ATV

Blog

  • ​Muja sfidon opozitën: Jemi të gatshëm për zgjedhje, Asociacioni sfidë për vendin

    ​Muja sfidon opozitën: Jemi të gatshëm për zgjedhje, Asociacioni sfidë për vendin

    Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Derisa ai thekson se themelimi i Asociacionit për komunat me shumicë serbe vazhdon të jetë sfidues për vendin.

    Megjithatë, deputeti Armend Muja ka thënë partia e tij nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që shkel integritetin dhe unitetin e Kosovës. Ndërkaq, Muja përtej sfidave të kësaj qeverie, ka përmendur edhe disa sektor që kanë pasur performancë të mirë në vend me Qeverinë Kurti.

    “Besoj që është një sfidë, gjitha marrëveshjet e këqija vazhdojnë të jenë sfida për Kosovën. Por, ju garantoj, as LVV kurrë asnjëherë nuk zbaton asnjë marrëveshje, projekt, i cili e cenon integritetin shtetëror të Kosovës, dhe mbi të gjitha unitaritetin e shtetit të Kosovës, nuk guxojmë të shkojmë në atë drejtim”, thotë Muja.

    Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Muja thotë se ‘nëse opozita është e gatshme për zgjedhje të reja, pozita është e gatshme të shpërndajë Kuvendin’.

    “A po doni zgjedhje, hajde shkojmë në zgjedhje, pra ta shpërbejmë Kuvendin, pra a i votoni marrëveshjet, sepse këto projekte duhet të zhvillohen. Në rast se po dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje, për t’i dhënë një benfit Kosovës, në rregull, por vetëm këto sanksione që na kanë vendos duhet t’i heqin” thotë ai.

    Ndërkaq, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja përtej sfidave të kësaj qeverie, ka përmendur se vendi ka pasur rritje pozitive ekonomike.

    “Të fillojmë nga shteti ose aparati shtetëror, qeveria është më e vogël me më pak ministri, kjo po harrohet, më e digjitalizuara dhe ofron shumë më shumë shërbime. E dyta është tek sovraniteti i brendshëm i vendit në veri dhe e tjetra është, aspekti në zhvillimin ekonomik në ndërkohë që gjitha vendet e Evropës kanë qenë në krizë, Kosova ka pas rritje pozitive ekonomike. Po ashtu që është thelbësore është riqarkullimi i pasurisë në shtresat ose programe sociale tek shtresat më të ndejshme, që nga fëmijët e deri tek nëna”, shton Muja.

    Deputeti Armend Muja ka folur edhe për realizimin e projekteve kapitale, i cili thekson se janë disa projekte që duhet të implementohen këtë vit, por që sipas tij nuk kanë ndërlidhje me zgjedhjet.

    “Investimet kapitale e as qeveria nuk ka ndonjë ndërlidhje me zgjedhjet, për arsyeje se ka disa projekte që duhej të implementohen, kemi të bëjë me projekte, akse nacionale. Rruga Prishtinë-Mitrovicë që është duke pritur që nga viti 2009 dhe për këtë jemi të vonuar, rruga Prishtinë-Podujevë po ashtu është e rëndësishme. Po ashtu rruga Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjakovë, por edhe një aspekt tjetër është rruga tuneli Prishtinë-Tetovë, është shumë i rëndësishëm për transaksionet ndërshqiptare, transaksionet ekonomike ndërshqiptare dhe këto janë projekte kyçe kapitale të cilat shoqëria, aparati shtetëror të ketë prioritetin këtu”, thotë Muja.

    Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për zgjedhjes, porse ka thënë se duhet të dakordohet edhe me partitë tjera opozitare për këtë. Me ç’rast, pas kësaj PDK ka deklaruar se do t’i votojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

  • Opozita kritikon Qeverinë për dështim në shumë aspekte: Duhet shumë kujdes se kujt ia japim votën

    Opozita kritikon Qeverinë për dështim në shumë aspekte: Duhet shumë kujdes se kujt ia japim votën

    Qeveria Kurti ka hyrë në vitin e fundit të këtij mandati, dhe derisa u premtuan reforma rrënjësore dhe u krijuan pritshmëri të larta, opozita po e kritikon Qeverinë për dështim.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë për Ekonomia Online se fatkeqësisht janë vite të humbura për Kosovën në secilën sektor.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reqica ka deklaruar se Qeveria aktuale ka dështuar në të gjitha aspektet. Sipas tij në luftimin e krimit të organizuar, në raportet me miqtë ndërkombëtar, në marrëdhëniet ndërshqiptare shumë të tjera.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka theksuar se tash e tutje duhet të kemi shumë kujdes se kujt ia japim votën sepse po na humbin vitet.

    “Fatkeqësisht janë katër vite po thuajse ose tri vite e ca të humbura për Kosovën, fatkeqësisht po them në secilën sektor, që njeriu prek sot qoftë në ekonomi, qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi, qoftë në drejtësi, qoftë në drejtimin e infrastrukturës. Në çdo aspekt Kosova ka pasur stagnim total ose në fusha të caktuara edhe regres të madh, mos të flas për politikën e jashtme, që pothuajse Kosova nuk ka pasur fare politikë të jashtme. Prandaj për fatin e keq ashtu siç kemi thënë edhe në fillim që nuk duhet që njerëzit në Kosovë, votuesit të eksperimentojnë, sepse nëse mbani mend para tre vite e gjysmë njerëzit flisnin thonin hajt ta provojmë një ndryshim shteti nuk është arenë provash nuk është arenë eksperimentesh”.

    “Do të kemi shumë kujdes se kujt ia japim votën sepse më pas humbin vite. Po them kështu sepse statistikisht kemi humbur tre vite e gjysmë me këtë qeveri aspektin e pasojave politike aspektin e pasojave të mëdha zhvillimit të këtij vendi janë pothuajse një dekadë sepse është ndal zhvillimi është ndal reforma në arsim reforma në shëndetësi, gjithçka është ndal dhe çka kemi ikje masive të njerëzve mungesë të shpresës për të jetuar këtë vend në  mungesë të investimeve të huaja. Mungesa, mungesa, mungesa…”, ka thënë Selmanaj.

    Selmanaj mendon se kësaj qeverie po i vie fundi, por se ai ka një lutje për qytetarët që kurrë të mos e sjellin në pushtet një model dhe një logjikë të tillë qeverisjeje.

    “Prandaj po them që rasti i kësaj Qeverie kur populistët vijnë në qeverisje duke folur fjalë më tepër se çka dëshiron populli dhe jo në fakt se çka ka kapacitet dhe mundësi që të bëj. Meqë është rasti i fundit ku njerëzit duhet ta kuptojnë që nuk bëhet shaka me shtetin duhet të kemi shumë kujdes njerëzit që i zgjedhim sepse më pas mund me vite të tana të ankohemi të vajtojmë ja çka i bëmë vetes ja çka i bëmë vetes. Mendoj që kësaj Qeveri mirë që po i vie fundi, por me një lutje me një kërkesë që kurrë një model i tillë një logjikë e tillë qeverisje mos të përsëritet për vendin. Në çdo përsëritje ose çdo reprizim të kësaj logjike qeverisje është edhe një dëm tjetër për Kosovën edhe një pasojë e madhe për Kosovën edhe një stagnim tjetër për Kosovën. Prandaj Kosova mendoj që është në një sahat ku duhet secili njeri të mendoj seriozisht për votën e tij në mënyrë që këto dëme që i janë sjell Kosovës tash e tri vite të ndalen dhe Kosova të merr një trajektore tjetër të zhvillimit të ecjes, konsolidimit në çdo sferë të jetës në Kosovë”, ka thënë tutje Selmanaj.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reqica ka thënë se Qeveria aktuale ka dështuar në të gjitha aspektet. Sipas tij në luftimin e krimit të organizuar, në raportet me miqtë ndërkombëtar,  në marrëdhëniet ndërshqiptare  shumë të tjera.

    “Kjo Qeveri ka mbushur tri vite me 22 mars dhe realisht kanë kaluar edhe dy muaj dhe është kah fundi i mandatit të saj. Realisht unë nuk mund të gjej ndonjë pikë nga përpjekjet, programet dhe premtimet të cilat i ka realizuar kjo qeveri. Në të gjitha aspektet në luftimin e krimit të organizuar ka dështu në raportet me miqtë ndërkombëtar, ka dështu në marrëdhëniet ndërshqiptare, ka dështu në çështje sociale. Përveç strehimit dhe rregullimit të militantëve të tyre nëpër institucioneve të Kosovës, në asnjë segment tjetër nuk shoh asnjë rezultat asnjë sukses nga premtimet e bujshme në bazë të cilave i kanë marrë me 14 shkurt 50 për qind të votave”, ka thënë Reqica për Ekonomia Online.

  • Kurti takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

    Kurti takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim dje Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

    Rezultati i mbledhjes së djeshme në Këshillin e Evropës, çështjet bilaterale dhe rajonale si dhe projektet e përbashkëta ishin temë e diskutimit.

    Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për qëndrimin e mbajtur dje gjatë takimit të komitetit të ministrave në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. E falënderoi gjithashtu edhe për mbështetjen në projektet e përbashkëta, ku veçoi ndihmën për zgjerimin e projektit për verifikimin e diplomave për studentët nga komuniteti serb për qëllime punësimi në institucionet e Republikës së Kosovës.

    Në takim u bisedua edhe për rezultatet e takimit e tretë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) për Planin e Rritjes që u zhvillua dje në Kotorr të Malit të Zi dhe Deklaratën e Përbashkët nga ky takim.

    Kujtojmë që Deklarata e Përbashkët nga samiti i djeshëm në Kotor, mes tjerash bën thirrje për trajtim të barabartë në CEFTA, zbatim të plotë marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit si dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor Gjashtë të bëhen pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar.

  • Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Policia nis hetimet për vdekjen e një burri në Prizren, dyshohet se vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën

    Një burrë në Prizren, dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me rrymën.

    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ku ka bërë me dije se tashmë ka nisur hetimet për rastin.

    “HETIM I VDEKJES – Fsh. Hoq e Qytetit, Prizren 17.05.2024-19:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar, ka humbur jetën si pasoj e kontaktit me rrymë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendim e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti për sot, këto janë temperaturat

    Moti sot parashihet të mbajë kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 28°C.

    Vonë pasdite apo në mbrëmje, ka mundësi të ketë shtim të vranësirave, të cila mund të gjenerojnë ndonjë reshje të izoluar.

    Pluhuri Saharian do të vazhdojë të jetë prezent.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-46 km/h.

  • Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kurti e Murati bëjnë sot lansimin e pilotimit të projektit për reformën e asistencës sociale

    Kryeministri Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Financave, Punëve dhe Transfereve, do të bëjnë sot Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale.

    Konferenca do të mbahet në orën 13:30.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati bëjnë Lansimin e Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, thuhet në njoftim.

  • Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kurti uron Plenkoviqin për mandatin e ri: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti ka uruar homologun e tij, Andrej Plenkoviq i cili fitoi edhe një mandat tjetër si kryeministër i Kroacisë.

    Kroacia mori një qeveri të re të 16-të të kryesuar nga Andrej Plenkoviq i partisë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ).

    Parlamenti kroat votoi për një qeveri të re me 79 vota, ndërsa një deputet abstenoi dhe 61 deputetë votuan kundër.

    E kryeministri i vendit, Kurti me anë të një postimi në rrjetin social ‘X’ e uroi homologuën e tij, duke thënë se Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë dhe mezi preisn që të vazhdojnë bashkëpunimin.

    “Urime kryeministrit kroat @AndrejPlenkovic për mandatin tuaj të tretë dhe për qeverinë e sapoformuar. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj me Kroacinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fuqishëm”, deklaroi ai.

    Qeveria e re do të ketë 18 ministri dhe shtatë zëvendëskryeministra në vend të 16 sa ishin deri më tani.

    Qeveria e re e Kroacisë u formua nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) dhe Lëvizja për Atdheun (PD), me mbështetjen e disa deputetëve të partive minoritare, por pa Partinë e Pavarur Demokratike Serbe (SDSS).

  • Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Bujar Osmani në mbledhjen e Komitetit të Ministrave: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Duke shtuar se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Osmani theksoi se anëtarësimi do të ndikojë edhe në stabilitetin e bashkëpunimit rajonal

    “Është e një rëndësie të madhe që ne të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht e kemi mbështetur ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që rekomandon Komitetin e Ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë”, tha Osmani.

    “Besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”

    Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të ndërmarrë hapa konkretë për Asociacionin.

    Ndërsa, gjatë ditës, kryesuesi aktual i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komision është duke shqyrtuar se si të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

  • Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, dëm ekonomik e social

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes, dy marrëveshje ndërkombëtare nuk i morën votat e nevojshme.

    Njëra nga marrëveshjet që nuk kaloi në Kuvend, ishte ajo ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, për zhvillim ndërkombëtar për programin “Financat publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”, në vlerë prej 40 milionë euro.

    Mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, hap hendek të madh në ekonomi, derisa, sipas tij, faji është i Qeverisë që nuk komunikoi me partitë opozitare, për ta votuar atë.

    “Si reflekton kjo përballë faktorit ndërkombëtar, si e ndiejnë veten donatorët që kanë qenë pjesë dhe sponsorizues të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë, dhe të refuzohet një ndihmë e tillë kur Kosova ka nevojë për ndihmë në çdo pore, në rini, shëndetësi, ekonomi e të tjerë, vërtet është një njollë për Kosovën dhe me këtë qasje i largojmë mbështetësit, të cilët do t’i kërkojmë por do të jetë vonë”, tha Gërxhaliu.

    Megjithatë, një marrëveshje e tillë ka mundësi që sërish të shkojë për votim në Kuvend, nëse ekziston vullneti që të bëhet rinegocimi mes Ministrisë së Financave dhe Fondit “OPEC”, që të bëhen ndryshimet që opozita po i kërkon.

    “ky rinegocim do të bënte rishikimin e vërejtjeve të dhëna nga deputetët proces ky i cili do të arrinte në një marrëveshje të re, që do të arrinin në kuvend dhe do të kërkonin edhe një herë vullnetin aprovues të deputetëve. Nëse nuk ka një procedurë të tillë marrëveshjet nuk mund të kthehen edhe njëherë, sepse e kanë marrë përgjigjen e deputetëve të kuvendit me përmbajtjen ekzistuese”, tha Arbër Thaçi nga KDI.

    Kur ministri i financave, Hekuran Murati, kishte prezantuar këtë marrëveshje, pati thënë që përmes saj synohet të mbështeten prioritetet e qeverisë që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik.

    Mirëpo, opozita kishte kërkuar që kjo marrëveshje të lidhej me ndonjë projekt konkret kapital, të rinegociohej e më pas të sillej për votim në Kuvend.

  • Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Në Luginë mirëpritet votimi i projektligjit për të drejtën pronësore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me 65 vota për, deputetët e miratuan në lexim të parë Projektligjin për të Drejtat Pronësore për Shtetasit e Huaj.

    Nëse ai e kalon edhe fazën tjetër dhe bëhet ligj, më së shumti pritet t’u shërbejë qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët do të kenë mundësi të bëhen titullarë të pronave, njësoj si çdo qytetar i Kosovës.

    Kështu, ndryshimet ligjore konsiderohen të mirëseardhura në Luginë.

    “Padyshim se është në vazhdën e ndryshimeve pozitive, duke ua siguruar të drejtën e plotë që të ndihen qytetarë të barabartë në Republikën e Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Nëse e shikojmë nga ana individuale, projektligji është mirë që është aprovuar, madje është me vonesë, sepse shumë shqiptarë të Luginës kanë blerë prona, por nuk kanë mundur t’i bartin në emrin e vet”, tha Nexhat Beluli tha Spektri TV.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas shoqërisë civile, e ka edhe një tjetër anë të medaljes.

    “Nëse e shohim në aspektin nacional, veprimi nuk është i mirë sepse përshpejton shpërnguljen dhe zbrazjen e Luginës me shqiptarë, sepse do të nguten të blejnë prona në Kosovë duke i braktisur ato në Preshevë”, tha Beluli.

    Por kështu nuk mendon kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.

    “Shqiptarët e Luginës nëse i kanë këto të drejta në Republikën e Kosovës, nuk d.m.th. se do të shpërngulen masivisht, por ata do kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa.

    Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë 61 mijë shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.