe për ne; je pjesë e historisë së Kosovës”, ka shkruar Jashari.

    Ajo ka theksuar se kujtimi dhe vepra e Sahit Jasharit do të mbeten trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm, duke e quajtur atë “qëndistar të lirisë” dhe motiv për të vazhduar dashurinë ndaj vendit.

    “Ti do të mbetesh motiv për ne dhe, për shumëkënd, arsyeja që na mban të vazhdojmë ta duam vendin tonë. Lavdi jetës dhe veprës sate! Faleminderit për gjithçka mixhë!”, ka përfunduar ajo.

    Mesazhi i Sala Jasharit vjen në kohën kur shumë qytetarë, bashkëluftëtarë dhe personalitete publike po shprehin respektin dhe mirënjohjen e tyre për jetën dhe kontributin e Sahit Jasharit në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

  • Në 35 komuna përfundon numërimi i votave për deputetë – procesi po vazhdon në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Në 35 komuna përfundon numërimi i votave për deputetë – procesi po vazhdon në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Në 35 Qendra Komunale të Numërimit ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateteve të partive.

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net se procesi po vazhdon ende në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.

    Në Prishtinë janë edhe 104 vendvotime pa u numëruar, në Prizren 30 dhe në Gjilan edhe 15 vendvotime.

    “Deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%”, ka deklaruar Elezi.

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ndërkohë është duke vazhduar procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 30 përfaqësi diplomatike, i cili ka filluar pasditen e 11 qershorit.

    “Deri më tani janë numëruar 13 nga 47 vendvotimet e përfaqësitë diplomatike”, ka deklaruar Elezi.

    Më 6 qershor 2026, votimi u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 shtetas të regjistruar, kanë votuar 22,860 apo 82.46%. Këto fletëvotime janë në proces numërimi.

    Në QNR është duke vazhduar edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.

    “Deri në përfundim të ditës së enjte (11 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë rreth 42 mijë, prej të cilave janë aporvuar 40,414, ndërkaq janë refuzuar 1,447. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 1,320 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka theksuar Elezi.

    Ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për mumrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”.

    Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues.

  • Arrestohen dy drejtor të shkollave paralele serbe në Kamenicë, Rahimaj jep detaje

    Arrestohen dy drejtor të shkollave paralele serbe në Kamenicë, Rahimaj jep detaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy drejtor të shkollave paralele serbe në qytetin e Kamenicës.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunë së Kamenicës, Kadri Rahmiaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Ai ka thënë se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim. Rahimaj këtë e ka quajtur si një nga aksionet më të rëndësishme të viteteve të fundit në këtë qytet.

    Reagimi i plotë:

    Faleminderit institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës!

    Pas një pune intensive, është përmbyllur me sukses një aksion i ndërmarrë nga institucionet tona ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar punën e institucioneve tona lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin.

    Në një nga aksionet më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur shtëpitë e lokale dhe më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.

    Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim, siç mbetet e përkushtuar të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme, në koordinim të plotë me institucionet e thirrura për këtë.

  • Zgjatet mandati i ushtarëve gjermanë në KFOR

    Zgjatet mandati i ushtarëve gjermanë në KFOR

    Forcat e Armatosura Gjermane do të vazhdojnë të marrin pjesë në dy misione ndërkombëtare në Ballkan për një vit tjetër, pas një vendimi të parlamentit gjerman të enjten në mbrëmje.

    Bundestagu ra dakord të zgjasë mandatet për misionin e NATO-s, KFOR-in në Kosovë dhe misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë, raportojnë mediat gjermane.

    Tani në vitin e tij të 27-të, misioni në Kosovë është vendosja më e gjatë jashtë shtetit e Bundeswehr-it. Kufiri i personelit mbetet i pandryshuar në 400 ushtarë gjermanë.

  • Homazhe në Skenderaj, varrimi në Prekaz – detajet e ceremonisë për lamtumirën e fundit për Sahit Jasharin

    Homazhe në Skenderaj, varrimi në Prekaz – detajet e ceremonisë për lamtumirën e fundit për Sahit Jasharin

    Komuna e Skenderajt ka njoftuar opinionin publik lidhur me organizimin e ceremonive mortore për Komandantin e UÇK-së, Sahit Jashari, i cili ka ndërruar jetë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndërsa aktivitetet do të organizohen në bashkëpunim me familjen Jashari.

    Homazhet pranë arkivolit të të ndjerit do të mbahen më 12 qershor 2026, nga ora 11:30 deri në orën 14:00, në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    Pas përfundimit të homazheve, në të njëjtin vend do të mbahet mbledhja komemorative, e cila do të nisë në orën 14:00.

    Ndërkaq, ceremonia e varrimit të Sahit Jasharit do të zhvillohet në ora 16:00, në varrezat e lagjes Jashari në Prekaz.

    Komuna ka bërë të ditur se e pamja për ngushëllime do të mbahet më 13 dhe 14 qershor, nga ora 08:00 deri në 16:00, po ashtu në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, miqve, bashkëluftëtarëve, dashamirëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur jetën dhe veprën e të ndjerit Sahit Jashari”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

  • Numërohen rreth 28% e votave nga përfaqësitë diplomatike, prin VV

    Numërohen rreth 28% e votave nga përfaqësitë diplomatike, prin VV

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesin e numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Sipas të dhënave të përditësuara në faqen e KQZ-së, deri më tani janë numëruar 27.66 për qind e votave.

    Bazuar në rezultatet aktuale, e para renditet Lëvizja Vetëvendosje me 83.82 për qind të votave, përkatësisht 6,482 vota.

    Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 7.49 për qind ose 579 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 5.97 për qind, ose në 462 vota.

    Ndërkaq, Aleanca ka marrë 1.60 për qind të votave, gjithsej 124 vota.

  • MINT-i publikon çmimet, kaq kushton një litër naftë sot

    MINT-i publikon çmimet, kaq kushton një litër naftë sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit të ministrisë, nafta do të shitet me çmim maksimal prej 1.52 euro për litër, benzina 1.39 euro për litër, ndërsa gazi 0.68 euro për litër.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të vlejnë deri ditën e nesërme.

  • 27 vjet nga çlirimi i Kosovës

    27 vjet nga çlirimi i Kosovës

    Kosova shënon sot 27-vjetorin e Çlirimit, një nga datat më të rëndësishme në historinë e saj moderne, që lidhet me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe largimin e forcave serbe pas luftës së viteve 1998-1999.

    Më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë pas përfundimit të fushatës ajrore 78-ditore kundër caqeve serbe, duke i hapur rrugë tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës.

    Kjo ditë e madhe për shqiptarët erdhi pas luftës së zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër forcave serbe dhe pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund konfliktit.

    Lufta e viteve 1998-1999 la pas mbi 10 mijë të vrarë, shumica shqiptarë, ndërsa më shumë se një milion qytetarë u detyruan të largoheshin nga Kosova. Pas përfundimit të konfliktit, qindra mijëra refugjatë u kthyen në vendlindjet e tyre, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë vazhdon edhe sot përmes KFOR-it.

    Me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit, institucionet e Kosovës kanë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore.

    Agjenda e përbashkët e Qeverisë në detyrë dhe Presidencës nis në orën 09:00 me homazhe në Kompleksin Memorial “Kompleksi Memorial Adem Jashari” në Prekaz.

  • Azemi zbulon datat: Kur pritet të dalin 100 eurot e qeverisë për punëtorët e sektorit privat

    Azemi zbulon datat: Kur pritet të dalin 100 eurot e qeverisë për punëtorët e sektorit privat

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka reaguar lidhur me vonesat në shpërndarjen e 100 eurove të premtuara nga qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit privat.

    Azemi tha se procesi i realizimit të kësaj mase kishte ngecur, duke krijuar pasiguri te përfituesit

    “Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, deklaroi ai në Kanal10.

    Sipas Azemit, megjithëse bëhet fjalë për një shumë jo të madhe, ajo është premtuar dhe punëtorët kanë të drejtë të dinë se kur do të realizohet pagesa.

    “Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, tha ai.

    Kryetari i sindikatës bëri të ditur se, bazuar në informacione jozyrtare që disponon organizata që ai drejton, procesi i ndarjes së mjeteve pritet të nisë shumë shpejt.

    “Sipas informacioneve tona jozyrtare, kjo ndarje e mjeteve do të fillojë nesër, eventualisht më së largu të hënën”, u shpreh Azemi.

  • Rrebeshe shiu dhe rrufe, parashikimi i motit për sot

    Rrebeshe shiu dhe rrufe, parashikimi i motit për sot

    Të premten parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të kemi kalimin e frontit të ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, të cilat herë pas here do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

    Reshjet lokalisht do të vazhdojnë edhe në orët e mëngjesit, më pas dita do të vijojë me vranësira të shpeshta dhe intervale me diell.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 11 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 17 deri në 20°C.