ATV

Blog

  • Dita e pestë – Vazhdon verifikimi dhe numërimi i 149 vendvotimeve të fundit në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Dita e pestë – Vazhdon verifikimi dhe numërimi i 149 vendvotimeve të fundit në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga procesi që po zhvillohet pas ditës së zgjedhjeve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se “deri më tani (e premte, 12 qershor 2026, ora 09:00) procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 35 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,349 nga 2,498 vendvotime apo 94.04%”.

    Sipas tij, procesi i numërimit dhe verifikimit nuk është përmbyllur ende në 3 QKN-të tjera: Gjilan (112/127); Prizren (202/232); dhe Prishtinë (158/262). Numri i përgjithshëm i vendvotimeve që i takojnë këtyre QKN-ve që janë në proces është 149.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/, kanë bërë të ditur nga KQZ.

    Gjithashtu, KQZ ka njoftuar se brenda katër ditësh, deri pasditen e 11 qershorit, procesi i numërimit dhe verifikimit është përmbyllur në 35 QKN.

    Në ditën e parë pas ditës së zgjedhjeve, më 8 qershor, në orën 24:00, procesi është përmbyllur në pesë komunat e para: Junik (6 vendvotime), Shtërpcë (17), Hani i Elezit (11), Partesh (7) dhe Mamushë (5).

    Një ditë më vonë, deri më 9 qershor në orën 16:00, numri i komunave që kanë përfunduar procesin u rrit në 13, me përmbylljen e numërimit dhe verifikimit edhe në Zubin Potok (15), Zveçan (11), Kllokot (8), Novobërdë (23), Obiliq (34), Shtime (33), Ranillug (10) dhe Mitrovicë e Veriut (21).

    Deri më 10 qershor në orën 16:00, procesi është përmbyllur edhe në nëntë komuna të tjera: Deçan (48), Dragash (57), Kamenicë (46), Graçanicë (33), Klinë (62), Viti (62), Kaçanik (44), Rahovec (75) dhe Leposaviq (25). Po atë ditë, deri në orën 24:00, numërimi dhe verifikimi u përmbyll edhe në Istog (60), Skenderaj (71), Malishevë (72), Drenas (73), Lipjan (83), Pejë (135) dhe Podujevë (103).

    Ndërkaq, deri më 11 qershor në orën 16:00, procesi kishte përfunduar edhe në gjashtë komuna të tjera: Fushë Kosovë (62), Ferizaj (146), Suharekë (86), Vushtrri (89), Mitrovicë e Jugut (100) dhe Gjakovë (144).

    Në total, deri në këtë fazë, procesi i verifikimit dhe numërimit ishte përmbyllur në 35 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit në Kosovë.

  • Shkencëtarët: El Niño ka nisur dhe mund të sjellë valë të motit ekstrem

    Shkencëtarët: El Niño ka nisur dhe mund të sjellë valë të motit ekstrem

    El Niño – modeli natyror i motit në Paqësor që rrit temperaturat globale – ka filluar zyrtarisht, thonë shkencëtarët amerikanë.

    Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA) ka deklaruar se kushtet e El Niño tani janë duke u zhvilluar në Paqësorin tropikal, me temperaturat e sipërfaqes së detit që janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit, ka raportuar BBC.

    Shumë parashikime sugjerojnë se kjo mund të përfundojë si një i ashtuquajtur El Niño “super”, dhe madje të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.

    Duke ardhur në krye të dekadave të ngrohjes së shkaktuar nga njeriu, kjo mund të sjellë një tjetër vit rekord të nxehtë – me shumë mundësi në vitin 2027 – me ndërprerje të motit, furnizimeve me ushqim dhe ekonomive që do të vazhdojnë edhe në atë vit.

    Ky njoftim nga NOAA nuk është një surprizë pasi parashikuesit e kanë pritur këtë fazë ngrohjeje, pasi modeli më i ftohtë “motër”, La Niña, përfundoi në fillim të këtij viti.

    Temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin qendror dhe tropikal tani kanë kaluar pragun 0.5C mbi mesataren që shkencëtarët amerikanë përdorin për të përcaktuar një ngjarje El Niño.

    “Kushtet e El Niño-s u zhvilluan gjatë muajit të kaluar, siç tregohet nga temperaturat mbi mesataren e sipërfaqes së detit (SST) në të gjithë Oqeanin Paqësor ekuatorial qendror deri në atë lindor”, tha agjencia.

    NOAA ka parë gjithashtu erërat mbi Paqësorin ekuatorial të fillojnë të ndryshojnë – një shenjë se atmosfera tani po i përgjigjet oqeanit më të ngrohtë, jo vetëm ngrohjes së oqeanit më vete.

  • Përfundon numërimi në 35 QKN, mbesin vetëm edhe Prishtina, Prizreni e Gjilani

    Përfundon numërimi në 35 QKN, mbesin vetëm edhe Prishtina, Prizreni e Gjilani

    Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e 7 qershorit, po shkon drejt fundit.

    Nga 38 Qendra Komunale të Numërimit, ky proces ka përfunduar në 35 prej tyre, derisa është duke vazhduar edhe në tri të tjera.

    Ne mësin e komunave që po vazhdon numërimi janë Prishtina, Prizreni dhe Gjilani.

    Në Prishtinë nga 262 vendvotime janë numëruar 138 prej tyre, apo 52.67%.

    Kurse, në Prizren procesi i numërimit ka shkuar në 75.43%, ku nga 132 kuti, numërimi është kryer në 175 prej tyre.

    Edhe në Gjilan janë numëruar mbi 81% të vendvotimeve, ku nga 127 kuti, kanë përfunduar 103.

    Gjatë ditës së sotme, ky proces ka përfunduar në Fushë Kosovë, Ferizaj, Suharekë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë, derisa në QKN-të tjera ka përfunduar ditë më parë.

  • Këta janë kandidatët e pafat me më së paku vota

    Këta janë kandidatët e pafat me më së paku vota

    Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po shkon drejt fundit pasi tashmë janë procesuar 91, 39 për qind e vendvotimeve.

    Emrat që kryesojnë listat e partive të mëdha dihen, por jo të gjithë kanë pasur fatin që të ngjiten në krye për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje, deri tash dy më pak të votuarit janë Feim Tahirsylaj me 2 mijë e 513 vota, dhe Arijeta Ajeti me një mijë e 948 sosh.

    Te Partia Demokratike të Kosovës më së paku vota kanë tubuar, Shaqir Hetemi me 729, dhe Ilir Peci me 649.

    Nga kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Pajtesa Aliu Krasniqi me 854 vota dhe Albulena Bilalli me 825 janë më pak të votuarat.

    Ndërsa, nga Aleanca, më së paku vota deri tash kanë marrë Xhelal Krasniqi me 461 dhe Abdylnaser Sefa, 457.

  • Numërohen 90% e votave të kandidatëve

    Numërohen 90% e votave të kandidatëve

    Tashmë janë numëruar mbi 90 për qind e votave të kandidatëve të partive nga zgjedhjet e parakoshme parlamentare të 7 qershorit. Më saktësisht, janë numëruar 90.87 për qind e votave nga KQZ-ja.

    Aktualisht, në Lëvizjen Vetëvendosje më së shumti vota ka Albin Kurti, 218, 736 vota, ndërkaq Glauk Konjufca i ka 171,749 vota. Albulena Haxhiu ka 100,153 vota, teksa Hekuran Murati, 86 mijë e 878.

    Te PDK-ja, më i votuari është Bedri Hamza, pasi ka 107,537 vota.

    Te LDK-ja, Vjosa Osmani ka 72 mijë e 521 vota, teksa te Aleanca, Ardian Gjini, 38 mijë e 189 vota

  • Sulmi me kallash ndaj autobusit me udhëtarë në Malishevë, Prokuroria e Gjakovës del me detaje

    Sulmi me kallash ndaj autobusit me udhëtarë në Malishevë, Prokuroria e Gjakovës del me detaje

    Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar se personi i dyshuar për sulm me kalash ndaj autobusit me udhëtarë në fshatin Pagarushë të Malishevës, është ndaluar për 48 orë.

    I arrestuari është S.M, i cili dyshohet për veprat Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    Aty theksohet se do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

    “Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.

  • Lirohen nga paraburgimi drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë

    Lirohen nga paraburgimi drejtorët e institucioneve serbe në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka hequr masën e paraburgimit njëmujor drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, të cilët Prokuroria i ngarkon me veprën e ndikimit në vullnetin e lirë të votuesve.

    Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

    “Ata do të mbrohen në liri”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) avokatja e njërit prej të dyshuarve, Jovana Fillipoviq.

    Gjykata fillimisht ua kishte caktuar masën e paraburgimit më 21 maj, me arsyetimin se ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lirohen, mund t’i shmangen përgjegjësisë penale ose ta përsërisin veprën penale.

    Arrestimi i drejtorëve të institucioneve serbe në Kosovë erdhi pasi lideri i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, e akuzoi Listën Serbe se po ushtron presion dhe po shantazhin mbështetësit e tij.

    Ai pohoi se rreth 20 persona që e mbështesin janë pushuar nga puna nga këto institucione serbe dhe se në periudhën e ardhshme, rreth 40 persona të tjerë pritet të marrin një vendim për shkarkimin e tyre vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

    Ndalimi i paraburgimit u urdhërua për Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Lllapna Sellë; Boban Petroviq, drejtor i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Sushicë; Millica Dimiq, drejtoreshë e shkollës fillore “Braqa Aksiq” në Lipjan; Nebojsha Rashiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Makinerisë në Preoc; Bratisllav Llaziq, drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Graçanicë; Mirjana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë; Sasha Mlladenoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericën e Ulët.

    Radio Evropa e Lirë (REL) ka publikuar gjithashtu rrëfimet e disa personave, të cilët thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit. Ata kishin qenë të punësuar për disa dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit kontrollohen kryesisht nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Nga ana tjetër, Lista Serbe i ka mohuar këto akuza, duke thënë se bëhet fjalë për “përndjekje dhe frikësim”.

    Ndërkohë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se misioni i tij për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, po e monitoron këtë rast në terren dhe se pret një “proces të drejtë ligjor gjatë gjithë procedurës, në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”.

    Autoritetet e Kosovës e kanë mirëpritur reagimin e Prokurorisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Serbia kanë vlerësuar se arrestimet kanë qenë të motivuara politikisht./REL/

  • Konfirmohen 5 prokurorët që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Konfirmohen 5 prokurorët që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit

    Pesë emra të prokurorëve janë konfirmuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, afati për konkursin e të cilit është mbyllur të mërkurën më 10 qershor.

    Sipas renditjes alfabetike, në këtë pozitë kanë aplikuar:

    Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

    Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Dema, shkurtimit përmes telefonit ka thënë “po kam aplikuar”.

    Në anën tjetër, prokurori Abazi ka thënë se me këtë konkurs pret që të plotësohet pozicioni më i rëndësishëm brenda Sistemit Prokurorial.

    “Po unë dje kam aplikuar, siç e dini ka qenë afati i fundit për aplikim, kështu që jam pjesë e konkursit që është shpall nga ana e Këshillit Prokurorial. Ju e dini që kjo është pozitë e cila ka qenë ndër vite me ushtrues detyre, dhe tash me këtë konkurs është një ndër konkurset që e plotëson ndoshta edhe pozicionin më të rëndësishëm në sistemin prokurorial. Po besoj që do të jemë pjesë e një gare që do të jetë transparente, meritore dhe të zgjidhet kandidati që i plotëson të gjitha kriterët siç është kërkuar nga ana e Këshillit, Ligjin për Këshillin Prokurorial, Prokurorin e Shteti dhe rregullorët që i ka këshilli në fuqi”, është shprehur Abazi.

    Prokurori Halimi ka thënë se është me interes të sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve që kjo pozitë të plotësohet me mandat të rregullt.

    “Ju konfirmojë se kam aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Është në interes të sistemit të drejtësisë dhe të qytetarëve që Kryeprokurori i Shtetit të zgjidhet sa më shpejtë përmes një procesi të rregullt dhe transparent”, ka shtuar ai.

    Ndërsa, thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë nuk i është përgjigjur prokurori Shqipdon Fazliu, mirëpo kandidimin e tij e kanë konfirmuar disa burime brenda sistemit prokurorial.

    Kandidimin në këtë garë, e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.

    “Po është e vërtetë, e konfirmoj kandidimin tim për Kryeprokuror të Shtetit”.

    Megjithatë, lista e plotë me të gjithë emrat që kanë kandiduar për këtë pozitë, pritet të bëhet publike ditëve në vazhdim, pasi të bëhet edhe verifikimi i aplikimeve të kandidatëve, për çështjen e plotësimit të kritereve.

    Përveç emrave të konfirmuar, si kandidatë të mundshëm janë diskutuar edhe zëvendëskryeprokurori i PSRK-së, Valdet Gashi, prokurori special Admir Shala, prokurori i Gjilanit Arben Ismajli dhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, mirëpo të njëjtit përmes përgjigjeve me shkrim e kanë mohuar.

    Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

    Kujtojmë se në atë mbledhje, anëtari Milot Krasniqi e kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit. Ai kishte kritika për atë që e quante “nxitim të shpalljes së konkursit” pa qenë të pranishëm i gjithë Këshilli në takim, duke thënë se Këshilli nuk duhet të bie në diktatin e pushteteve tjera, derisa theksoi se kandidati Blerim Isufaj ishte refuzuar nga atëkohë presidentja Vjosa Osmani, pa një vendim të arsyetuar.

    “Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth 4 vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folë dhe flasin tjerët- ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces”, kishte thënë ndër të tjera Krasniqi.

    Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi

  • Maroku merr goditje të rëndë para Botërorit-Humb Aguerd dhe Ez Abde

    Maroku merr goditje të rëndë para Botërorit-Humb Aguerd dhe Ez Abde

    Kombëtarja e Marokut ka pësuar një goditje të madhe vetëm pak ditë para nisjes së aventurës në Kupën e Botës 2026, pasi dy prej futbollistëve të saj më të rëndësishëm, Ez Abde (Abdessamad Ezzalzouli) dhe Nayef Aguerd, janë detyruar të tërhiqen nga turneu për shkak të lëndimeve.

    FIFA ka miratuar tashmë zëvendësimet e tyre në listën zyrtare të “Luanëve të Atlasit”. Sipas raportimeve, në vend të dy lojtarëve të dëmtuar janë ftuar Marwane Saadane, mbrojtësi 34-vjeçar i Al Fateh, dhe Amine Sbai, sulmuesi 25-vjeçar i Angers.

    Të dy futbollistët ndodheshin tashmë me ekipin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ishin pjesë e përgatitjeve të fundit para fillimit të turneut.

    Mungesa e Nayef Aguerd konsiderohet një humbje e madhe për repartin defensiv të Marokut. Mbrojtësi qendror nuk ka luajtur që nga muaji mars për shkak të një problemi në ijë, i cili më pas u komplikua edhe nga një frakturë në zonën pubike. Pavarësisht përpjekjeve për rikuperim, ai nuk arriti të jetë gati në kohë për Botërorin.

    Nga ana tjetër, Ez Abde pësoi një dëmtim në gju gjatë ndeshjes miqësore ndaj Norvegjisë. Fillimisht kishte shpresa që sulmuesi të qëndronte në listë dhe të rikuperohej gjatë fazës së grupeve, por ekzaminimet e fundit mjekësore detyruan stafin teknik të marrë vendimin për ta zëvendësuar.

    Të dy lojtarët kanë pasur rol kyç në sukseset e fundit të Marokut, përfshirë ecurinë historike deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022, si dhe paraqitjet e forta në arenën afrikane.

    Mungesa e tyre vjen në momentin më të papërshtatshëm për përfaqësuesen marokene, e cila synon të përsërisë paraqitjen mbresëlënëse të realizuar në Katar.

    Maroku do ta nisë fushatën e tij në Grupin C me një përballje të vështirë ndaj Brazilit, ndërsa më pas do të luajë kundër Skocisë dhe Haitit.

    Trajneri Mohamed Ouahbi tani do të duhet të riorganizojë planet e tij taktike dhe të gjejë zgjidhje të reja për të mbuluar mungesën e dy prej armëve më të rëndësishme të skuadrës në prag të turneut më të madh të futbollit botëror.

  • Kupa e Botës 2026 dhe gjumi: A ia vlen të sakrifikoni netët për futbollin?

    Kupa e Botës 2026 dhe gjumi: A ia vlen të sakrifikoni netët për futbollin?

    Për tifozët evropianë, ndeshjet e Kupës së Botës të zhvilluara në Amerikën e Veriut shpesh nënkuptojnë net pa gjumë. Ndeshjet përfundojnë në orët e hershme të mëngjesit sipas kohës në Kosovë, ndërsa rutina pas tyre zakonisht përfshin pak gjumë, lodhje dhe përpjekje për t’iu rikthyer aktiviteteve të përditshme.

    Në pamje të parë, një natë pa gjumë mund të duket e padëmshme. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se organizmi nuk funksionon me “kredi falas”. Sipas specialistit të mjekësisë së gjumit, Joachim Ficker, trupi mund të përballojë përkohësisht një natë pa gjumë falë mekanizmave kompensues që aktivizohen në tru për të ruajtur funksionet bazë.

    Problemet fillojnë zakonisht gjatë mesditës dhe pasdites, kur shfaqen rënie të ndjeshme të energjisë dhe përqendrimit. Në këto momente, performanca mendore mund të bjerë në nivele të krahasueshme me një gjendje të lehtë dehjeje.

    Eksperti tjetër i gjumit, Dieter Kunz, thekson se rreziku bëhet edhe më i madh kur mungesa e gjumit vazhdon për disa ditë. Në këto raste, organizmi fillon të pësojë pasoja më serioze dhe progresive.

    Studimet shkencore tregojnë se edhe një javë me vetëm gjashtë orë gjumë në natë mund të shkaktojë ndryshime të rëndësishme biologjike. Një nga rreziqet më të mëdha është mikrogjumi – episode shumë të shkurtra të humbjes së vëmendjes që zgjasin vetëm disa sekonda dhe mund të jenë veçanërisht të rrezikshme gjatë drejtimit të automjetit.

    Kupa e Botës 2026 do të jetë një sfidë e veçantë për tifozët për shkak të diferencës kohore mes Amerikës së Veriut dhe Evropës. Me shumë ndeshje që do të zhvillohen gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit, ndjekja e të gjithë turneut do të jetë praktikisht e pamundur për shumicën e njerëzve.

    Turneu do të zgjasë 38 ditë dhe do të përfshijë një numër rekord ndeshjesh. Për tifozët më të përkushtuar, shikimi i katër ndeshjeve në ditë mund të nënkuptojë deri në tetë orë transmetim, pa llogaritur analizat dhe përmbajtjet shtesë.

    Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë një qasje më të balancuar. Ndeshjet që zhvillohen në orare më të favorshme duhet të kenë përparësi, ndërsa përballjet e vona mund të ndiqen përmes përmbledhjeve dhe analizave në mëngjes.

    Gjatë fazës së grupeve, prioritet duhet të jetë ruajtja e ritmit normal të gjumit. Vetëm në fazat vendimtare, si çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja, mund të justifikohet sakrifikimi i disa orëve gjumë për të mos humbur momentet më të rëndësishme të turneut.

    Po ashtu, ekspertët nuk e konsiderojnë zgjidhje ideale kompensimin e netëve pa gjumë me gjumë të gjatë gjatë ditës. Kjo mund të prishë ritmin natyror të organizmit dhe ta bëjë më të vështirë gjumin gjatë natës.

    Në fund, mënyra më e mirë për ta shijuar Kupën e Botës 2026 është krijimi i një përvoje personale, duke zgjedhur ndeshjet më interesante dhe duke shmangur ngarkesën e tepërt fizike. Në një turne kaq të madh, selektimi nuk është humbje, por mënyra më realiste për të shijuar futbollin pa rrezikuar shëndetin.